Duka rrëfen vitin 2015: Rritja e futbollit, fryt i një pune të gjatë

December 23, 2015 10:09

Duka rrëfen vitin 2015: Rritja e futbollit, fryt i një pune të gjatë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka flet në Supersport për vitin futbollistik 2015 ku Shqipëria regjistroi disa suksese historike si në nivel kombëtaresh ashtu edhe në nivel klubesh.

Kualifikimi historik në Euro 2016, sfida delikate me Armeninë, beteja ligjore në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, por edhe ecuria fantastike e Skënderbeut në Europë ishin disa nga temat e prekura nga kreu i federatës në intervistën që ai dha përballë gazetarit Ylli Aga. Fillimisht, Duka bëri një analizë të përgjithshme për rrugësimin pozitiv të futbollit shqiptar që sipas tij është fryt i një pune të gjatë.

“Kemi shumë kohë që punojmë me organizimin e ekipeve të grupmoshave dhe sukseset e arritura janë si pasojë e punës që kemi bërë”.

Beteja ligjore pas ngjarjeve të Beogradit ishte një tjetër temë tek e cila Duka u ndal gjatë duke theksuar se këmbëngulja e federatës bëri që Shqipëria të fitonte në KAS.

“Beteja e KAS ishte shumë e gjatë por ne kishim besim se do të fitonim. Kishim përgatitur një dosje të plotë me të gjitha faktet”.

Kualifikimi i Shqipërisë në Francë ngjalli shumë entuziazëm në trojet shqiptare dhe për Dukën ky është një moment që duhet kujtuar gjatë.

“Euforia e tifozëve ishte e madhe pas kualifikimit të Shqipërisë në Europian. Ndryshimi i entuziazmit në krahasim me 10 vite më parë është i dukshëm”.

Në vijim të intervistës, kreu i federatës u ndal te ecuria pozitive e skuadrave shqiptare në kompeticionet europiane, duke nënvizuar se ky është një tregues i rritjes së futbollit shqiptar.

“Puna e madhe ka shpërblyer edhe klubet të cilët po marrin frytet e punë se bërë gjatë viteve të fundit ku futbolli shqiptar është zhvilluar shumë”.

Infrastruktura është një pikë e rëndësishme në strategjinë e federatës dhe sipas presidentit Duka, rikonstruksioni i impianteve është një prej prioriteteve të institucionit që ai drejton.

“S’ka futboll pa infrastrukturë. Ne si federatë kemi punuar për të bërë shumë rikonstruksione gjatë këtij viti”.

December 23, 2015 10:09
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*