E ÇUDITSHME / Hajvani në moshë madhore beson te lumturia

January 4, 2020 00:16

E ÇUDITSHME / Hajvani në moshë madhore beson te lumturia

TIRANË – Burime qe nuk arrijnë t’u besojnë veshëve, deklaruan në ditët e para të 2020-ës se 35 vjeçari Muço Gusto, mashkull në moshë madhore, lexues sporadik i librave, i shkolluar dhe menaxher në një dyqan elektroshtëpiakesh, shpreson realisht tek lumturia në jetë.

Pavarësisht se shkencërisht është e sigurtë që Muço është pronar i një truri plotësisht të zhvilluar dhe e ka të qartë natyrën e përkohshmërisë së ekzistencës mbi këtë Tokë, burimet pohojnë se Muço mesa duket vazhdon të besojë se arritja e lumturisë afatgjatë dhe të qëndrueshme qenka e realizueshme, në një farë mënyre.

“Gati-gati, duket sikur ai mendon se mbërritja në një fazë kënaqësie të pandërprerë, të ndjerit i plotësuar me vetveten, jetën dhe gjithçka ndodh rrotull teje, qenka një produkt i arritshëm,” thotë i pataksur Jurgen Kallogreja, shoku i Muços, duke shtuar, “dhe po flasim për një qenie që jeton në këtë planet, nuk është pa përvojë jete dhe nuk ka abuzuar me substanca narkotike”.

Sipas Kallogresë, ka raste madje që Muço Gusto nervozohet kur gjërat nuk shkojnë sipas planit të vet të vockël, kur dihet që planin e madh që ka bërë natyra, apo i Plotfuqishmi, quajeni si të doni, nuk mund ta ndryshojnë dot projektet dhe intrigat tona qesharake.

“Them me vete, ky tip qenka i vetmi që nuk e ka kuptuar se mizerja dhe zhgënjimi është rezultati i vetëm i pritshëm, ngado që të sillen e mbështillen fijet e ekzistencës sonë mjerane mbi këtë dhe. Mendo, ka raste kur Muçoja i jep vetes gajret dhe thotë, ‘hajde se në fund gjërat do marrin për mirë’! Më vjen ndonjëherë ta shkund mirë e mirë nga supet e t’i bërtas në rrëzë të veshit: Zgjohu o hajvaaaan! Kur ‘në fund’? Si mund të marrin gjërat për mirë në fund, hala s’e ke kuptu cili është fundi? Kërriç!”, nxehet Jurgen Kallogreja.

Burimet sqarojnë se ç’është e vërteta, përgjatë viteve Muço Gusto është furnizuar bajagi me fakte të pakundërshtueshme se në rastin më të mirë, jeta është një lojë që mbaron me barazim; përfshirë një karrierë të panisur si dizajner grafik, një seri lidhjesh të dështuara, mundësi financiare të kufizuara dhe sidomos, shpresën e kotë se Edi Rama do ta bënte Shqipërinë një bahçe me lule, një pararojë të teknologjisë së lartë në Europë dhe eksportuesin Nr.1 të pikturave post-avangardisto-hipersurrealisto-ekstrakubiste.

Ç’është më e keqja, optimizmi i Muços shtrihet edhe në sektorë e personazhe ku trishtimi është ndjesia më pozitive që mund të provojë një njeri me dy pare mend.

Kështu, sipas kolegut të punës, Japrak Mysybeti, Muço beson se me më shumë praktikë, Lul Basha mund ta këndojë më mirë himnin e Flamurit; se vetë Flamuri mund të bëjë zërin e dytë në këtë rast; se Episa Pilospari nuk është në fakt, personifikimi real i personazhit fiktiv skeçistik Pasionare Llapa; madje ai beson fort se meritokracia dhe mundësia për karrierë në PD është shumë më tepër sesa aftësia për të fshirë të dhëna serverash, apo në PS shumë më shumë sesa guximi për të firmosur symbyllur tendera miliona eurosh që në rrethana normale, do ta plasnin firmëtarin në burg ende pa mbyllur kapakun e stilolapsit.

“Seriozisht, nuk e di ç’po ndodh me këtë djalë,” psherëtin Mysybeti, “shkolla nuk i mungon. Ndonjë libër e lexon tek-tuk, lajmet i ndjek. Ja, e zëmë se të gjitha këto nuk e kanë ndihmuar të kuptojë se të shpresosh tek lumturia është mision i pamundur: Po mbiemri im nuk i thotë gjë vallë?”

 

*****

SHËNIM / Gojët e Liga është rubrikë satirike shumë optimiste se në vitin 2020, Shqipëria do të jetë vetëm një vit larg 2021-it.  

January 4, 2020 00:16
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim