Dy “takimet” me Jorgo Bllacin dhe përsiatje për një jetë poeti

October 10, 2017 11:53

Dy “takimet” me Jorgo Bllacin dhe përsiatje për një jetë poeti

Bedri Islami

“Takimin” e parë me Jorgo Bllacin e kam pasur në rininë e hershme. Gjimnazist. I dashuruar. I mrekulluar nga poezia e tij në librin poetik, “Ligjërimet e pyllit”, e më tej akoma nga shqipërimet e mrekullueshme që ishin përfshirë në “LIRIKA” të Sergej Eseninit, të cilat kishim filluar t’i dinim përmendësh, mendoja, jo pa të drejtë, se Jorgo Bllaci ishte poeti i dashurisë, i moshës së ëndrrës së pashoqe të një fillese ndryshe, vargu i të cilit, ashtu si lëviznin mështeknat nën hijen e bardhë të një hëne të ulur mbi valët e lumit, ashtu ai rridhte drejt jetës, diçka e shtrenjtë, e pafund. Vazhdoja të mendoja se Jorgo Bllaci ishte poeti i rinisë, i asaj që mund të quhet moshë e bardhë.

“Takimin” e dytë me Jorgo Bllacin e kam pasur në një natë të paharruar të fillimit të janarit të këtij viti. Thuajse 50 vite pas. Kthehesha nga Montreali, i rraskapitur, jo edhe aq nga lodhja dhe nga ajo dëborë e çmendur që filloi pak minuta para se të nisej avioni, por nga gjendja e rëndë shëndetësore në të cilën e kisha lënë tim vëlla. Krahët e avionit ishin ngrirë dhe pritej të vinte një makinë e madhe, si një dinozaur, me krahë që lëviznin mbi gjithë sipërinën e avionit dhe nxirrte një ujë tepër të bardhë. Ose ashtu më dukej nga dritat që binin furishëm mbi të. Kisha me vete “ Vajin e bylbylit” të Mjedës, dhe, “Kuja e violinës” e Jorgo Bllacit. E lexoja këtë të fundit, ashtu si e kisha lexuar shpesh herë në vitet e fundit, por në një gjendje krejt tjetër se ai fluturim i stërgjatur, gjithë natën mbi Atlantik. Jo çuditërisht më dukej se ai i kishte thënë të gjitha këto, deri asaj nate të 28 shtatorit 2001, kur ende 63 vjeçar kishte mbyllur sytë, për të gjithë njerëzit që kanë jo vetëm gëzim në zemër, por edhe ngashërim, që vetëm një poet si ai mund të ja merrte pjesën e pazakontë që të heq poeti. Edhe një herë thashë me vete se ai ka krijuar për ne, këtë moshë që shkon drejt një vjeshte jete, ku herë pas here dallohen ngjyrat e çelura e herë-herë është një zbrastësi.

Jam ndeshur shpesh me Jorgo Bllacin mes këtyre dy takimeve. Por i solla këto dy, në ekstremet e moshës kur e shijojmë më shumë poezinë, për dy gjëra thelbësore në jetën e poetit : ai i përket të gjithë brezave, edhe të rinjve që sapo kanë njohur atë shijen e çuditshme të dashurisë, edhe një moshe tjetër, kur nipat e mbesat na lumturojnë dhe na bëjnë të duam më shumë këtë pjesë jete; e së dyti, ai vetë shkroi poezi që nuk e lënë të plaket.

Kur Jorgo Bllaci hyri në sofrën e madhe të poezisë gjërat nuk ishin ende të sakatosura deri në fund. Ishte një periudhë kur caku i artë ende nuk ishte përleshur deri në ankth me qoshet e rrëpirta të një arti tjetërsoj. Ende ruhej nazikja, e bukura, shpirti dhe ëmbëlsia që mund të sillte poeti përmes rrjeshtave. Poetë që të dukej sikur kishin ardhur direkt nga një botë tjetër e kishin zënë vend mes nesh, si kujtime dashurie. Mes tyre, nazikë, aristokratë deri në rrënjë, do të shquheshin Dhori Qiriazi dhe Jorgo Bllaci. Poezia e tyre kishte atë të veçantën, lasgushianen e rishfaqur befas ,kur Lasgushin bënin sikur nuk e shikonin, dhe për fat të bardhë, nuk do të ishin vetëm.

