Dy vrasje që presin të vërtetën

August 17, 2016 14:00

Dy  vrasje që presin të vërtetën

Nga Bedri Islami – Që prej shumë kohëve, në media, në debate e replika, janë ngritur ngjarje që burojnë nga viti 1998, e në të cilat, dashje pa dashje, janë përfshirë figura të ndryshme të kohës. Vrasja e Azem Hajdarit është njëra prej tyre dhe duhet pranuar se zgjidhja përfundimtare e enigmës së saj, me gjithë çka përfshin kjo enigmë, jo vetëm do të qetësonte shumë shpirtra, por do të ishte rruga, ndoshta e vetme, e ndëshkimit të gjithë atyre, që jo vetëm ngritën dorën e krimit, por edhe e të të tjerëve që e përgatitën, e lejuan dhe e shfrytëzuan atë, duke u bërë edhe dëshmues të rremë apo fallsifikues të krimit.

Por, mjerisht, në të njëjtin hark kohor, në të njëjtin vit, në Shqipëri, kanë ndodhur edhe dy vrasje të tjera, të cilat kanë qenë po aq të rëndësishme për një pjesë tjetër të kombit, Kosovë, dhe të cilat, ndoshta edhe më shumë se sa në Shqipëri, kanë lënë pas vetes enigma të mëdha, zhurma të jashtëzakonshme, probleme që vitet po i thellojnë dhe enigma të cilat, si duket, ose nuk do të zbardhen kurrë, ose do të transformohen deri sa të zhbëhen.

Në majin e vitit 1998, rrugës për në Tropojë, ku ishin bazat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është vrarë Ilir Konushevci, shefi i sektorit logjistik të UÇK-së, njëri nga themeluesit e saj, pa asnjë dyshim, njëri ndër njerëzit më të ndjeshëm të sakrificës sublime. Pas rënies së Heroit të Kombit, Zahir Pajaziti, ai, Iliri, i njohur si “Mërgimi”, do të marrë mbi supe detyrën e drejtuesit të Zonës Operative të Llapit, do të jetë përfaqësues i njohur i Shtabit Qendror, më pas Shtabi i Përgjithshëm, i UÇK-së, pjesë e aksioneve të para të njësiteve të armatosura.

Bedri Islami

Bedri Islami

Vrasja e tij në fillimin e majit 1998 la pas vetes shumë enigma, dhe, në fund të fundit, megjithëse dihen se kush ishin dorasit, pra ata që qëlluan, ede nuk është bërë zbardhja e plotë e kësaj vrasjeje të dyfishtë, pasi bashkë me të është vrarë edhe mjeku atdhetar, H.Mala.

Në 21 shtator 1998, në një nga rrugët e Tiranës, është vrarë në pritë, i caktuari nga qeveria “Bukoshi” si ministër i Mbrojtjes dhe drejtuesi i FARK-ut, Ahmet Krasniqi.

Emri i Krasniqit ka kaluar përmes shumë të dhënave kontradiktore, të cilat, sipas dëshmive, herë e bëjnë një vegël e ushtrisë serbe, i cili u ndodh përballë luftës çlirimtare në Kroaci, e herë e bëjnë si njeriu që ka ndihmuar këtë luftë.

Deri në marsin e vitit 1998, pas rënies së Adem e Hamzë Jasharit, emri i tij nuk ishte lidhur asnjëherë me luftën në Kosovë dhe, për disa kohë ai është gjendur në rrebeshin e kritikës së forcave çlirimtare, të cilat shihnin tek ai një renegat, që për më tepër, si cilësohej, kishte pasur edhe afera të tjera trafiqesh.

Për të tjerët, që ishin të rradhitur në kahun e Bukoshit, ai ishte një ushtarak i njohur, e po ashtu një figurë e vyer.

Nga kontaktet që kam pasur në atë kohë me disa nga figurat e njohura të rezistencës, besimi ndaj tij ishte drejt zeros, për të mos thënë se shkonte edhe më tej se kaq.

Vrasja e tij ishte njëra nga dy enigmat më të papritura të ndodhura në Shqipëri, pasojat e së cilës ndjehen ende në Kosovë.

Shteti shqiptar e ka detyrën, në fakt, e ka pasur detyrën për të ndritur të vërtetën në të dyja rastet. Jo vetëm se ato kanë ndodhur në mjedisin e tyre, por, për më tepër, pasojat e tyre ndjehen ende në të gjithë politikën shqiptare në Kosovë, në dy rrjeshtimet më të mëdha politike: Në lëvizjen çlirimtare dhe lëvizjen paqësore.

