Nga Bedri Islami
Botuar në DITA
“Takimin” e parë me Jorgo Bllacin e kam pasur në rininë e hershme. Gjimnazist. I dashuruar. I mrekulluar nga poezia e tij në librin poetik, “Ligjërimet e pyllit”, e më tej akoma nga shqipërimet e mrekullueshme që ishin përfshirë në “LIRIKA” të Sergej Eseninit, të cilat kishim filluar t’i dinim përmendësh, mendoja, jo pa të drejtë, se Jorgo Bllaci ishte poeti i dashurisë, i moshës së ëndrrës së pashoqe të një fillese ndryshe, vargu i të cilit, ashtu si lëviznin mështeknat nën hijen e bardhë të një hëne të ulur mbi valët e lumit, ashtu ai rridhte drejt jetës, diçka e shtrenjtë, e pafund.
Vazhdoja të mendoja se Jorgo Bllaci ishte poeti i rinisë, i asaj që mund të quhet moshë e bardhë.
“Takimin” e dytë me Jorgo Bllacin e kam pasur në një natë të paharruar të fillimit të janarit, pothuajse 50 vite pas. Kthehesha nga Montreali, i rraskapitur, jo edhe aq nga lodhja dhe nga ajo dëborë e çmendur që filloi pak minuta para se të nisej avioni, por nga gjendja e rëndë shëndetësore në të cilën e kisha lënë tim vëlla.
Krahët e avionit ishin ngrirë dhe pritej të vinte një makinë e madhe, si një disonaur, me krahë që lëviznin mbi gjithë sipërinën e avionit dhe nxirrte një ujë tepër të bardhë. Ose ashtu më dukej nga dritat që binin furishëm mbi të. Kisha me vete “Vajin e bylbylit” të Mjedës dhe “Kuja e violinës” e Jorgo Bllacit.
E lexoja këtë të fundit, ashtu si e kisha lexuar shpesh herë në vitet e fundit, por në një gjendje krejt tjetër se ai fluturim i stërgjatur, gjithë natën mbi Atlantik. Jo çuditërisht më dukej se ai i kishte thënë të gjitha këto, deri asaj nate të 28 shtatorit 2001, kur ende 63 vjeçar kishte mbyllur sytë, për të gjithë njerëzit që kanë jo vetëm gëzim në zemër, por edhe ngashërim, që vetëm një poet si ai mund të ja merrte pjesën e pazakontë që të heq poeti.
Edhe një herë thashë me vete se ai ka krijuar për ne, këtë moshë që shkon drejt një vjeshte jete, ku herë pas here dallohen ngjyrat e çelura e herë-herë është një zbrazëti.
Shpirti i Jorgo Bllacit më hapej pareshtur në poezitë e tij dhe shpesh herë më është dukur se në këtë hapësirë të bardhë, ku shpirti i tij poetik ndërlidhej me jetën e vështirë, e kisha pasur shok e mik, megjithëse nuk ishim takuar kurrë me njëri tjetrin.
Jorgo Bllacin e ke pasur të vështirë të mos e kesh mik dhe të pamundur ta kesh armik. Nuk ka qenë vetëm natyra e tij njerëzore e tillë, ka patur në këtë rendje të tij pas mirësisë edhe pjesë të jetës së tij poetike, si krijues i drejtpërdrejtë dhe si përkthyes, ku ishte më tepër rival i poetit të përkthyer se sa një mekanizëm i zakonshëm. Ai, si poet dhe si njeri, ka krijuar rreth vetes gjithnjë një rreth miqësor, të cilët, edhe pse herë pas here dukej se ishin të larguar nga ai, rishtas ktheheshin me ëndje dhe mall tek poezia e tij, si një ndër lirikët e shquar të poezisë shqipe, dhe, më tej, riktheheshin tek përkthimet e tij mjeshtërore. E pamundur për të qenë hasëm i dikujt, ai kishte shpallur kredon e tij njerëzore:
S’i mbaj mëri për vitet e rinisë,
Që një nga një po m’ikin pa gëzim,
As jetës plot andralla, as dashurisë,
Që u tall ashtu si desh me fatin tim
Askënd nuk e kujtoj për keq në botë,
Në zemrën time, shteg të mbyllur s’ka.
