Dy lirika

November 10, 2015 16:25

Dy lirika

Kënga e fundit…

 

Në deje gjaku më ka ngrirë,
qiriri në të fikur,
tani si hëna në të gdhirë,
jam gati në të ikur.

Eh-hëna botën do ndriçojë,
sërish në natën prush,
po mua kurrë s’do më zgjojë,
nga gjumi i gjatë askush.

Kjo zemra ime kaq e pati,
tani nuk do të bindet,
dhe s’di ku do më çojë xhelati,
te engjëjt – a te xhindet?!

Më dridhen sy edhe qerpikë,
si krahët e pëllumbit,
gjithë trupi më kullon muzikë,
për këngëzën e fundit.

Askush – që kur ka lindur jeta,
s’shpëtoi nga këto leqe,
dhe Bota – ç’është e vërteta,
nuk ish dhe aq e keqe.

As nuk kam qarë – as qaj me lot,
se prapë këtu do mbetem,
për këngët që s’i shkrova dot,
nuk e besoj të tretem.

Sa këngë në buzë – këtë vjeshtë,
si zogj të ngrirë më mbetën,
ndaj varri im me gurë të thjeshtë,
do të këndojë gjithë jetën.

 

Shënim i autorit – Kjo poezi është shkruar në 10 Shtator 2004, në spitalin “Internacional” në Stamboll ku jeta ime qe vërtet në fill të perit

 

 

Në ato viset e mia…

 

Në ato viset e mia,
bekuar prej Perëndie,
në Labovë e në Labovë,
kush më çon e kush më bie?!..

Në ato viset e mia,
trëndelinë në çdo fije,
në Labovë e në Labovë,
kush më çon e kush më bie?!..

Në ato viset e mia,
në Çajup e në Odrie,
në Labovë e në Labovë,
kush më çon e kush më bie?!.

Në ato viset e mia,
nëpër kroje – nëpër hije,
në Labovë e në Labovë,
kush më çon e kush më bie?!..

Në ato viset e mia,
Hënën me dorë e zije,
në Labovë e në Labovë,
kush më Çon e kush më bie?!..

Në ato viset e mia,
yjet në filxhan i pije,
në Labovë e në Labovë,
kush më çon e kush më bie?!..

Në ato viset e mia,
në Labovë e në Odrie,
ku dhe guri – ku dhe druri,
flasin fjalë dashurie…

Në ato viset e mia,
plot me mjaltë e me dëshirë,
në Labovë e në Labovë,
do të vdisja me dëshirë…

Shtator 2004, Arben Duka

November 10, 2015 16:25
Komento

5 Komente

  1. iliri tjeter November 10, 17:07

    Jo se keto jane poezi nga me te mirat qe ka shkruar Arben Duka. Jo! Ka te tjera qe jane perla te poezise shqiptare.
    Por me mire keto poezi te ndikuara dhe nga poezite popullore aq te perhapura ne Labove dhe fshatrat perreth, se sa te lexojme gjykime te njeaneshme dhe sharje, dhe ofendime dhe fjalor prej rrugaci ne bejtet me teme nga politika e sotme ne Shqiperi!
    Ja te tilla poezi presim ne nga Arben Duka autor i mirepritur nga lexuesit por dhe nga degjuesit e kengeve te mbeshtetura ne poezite e tij!

    Reply to this comment
    • era November 10, 21:51

      Njeriu dhe me teper poeti nuk jeton ne flluske o iliri tjeter, se pastaj nuk di per ke i shkruan poezite.
      Edhe vargjet politike perla i ka, packa se ne te varferit jemi ndare kashte e koqe dhe duam qe poeti ti shkruaje sipas midese se tyre.

      Reply to this comment
  2. demo November 10, 21:32

    Mua me pelqejne bejtet politike.Kujt nuk i pelqejne mos i kendoje!Keto me siper i kam lexuar tek Eminesku.

    Reply to this comment
  3. LABI November 10, 22:21

    Dritez e qiriut,
    sec e verboje henen,
    le t’ja marim labce,
    zogjte, t’na mbajne kengen!

    Le t’ja marim kenges,
    por Jo, asaj te fundit,
    le t’na mbajne isooo,
    krahet e pellumbit!

    Xhelati uli koken,
    balle teje kur u gjende,
    Jo, nuk qe e lehte,
    te thyej te arten pene!

    Ti sfidove djajte,
    per punet e pa mende,
    shume kohe do te presin,
    njerezit vargun tend!

    Shume vite do te lexojne,
    imazhin e Dites,
    shume kohe do te kendojne,
    poetin e drites!

    JETE TE GJATE MIKU YNE!

    Reply to this comment
  4. shqipe November 10, 23:07

    Lirikat e Ben Dukes,
    Jane,si thelleza,gushtit…
    Kan’ dhe bukurin e lotit,
    Derdhur faqeve Lasgushit…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*