Dy shqiptarë të 4 shekujve më parë

May 21, 2016 12:48

Dy shqiptarë të 4 shekujve më parë

 Nga Moikom Zeqo / Thënia se “historia më shpesh mbulon sesa zbulon” nuk është krejt kot. Për arsye të pakuptueshme historia kërkon ndihmën e “arkeologjisë së saj”. Kronikat janë, por subjektiviteti i historianëve është ose kërcënues, ose indiferent. Rishkrimi i historisë është një mënyrë e mbijetesës së saj. Kam në duar disa dokumente për shqiptarët e fillimit të shek. XVII-të. Të mbledhura nga leximet kaotike por jo dhe të padobishme. Vështirësia e kërkimit e ka gjithsesi një përfundim.

Në 25 prill 1607 ambasadori i Francës në Konstandinopojë shkruan një letër ngazëlluese dhe grishëse për mbretin e tij në Paris. Kjo letër flet për disa lajme nga Shqipëria. Konkretisht për më lehtë një shqiptar, i quajtur Andrea Manesi, i cili kishte shpallur një sfidë ndaj Perandorisë Osmane.

Andrea qe nga fshati Qullëz, midis Lezhës dhe Shkodrës. 24 vjet. Ai kishte grumbulluar popullin dhe kishte shpallur se kishte parë një ëndërr tronditëse. Jo një qenie por gati njëqind qenie hyjnore i kishin thënë një profeci. Kuptohet që profecia vinte nga vetë Zoti. Profecia i kishte treguar se Perandoria Osmane në të vërtetë nuk i takonte Sulltanit por vetë atij, Andrea Manesit. Sulltani duhej shpronësuar. Andrea duhej të bëhej kreu i Perandorisë.

Andrea e tha këtë kumt në praninë e 7 mijë shqiptarëve. Ai u tha atyre se Sulltani kur ta merrte vesh këtë lajm do të dërgonte kundër tij dhe gjithë atyre që e besonin atë ushtritë shpaguese të Tri Pashallarëve. Po ishte e sigurt se për shkak të vullnetit dhe perspektivës hyjnore Andrea do t’i thyente osmanët dhe shumë shpejt do të hynte triumfalisht si fitimtar në Konstandinopojë, që osmanët e quanin paturpësisht me emrin e tmerrshëm Stamboll.

Letra e ambasadorit francez kishte plot hollësi, agjentët e tij e kishin marrë informacionin nga pushtetarë pranë Sulltanit në Portën e Lartë si dhe nga mjedisi i Sheh Ul Islamit. Në fund të letrës shënohej me metafora teologjike se vdekatarët e zakonshëm nuk i dinë rrugët e Zotit, ndoshta te shqiptari i panjohur Andrea Manesi kishte zbritur nga qiejt me të vërtetë një vegim i madh dhe i shndritshëm.

Në 1 maj 1607 mistiku shqiptar Pal Dukagjini shkruan një letër nga qyteti i Budvës për Senatin e Venedikut. Letra ka një shqetësim përvëlues por edhe një shpresë të fshehtë. Pal Dukagjini informon se Andrea Manesi ka formuar një ushtri me shqiptarët e tij prej 10 mijë vetësh. Në malet e Shqipërisë, në krahinën e Dukagjinit ai e ka quajtur veten një “Skënderbe të Dytë”. Në tekstin e letrës thuhen konkretisht fjalët “lasato dire che vol esser un altro Scanderbeg”.

Në 12 maj 1607 ambasadori i Francës në Kostandinopojë i shkruan përsëri Mbretit të tij për mrekullitë e Andrea Manesit. Ai thotë se Andrea Manesi ka shpërthyer hambarët e drithit në Shqipëri duke ia shpërndarë të varfërve. Shqiptarët i përgjërohen dhe i binden pa fjalë. Le të shkruhet dhe një episod mbresëlënës mrekullie. Andrea ka biseduar me një jeniçer, ia ka shpjeguar profecinë. Jeniçeri me dinakëri i ka thënë se i besonte. Pastaj jeniçeri është larguar duke bluar në kokë mendime krejt të kundërta.

Por profeti Andrea e kishte mundësinë e leximit të mendimeve në largësi. Ai e thirri Jeniçerin që të ndalonte dhe të mos ecte më tej.

