Dy poezi

September 3, 2018 11:28

Dy poezi

 

 Ndriçomë errësirën!

Në rrugët e gjata,

me kurthe e prita,

kur të bjerë nata,

ti eja si drita!

 

Eja shpirt i lirë,

eja si një Zot,

se në errësirë,

rrugën s’e gjej dot!

 

Vetëm një qiri,

gjithë natën e ndezi,

rri me mua-ndri,

sa të vijë mëngjesi!

 

Pak dritëz mes territ,

e do çdo njeri,

kur prapë të vijë nata,

kthehu përsëri!

 

Pa qiri të ndezur,

jam njeri më kot,

se në errësirë,

rrugën s’e gjej dot!

 

Eja në të errët,

ditën s’kam ç’të dua,

s’i ndrij dot të tjerët,

po s’më ndrite mua!.

 

Eja hireplot,

se s’rroj dot pa ty,

sepse jo më kot,

ke emrin LIRI!

 

Magjia…

Shpesh më thua ti:

“S’ke nga të më luash,

do të bëj magji,

mua të më duash!”

 

S’të bën punë magjia,

po ti nuk e di,

se vetë dashuria,

është një magji!

 

Gjithë jetën tok,

s’na mban dot magjia,

po s’të ra në kokë,

nuk ndodh mrekullia!

 

Po të ra në kokë,

xhinde dashuria,

ajo s’të del kurrë,

siç të del rakia!

 

Sikur dhe të duash,

s’e mban dot të fshehur,

se i dashuruar,

je gjithmonë i dehur!

A. Duka

September 3, 2018 11:28