Në të vërtetë, gjatë kësaj kohe, duke nisur që nga viti 1999, në Kosovë kanë ndodhur edhe vrasje të tjera, disa nga të cilat kanë qenë, ose mendohen se janë vrasje politike, por kjo është diçka që duhet zgjidhur përmes organeve në Kosovë, ndërkombëtare e vendore. Në harkun e disa viteve, nga vrasje të tilla, kanë humbur jetën më shumë ish luftëtarë të njohur se sa të tjerë, por, cilido qoftë, vrasja është një akt që nuk ka lidhje me drejtësinë e munguar.

Ndërsa vrasjet në Shqipëri dhe detyrimi i qartësimit të enigmës së tyre, janë një ekzkluvitet i qeverisë shqiptare, cilado qoftë ajo, dhe koha për të thënë të vërtetën dhe ndëshkuar krimin, nuk është kurrë e largët.

Për Ilir Konushevcin kam dëgjuar për herë të parë ditën që është vrarë. Nuk e kam njohur më parë, kam dëgjuar nga Kelmendët, sidomos Qerimi, miku i tij më i afërt, për ngjarjen, megjithëse edhe ai asaj dite nuk ka qenë aty, por në njëjtën sallë ku isha edhe unë. Më tepër se me emrin e tij të lindjes, ai është njohur si”Mërgimi”, dhe, duhet saktësuar se strukturat politike të lëvizjes çlirimtare, asnjëherë nuk kanë pasur njohuritë rreth emrave dhe celulave që vepronin në Kosovë. Ajo ka qenë detyrë e sektorit të veçantë dhe e Shtabit të Përgjithshëm, i cili, në shumicën e tij, mos krejtësisht, përbëhej nga anëtarë të njohur të Lëvizjes Popullore të Kosovës.

Pikërisht në Kuvendin e kësaj Organizate, në vazhdimin e një pjese të saj, kam dëgjuar për herë të parë për Ilirin. Drejtoja mbledhjen e Kuvendit, kur erdhi mesazhi. Aty kam dëgjuar për herë të parë edhe akuzën e drejtpërdrejtë për vrasjen, përsëri nga Qerim Kelmendi.

Më pas, si njëri nga vendimet e Mbledhjes së Përgjithshme, u ngrit një Komision i Veçantë për sqarimin e shumë ngjarjeve të luftës, drejtimi i së cilës iu ngarkua Bedri Islamit, që ishte edhe kryetari i Organizatës, por, asgjë nuk ka shkuar përtej përcaktimit të gjaksave. Ende sot është enigmë përgatitja e kësaj vrasjeje, si është organizuar, kush qëndron në passkenë etj. Në një informacion të ardhur nga dorë e parë, brenda strukturës së afërt me Azem Hajdarin, është bërë e njohur dita e fundit e vrasësve, njëri nga të cilët kishte ardhur posaçërisht nga Anglia, por paskena e plotë, njerëzit që e organizuan, mënyra e shpërblimit, shuma e dhënë, zëri i njeriut që përmes telefonit ka dhënë urdhërin, ende nuk dihen.

Vrasja e Ilirit nuk u hetua asnjëherë si duhet nga shteti shqiptar, as kur në pushtet ishin socialistët, as kur erdhën demokratët. Nga të dyja palët ka pasur heshtje, megjithëse ka qenë vrasje e dyfishtë dhe, për më tepër, në njerën nga fazat më përcaktuese të mbijetesës së UÇK-së dhe të rezistencës në Kosovë.

Nuk e di nëse është analizuar ndonjëherë kjo vrasje në organet përkatëse të shtetit shqiptar. Në takimet e rëndësishme të kohës, me drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar, që nga presidenti, shefi i qeverisë e më poshtë, megjithë kërkesën tonë për të patur një tabllo më të qartë dhe saktësimin e detajeve, ka pasur vetëm heshtje.

Më shumë se gjithçka tjetër, kjo vrasje e dyfishtë, ashtu si kishte peshën e saj të pamohueshme në kohën e saj, ashtu ka edhe sot peshën e rëndë, për më tepër mes vetë njerëzve të lëvizjes çlirimtare. Prej shumë kohëve ka pasur akuza të ndryshme, të cilat kanë filluar që në momentin e ngjarjes, vazhdojnë edhe tani, e gjithnjë do të thellohen, nëse nuk zbardhet enigma e saj.

Kohë më parë unë bëra të njohur një letër të Ilir Konushevcit, dërguar shokëve të tij të idealit në diasporë, ku ndodhej edhe udhëheqja politike e kohës. Nuk e di të ketë pasur letër tjetër. Mund të jetë e vërtetë se, pak ditë para ngjarjes, ai ka shkruar edhe një letër të dytë. Nuk e di nëse kjo e ndihmon të vërtetën, por, nëse ekziston, do të ishte e vetmja rrugë e duhur, publikimi i saj.

Ahmet Krasniqin nuk e kam takuar kurrë e, sinqerisht, nuk e kam dashur kurrë. As nuk e kam urryer, sepse asaj kohe nuk kishte kohë për ndjenja të tilla. Deviza e kohës për mua ka qenë se “në këtë luftë nga mjafton lufta me serbët”.

E dija se në Oslo, në një takim mes disa palë syve ishin takuar përfaqësues të Lëvizjes Çlirimtare, mes tyre edhe Demaçi e Xhavit Haliti, me përfaqësues të FARK-ut, mes tyre edhe Krasniqi.

Si unë, ka pasur edhe shumë të tjerë, që jo vetëm nuk e kanë dashur Krasniqin, por, për të shkuar më tej, e kanë trajtuar figurën e tij si të një mercenari serb, që ishte bërë pjesë e FARK-ut për të sabotuar luftën çlirimtare.

Sidomos mllefi kundër tij ka qenë i shumëfishtë kur, pas një ceremonie të pakuptueshme, dekoroi Tahir Zemën, që sapo kishte lënë luftën në Kosovë, ku ishin dorëzuar tek ushtria serbe mijra armë të blera me mundim e sakrifica të pashembullta, edhe me jetë, përmes slloganit se “qeveria do të sjellë armë moderne”. Më pas, në njërin nga librat e tij, drejtuesi i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haredinaj, do e akuzonte grupin e zemës, si shkaktari kryesor i përçarjes dhe humbjes së betejave të para në zonën e Dukagjinit.

Sidoqoftë Krasniqi u vra në një kohë kur mes tij dhe strukturave të logjistikës së Shtabit të Përgjithshëm ishin sheshuar disa nga përplasjet dhe, përmes njerëzve të tij, Krasniqi kishte dërguar rreth 3 milion e 700 mijë marka gjermane në fodin e UÇK-së.

Është e njëjta kohë kur përmes tij, Krasniqit, kalojnë disa dhjetra e dhjetra milionë marka të tjera dhe, si cilësohet në Raportin sekret të qeverisë Bukoshi, vetëm në muajin maj janë kaluar më shumë se 60 milionë marka gjermane.

Vrasja e Krasniqit ndodhi kur mes dy palëve ishte arritur marrëveshja për një tërheqje të madhe të logjistikës nga një vend jo larg shtetit shqiptar, dhe, veç të tjerave, kjo solli edhe një situatë vështirë të përballueshme.

Edhe kjo vrasje është ende sot në qendrën e ndarjes së forcave politike, të cilat, thënë sinqerisht, edhe po të zbardhet e plotë, nuk do të ketë ndonjë afrim spektakolar, por të paktën do të sigurojë të vërtetën dhe, bashkë me të, ndëshkimin.

Si e thashë, nuk kam qenë kurrë në përkrahësit e Krasniqit, në të vërtetë kam qenë kundërshtar i tij, ashtu si kam qenë kundërshtar deri në fund i strukturës që formoi me ngut qeveria e Bukoshit, FARK, për të rrjepur më tej njerëzit nën maskën e patriotizmit, dhe, si mos më keq, për të penguar me sa mundej luftën çlirimtare.

Nuk e di nga se ishte përcaktuar zoti Krasniqi në këtë rrugë; kontaktet e forcave çlirimtare prej shumë viteve kishin qenë me shumë figura të njohura ushtarake shqiptare në Kroaci e në Bosnje, por kurrë me Krasniqin.

Por janë dy vrasje, të clat, sa më shumë që mbështillen nga mjegulla e kohës, aq më shumë dëmtojnë jetën e një pjese të kombit. E vërteta e tyre, sado që duket e vonuar dhe e vështirë, duhet saktësuar.

Këtë e ka në detyrimin e tij shteti shqiptar.

 

August 17, 2016 14:00
Komento

8 Komente

  1. Nazim August 17, 14:24

    Bedri ti shkruan:

    “”Deri në marsin e vitit 1998, pas rënies së Adem e Hamzë Jasharit, emri i tij nuk ishte lidhur asnjëherë me luftën në Kosovë dhe, për disa kohë ai është gjendur në rrebeshin e kritikës së forcave çlirimtare, të cilat shihnin tek ai një renegat, që për më tepër, si cilësohej, kishte pasur edhe afera të tjera trafiqesh.”””