Pastaj u afrua, e preku me pëllëmbën e dorës së djathtë qafën e jeniçerit dhe koka e këtij fatziu u pre menjëherë. Të gjithë u tromaksën dhe ranë përmbys përpara Andreas.

Për ta forcuar më tepër besimin e ndjekësve të tij Andrea u zhvesh lakuriq dhe i nxiti shqiptarët e tij ta gjuanin me shigjeta, të cilat nuk e plagosnin aspak. Fraza në frëngjisht për këtë ngjarje të pabesueshme është “quíl sést faict tire des flechades, ayant corps tout nut lesquelles ne leblessent point”.

Por letra e ambasadorit francez tregon dhe një fakt akoma më të pakuptueshëm. Mbas të gjitha këtyre mrekullive, Andrea Manesi i kishte thënë të gjithëve që këtej e tutje ta quanin Idar. Pse vallë? Ai kishte shpjeguar se në trupin e tij kishte mishëruar jo vetëm Jezu Krishtin por dhe shpirtin e pavdekshëm të Imam Aliut të Madh dhe nga kjo sintezë mistike ai ishte shndërruar si diçka e tretë, pikërisht me emrin e pazakontë dhe të pangjashëm me emrat e tjerë, Idar. Duket se ky shqiptar kokëkrisur dhe i pafrikshëm kishte në vetvete fuqi të pashtershme të mistikës së perëndimit dhe të lindjes.

Në Portën e Lartë komentuesit e këtyre lajmeve nga Shqipëria, fallxhorët, teologët më të famshëm të Islamit, vezirët dhe komandantët e jeniçerëve kishin krijuar një numër thashethemesh nga më këlthitëse dhe të vrazhda. Vetëm Sulltani kishte qeshur, madje kishte urdhëruar që t’i dërgohej kryengritësit dhe sfiduesit shqiptar një ferman, më saktë një paraferman, ku e dënonte me vdekje, pa lënë pas dore edhe një variant paksa humoristik. Sulltani e ftonte shqiptarin të vinte në Portën e Lartë.

Aty në praninë e të gjithë shtetasve, shqiptari lakuriq do të qëndronte përballë Sulltanit, vetë Sulltani do të merrte harkun dhe shigjetën dhe do ta qëllonte, nëse shigjeta do të kthehej mbrapsht dhe nuk do ta shponte trupin e shqiptarit, atëherë mbreti i mbretërve, Sulltani i plotfuqishëm do t’i bindej atij dhe do t’ia dorëzonte pronën.

Një dokument tjetër në arkivin e Venedikut që mban datën 24 maj 1607, më saktë në një informacion i një agjenti të fshehtë shqiptar të Venedikut, flitet për disa të dhëna të reja se pranë Andrea Manesit është shquar dhe një tjetër shqiptar me origjinë nga Qullëzi, i quajtur Pal Lili dhe se kryengritësit kishin dërguar një mesazh që flota e Venedikut të sulmonte Shkodrën dhe Durrësin, që në kombinim me kryengritjen e shqiptarëve të arrinte çlirimin e krejt Shqipërisë, për të marshuar më tej drejt Konstandinopojës.

Kaq. Për fat të keq nuk kam gjetur më dokumente të tjera. Nuk mund të parashikoj se ç’u bë me këtë personazh të pazakontë. Si përfundoi sfida e tij e bujshme?

Përtej rrafshit historik, të luftës dhe të kryengritjes ajo që më intereson më tepër është shëmbëlltyra shpirtërore, aventura e pafrikshme dhe pretenduese e njeriut të harruar, Andrea Manesi. Ç’kishte qenë vallë ky njeri? Ç’vetëdije kishte pasur? Pse i kishte shkrepur në kokë ta tregonte veten si një hero të zbulesës së Zotit? Qe vallë një delir publiciteti i skajshëm? A e kuptonte rrezikun e pashmangshëm?

Mbase Andrea Manesi qe një djalosh shqiptar që kishte pasur mundësi të udhëtonte përtej Adriatikut dhe kishte jetuar ca kohë në qytetet italiane. Në atë kohë në krejt Europën shkruheshin projekte të guximshme por dhe utopike për çlirimin e viseve të Ballkanit të pushtuar egërsisht dhe tmerrshëm nga osmanët. I ri dhe pa përvojë, inteligjent dhe me imagjinatë të plleshme, Andrea krejtësisht i panjohur ka kërkuar që në fund të fundit duke bërë një sfidë mund të mos fitonte asgjë por tërë përpjekja e tij apokaliptike mund të shpërblehej me famën. Ai e kupto se fama ishte gjithçka. Ai kishte kështu një ndjenjë moderne të këtij koncepti ekzibicionist. Ndoshta në mënyrë të paqartë ai e kuptonte se dhe shumë të tjerë do të vepronin kështu në shekujt që do të vinin.

