Durrës, Shkodër… Dy poezi dashurie nga viti i largët ’71

February 8, 2018 03:20

Durrës, Shkodër… Dy poezi dashurie nga viti i largët ’71

Nga Moikom Zeqo

 

1 – TI EFEMERA IME

 

Ti efemera ime (e imja?),

Vetëm një çast të putha dhe e kuptova

Se emri yt s’ishte pavdekësia,

Vetëm një çast

Dhe ti ishe e tëra ky çast !

 

E ç’është një kometë e panjohur,

Që duke dashur të shkëputet nga e panjohura

Bëhet e njohur,

Por prap’ ikën

Tek e panjohura!

 

Një kometë,

Që përplaset në polin e dashurive tona,

Bjen, thërmohet

E shpërthen në shira mirazhesh –

Ishte dhe s’është më!

 

Eja, eja, eja!

Herë toka do të zhveshë stinët

Në garderobën e muzgut,

Herë unë

Në gjendjen time ambivalente dhe kaotike

 

S’jam unë siç isha në fillim

Kur vjen vjeshta e moshës.

A s’janë pranvera dhe vjeshta

Si pozitivi dhe negativi

I së njejtës fotografi ?

 

Ti ikën, ikën. Ti mbase s’kishe ardhur,

Ndaj s’kishe dhe si të ikje!

Se nëqoftëse në të vërtetë s’erdhe tek unë

Çdo ikje s’ka kuptim!

 

Durrës 2 korrik 1971

 

2 – NË MENDIME PËR TY

 

Hapësira e vjeshtës rri e mbështetur

Mbi bryla vigane shkëmbenjsh!

Gjithë bota ka rënë në mendime për ty!

Vetëtimat shkrepin, zhduken

Si metafora të guximshme poetësh!

Gjithçka është mendimi im dhe i botës për ty!

 

Shkodër e hënë 15 nëntor 1971

 

***

Në xhamin e urbanit

Pikat e shiut shkasin si mornica të kaltra

Urbani vjen nga periferia në qendër

Ti je mbështetur tek unë

Por jo si gjithmonë e dashur.

Jam i shqetësuar. Parandiej diçka.

S’dua që ditët e ardhshme

Të shkasin në trupin e dashurisë si mornica

S’dua që fytyrat tona

Të mjegullohen si xhamat e urbanit në ngrica!

 

Shkodër, e hënë, nëntor 1971

 

***

Unë ta putha fytyrën tënde të bukur

Por kjo s’ishte dashuri!

Duart e mia u pleksën mbi flokët e tua,

Ti kërkoje me ngulm të të pushtoja,

Por kjo s’ishte dashuri!

Kur u ngritëm

Me epshin e shuar

Pashë sytë e tu me një shkëlqim s’di se si.

Jo kjo s’ishte dashuri !

 

Shkodër, nëntor 1971

February 8, 2018 03:20
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*