Dy lirika të zgjedhura…

March 22, 2018 12:36

Dy lirika të zgjedhura…

 

Kryevepra…

O zonjë fisnike dhe e ëmbël,

o dritë që vetëtin në qelqe,

kanë thënë se jeta është një ëndërr,

po imja ishte shumë e keqe!

 

Po shpirti im s’e njeh pendesën,

dhe pse për gjumë m’u shua syri,

gjithmonë ti ngrihesh mbi harresën,

si një statujë e lartë floriri!

 

E cili burrë do kish guxim,

një kryevepër të harronte,

edhe të tretej në harrim,

siç desha unë të bëja sonte?!

 

Po asnjëherë nuk ka harresë,

sa ende zemra rreh tek gjiri,

ndaj ti m’u gdhende në kujtesë,

si një statujë e lartë floriri!

 

Po ç’kemi tjetër nga kujtimet,

më të sigurtë në këtë botë,

vetëm kujtimet-zonja ime,

as Zoti vetë s’na i vjedh dot!

 

Po ti ke qenë në zemrën time,

çdo orë të natës dhe të ditës,

ti ishe flakë vetëtime,

po unë nuk kisha rrufepritës!

 

Ndaj dhe qëndrova krejt zbuluar,

përballë rrufesë që flakërinte,

ndaj fundi im i merituar,

nga vetëtimat do më vinte!

 

E kush do ishte ai burrë,

t’i hidhte sytë tek një tjetër,

jo-kjo nuk mund të ndodhte kurrë,

se ishe ti një Kryevepër!.

 

 

Si ikona!

Në çdo frymëmarrje ndjej aromën,

e trupit tënd prej trëndafili,

të mbaj në zemër si ikonën,

që nuk i shuhet kurrë kandili!

 

Kaluan nuk e di sa vite,

kur kemi dhënë puthjen e fundit,

s’ia mbaj më emrin asaj dite,

s’e mbaj mënd çastin që më humbi!

 

S’e di ku ike-Amazonë,

s’e di në më kujtove më,

por unë të mbajta si ikonë,

krejt të ndriçuar përgjithnjë!

 

Nuk rroj në jetë veç me kujtime,

sepse kështu do isha tretur,

po shpesh qëllon që ora ime,

në dorën tënde më ka mbetur!

 

Unë atë orë s’e lëviz dot,

është koha vetë që ka ndaluar,

por ende jemi ne në Botë,

yje me dritë-por të larguar!

 

Shënim i autorit: Këto dy lirika janë shkëputur nga libri me lirika dhe balada: “Shiko Hënën!”, që po përgatitet për botim.

March 22, 2018 12:36
Komento

2 Komente

  1. Albi March 22, 16:05

    Fantastike.Dy bote ne nje pene.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*