Në një kuptim ai ishte zbuluesi i një procesi. Ne sot e quajmë proces mediatik. Por në fillim të shekullit XVII-të Andrea Manesi nuk e kishte idenë e mediave elektronike dhe të perandorisë së imazheve ku lehtësisht dhe marrëzisht çdo njeri i rëndomtë për shkak të një subjekti dhe veprimit të papritur mund të shndërrohej në një perandor me fuqi të përkohshme në qendrën e vëmendjes mediatike. Në rrafshin teologjik Andrea Manesi, që e pagëzoi veten me emrin misterioz Idar, kishte bërë diçka novatore ndonëse heretike.

Ai kishte kuptuar lojën e së ardhmes, duke përdorur disa arketipe apokaliptikë. Në të vërtetë ai ishte krejtësisht i parëndësishëm. Por asgjë nuk e ndalonte që nga Askush ai mund të shndërrohej në Dikush.

Ky sinops ka një potencial të tmerrshëm në vetvete.

Shpjegon mekanizmin e mitit por dhe procesin e kundërt të demitizimit. Pra është kultik por dhe antikultik. Moderniteti i parapëlqen këtë mundësi të pashtershme.

Kështu personazhi i Andrea Manesit potencialisht është i vijueshëm në kohë dhe në hapësirë. Ai e krijoi një shëmbëlltyrë, përtej kësaj shëmbëlltyre vërtet është vetëm harresa, moskuptimi. Por kjo nuk ka më rëndësi, mjafton vetëm akti i guximit, që të plogëtit padrejtësisht e përbuzin.

Nëse letërsia është akt atëherë le të kuptohet që dhe leximi është akt.

Midis këtyre dy skajeve janë heronjtë por dhe antiheronjtë.

2001

ENIGMË NË NAPOLI

30 korrik 1616. Nënmbreti i Napolit, Shkëlqesia e tij Don Petro Fernando de Castro po qëndronte në rezidencën e tij në Palazzo Reale që spikaste me arkitekturën madhështore, manieriste dhe të guximshme.

Don Petro ishte frymëzuesi dhe financuesi i kësaj ngrehine të pazakontë. Don Petro qe zëvendësi i Mbretit të Spanjës, Filipit III, në Itali. Studioja e Don Petros ishte e tëra me mermer të Kararës, rreth e qark kishte skulptura, ndërsa te muret vareshin gobelinë prej pëlhure mëndafshi të qëndisura me ar që mbartnin skena mitologjike dhe historike që lidheshin me triumfin e historisë perandorake të Spanjës. Gobelinët qenë realizuar nga artistë të famshëm spanjollë, italianë dhe francezë.

Don Petro rrinte i ulur përballë tryezës së tij monumentale të punës prej druri të zi. Ndonëse ishte ditë mbi tryezë qëndronte një shandan i madh bronzi me 12 qirinj të ndezur.

Don Petro qe një burrë i bukur, me një fytyrë tërheqëse dhe madhështore, i veshur me një kostum kadifeje të kaltër me ornamente argjendi dhe të zbukuruara me perla. Ishte me të vërtetë i plotfuqishëm, përfaqësues i autoritetit më të lartë.

Përpara Don Petros qëndronin disa dokumente të shkruara mbi letra të formatit të madh. Këto dokumente qenë pjesë e një dosje për Shqipërinë.

Don Petro i pa dhe njëherë dokumentet duke i shfletuar me gishtërinjtë e tij. Dokumenti i parë mbante datën 26 mars 1609. Qe letra e Krerëve shqiptarë të mbledhur në një kuvend që ia dërgonte të Lartndriturit Mbret të Spanjës, ku i kërkonin ndihmë për një projekt çlirimi të Shqipërisë. Letra kishte kaligrafinë e priftit françeskan Don Pjetri i Zi.

