Dy letra të Dritëroit

February 11, 2019 14:32

Dy letra të Dritëroit

Moikom Zeqo

 

Ruaj nga Dritëro Agolli dy letra me dorëshkrimin e tij karakteristik.

Nga pikëpamja kaligrafike Dritëroi shkruante përherë në letër me stilograf, me germa te medha.

Rrallëherë e kam parë të shkruante me stilolaps.

Shkrimi i Dritëroit ishte i pjerrët, i qartë dhe i shkruar me kujdes , si shkrimi i një fëmije.

Me kalimin e moshës Dritëroi e bëri më të dukshëm shkrimin e tij, në mënyrë që ta lexonte edhe vetë, por të ishte më e lehtë edhe për të tjerët në lexim.

Ruaj në Arkivin tim dy letra autografe të Dritëroit, të adresuara për mua.

Letra e parë është shkruar nga Dritëroi, në kohën kur ai përfundoi dhe e bëri gati për botim librin me poezi të Georg Traklit.

Kjo letër më drejtohej, që unë të shkruaja Parafjalën për publikimin në shqip të traktit, të shqipëruar nga Dritëroi.

Letra e plotë është si më poshtë:

 

            LETRA E PARË:

I dashur Moikom,

Po ta le ty librin me vjersha të Georg Traklit, të shqipëruar nga unë, – pra, po ta le, – për një parathënie, pasi në shumë anë poezia e këtij austriaku, afron me poezinë tënde -,jo vetëm në referimin e mitologjisë, por edhe në sendëzimin e abstragimit, apo të strukturalizmin, abstrakt të gjuhës në poezi.

Unë nuk di gjermanisht, por duke lexuar pa ditur, ndjej ritmin dhe tingullin e poezisë si në muzikë.

Dhe, në mënyrë të çuditshme, mendoj kështu: më mirë ta dish pak atë gjuhë nga përktheu poezi, sesa ta dish shumë, domethënë, më mirë ta dish si poet sesa si linguist (për të mos e tharë poezinë).

Fjala vjen, po të mos e dijë një poet gjuhën shqipe, duke përkthyer Lasgushin, por të dijë gjuhën e poezisë lasgushiane, ai i përkthen edhe vargjet:

 

Fluturoi dhe shtërg i fundit

Duke shkuar që me natë sipër malesh në dëborë.

 

Këtu ky përktheu mjafton të ndiejë muzikën dhe të kërkojë në fjalor fjalët: shtërg, fund, male, gjorë dhe me natë.

Të gjitha të tjerat e gjuhës pastaj i plotëson vetë.

Kështu edhe unë kam bërë me gjermanishten e Georg Traklit, doemos përmes gjuhëve të tjera.

Dhe le të marr një shembull nga ti prej librit “Tempulli i Hënës”, që unë e kam çmuar shumë.

Do të marr vargjet e tua, që flasin për “Sakuntalen”:

Sakuntala, Dielli, Qielli, Toka,

Buka, Lulja, Heshtja dhe Puthja

të gjitha janë në Emrin tënd

tërë emrat e botës të pasojnë,

përballë ke Antiemrin Vdekje…

 

Edhe këtu ai përkthyes që pak e di gjuhën shqipe, por shumë e di gjuhën e poezisë, veçanërisht të poezisë tënde, mjafton të kuptojë fjalët: Sakuntala, Dielli, Toka, Emri, Bota, Antiemri, Vdekja, – i plotëson, të gjitha shprehjet poetike mes tyre si: buka, lulja, heshtja, puthja e me radhë.

Nisur nga këto që thashë, rëndësi në përkthimin e poezisë ka hyrja e përkthyesit në rrëkenë e vargjeve të poetit, që dashuron.

Përqafime

Dritëroi

15 gusht 2002

         LETRA E DYTË:

 

Letra mban datën 16/01/2006, si dhe në fund emrin e autorit Dritëro Agolli.

Letra është katër faqe.

Në të vërtetë kjo letër është një konspekt që Dritëroi bëri si një parapërgatitje për të shkruar një artikull apo ese për poezinë time.

Titulli i dorëshkrimit është:

SHËNIME NGA LIBRI I FUNDIT I MOIKOM ZEQOS.

– Të duket sikur largohesh nga të gjallët.

– Nga ata (të gjallët) merr pak esencë.

– Të vdekurit janë mësuesit më të mëdhenj se të gjallët.

– Moikomi ringjall qytetërimet e rrëzuara për t’ia afruar qytetërimeve të reja.

– Duket sikur vrapon për të gjetur metaforën në rrënojat e antikitetit, detit dhe yjeve, apo kozmosit.

– Këto ide shpesh përplasen dhe nxjerrin paradokse.

– Proces poetik me hope, jo me hapa.

Frikë, – jo frikë, por qëndresë ndaj globalizmit.

– Janë metaforat me burime antike: teste arkeologjie, historie, letërsie, pikture, muzike, natyre.

– Barrikadë në mbrojtje të identitetit dhe origjinalitetit nacional

– Kohezion historik.

– Kundër figuracionit si reklamë: Domethënë Coca Cola, DASH, Birra Tirana

– Njeriu dhe bota, njeriu dhe kozmosi, toka dhe uji me zjarrin.

– Qetësia dhe apokalipsi.

– Uniteti i krijimtarisë: proza artistike, publicistika, poezia.

– Sintaksi poetik modern.

– Vargjet nuk lidhen me njëri tjetrin, me lidhëze gramatikore: dhe, se, që, pasi, etj, as me ndajfolje: prandaj, kur, ndofta.

– Nuk kanë vargjet e Moikomit stacione si në trena, por aeroporte si në aviona.

– Edhe poezia popullore nuk ka lidhëza:

 

O, kjo anë e lumit,

ka bilbila shumë,

pritmë, o bandill pritmë,

sa të rritem unë!

 

– Figuracionet nuk shkojnë në linjë të drejtë por në zig-zak: Bien dhe ngrihen

– Logjika + Absurd = Paradoks

– Po vjen koha që të vlerësohet lartë poezia e Moikom Zeqos, si një poezi e një identiteti të veçantë.

Dritëro Agolli

16/11/2006

***

 

Po i bëj publike për herë të parë këto dy letrat, të  shkrimtarit Dritëro Agolli.

Ato janë dëshmi e një jete të gjatë që kemi kaluar bashkë, që unë e përfytyroj përherë në formën e një vorbulle dhe të një lëvizjeje në tërë hartën e atdheut, nga Veriu në Jug.

Por me shumë udhëtime jashtë shtetit, që kemi bërë së bashku, në Greqi, Turqi si dhe në Rusi.

***

Gjatë kohës që unë jetova dhe studiova në Ëashigton D.C. Në vitet 1996-1997 mbaj mend që kam komunikuar me letra me Dritëroin.

Për fat të keq një nga bagazhet që unë kisha me dorëshkrime dhe dokumente, ku duhet të ishin dhe letrat e Dritëroit si dhe të shumë shkrimtarëve të tjerë shqiptar dhe të huaj, kur u ktheva në Shqipëri humbi dhe nuk u gjet nga Posta.

Unë kërkova nga posta e Shqipërisë por dhe nga Posta Amerikane e Ëashingtonit që të më kthehej ky bagazh.

Por mos të harrojmë që unë u ktheva në Shqipëri në vitin 1997, në momentin e një katrahure të tmerrshme, kur natyrisht edhe Posta Shqiptare nuk funksiononte në mënyrë normale.

Shpresoj që kopjet e këtyre letrave të gjenden në Arkivin familjar të Dritëroit.

February 11, 2019 14:32
Komento

2 Komente

  1. demo February 12, 04:54

    Ishte fat i madh per shkrimtarin qe Qelloi ne martesen e dyte.Kryeministri qelloi ne martesen e peste.Pas kesaj bjutifull martese,eshte bere mbrojtesi me intransigjent i grave dhe vajzave te dhunuara.E ka mbushur qeverine me gra dhe vajza fatlume,si bleta mbretereshe,dhe meshkujt te gjithe ne EMIGRACION,se burre grua si kolonel Gedafi i rrethuar me shtriga te kolme do te jete vetem Rama.

    Reply to this comment
  2. Vasili February 12, 13:10

    Poeti dhe shkrimtari i ben te gjitha sherbimet karshi folkut dhe kombit,nqse mbetet brenda zhanrit te vet.
    Ne kohen qe i lind deshira,per te zgjeruar kumbimin dhe ne sfera te tjera prozaike,aty lexuesi ndjen deformimin e pa desheruar,qe peson artisti.
    Ne fillim me indinjonte heshtja e gjate e Kadarese,per katrahurat e katundit anadollak i vendosur ne Europe.
    Por tani i jap te drejte:
    Mos e ngacmo me shume ate mut fshat,qe vazhdon te shkretohet nga te vetet, pasi kundermon keq ere mbasandaj.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*