Dy poezi nga arkiva…

Arben Duka March 15, 2016 15:21

Dy poezi nga arkiva…

Nëse jeta ime

Nëse jeta ime ka një qiell,
ti-natyrisht-je dielli i saj,
çdo regëtimë e zëmrës sime,
të përket ty-mua pastaj.

Nëse jeta ime është një det,
ti je anija që lundron,
unë ndiej si çahet valë e jetës,
edhe kur ti nuk siluron.

Nëse jeta ime është një stinë,
krejt e bleruar-që nga fillimi,
nuk është sekreti -që s’e dimë,
ti je aroma dhe blerimi.

Nëse jeta ime është një pasqyrë,
që ndrit e ndrit me kaq shkëlqim,
ti je rrezja që e ndriçon,
që uné të shoh portretin tim.

Nëse jeta ime është një zjarr,
ndezur në mbrëmje e mëngjez,
ashtu si sot edhe më parë,
ti je shkëndija që e ndez.

Nëse jeta ime do ish një vdekje,
ti do të ishe arkivoli im i florinjtë,
arkivoli im i përsosur,
ku nuk do hynin kurrë gjarpërinjtë.

Ç’ta zgjasim më me metafora,
me metafora-krahasime,
të miat kam vetëm mushkritë,
se ti je frymë e jetës sime.

7 Shkurt 2009

****

Sepse unë e di sa vlej

S’më duhet kurrfarë kritiku,
për ndonjë nevojë nuk ndjej,
sepse unë-more lum miku,
e di mirë se sa vlej.

Jam një shkëmb në det të jetës,
fort tek unë përplasen valët,
dhe për hir të së vërtetës,
në këmbë më mbajnë fjalët.

Dikur shkrova pikëlluar,
ç’të bëja me fjalën-s’dija,
fjala duhej modeluar,
siç e donte poezia.

Fjala-rrahje e zëmrës sime,
asnjëherë s’mori për ters,
fjala ka më shumë ngjyrime,
se yje në univers.

Unë kam universin tim,
me të vetë jam i mahnitur,
fjalët-që nga shpirti im,
i kam korrur-i kam situr.

Si Zoti-në këtë jetë,
edhe fjala është e shënjtë,
unë e di sa vlej vërtetë,
po nuk di të shitem shtrënjtë.

Se fjala të lulêzojë,
duhet bluar paq në mokër,
dhe këtë-nuk ka nevojë,
që ta dijë çdo mediokër.

As tani e as përpara,
s’ja kam futur kot katundit,
që nga poezitë e para,
e gjer sot tek vargu fundit.

Nëse çdo ditë do të gjesh,
nga një fjalë të farfurinjtë,
kur të ikësh do të lësh,
një kështjellë të florinjtë!

Jam një shkëmb në mes të detit,
më godet orteku i valëve,
as nga zjarri i tërmetit,
nuk bie kështjellë e fjalëve.

Arben Duka March 15, 2016 15:21
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*