Mjafton një fjalë e mirë fjalë e ngrohtë,
Që të më bësh prap mik e prap vëlla…
Jorgo Bllaci është një ndër të dënuarit politikë të monizmit. Njëri ndër poetët e shquar të kohës sonë, që, duke e dashur aq fort atdheun e tij, mendoi se fuqia e poezisë dhe arti i së bukurës mund të ndryshonin vrazhdësinë e një pushteti që kishte rënë mbi gjithçka. E bëri këtë duke e dashur atdheun, duke e njësuar atë me veten dhe përmbi veten, duke i përcjellë atij pejzat e zemrës poetike dhe mallin që kishte rënë mbi shpirtin e tij.
Më shumë se gjithçka tjetër ai e donte këtë vend, e donte me gjithçka kishte; me kujën e violinave dhe manushaqet e sapoçelura, me pyjet e vjeshtës si flakë poetësh, me këngën e Osman Takes dhe ligjërimet çame, me zefirin që lëkund shelgjishtet, me erën çamarroke që sillet hapësirave e deshi me gjithë atë që quhet jetë dhe është pjesë e jetës. E deshi aq shumë, sa që kjo e trembi pushtetin që e donte për vete dhe më vete.
Jorgo Bllaci ishte poeti i revoltuar me zërin e qetë, të ëmbël dhe kjo të tremb më shumë, sepse është më i besuar se sa buçimat vetmitare që kalojnë si shtrëngatat.
Përse u burgos Jorgo Bllaci dhe u ndërpre përkohësisht ligjërimi i tij si poet. Ai e thotë vetë këtë, e thotë përmes një poezie, krejt të natyrës së tij, pa britma, çjerrje e mallkime:
Dy hapa larg e vite për t’arritur,
Atje, ku për çdo çast na vete malli,
Atje, ku bujarisht dal jetën diell’i ndritur,
Atje, ku po na qajnë për së gjalli.
Dy hapa larg, dy hapa larg, matanë,
Pas mureve të lagësht e të errët,
Po na vajton Liria nga na ndanë
Sepse më fort e deshëm se të tjerët…
Një mall tjetër…
Sa pisk e kam, sa dhembje ndjej, sa dua,
Të më përpijë brenda, dheu i zi!
Oh, zgjate dorën sonte edhe mbi mua,
Të ngrohtën dorë, o mëma Shqipëri!
Mëkati ndaj poetit është i madh dhe nuk shlyhet dot. Por çuditërisht, megjithëse e lodhën, askush nuk ia hoqi atij shpirtin e poetit dhe ndjenjën e së bukurës. Ai, pasi i ra pash më pash ferrit, doli që atje rishtas si një foshnje e pafaj dhe bëri rishtas mrekullinë e poezisë dhe të përkthimit të pashoq poetik.
Ata, ndoshta edhe njerëz rreth e rrotull të tij, duke menduar se e vranë poezinë e Jorgo Bllacit e, bashkë me të, edhe vetë poetin, që ndaluan botimin e poezive dhe synuan degdisjen e tij në një qoshe të humbur, shumë shpejt do të merrnin kumtin e rishfaqjes së tij, do të ndjenin praninë e tij poetike dhe tingëllimën e shpirtit lirik.
Shumë dosje janë mbyllur ose nuk janë hapur. Të tjera janë zhdukur dhe janë djegur në zjarrin e vorbullës së fshehjes së krimit me artistët. Lidhja e Shkrimtarëve e kohës ishte kthyer në një vorbull ku përplasej mendimi i lirë me të keqen dhe shpesh herë dukej se e keqja kishte marrë pronësinë mbi talentin, jetën dhe vazhdimësinë. E keqja, ende e patrajtuar e Lidhjes së Shkrimtarëve, ka lënë në terr shumë enigma dhe të fshehta misterioze, të cilat kanë rënë mbi fatet jetësore, ashtu si ndodhi edhe me jetën e Jorgo Bllacit.
Duket sikur është vonë të hapet hapja e një arkivi të tillë, sidomos tani që disa autorë nuk janë më, por, duhet saktësuar se, një e keqe që mbetet e mbuluar, në një formë tjetër, një ditë do të rishfaqet në një formë tjetër.
Përse u dënua poeti?
Askush nuk e di se ku nisën rrënjët e dënimit të tij, në cilën mëri politike apo artistike ra shpirti i tij rebel, që nuk fashitej dhe që vullkanizonte. Ajo që është shfaqur në gjyqin e tij mund të jetë vetëm maja e një ajsbergu të panjohur dhe si e tillë përbën përherë enigmën e dënimit të poetit të njohur dhe e përkthyesit të dorës së parë, ndoshta më të mirët përkthyes të lirikës së gjerë dhe të pafund ruse.
Jorgo Bllaci ishte lirik i veçantë. Pa droje mund të them se atë që solli në poezinë ruse një lirik i madh si Sergej Esenini, atë bënë në lirikën shqipe dy poetë të mëdhenj, Dhori Qiriazi dhe Jorgo Bllaci.
Si shkrova në fillimin e këtyre shënimeve me Jorgo Bllacin jam ndeshur në dy momente të veçanta të jetës sime. Por, nuk ka qenë vetëm kjo. “Takimet” e mia me të kanë qenë të shpeshta.
Jam ndeshur shpesh me Jorgo Bllacin mes këtyre dy takimeve. Por i solla këto dy, në ekstremet e moshës kur e shijojmë më shumë poezinë, për dy gjëra thelbësore në jetën e poetit: ai i përket të gjithë brezave, edhe të rinjve që sapo kanë njohur atë shijen e çuditshme të dashurisë, edhe një moshe tjetër, kur nipat e mbesat na lumturojnë dhe na bëjnë të duam më shumë këtë pjesë jete; e së dyti, ai vetë shkroi poezi që nuk e lënë të plaket.
Kur Jorgo Bllaci hyri në sofrën e madhe të poezisë gjërat nuk ishin ende të sakatosura deri në fund. Ishte një periudhë kur caku i artë ende nuk ishte përleshur deri në ankth me qoshet e rrëpirta të një arti tjetërsoj. Ende ruhej nazikja, e bukura, shpirti dhe ëmbëlsia që mund të sillte poeti përmes rreshtave. Poetë që të dukej sikur kishin ardhur direkt nga një botë tjetër e kishin zënë vend mes nesh, si kujtime dashurie. Mes tyre, nazikë, aristokratë deri në rrënjë, do të shquheshin Dhori Qiriazi dhe Jorgo Bllaci. Poezia e tyre kishte atë të veçantën, lasgushianen e rishfaqur befas, kur Lasgushin bënin sikur nuk e shikonin, dhe për fat të bardhë, nuk do të ishin vetëm.
Jorgo Bllaci mbi të gjitha është poet i dashurisë. Nazik në ligjërimet e tij, ai sjell në poezinë shqipe një lirikë të ndjeshme dhe të adhurueshme ndaj kultit të gruas, vajzës, dashurisë si ndjenjë dhe mrekullisë së çastit dashuror si një ëndërr e pazakontë.
Poezitë e dashurisë të Jorgo Bllacit janë të shenjuara që në fillimet e tij, ata kanë zënë një vend të habitshëm përmes rrjedhjes së vargjeve si një përshkrim ujërash të qeta, të renditura mes një gjelbërimi natyror, të çuditshme dhe jetësore.
Edhe pas viteve të burgut ndjenja e poezisë së dashurisë nuk u shua, si mund të pritej. Jorgo Bllaci vërtet kishte qenë i burgosur, por burgu nuk ia kishte mbyllur ndjenjat dhe nuk e kishte bërë atë të vetëlarguarin nga jeta. Shpirti i poetit rizgjohej nga poezia e tij lirike, si zgjohet një bjeshkajë pas dëborës së dimrit. Nganjëherë ai sjell peizazhin e dashurisë si një pikturë që mund ta shohim me sytë e mendjes, por edhe e bën atë jetësore, diçka të kuptueshme si të tillë dhe çast mrekullie.
Rrallë herë kam lexuar një poezi më të ndjeshme, të përshkuar nga mrekullia e fjalës dhe e ndjenjës, se sa “Netës”, poezi, të cilën, nuk ke dëshirë vetëm ta rilexosh, por edhe ta këndosh.
Kaq e shtrenjtë kurrë s’më je dukur,
Ti vërtet nuk paske shëmbëllim,
Ah, moj Neta, sytë e tu të bukur
Çmendurisht i deshte miku im….