Shumë kritikë e kanë ndarë Jorgon ne poet dhe përkthyes. Poet i shkëlqyer dhe përkthyes i admirueshëm. Në të vërtetë është vetëm një: poeti që nis drejt nesh lirikat dhe baladat e tij, ato përjetimet vetjake, çmendurisht të afërta dhe, njëkohësisht, poeti që shqipëron lirikat e mëdha boërore duke i bërë të flasin shqip nën një mrekulli si ajo e vendlindjes së tyre.

Për disa vite poeti heshti. U hoqën nga qarkullimi librat e tij, u hoqën përmbledhjet e poezive ku ai ishte bashkëautor dhe heshtja e rënë fillimisht u kthye në një gurgullimë fshehtësie, më pas, si ndodh rëndom me poetët që nuk e falin lirën e tyre, u mësua se ai, vëllai i një dëshmori 16 vjeçar dhe i përmalluar nga dashuria për vendin e tij, ishte burgosur. Poeti që na kishte sjellë atdheun përmes lirikave dhe baladave të tij ishte i burgosur se kishte agjituar kundër këtij vendi. Është koha kur në një hapësirë ndryshe nga e jona, poeti këndon përmes rënkimit, jo rënkimit të dhimbjes së tij, atë që pak kush mund ta përfytyrojë, por nga malli për atdheun e tij, që nuk u bë ashtu si kishin dashur poetët. E poetët e bëjnë gjithnjë atdheun më të bukur, e bëjnë më njerëzor, të prekshëm dhe të afërt për të gjithë. “ Dy hapa larg, dy hapa larg, matanë; Pas mureve të lagësht e të errët; Po na vajton Liria, nga na ndanë; Sepse më fort e deshëm nga të tjerët…”. është ai momenti i veçantë, shpërthyes, e i pazakontë, kur të del nga vetë thelbi i shpirtit thirrja, “ Oh, të jesh i lirë! Të mbushësh kraharorin; Me ajrin e luginave; Dhe fushave të viseve prindërore…”. Në fund të fundit një ëndërr lirie e thënë ashtu si mund ta thonë poetët.

Çuditërisht , edhe në këtë hapsane të lirisë, ku shpirti mund të mbytet dhe vuajtja të të shndërrojë në dikush tjetër, Jorgo Bllaci ruajti të vërtetën e jetës së tij: shpirtin poetik, përcjellë nga malli për gjithçka është njerëzore, për natën që bie mbi fushën pa anë, për zefirin që tund shelgjishtet, për karrocat me sanë që shkasin në rrugën me pluhur dhe zërat që nuk ndihen më.

Mjeshtër i vargut, më shumë mjeshtër i zemrës, këtë të dytën e derdhi në varg. Ndaj është e vështirë të gjesh tek ai diçka që nuk të prek, që nuk thua dot se kjo nuk është e imja, që të tjetërson dhe të bën të huaj. Jorgo Bllaci është i njëjtë, si e thashë në fillimin e këtij shënimi, ai që të lumturon në moshë të re dhe të bën të shijosh gëzimin në vjeshtën e artë të jetës tënde. Është i njëjti; i bukur, i ri, i plakur, vital, i avashtë, i rreptë, gurgullues, i trishtë, i zjarrtë, kohor e jashtë kësaj kohe, përgatitës i një kohe të ardhshme, që kur erdhi, përsëri e theri poetin në shpirtin e tij.

