Dy poezi…

May 17, 2018 12:35

Dy poezi…

Fllade vere…

Zbardhin vitet përmbi thinja,
nëpër mjekër-nëpër flokë,
po me jetën dot s’nginja,
që kur eca përmbi tokë.

Rrodhën vitet si ujvara,
uji-turbulluar krejt,
si shkëmbit më bënë të çara,
saqë s’eci dot më drejt!.

Shumë e shumë në jetë më deshën,
thanë se isha goxha burrë,
shumë të tjerë më përqeshën,
dhe më qëlluan me gurë.

Po unë e kurseva lotin.
Të mërzitesh?-Ç’marrëzi!
Ka kaq shumë që s’duan Zotin,
ç’pyet për mua-për ty?!

Pa panik e pa potere,
do pres fundin edhe gjyqin,
tonat janë fllade vere,
gjerse Krishti duroi Kryqin!

Unë dhe rinia ime…

Rinia ime-kur ne ishim dyshe,
në shpirt mërzinë nuk e ndjeva kurrë,
po ti më ike si një dallandyshe,
po ti më ike dhe s’u ktheve kurrë.

Po dallëndyshet kthehen në pranverë,
kthehen përsëri nga mall’ i vjetër,
po ti-e dashur-s’u ktheve asnjëherë,
dhe pse veç teje s’prisja asnjë tjetër.

Rinia ime-sa shpejt më braktise,
sa shpejt në zemrën time shove zjarrin,
dhe nuk e di ku shkove-ku bitise,
për mua-krejt përjashta le litarin…

Po unë jam folezë aq besnike,
që pres e pres-se s’mund të bëj gjë tjetër,
të kthehet përsëri rinia-mike,
sa ende nuk jam bërë një plak i vjetër!

Se ende shumë vite s’kam mbi shpinë,
shpirtin ende ma gëzon pranvera,
ah-një ditë të piqem me rininë,
do t’i prisja gjemba edhe ferra.

Shkopin tej nga dora do ta flakja,
si pelerinë diejt do t’i vishja,
njëmijë vjet e s’do më vinte plakja,
po të kthehej rini-dallëndyshja.

Por së paku kam kalem e letër,
dhe shkruaj me shpirt për Perëndinë,
që më mbajti dhe një ditë tjetër,
dhe ma mbushi gjoksin plot me frymë…

Arben DUKA

May 17, 2018 12:35
Komento

2 Komente

  1. vjola May 17, 20:52

    Shume te bukura ,

    Reply to this comment
  2. drita May 17, 21:15

    Poezi shume e bukur,suksese Arben

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*