..Ndoshta sot, që vite pas la jeta,
Miku prap në shpirt të mban diku..
Ish e bukur dhëmbje e tij, moj Neta,
Aq sa ç’janë edhe dy sytë e tu!
Shumë kritikë e kanë ndarë Jorgon ne poet dhe përkthyes. Poet i shkëlqyer dhe përkthyes i admirueshëm. Në të vërtetë është vetëm një: poeti që nis drejt nesh lirikat dhe baladat e tij, ato përjetimet vetjake, çmendurisht të afërta dhe, njëkohësisht, poeti që shqipëron lirikat e mëdha botërore duke i bërë të flasin shqip nën një mrekulli si ajo e vendlindjes së tyre.
Jorgo përkthyes dhe Jorgo poet aq sa janë të njëllojtë, aq kanë edhe ndryshimet e tyre. Është një dyzim i pamohueshëm, por që në aktet e përkthimit, ai merr nga poezia e tij ndjenjën, të veçantën, shkrirjen, por kjo nuk është e mjaftueshme.
Ai e bën poezinë e përkthyer “të veten”, drejt një kuptimi mishërues, si pjesë të poezisë së tij e përsëri ia ruan të veçantat; e shqipëron, por e lë edhe nga hapësirat nga ka ardhur; i jep frymën e poezisë së tij, por shpirtin ia lë në vendlindje; e rikrijon, por është edhe origjinaliteti; krijon autoktoninë e poezisë përmes ndërlidhjes së kulturave; e bën pronë të të gjithëve, por ia ruan autorësinë; e nacionalizon, nëse mund të them kështu, por ia ruan edhe kombësinë.
Përkthimi i poetëve rusë ndryshon nga përkthimi i poetëve gjermanë; tjetër ritëm i jep një poezie të Lermontovit dhe krejt tjetër të Haines; ndrysh rrjedh poezia e Eseninit dhe ndryshe ajo e Taras Shevcenkos, megjithëse të dy janë ndër lirikët më të shquar sllavë; por edhe mes poetëve të një kombi, si Gëte dhe Haine, ai e sjell ndryshimin në ritëm, në ndjenjë, në melosin e shprehur.
Përkthimi për të nuk është mekanizëm, është shprehje e asaj që ka brenda vetes, është jetë, rizgjim, përsiatje, është shfrim i mungesës, dëshmi e pasionit, është lodhje e stërlodhje, në fund të fundit është pjesë e vetvetes, aq sa një herë i ndodh e pandodhura:
“U ula diku në një kafe dhe hodha shpejt e shpejt në letër dy strofa, të cilat, më pas, kur u kthjellova, pashë që ishin shqipërim fjalë për fjalë i poezisë “Shkëmbi” të Lermontovit”:
Gjithë natën reja e praruar
Shkëmbit plak iu përkëdhel në gji,
Dhe u nis për udhë më t’aguar,
Duke lojtur nëpër kaltërsi.
Veçse mbeti gjurmë e lagështirës,
Rrudhave të shkëmbit. Vetmitar
Ai rri menduar, zemërvrarë,
Edhe mbytas qan mes shkretëtirës.
Rrugën e tij gjer tek shqipërimi Jorgo Bllaci e ka përshkruar vetë, me shumë sinqeritet, me pasionin e tij pamasë, me sherret dhe inatet, përplasjet dhe mëritë, zërat e ngritur dhe zymtinë, me “duelet poetike” të përkthimit dhe paqetësinë, por edhe mirënjohjen. Ai e ka të qartë, e shpreh dhe e sjell të vërtetën se përkthimet në prozë dhe ato në poezi janë dy lumenj që burojnë prej së njëjtës gurrë, letërsisë së huaj, por rrjedhin secili nëpër shtratet e veta; i pari, i qetë, i dyti, i rrëmbyer, plot theqafje dhe përplasje, nga të cilat nuk të zë gjumi.
I ka provuar të dyja, edhe përkthimin e prozës, që sipas Zhukovskit të famshëm, është punë skllavi, edhe përkthimin e poezisë, e cila është gjetje rivali. Ka qenë edhe skllav, edhe rival.
Si rival ka qenë i papërsëritshëm, skrupuloz, i papërmbajtshëm, heretik, përzgjedhës, rebel, këmbëngulës.
