Dy operacione në kufi, kapen 247 kg drogë Lazarati

February 22, 2014 09:56

Dy operacione në kufi, kapen 247 kg drogë Lazarati

Nuk ka të ndalur droga që kalon nga Shqipëria me destinacion Greqinë, por edhe Italinë. Vetëm gjatë natës, duke gdhirë dita e djeshme, në dy operacione të ndryshme, në zonën e Sarandës dhe Gjirokastrës janë sekuestruar rreth 250 kilogramë hashash dhe marijuanë, që dyshohet se ka dalë nga Lazarati. Në aksionin e parë në hyrje të kufirit grek, në Jarinjë, u kapën 100 kg brenda një kamioni të braktisur, kurse pak orë më pas, në Janjar, u sekuestruan edhe 147 kilogramë të tjera, ndërsa u arrestuan dy korrierët e dyshuar të ngarkesës me destinacion Greqinë. Në pranga ranë Tauland Omeri, që drejtonte mjetin dhe Ramadan Dudumi, shoqërues. Operacioni u kodua “Piramida”.

 

Operacioni

Policia Kufitare e Sarandës, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, se një sasi lënde narkotike do të trafikohej nëpërmjet kufirit me Greqinë në piramidën Nr. 57, menjëherë ka organizuar shërbimet operacionale të fshehta në aksionin e koduar “Piramida”. Në aksin rrugor Ninar-Janjar, në vendin e quajtur “Lëmi i Gurtë”, është bërë e mundur që të bllokohet fillimisht një automjet tip “Mercedes Benz 240”, si dhe të shoqërohet drejtuesi Tauland Omeri, si dhe ndjekja e menjëhershme e një automjeti tjetër tip fuoristradë e markës “Toyota”, me ngjyrë blu, me targa angleze K216YEL, i cili sapo ka konstatuar veprimet e punonjësve të policisë, është larguar dhe është gjetur i braktisur në një distancë të afërt nga punonjësit e policisë kufitare. Brenda këtij automjeti janë gjetur 5 çanta me 147 kg lëndë narkotike. Gjithashtu nga kërkimet e kryera është bërë e mundur që në afërsi të automjetit të gjendet dhe shoqërohet edhe i dyshuari Ramadan Dudumi.

 

Arrestimet

Menjëherë u bë arrestimi në flagrancë për veprën penale “trafikim i narkotikëve” i Tauland Omeri, 32 vjeç, banues në Sarandë dhe Ramadan Dudumi, 24 vjeç, lindur në Gjirokastër dhe banues në Sarandë.  Mendohet se lënda narkotike do të transportohej nga trafikantet deri në vendin e quajtur “Ura e Lumit Frashër”, në fshatin Janjar, me automjet dhe më pas do të ngarkohej në kafshë, mushka, për t,u trafikuar në drejtim të Greqisë, nëpërmjet Piramidës Nr. 54. Policia deklaron ndër të tjera se po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

 

 

February 22, 2014 09:56
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*