    Une nuk e di se cfare do te thuash ti me kete dhe ku do te qellosh( per mua je figure shume e nderlikuar qe di shueme por i jep gjerat me pikatore dhe nuk del haptazi per te nxjerre lakrat maskarenjve qe jane ne fuqi ketu e ne Kosove), por une di nje gje—- qe nqs serbet qendruan tre dite dhe grumbulluan tere forcat kunder =Adem Jasharit=, dhe e zhduken me gjithe familje, ( serbi ka vrare te gjithe ata shqipetare to Kosoves qe e demtoni kauzen serbe dhe ka lene gjalle tere te korruptuarit qe po ja marrin frymen Kosoves dhe kosovareve me makuterine e tyre) dhe qe ti i mbron disa prej tyre, si psh Hathim Thacin nje injorant dhe i korruptuar koke e kembe)- Adem Jashari eshte hero qe i pickoi serbet atje ku nuk thuhet.

    Reply to this comment
  2. anticensurë 25642654 August 17, 15:34

    “Shteti shqiptar e ka detyrën, në fakt, e ka pasur detyrën për të ndritur të vërtetën në të dyja rastet. Jo vetëm se ato kanë ndodhur në mjedisin e tyre, por, për më tepër, pasojat e tyre ndjehen ende në të gjithë politikën shqiptare në Kosovë, në dy rrjeshtimet më të mëdha politike: Në lëvizjen çlirimtare dhe lëvizjen paqësore.”
    kë quan ti “lëvizje paqsore” o bedri???

    Reply to this comment
  3. Mark uk August 17, 16:48

    Bedri:Ma mire se ju nuk mendoj se e din njeri ate qe po thuani.Asnjera nuk mendoj se jan politike.Ju besoj se keni dijeni edhe per shume te tjera.Kush ju ngarkoj ju te hyni qe ne ate kohe te merreni , me cfar po behej ne Kosove.Kush ishte misioni juaj dhe kush ju paguente.

    Reply to this comment
  4. I.Troplini August 17, 18:21

    Vrasja e tij (Krasniqit) ndodhi kur ishte arritur marrèveshja mes palève.!!!
    Edhe pse dy ngjarje krejtèsisht tè ndara nga njèra tjetra, edhe pse nè tè pèrfshihen dy figura diametralisht tè kundèrta ku njèri (Ilir Konushevci) èshte simboli i rezistencès sublime ndèrsa tjetri (Krasniqi), njè person me mè shumè hije se dritè nè veprimtarinè e tij, nuk mund tè ketè as mè tè voglin dyshim mbi autorèsinè e krimit.
    Parè nè aspektin analizues, shèrbimi sekret serb UDB, “ka bèrè suksesshèm” punèn e tij. Ka hequr qafe ata shqiptarè, qè nè llogaritè e tyre, ishin pèr tu eleminuar.
    Deri kètu, “çdo gjè nè rregull”.
    Ajo qè duhet tè bènte shteti shqiptar, organet e tij tè sigurisè, do ishre jo vetèm zbulimi i vrasèsve por shumè mè tepèr edhe porosidhènèsit e kètyre vrasjeve. Kjo duhet tè kish ndodhur, nèse shteti do kishte ruajtur edhe gramèn mè tè vogèl tè serioziretit. Mirèpo ai shtet nuk egzistonte nè atè kohè dhe pjesèrisht, èshtè e njèjta situatè edhe sot.
    Nèse kishte diçka pozitive, nè punèn e ish sigurimit tè shtetit, ajo ishre efikasiteti i punès, kontrolli i terrenit dhe mbulimi i çdo sektori me rrjedhje informacioni. Pikèrisht kèta njerèz, largoji sistemi i Vuçidolit, tè parèt nga vendi i punès, nè emèr tè “spastrimit tè komunizmit”. Nè vend tè tyre, erdhèn “specialistèt e plepave”, ata qè e ndjenin si detyrè kushtetuese tè eleminonin Remzi Hoxhèn apo tè bèheshin faqja e zezè shqiptare nè ngjarjet e 97.
    Pra, ato vrasje e kanè ideatorin nè Beograd por gjithçka tjetèr e kemi nè radhèt shqiptare, duke filluar nga Sali Berisha e deri tek vrasèsit.
    Nuk mund tè egzistojè asnjè shtet, po qe se institucionet e tij tè sigurisè, merren peng nga njerèz tè dyshimtè, qè praninè e tyre nè politikèn shqiptare, ia dedikojnè pikèrisht ideatorève tè kètyre vrasjeve.

    Reply to this comment
  5. Arben August 17, 19:31

    PSE KEMI SHTET NE??????!!!!!!!!!!!!!!