Vazhdues i përkthimeve më të mrekullueshme, si “Mbreti i Tules” nga Mjeda, apo përkthimet e mahnitshme të Nolit, ai bëhet njëri ndër zërat më autoritarë rivalë, por, i ndjeshëm ndaj përkthimeve poetike, ai është i pakompromis, me këdo qoftë, pasi mbi kokë kishte vënë që në zanafillën e rrugës së tij poetike, vetëm një gjë, ndershmërinë.
Jorgo Bllaci i jep poetëve të përkthyer zemrën e tij, i rinon, i bën më magjepsës, më të bukur, më të afërt, më të dashur. Ai nuk i përkëdhel, ai i rikrijon; ai nuk i sjell thjeshtë shqip, pra, nuk i shqipëron, por i poetizon në gjuhën shqipe; plagët e tyre pikojnë mbi shpirtin e Jorgo Bllacit, tallazitjet e shpirtit gjejnë tek ai limanin e qetësisë.
I kam lexuar gjithnjë me endje të veçantë përkthimet e tij; i kam lexuar dhe i kam mësuar vetvetishëm, i kam përsëritur dhe i kam shkruar në fletoret e dikurshme, u kam dhënë miqve dhe shokëve dhe jam zemëruar kur nuk m’i kanë risjellë…
Nuk e kam ndarë kurrë poetin nga përkthyesi. Ata vazhdojnë të jenë një, por, edhe në këtë njësim, shpirti i tij rebel dhe i bukur, endet si një demon flokëlëshuar, në kërkim të magjisë së përhershme që sjell vetëm arti i bukur e i magjishëm.
Për disa vite poeti heshti. U hoqën nga qarkullimi librat e tij, u hoqën përmbledhjet e poezive ku ai ishte bashkautor dhe heshtja e rënë fillimisht u kthye në një gurgullimë fshehtësie, më pas, si ndodh rëndom me poetët që nuk e falin lirën e tyre, u mësua se ai, vëllai i një dëshmori 16 vjeçar, dhe i përmalluar nga dashuria për vendin e tij, ishte burgosur. Poeti që na kishte sjellë atdheun përmes lirikave dhe baladave të tij ishte i burgosur se kishte agjituar kundër këtij vendi. Është koha kur në një hapësirë ndryshe nga e jona, poeti këndon përmes rënkimit, jo rënkimit të dhimbjes së tij, atë që pak kush mund ta përfytyrojë, por nga malli për atdheun e tij, që nuk u bë ashtu si kishin dashur poetët. E poetët e bëjnë gjithnjë atdheun më të bukur, e bëjnë më njerëzor, të prekshëm dhe të afërt për të gjithë.
“Dy hapa larg, dy hapa larg, matanë/ Pas mureve të lagësht e të errët;/ Po na vajton Liria nga na ndanë;/ Sepse më fort e deshëm nga të tjerët…”. është ai momenti i veçantë, shpërthyes, e i pazakontë, kur të del nga vetë thelbi i shpirtit thirrja, “Oh, të jesh i lirë! Të mbushësh kraharorin; Me ajrin e luginave; Dhe fushave të viseve prindërore…”
Në fund të fundit një ëndërr lirie e thënë ashtu si mund ta thonë poetët.
Çuditërisht, edhe në këtë hapsanë të lirisë, ku shpirti mund të mbytet dhe vuajtja të të shndërrojë në dikush tjetër, Jorgo Bllaci ruajti të vërtetën e jetës së tij: shpirtin poetik, përcjellë nga malli për gjithçka është njerëzore, për natën që bie mbi fushën pa anë, për zefirin që tund shelgjishtet, për karrocat me sanë që shkasin në rrugën me pluhur dhe zërat që nuk ndihen më.
Mjeshtër i vargut, më shumë mjeshtër i zemrës, këtë të dytën e derdhi në varg. Ndaj është e vështirë të gjesh tek ai diçka që nuk të prek, që nuk thua dot se kjo nuk është e imja, që të tjetërson dhe të bën të huaj. Jorgo Bllaci është i njëjtë, si e thashë në fillimin e këtij shënimi, ai që të lumturon në moshë të re dhe të bën të shijosh gëzimin në vjeshtën e artë të jetës tënde. Është i njëjti; i bukur, i ri, i plakur, vital, i avashtë, i rreptë, gurgullues, i trishtë, i zjarrtë, kohor e jashtë kësaj kohe, përgatitës i një kohe të ardhshme, që kur erdhi, përsëri e theri poetin në shpirtin e tij.
