DY LIRIKA TË ZGJEDHURA

August 11, 2017 11:30

DY LIRIKA TË ZGJEDHURA

1. Kujtimet të trishtojnë…

Ke dëshirë për të jetuar,
në dy skaje shekullorë,
kur sheh sy të yllëzuar,
gjinj të ndritur qumushtorë.

Para syve të përmbyset,
kupë e ndritur qiellore,
kur sheh jetën si harliset,
nëpër kurmet vashërore.

Bukuria e përsosur,
gjendet veç tek vashëria,
ndaj si dhimbje e pasosur,
më sëmbon në shpirt rinia.

Shkon dhe çasti i tanishëm,
shkon e më nuk kthehet kurrë,
e në qoftë i magjishëm,
ta mban shpirtin në torturë.

Vjen një çast që as veriun,
s’tregon busulla në jetë,
dhe kujtimet për njeriun,
bëhen vrasës të vërtetë…

2. Ndriçomë errësirën!

Në rrugët e gjata,
me kurthe e prita,
kur të bjerë nata,
ti eja si drita!

Eja-shpirt i lirë,
eja si një Zot,
se në errësirë,
rrugën s’e gjej dot!

Vetëm një qiri,
gjithë natën e ndezi,
rri me mua-ndri,
sa të vijë mëngjezi!

Pak dritëz mes territ,
e do çdo njeri,
kur prapë të vijë nata,
kthehu përsëri!

Pa qiri të ndezur,
jam njeri më kot,
se në errësirë,
rrugën s’e gjej dot!

Eja në të errët,
ditën s’kam ç’të dua,
s’i ndrij dot të tjerët,
po s’më ndrite mua!

Eja-hireplot,
se s’rroj dot pa ty,
sepse jo më kot,
ke emrin LIRI!

A. Duka
Marrë nga libri: “Shiko Hënën”, që po përgatitet për botim

August 11, 2017 11:30
Komento

1 Koment

  1. shabani August 11, 19:30

    Bukur

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*