    PA U HAPUR DOSJET E SIGURIMIT TE SHTETI, AS QE BEHET FJALE TE MUND TE KETE NDONJEHERE NDONJE HETIM PER GJITHE KRIMET QE I JANE BERE KETIJ POPULLI.

    RROFTE POPULLI SHQIPETAR, TRIM DHE HEROIK.

    Reply to this comment
  6. Epfraim August 17, 22:07

    Bedri Islami eshte njeriu me i neveritshem nga trojet e shtetit ame qe perzien duart ne ngjarjet e Kosoves.

    Reply to this comment
  7. Vinkovci August 18, 10:50

    Z. Bedri ia ke keputur kot. kol. Tahir Zema bashke me ish policin e SUP-it Shala jane komandues dhe pjesemarres te Betejes se Lozhes,ku nder te tjera serbet humben nje Helikopter “Gazella” i konfiguraciopnit “light Attack”, nje autoblinde BRDM 1 (3 kapterre te MUP-itu dogjen te gjalle ne te), nje autoblinde BOV dhe 2 xhipa UAZ te blinduar lehte. Mbeti i plagosur, invalid perjete edhe pot/pukovnik Gllavatovici shefi i shtabit i Brigades se perzjere te artilerise (Korpusi i Nishit). Ne kete beteje u vra edhe shefi i stervitjes i njesise speciale te KOS-it, kumbari i drejtorit te pergjithshem te atehershem te doganave jugosllave, nje bastard hungarez etnik,por mik personal i Marko Milloshevicit. Nje tradhtar, qe komandon nje grup fshataresh te keqarmatosur dhe vetem 8 ushtarake profesioniste dhe 3 te tjere me pervoje lufte ne mbrojtjen e Shibenikut dhe ne betejen e kasaneve (korrik-nentor 1991) dhe me keto forca ua pergjak hundet serbeve nuk mund te jete tradhtar ore Bedri efendi.
    kol. Krasniqi (Zhilivoda), ndonese me bashkeshorte serbe nuk ishte nga fshati i gruas, sepse serbet i kishin masakruar qe ne tetor 1912 ne pas Betejen e Kumanoves e ne vazhdim mjaft burra e femije te fisit Zhilivoda. Kol.Krasniqin e kam njohur personaluisht ne Rovinj, kur per te mbijetuar me dinjitet shiste fruta zarzavate me tezge. Dorezimi i Kazermes se Gospiqit pa shkrehur nje pushke me nje arsenal armatimi te jashtezakonshem per garden kroate te veres 1991 ishte konsideruar nga kroatet nje akt heroizmi i kol. Krasniqit. Bedri efendi ambasadori Juricic nje xhentellmen i shkolles se vjeter te diplomacise te Moshe Pijades dhe “Tuta” vullnetari i famshem kroat, qe i tmerronte shqiponjat (korbat) e Bardha te Sheshelit ne prani time e kane quajtur Kol.Krasniqin “Junak” d.m.th. hero, Per Tutan (i dorezuar nga plehera pretsedatellot Stipe Mesic ne Gjykaten e Hages per gjoja krime lufte kundra serbeve te Sllavonise Lindore dhe te Likes) duhet te ishte 10 fish hero qe te te quante hero dukemos qene as kroat madje as edhe katolik si kol.Zhilivoda. Bedri efendi pyet Ahmetin again e shqiptareve te Maqedonise se kush e vrau dhe pse e vrane Kol. Krasniqin. Pyet edhe prof.Klosin pse u carmatosen rojet e Krasniqit para se ta ekzekutonin kolonelin. Bedri efendi kam degjuar se i biri i kolonelit te ndjere ka misheruar vetite me te mira te rraces shqiptare dhe egersine maksmiale te hakmarrjes serbe. Mjer kush ia vrau te jatin, sepse sipas Ungjillit te nenes serbe te te birit te Kol.Krasniqit mekatet e eterve (qe vrane kol. Zhilivoden) do i paguajne te bijte e tyre ne Shqiperi, FYROM,Kosove dhe Gjeneve te Zvicres!!!!

    Reply to this comment
  8. Zani Burimi August 19, 12:38

    Z. Bedri, Kur ju thoni se SHTETI (kuptohet i R. te Shqiperise ) e ka per detyre te zbuloje vrasesit e dy burrave te shquar kosovare, mua me vjen ne perfytyrim qeshja sarkastike e “doktorit” te emisionit “Fiks fare” sa here partnerja ne emision e permend fjalen “shtet”.
    Pra, mos u lodhni me shtetin e “lodhur”!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim