DY POEZI NGA ARKIVA

Arben Duka January 9, 2016 15:44

DY POEZI NGA ARKIVA

Rikrijim…

S’më vjen keq për vitet që më ikën,
ato ikën fare pa më prekur,
s’më vjen keq për zjarret që m’u fikën,
se kush ndizet-digjet për t’u tretur.
 
S’e kupton aspak njeriu i shkretë,
si i tretet jeta në çdo orë,
flokëziu me syrin shigjetë,
kthehet në kodrinëz me dëborë.
 
Ashtu e pësova edhe unë,
që besoja vetëm në rininë,
dhe kur çaja zhveshur në furtunë,
s’e mendoja kurrë pleqërinë.
 
Gota ime plot me verë të kuqe,
nuk do boshatisej ndonjëherë,
porse jeta qenka plot me huqe,
ato që t’i fal-sërish t’i merr!
 
Dhe s’të lë aspak që të mendohesh,
ishte-apo s’ishte çast’ i duhur,
edhe kohë s’ke që ta shikosh,
jetën tënde bërë baltë e pluhur.
 
Shekuj do të shkojnë e do të vijnë,
ne do jemi lodra për mëshirë,
shpirtrat njerëzorë do ulërijnë,
në një natë të zezë-në shkretëtirë!
 
Tiranë, 27.12.2007
 

Dashuria është abstrakte!

 

Dashurinë-dashurinë,
asnjeri s’e ka arritur,
nëpër misteret e saja,
hyn e del i pastërvitur.
 
S’e njohim në të vërtetë,
as në Prill e as në Maj,
po dhe pa e njohur fare,
ne jemi robër të saj!
 
Dashuria s’ka formula,
që përmendësh t’i mësosh,
po për të ësht’ vënë vula,
thjeshtë duhet të dashurosh!
 
Dashuria s’njeh logjikë,
ndryshe dashuri s’do qe,
është abstrakte edhe pikë,
ndaj dot s’e kuptojmë ne!
 
Dashuria-dashuria,
jo-nuk ka formula fikse,
dhe në një zemër që digjet,
s’mund të futesh me zjarrfikëse!
 
Koha ikën si shigjetë,
si shigjetë e vetëtimë,
po ne s’e njohim gjithë jetën,
as veten-as dashurinë!
 

Tennesse, USA, 14.03.2008

 

Arben Duka January 9, 2016 15:44
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*