Dy muzikantë të traditave në Shqipëri

August 17, 2018 16:57

Dy muzikantë të traditave në Shqipëri

Moikom Zeqo

Gjergji – muzikant durrsak para 8 shekujve

Durrësi ka qenë në shekuj një land i begatshëm në tradita artistike dhe muzikore.

Nga Durrësi kanë dalë një varg muzikantësh të njohur, bile edhe në shkallë botërore.

***

Në një dokument në korpusin e dokumenteve mbi Shqipërinë “ACTA ET DIPLOMATA” (“Acta et diplomata res Albaniae mediae altatis illustrante” në dy vëllime, botuar nga L. Thezei, Jeriçek, Shuflai në vitet 1913-1916), gjetëm një informatë me interes të posaçëm përsa thamë më sipër.

Dokumenti mban datën 18 janar 1246 (sipas kalendarit të vjetër 6754 që nga krijimi i botës).

Aty bëhet fjalë për një dëshmi, ku një nga dëshmitarët është edhe “Gjergji, Lektor e Primicier i Këngëtarëve”.

Nuk shënohet mbiemri.

Ky person historik ka dy tituj: titulli i parë Lektor, që flet për kulturën e tij të madhe për kohën (s’jemi në gjendje që të themi ç’rol ka luajtur në shoqërinë kulturore të kohës si Lektor) e titulli i dytë, Primicier i Këngëtarëve.

Primicier është një titull i lartë, që do të thotë Kryemjeshtër.

Natyrisht, që të arrije që të bëheshe Kryemjeshtër, duhej ta meritoje këtë titull.

Duhej të shquheshe e të kishe dijeni të thella e kulturë muzikore të gjerë.

Dokumenti bën të njohur ekzistencën e një kompleksi këngëtarësh, që kanë qenë padyshim me funksione kishtare e që i kanë shërbyer profesionalisht dhe artistikisht muzikës së kultit, siç ishte zakoni dhe tradita liturgjike e   kohës.

***

Nga një dokument (po në këtë korpus dokumentesh) që mban datën 23 shtator 1210 (d.m.th. 36 vjet më parë se përmendja e emrit të Gjergjit) bëhet fjalë për muzikën e kultit në qytetin e Durrësit e shprehimisht për “këndimin e himneve”.

Konkludojmë se në qytet, pranë Tempullit Titullar të qytetit dhe tërë zonës, që kishte në juridiksion, kanë ekzistuar mekanizma muzikore, si dhe muzikantë e këngëtarë të kualifikuar që kanë ndjekur një traditë të caktuar, një traditë të trashëguar.

***

Tani disa fjalë për shekullin XIII e Durrësin në këtë shekull.

Shekulli XIII është shekulli i kryengritjeve të mëdha e sfiduese të arbëreshëve kundër pushtetit perandorak bizantin, sidomos gjatë viteve 1257-1258.

Që në vitin 1217 perandori latin i Bizantit Pjetër dë Kurtëne me 160 aristokratë e 5000 kalorës rrethon Durrësin, por nuk e merr dot dhe më vonë shpartallohet nga arberit dhe bizantinet në luginën e Shkumbinit.

Në shekullin XII dhe XIII kemi një fenomen me rëndësi tepër të madhe për historinë e kombit: ekzistencën e shtetit të parë të Arbërit (1190-1216).

Burimet historike flasin për këtë shtet deri në vitin 1253.

Në këto kushte Durrësi ka një jetë të varur vetëm nominalisht nga Bizanti.

Qyteti ka arealin e vet të kulturës.

Titulli Primicier është me origjinë bizantine, prandaj themi se muzika e kultit ka shumë rëndësi të ketë qenë e kulturës muzikore bizantine.

***

Në repertorin kryesor të kësaj muzike në këtë shekull kanë qenë veprat e Jan Kukuzelit nga Durrësi (shekulli XII), të regjistruara sipas sistemit të posaçëm muzikor kukuzelik.

Padyshim që këngëtarët kanë ushtruar dhe koralet, të quajtura gregoriane dhe polifonike.

Sidomos mbas shekullit XI në polifoninë mesjetare dallohet të kënduarit me dy zëra (diagona ose organum).

Njëri nga dy zërat mban melodinë e njohur.

Zëri i dytë është një melodi e lirë me karakter improvizues, e cila, duke u nisur në unison me të parin, largohet nga ai, deri në një interval kuarte për t’u kthyer përsëri atje ku u nis.

Në këtë periudhë një formë tjetër e polifonisë është edhe diskanti; ai ndryshonte nga organumi.

Sepse zëri i dytë, që i shtohej melodisë së dhënë, këndohej në lëvizje të kundërt me të dhe jo paralelisht.

Po këto fenomene muzikore, mbas shekullit XIII çuan më vonë në prirje të rëndësishme të artit muzikor laik për prishjen e hegjemonisë së muzikës kishtare e në veçanti të stilit kanunor gregorian.

***

Muzikanti durrsak me emrin tipik shqiptar Gjergj, si titullar i një grupi muzikantësh vendas në shekullin XIII, është një motiv historik e kulturor që flet për vazhdimësinë e kulturës muzikore, e cila nis që në thellësitë e shekujve.

Kete kulturë të cilën koha jonë  e ka evidentuar dhe e ka nxjerrë në pah jo thjesht si fakte kurioziteti e vlera antikuari.

Por si një vërtetim i rezistencës për ruajtjen e qenies së popullit tonë në shekuj, jo vetëm me armë, por edhe me kulturë.

  1. Manasi- muzikant shqiptar i shekullit XVIII

Mbishkrimi i një monumenti kulti në Libofshë të Myzeqesë na jep një fakt interesant për traditat muzikore vendase.

Mbishkrimi bën të ditur se më 1782 kanë kontribuar për rindërtimin e monumentit të ngritur më 1766 disa persona të rëndësishëm të kohës, midis të cilëve përmendet edhe “i shumëdituri muzikant, igumeni zoti Manasi”.

***

Manasi së bashku me një Mihal Hartofillaku (arkivist) e të tjerë janë nga manastiri i Ardenicës, që përbën një ansambël monumentesh historike të zonës, me vlera të spikatura kulturore.

Në shekullin e 18 në Ardenicë është qerthulli i një aktiviteti të gjërë kulturor i zejtarëve e artistëve shqiptarë të lidhur me kultin.

Manastiri dispononte një bibliotekë të rëndësishme, me libra në shumë gjuhë të botuara në kontinent si dhe dorëshkrime të vjetra.

***

Pikërisht më 1731 Nestor Terpo Voskopojari bën një mbishkrim shqip në një ikonë gravure, si shprehje e përpjekjeve të patriotëve tanë për ta bërë shqipen gjuhë kulture e për ta kultivuar.

Në këtë shekull këtu pikturuan edhe Kostandin Shpataraku edhe vëllezërit Zografi, të cilët kanë bërë edhe afreskun e Jan Kukuzelit, muzikantit mesjetar shqiptar nga Durrësi i shekullit të 12-të.

Muzikanti me emrin Manas i ka njohur pa dyshim emrat e mësipërm.

Dhe duhet të ketë parë me sytë e tij portretin mural të Kukuzelit ne Ardenice.

Vetë ai qe  si Jan Kukuzeli, dmth muzikant.

Cilësimi “i shumëditur” tregon për kulturë e aftësi krijuese e interpretuese.

Për fat të keq ne s’dimë asgjë për veprimtarinë e jetën e muzikantit Manas.

Emri Manas ka qenë i përdorur ndër shqiptarët.

Kështu më 1482 në Venedik është një stratiot shqiptar, i quajtur Manas, një nga ata të diasporës që u krijua mbas vdekjes së Skënderbeut si rezultat i emigrimit në Itali.

Nënkuptohet se Manasi i shekullit të 18-të është marrë me muzikën e kultit.

Në Ardenicë e në rrethinat e saj janë përdorur instrumentat muzikore.

Manasi s’do të ketë qenë i vetmi muzikant.

***

Zejtaria shqiptare, arkitektura, piktura e muzika të shekullit të 18-të në Myzeqe, me kryeqendër Beratin, siç e cilëson Muzaka në kronikën e tij të vitit 1510 (ku ka ushtruar veprimtarinë e tij Onufri me të birin Nikollën si dhe shumë artistë të tjerë), ka një zhvillim që lidhet me fuqizimin ekonomik të një farë borgjezie qytetare ,që merrej kryesisht me tregti.

Kështu, një shoqëri religjioze-kulturore, me emrin e Manastirit të Ardenicës ka lidhje me këtë lak kohor me shqiptarë të emigruar në Poloni e në Hungari.

Në këtë mjedis ka vepruar e ka kultivuar muzikë edhe muzikanti Manas.

Ka mundësi që ai të ketë disponuar edhe tekste muzikore me muzikë të Jan Kukuzelit, portreti i të cilit i afreskuar nderohej për origjinën shqiptare.

Dhe  per famen e madhe  te Jan Kukuzelit si  Reformator i Muzikes Bizantine.

Fakt është se muzika e kultit ka pasur një traditë romake dhe me pas  bizantine,  paraosmane, por, siç e dëshmojnë arbëreshët e Italisë, të cilët e mbartën këtë traditë në dhe të huaj, kishte edhe elementë vendas e kombëtarë, e në liturgji të përdorej, siç vë në dukje  edhe Marfioti, gjuhë shqipe të paktën që në shekujt e 15-të e 16-të.

Na e do mëndja që këto elemente të mos jenë zhdukur në shekujt e mëpasshëm në Shqipëri.

Por, përkundrazi.

Kështu muzikanti Manas përbën një subjekt të traditave tona kulturore.

***

Në shekullin e 19-të në Durrës, Krisanth Maditi, Reformator i Muzikës Pasbizantine, kishte krijuar një kor kishtar, ne trojet shqiptare, që shquhej si nga më të mirët në Ballkan.

Dhe është ai, ndonëse vetë i huaj, që shkruan për shqiptarësinë e durrsakut të shquar Jan Kukuzeli.

Krisanth Maditi  si teoricien i madh  muzikor  ka shkruar per traditat  e vendit.

Duke hedhur dritë në traditat vendase muzikore.

Kërkimet e hulumtimet e ardhme në këtë fushë do të na japin patjetër të dhëna të reja me interes kulturor.

Që, krahas muzikantit Manas, të gjenden edhe emra artistësh të tjerë shqiptarë të kohës, me vlerë për historikun e muzikës në Shqipëri.

 

August 17, 2018 16:57
Komento

2 Komente

  1. Z/K August 17, 19:49

    Ku i gjete te dy muzikantet e medhenje pa mbiemer.Teper interresante.

    Reply to this comment
  2. perkthyesi August 18, 12:53

    Shkrime nteresante! Ju falenderoj zoti Moikom!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*