Duke ëndërruar Rilindjen shqiptare

Redjan Shabani October 6, 2014 21:22

Duke ëndërruar Rilindjen shqiptare

Në rrugët e qytetit tim tashmë mund të lëvizje pa frikë në çdo orë të ditës ose të natës. Tek tuk shihje ndonjë makinë policie, por kjo nuk kishte shumë rëndësi pasi kishin kaluar kohë që nga vrasja e fundit. Tashmë ishin të largëta kohët kur vrasjet ishin rutinë e përditshme. Eksplozivët poshtë makinave ishin pjesë e historisë dhe me krenari përqeshnim Palermon që nuk ishte ndarë ende nga ky ritual i makabër. Vjedhjet ishin rralluar, për të mos thënë se nuk kishte fare. Pikat e basteve i gjeje me vështirësi; nga njëra anë për efekt të luftës që i bëri Ministri i Rendit dhe nga ana tjetër për efekt të ndërgjegjësimit të njerëzve të cilët nuk kishin as kohë për të humbur me atë sport gllabërues.

Punësimi kishte arritur shifra rekord. Kujtoheshin me nostalgji kohët kur njerëzit bridhnin lart e poshtë për të harruar mizerjen që i kishte mbërthyer. Nuk flitej për hapjen treqind mijë vendeve të punës që u premtuan, por shumë herë më shumë. Politikat sociale të ministrit simpatik të Mirëqenies ishin bërë realitet. Njerëzit ishin të dyzuar midis gjetjes së një vendi pune ose gëzimit të asistencës sociale që ishte relativisht e kënaqshme. Shtëpitë e fëmijës dhe azilet e pleqve ishin drejt falimentimit si rezultat i mos marrjes së fondeve; kjo për arsye se ishin të paktë fëmijët jetimë dhe pleqtë e braktisur. Shoqëria shqiptare ishte bërë shumë solidare me shtresat në nevojë. Madje edhe jetimorja “Zyber Hallulli”, e parapëlqyer nga vip-at, ishte drejt mbylljes pasi po këta vip-a nuk u mjaftuan duke dhënë lëmosha, por kishin birësuar pjesën më të madhe të banorëve të saj.

Ndërtimet pa leje ishin fshirë nga kujtesa. Askush s’e konceptonte dot që mund të ndërtoje pa miratimin e pushtetit vendor. Nga ana e vet pushteti vendor i kishte riparuar krimet që kishte bërë kundër komunitetit. Si për shembull, lulishtja magjepsëse e “Tre Racave” ishte kthyer në gjendjen e mëparshme, ndoshta edhe më e gjelbëruar. Lapidari i Mine Pezës mendohej të ishte një rast i izoluar, por shumë lapidare të tjerë u zbuluan nga prishja e atyre që Kryeministri i suksesshëm i Rilindjes pëlqente t’i quante çibanë.

Arsimi kishte arritur majat. Që prej fillores, mësim-nxënia ndihmohej nga tabletat dhe lidhja e internetit ishte e kudondodhur. Sporti ishte kthyer në një nga fushat më të financuara dhe më të frekuentuara. Studentët e doktoratës bënin kërkime shkencore, publikimet e të cilëve shfaqeshin në revistat më prestigjioze ndërkombëtare. Korporatat e huaja kishin hapur filialet e  tyre në Shqipëri për të shfrytëzuar këtë elitë intelektuale që ishte krijuar. Edhe çmimi Nobel u fitua përfundimisht nga një shqiptar, ndonëse jo nga ai që s’la më gurë pa lëvizur për ta marrë e ndonëse jo në letërsi.

Ja vlen të përmendet edhe ndëshkimi i atyre që e shkatërruan vendin. Tashmë ata e kishin përfunduar dënimin për të gjithë krimet që kishin bërë në kurriz të popullit. Edhe pse e Ai bashkë me ogiçin e tij, e keqja më e madhe e këtij vendi, nuk u dënuan për vrasjen e popullit të vetë apo shitjes e tokës mëmë, u gjet një çështje banale për t’i futur në burg dhe për t’i shpëtuar shqiptarët përfundimisht nga helmi që emetonin nga kulla e SHQUP-it.

Tashmë Evropa ishte më e bashkuar dhe nuk kishte shtete të privilegjuara. Edhe ne ishim pjesë e kësaj e familjeje dhe gëzonim të drejta të plota. Ambasadorët e vendeve fqinje nuk e shikonin më si oportunitet pasurimi ardhjen në Shqipëri. Thuhej se ishte një punë e mërzitshme, askush nuk ta varte edhe pse ishte ambasador i një vendi të fuqishëm. Qeveritarët shqiptarë nuk kishin nevojë për sekserë por dialogonin direkt me homologët e tyre, pa nevojën e urave lidhëse si ambasadorët pijanecë dhe qejflinj të njëherë e një kohe.

Me plot gojën thashë: Jam krenar që jetoj në Shqipëri! Por një zhurmë e bezdisshme po më ngacmonte. Ishte komshiu i katit të sipërm që po hapte një derë tjetër për të shkuar në ballkon. Hapa sytë, erdha në vete dhe zbulova se çka ju thashë më sipër, ishte një ëndërr po aq e bukur sa edhe e paarritshme.

 

Redjan Shabani October 6, 2014 21:22
Komento

1 Koment

Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*