Një letër tjetër më 3 korrik 1609 që e kishte shkruar Nikollë Meikashi, Peshkopi shqiptarëve, i drejtohej gjithashtu Filipit III-të, duke i thënë se kryengritja e shqiptarëve qe gati të shpërthente. Mbas këtij dokumenti qe edhe vetë kopja e mbretit të Spanjës që e përshëndeste Nikollë Meikashin, e shkruar në 26 gusht 1609 në Savoia. Letra mbretërore fillonte me “Ne Filipi, për hir të Zotit Mbret i Kastilies, i Leonit, i Aragonës, i dy Siçilive, i Jerusalemit, i Portugalisë, i Navarës dhe i Indive…”

Në 29 gusht nga Roma Nikollë Meikashi i bën një letër tjetër Filipit III plot falënderime të mëdha, por dhe paksa dinake. Ndër të tjera prelati i lartë shqiptar i shkruante mbretit të Spanjës se i kishte dërguar gjithashtu një letër edhe Papës së Romës, të Shenjtit Pali V-të. Ai i thoshte Papës se çështja katolike është njëkohësisht dhe një emblemë çlirimi. Në epokën e trazuar që po jetonin, shumë princër të plogët italianë nuk e kuptonin këtë gjë përveç Mbretit të Spanjës i cili katolicizmin e kishte devotshmëri të pashembullt. Nikollë Meikashi me një stil diplomatik, plot metafora alegorike të shkëlqyera shprehej se plogështia dhe indiferenca qe një mallkim i lemerishëm i kohës dhe se të paguximshmit nuk i hynin në punë askujt, se sëmundja e frikës qe e mallkuar dhe se karakteret e degraduara në vetvete nuk kishin asnjë shpëtim të shpirtit ashtu “sikundër një shtrat ari nuk do t’i vlente një së sëmuri”. Shprehja origjinale në italisht qe “come ul letto d’oro non giovaria ad un ammalato”.

Don Petro e nënvizoi për të mos e harruar kurrë këtë shprehje.

Në dokumentet e tjera kishte emra kalorësish kryesisht shqiptarë që paraqisnin projekte strategjike çlirimi për Gadishullin e Ballkanit.

Një projekt i tillë që i drejtohej Mbretit të Napolit qe shkruar nga kalorësi shqiptar Anton Bertuçi. Kurse një mesazh i datës 29 qershor 1615 i qe drejtuar drejtpërdrejt Don Petros nga patriarku i Ohrit Athanas. Ky patriark kishte frymëzuar edhe një kryengritje. E quajtur si Kryengritja e Këmishëkuqve sepse secili nga sfiduesit për t’u dalluar kishte veshur një këmishë të kuqe. Por turqit e kishin thyer rebelimin dhe patriarku Athanas mezi kishte shpëtuar lëkurën e tij duke u arratisur në Korfuz.

Ai më vonë kishte shkuar në Napoli ku kishte qëndruar tri ditë dhe qe pritur në audiencë nga Don Petro. Patriarku Athanas qe teolog i paepur, por projekti i tij qe tepër fantazmagorik. Synimi i tij qe, me ndihmën e Mbretit të Spanjës të çlironte Kostandinopojën dhe të ribënte edhe një herë Perandorinë e Bizantit.

Midis dokumenteve në tryezë qe dhe një letër rekomandimi e shkruar nga Anton Bertuçi, ku i lutej Don Petros të pranonte në një takim të veçantë një tjetër kalorës shqiptar, Gjon Renci, nga një familje fisnike të lidhur ngushtë me familjen e Gjergj Kastriot Skënderbeut dy shekuj më parë.

Don Petro i ra ziles prej floriri që mbante në tryezë. U hap dera dhe hyri sekretari i tij, Alfonso Hujer. Don Petro tha qartë:

– Jam gati ta pres kalorësin Gjon Renci.

– Ai ka ardhur që në mëngjes në pallat dhe po pret çastin e takimit me Ju, Shkëlqesi.

Pas pak hyri Gjon Renci. Ai qe një burrë me trup të gjatë afro 50 vjeç me një mjekër të shkurtër të zezë dhe i veshur sipas mënyrës së patricëve venedikas. Sytë e tij të gjallë dukeshin sikur shkrepëtimin. Bënte lëvizje të kujdesshme por plot dinjitet.

Don Petro me një gjest miqësor e ftoi të ulej në një ndenjëse të rëndë druri përballë tryezës së shkrimit. Pas formulave të stërholluara të mirësjelljes dhe të përshëndetjeve u bë një bisedë plot hollësira, ku realiteti dhe fantazia gërshetoheshin.

