Dy romane të Luan Starovës në bullgarisht

May 14, 2018 10:52

Dy romane të Luan Starovës në bullgarisht

Rusana Bejleri

Një lajm i bukur vjen për kulturën shqiptare nga Sofia.

Më 10 maj, në orën 18, në sallën e madhe të Akademisë së Shkencave të Bullgarisë u bë paraqitja e dy romaneve të Luan Starovës “Babilonasit e Ballkanit” (2018) dhe “Kthimi i Dhive” (2017) të botuara në gjuhën bullgare. Botimi është realizuar nga shtëpia botuese “Izida”, kurse veprimtaria u organizua nga Akademitë e Bullgarisë dhe Maqedonisë në kuadrin e festimeve të Ditës së Kulturës Bullgare dhe të Alfabetit Cirilik.

Të pranishëm ishin presidentët e dy Akademive, intelektualë dhe studentë-ballkanistë. Studentët folën në mënyrë spontane për takimin e tyre të parë me veprat e shkrimtarit, që ishte romani “Koha e dhive” (2003).

Librat e rinj u prezantuan nga shkrimtari i mirënjohur bullgar Anton Donçev. Rrëfimi i tij ishte emocionues figurativ dhe ndolli qetësi absolute në sallë. Për tekstet e Starovës, tregoi ai, kishte menduar metaforën e fuçisë me verë, mirëpo fjala fuçi nuk iu duk me tingëllim të këndshëm, prandaj duke u gdhirë në mëngjes i erdhi një përfytyrim më i denjë, i amforës së bukur përgjysmë në tokë, të mbushur me verë nga vreshtat më të mira të Ballkanit tonë.

***

Luan Starova ka lindur në Pogradec të Shqipërisë më 1941. Si student i gjuhës dhe i letërsisë frënge, punoi një kohë si gazetar. Më vonë u pranua asistent në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë frënge në Fakultetin Filologjik të Shkupit, në të cilën ka qenë profesor i rregullt i letërsisë frënge. Aktualisht ligjëron në Universitetin e Evropës Juglindore të Tetovës dhe është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe të Akademisë Mesdhetare në Napoli. Ka botuar shtatë romane, dy vëllime me tregime, një me poezi, disa vëllime me esse dhe studime, ka përkthyer poetë të njohur francezë në shqip dhe maqedonisht. Shkruan paralelisht shqip dhe maqedonisht. Pas botimit të katër romaneve të para në frëngjisht: tre nga “Fayard” në Paris ( “Librat e Babait”, “Koha e dhive” dhe “Muzeu i ateizmit” ) dhe një prej “Les Editions de l’Aube” ( “Bregu i egzilit” ) dhe pas jehonës që i bëri kritika, disa nga romanet e tij u përkthyen në 14 gjuhë të ndryshme. Renditet ndër shkrimtarët shqiptarë më të përkthyer në botë. Është fitues i çmimit më të lartë francez për artet dhe letërsinë.

 

 

May 14, 2018 10:52
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*