Shqipëruesi i pazakontë, melodioz dhe therës, ai i solli kulturës sonë përkthime të autorëve zëmëdhenj dhe të patjetërsueshëm. I solli në shqip, domethënë na i solli në konak si të ishin njerëzit tanë të njohur, e mbi të gjitha e solli Eseninin si një djalosh arrakat të rrugëve tona, e bëri atë, çirakun me zë kumbonjës, të ligjëronte në shqip aq mrekullisht sa edhe vetë poeti do të kishte qenë i dyzuar; në cilën gjuhë tingëllonte më bukur. Nuk është e rëndësishme edhe aq se ai për risjelljen e shqipëruar të poezisë ruse mori nga presidenti Boris Jelcin dekoratën e lartë të “Miqësisë mes popujve”, apo që pas ikjes së tij iu dha titulli “Mjeshtër i madh”.
Ai kishte këto që kur ishte ende mes nesh. Të gjithë e dinin se ai ishte mjeshtri i madh i lirikës dhe i baladës shqipe, e njëkohësisht edhe afruesi i madh i vlerave të kulturës ruse e jo vetëm ruse; edhe angleze, gjermane, greke, franceze… por kurora e artë që rri mbi shqipërimet e tij ishte poezia e vërtetë ruse; ajo që nuk tingëllonte si një marsh ushtarak, por si një rrjedhë e beriozave ruse, e mështeknave të bardha. Dhe kjo endje e tij pas artit të madh do i kushtojë edhe disa vite burg e mes “arsyetimeve” do të ishte edhe fakti që nuk kishte pranuar të përkthente Majakovskin, të cilin e donte si poet, por nuk e kishte të shpirtit të tij.
Duke qenë kryesisht poeti lirik ai e ndjen thellësisht në vete atdheun; atë që është dhe ëndërron atë që do të donte të ishte. E do atë që është sepse është poet dhe nëse rebelohet, nuk është rebelimi i tij diçka kundër vendit të tij. Por, edhe rebelimi është ndryshe, pa asnjë mallkim, pa asnjë brengë e moslargimit; përkundrazi, ai të sjell dhimbjen për gjithçka ka ndodhur. Rrallë kam lexuar baladë më prekëse dhe më reale se ajo e Jorgo Bllacit me titullin “Te varri i tim vëllai”, e cila në vete ka përmbajtjen e një jete, e ndarë në dy vëllezër dhe në stuhinë që ndodhi pas. Por përsëri, edhe në këtë vringëllim të vargut, ky shpirti lirik shkrihet tek mendja epike, ai përsëri mbetet i brishtë si poet, zemra e tij nuk këlthet, sepse është poet dhe shpirti i dridhet, ashtu si mund t’i dridhet vetëm një poeti.
Në jetën e tij, mjerisht të shkurtër, ai kishte mjaft miq e shokë, poetë e jo poetë. Kishte nga ata që e kujtuan heshtas edhe kur ishte i burgosur, që e ruajtën vargun e tij edhe kur ishte e vështirë ta ruaje dhe e mbajtën emrin e poetit e shqipëruesit në mbamendjen e tyre. Por kishte edhe shumë më tepër miq e shokë të panjohur, të cilët, përmes viteve, e mbajtën poezinë e tij ndanë vetes, i lexuan lirikat e baladat e tij edhe në një kohë të ndaluar, i mësuan shqipërimet dhe i thoshin me shokët si një gjë të çmuar dhe këto, duke qenë më të shumtët, ishin edhe më të dashurit për Jorgo Bllacin.
Miqtë e shokët poetë kanë lënë mendimin e tyre për Jorgon. E kanë thënë me shpirt dhe me mallin e mbushur për një largim të papritur.
Ndërsa ata të panjohurit, që nuk e kishin rastin t’i thonë faleminderit në gjallje, po e bëjnë tani, qoftë edhe përmes meje.
Sepse edhe unë isha një mik i panjohur i tij, që lirikat e poetit i thosha përmendësh një gjysmë shekulli më parë dhe i them edhe tani..
Faleminderit Jorgo!
—–
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.