Gjon Renci i tha Don Petros se ishte ushtarak dhe kishte komanduar formacione stratiotësh deri në njëmijë veta. Ai ishte specialist dhe i stërvitur me mjeshtërinë e kalorësisë. Dihet se shqiptarët janë kalorës të mrekullueshëm, tepër të shpejtë de të papërballueshëm. Gjon Renci foli për situatën e qyteteve bregdetare të Shqipërisë, të kështjellave ku osmanët kishin garnizone të vogla dhe një numër të papërfillshëm tokash të vjedhura. Një ekspeditë detare e organizuar nga Spanja, nën drejtimin e Admiralit emërmadh Santa Kruz duhej të zbarkonte në bregun shqiptar, pastaj plaga e kryengritjes nuk do të shuhej më. Don Petro e dëgjonte dhe arsyetonte. Ai e dinte se bëhej fjalë për një numër të madh florinjsh, për një thesar që duhej harxhuar për ëndrrën dhe propozimet e shqiptarëve. Megjithatë me fjalë të buta dhe të thjeshta Don Petro e lavdëroi kthjelltësinë dhe sinqeritetin e shqiptarit.

Befas biseda mori një kthesë të papritur.

Pikërisht atëherë kur nuk mund të mendohej, në kontrast me fjalët luftarake, Gjon Renci si i përhumbur i tha Don Petros se ai e kishte lexuar librin që Nënmbreti i Spanjës në Napoli Don Petro Fernando de Kastro, njëkohësisht dhe Konte di Lemos kishte botuar në vitin 1610. Libri quhej “La casa confusa”.

Don Petro u habit.

U krijua mes të dyve një klimë intime.

– Vërtet e ke lexuar librin tim, – e pyeti butësisht Don Petro.

– Po e kam lexuar, – u përgjigj Gjon Renci, – dhe jam habitur pa masë. Është një tragjikomedi e konceptuar në një hapësirë por dhe në një kohë labirintike. Është e vështirë të orientohesh sepse subjektet janë të lëvizshëm dhe të ndërthurur. Por thelbi kuptohet qartë. Epoka është konfuze por qartësia është një besim që nuk duhet humbur.

– Libri juaj Shkëlqesi, – shtoi me përvuajtje Gjon Renci, – nuk di pse më kujton tablotë e piktorit Monsu Desiderios plot ndërtesa të shtrembëruara me kolona të anuara nga vertikaliteti, simbole të paqëndrueshmërisë, por me një dritë të fuqishme dhe të brendshme të krishterimit të pavdekshëm.

Don Petro i shpjegoi lexuesit të tij shqiptar se libri i tij i takonte letërsisë, pra nuk duhet konsideruar si një kopje e realitetit. Letërsia ka pavarësi nga historia.

– Brenda historisë unë jam, – belbëzoi Don Petro, – Nënmbreti i Spanjës në Napoli. Por brenda letërsisë unë jam thjesht një shkrimtar dhe asgjë më tepër. Leximi i librit nuk duhet të kishte keqkuptime, as vështrime alegorike të sforcuara. Libri është thjesht një aventurë mendore dhe estetike. Don Petro nuk e mohonte dot kënaqësinë që kishte grishur Gjon Renci. Çdo gjë po shkonte për mrekulli dhe me mirëkuptim. Të dy heshtën për ca kohë duke menduar dhe parë njëri-tjetrin. Pastaj ndodhi një thagmë.

Gjon Renci i tha Don Petros se ai kishte lexuar gjithashtu edhe një libër tjetër të bashkëkombësit të tij, spanjollit Servantes, që quhej “Don Kishot”. Don Petro u mrrol. Befas u inatos.

– Pse vallë ti e ke lexuar Don Kishotin? Ai është një libër idiot. Servantesi është një libër i papërfillshëm dhe vulgar. Aventurat e çmendura të Don Kishotit janë të egra dhe tallin aristokracinë, jo vetëm spanjolle por të të gjithë botës. Është një libër i pabesueshëm dhe që duhet hedhur në plehra. Për më tepër nuk ka asgjë katolike, ose të krishterë në këtë libër. Ky libër nuk duhet lexuar. Qe diçka e pakujdesshme nga ana jote që pasi fole kaq bukur për librin tim të përmendje në tjetër libër, të cilin nuk e fsheh, e urrej dhe e përbuz me gjithë shpirt.