Shqipëruesi i pazakontë, melodioz dhe therës, ai i solli kulturës sonë përkthime të autorëve zëmëdhenj dhe të patjetërsueshëm. I solli në shqip, domethënë na i solli në konak si të ishin njerëzit tanë të njohur, e mbi të gjitha e solli Eseninin si një djalosh harrakat të rrugëve tona, e bëri atë, çirakun me zë kumbonjës të ligjëronte në shqip, aq mrekullisht sa edhe vetë poeti do të kishte qenë i dyzuar; në cilën gjuhë tingëllonte më bukur. Nuk është e rëndësishme edhe aq se ai për risjelljen e shqipëruar t poezisë ruse mori nga presidenti Boris Jelcin dekoratën e lartë të “Miqësisë mes popujve”, apo që pas ikjes së tij iu dha titulli “Mjeshtër i madh”.

Ai kishte këto që kur ishte ende mes nesh. Të gjithë e dinin se ai ishte mjeshtri i madh i lirikës dhe i baladës shqipe, e njëkohësisht edhe afruesi i madh i vlerave të kulturës ruse e jo vetëm ruse; edhe angleze, gjermane, greke, franceze… por kurora e artë që rri mbi shqipërimet e tij ishte poezia e vërtetë ruse..ajo që nuk tingëllonte si një marsh ushtarak, por si një rrjedhë e berioskave ruse, e mështeknave të bardha, dhe kjo endje e tij pas artit të madh do i kushtojë edhe disa vite burg e mes “arsyetimeve” do të ishte edhe fakti që nuk kishte pranuar të përkthente Majakovskin, të cilin e donte si poet, por nuk e kishte të shpirtit të tij.

Duke qenë kryesisht poeti lirik ai e ndjen thellësisht në vete atdheun, atë që është dhe ëndërron atë që do të donte të ishte..e do atë q është sepse është poet dhe nëse rebelohet, nuk është rebelimi i tij diçka kundër vendit të tij. Por, edhe rebelimi është ndryshe, pa asnjë mallkim, pa asnjë brengë e moslargimit; përkundrazi , ai të sjell dhimbjen për gjithçka ka ndodhur. Rrallë kam lexuar baladë më prekëse dhe më reale se ajo e Jorgo Bllacit, “ Te varri i tim vëllai”, e cila në vete ka përmbajtjen e një jete, e ndarë në dy vëllezër dhe në stuhinë që ndodhi pas. Por përsëri, edhe në këtë vringëllim të vargut, ky shpirti lirik shkrihet tek mendja epike, ai përsëri mbetet i brishtë si poet, zemra e tij nuk këlthet, sepse është poet dhe shpirti i dridhet, ashtu si mund t’i dridhet vetëm një poeti.

Në jetën e tij, mjerisht të shkurtër, ai kishte mjaft miq e shokë, poetë e jo poetë. Kishte nga ata që e kujtuan heshtas edhe kur ishte i burgosur, që e ruajtën vargun e tij edhe kur ishte e vështirë ta ruaje dhe e mbajtën emrin e poetit e shqipëruesit në mbamendjen e tyre. Por kishte edhe shumë më tepër miq e shokë të panjohur, të cilët, përmes viteve, e mbajtën poezinë e tij ndanë vetes, i lexuan lirikat e baladat e tij edhe në një kohë të ndaluar, i mësuan shqipërimet dhe i thonin me shokët si një gjë të çmuar dhe këto , duke qenë më të shumtët, ishin edhe më të dashurit për Jorgo Bllacin.

Miqtë e shokët poetë kanë lënë mendimin e tyre për Jorgon. E kanë thënë me shpirt dhe me mallin e mbushur për një largim të papritur.

Ndërsa ata të panjohurit, që nuk e kishin rastin t’i thonë faleminderit në gjallje, po e bëjnë tani, qoftë edhe përmes meje.

Sepse edhe unë isha një mik i panjohur i tij, që lirikat e poetit i thoja përmendësh një gjysëm shekulli më parë dhe i them edhe tani..

Faleminderit Jorgo!

 

 

October 10, 2017 11:53
Komento

1 Koment

  1. alphade October 11, 13:27

    Ne bote ka njerez gjeni por s’jane njeri ! Edhe une e kam
    njohur zoti Bedri Jorgon, duke qene te dy konviktor ne
    shkollen pedagogjike te Elbasanit. E kam njohur edhe me
    vone. Artikulli yt per Jorgon me pelqeu,megjithate.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*