Gjon Renci u drodh i tëri. Nuk e priste këtë reagim të vrullshëm dhe madhështor. Donte ta kundërshtonte Don Petron.

Donte t’i thoshte se figura e Don Kishotit qe ajo e një heroi të ironisë universale. Se Servantesi qe një shkrimtar i madh. Se brenda personazhit të Don Kishotit kishte disa personazhe, duke krijuar një sintezë të pabesueshme. Se Don Kishoti hapte një rrugë të re aty ku të gjitha rrugët dukeshin të mbyllura.

Por Gjon Renci heshti duke i mbajtur për vete mendimet e tij.

Biseda e ndërprerë krijoi një situatë të tensionuar.

Don Petro u rikthye sërish nën petkun e tij të historisë si Nënmbret i pakundërshtueshëm. Ai me mundim e qetësoi veten dhe mendoi se qe një budallallëk që e begenisi një shqiptar të humbur, ndonëse deri diku edhe të kënduar, për të biseduar për letërsinë.

Askush nuk mund të thotë sesi përfundoi ky takim. Në këtë rast fuqinë e çastit e marrin formulat e mirësjelljes, plot fjalë të zbukuruara dhe hipokrite.

Kanë kaluar katër shekuj.

Takimi i Don Petros dhe Gjon Rencit, i spanjollit dhe i shqiptarit nuk është regjistruar dhe nuk është protokolluar asgjëkund. Ajo që është e sigurt mund të jetë dhe e harrueshme. Por nëse ka ndodhur një bisedë e tillë ku spikat paradoksi midis historisë dhe letërsisë, mund të thuhet se fryma e kësaj bisede nuk ka humbur dhe nuk do të humbasë.

Vetvetiu shqiptari Gjon Renci e ndjente më të afërm dhe intim kalorësin e arratisur Don Kishotin. Ai ishte në shumë kuptime një sivëlla i këtij personazhi spanjoll. Sepse ky personazh nuk mund të ishte thjesht spanjoll. I takonte të gjithë njerëzve dhe popujve.

Fundi i këtij tregimi mund të përfytyrohet por jo të saktësohet.

Nuk duhet gjykuar ashpërsisht as Don Petro. Në një kuptim misterioz edhe libri i Don Petros nuk qëndronte larg librit të Servantesit. Don Petro qe një intelektual i stërholluar, i prirur ndaj kulturës së kriptogrameve, respektivave iluzioniste dhe arketipit të labirintit, qoftë në kohë qoftë dhe në hapësirë, një gjë kjo e denjë për racën e shkrimtarëve parodistë si fjala vjen Borgesi. Don Kishoti gjithashtu vërtitet në një labirint por nuk është labirinti që triumfon mbi Don Kishotin. Është e kundërta.

Shkrimtarët sqimatarë dhe të ngeshëm shpesh mërziten dhe urrejnë kinse duke adhuruar Don Kishotin. Një gjë e tillë ndodhi ndoshta në mënyrë të sinqertë por edhe konfuze me Don Petron.

Kurse Gjon Renci qe diçka krejt tjetër. Ai qe mahnitur nga figura e Don Kishotit duke treguar kësisoj se më tepër sesa një kalorës luftarak, në veten e tij fshihej, pa u artikuluar asnjëherë, pa u shfaqur, pa u bërë publik, talenti misterioz i një shkrimtari krejtësisht të parealizuar.

17 korrik 2010

 

May 21, 2016 12:48
Komento

5 Komente

  1. faro May 21, 14:06

    Sh interesant!
    Vitalitet i pashembullt i Shqiptareve, madje, ne vijimesi ne kohe dhe ne shtrirje gjeografike sh te madhe.
    Me vjen keq qe Z. Zeqo nuk boton referencat, te cilat rrisin sh besueshmerine.

    Reply to this comment
  2. faro May 21, 14:28

    Koincidence!?!?
    Gjon RENCI, ka germ per germe mbiemrin e Kryeministrit te sotem te Italise.

    Reply to this comment
  3. demo May 21, 16:17

    Ne Mesjete nuk flitej si ne hartimet e gjimnazit te Durresit.

    Reply to this comment
  4. Ndue May 22, 17:47

    Faleminderit Mokim per keto thesare te zbuluara.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*