E diela e 28 Qershorit 2009

Nga Xhovani Shyti March 29, 2013 11:40

E diela e 28 Qershorit 2009

Pak kohë pas hapjes së qendrave të votimit, nga ana e zëdhënësit të Partisë Socialiste u denoncua ngjarja e parë kriminale e ditë-votimit kryeqytetas. Shoqëruesi i ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, kishte goditur kandidatin për deputet të PS, Saimir Tahiri, i cili ishte konstatuar se dispononte brenda ambienteve të QV-së një stilolaps kamer. Prezent në goditjen e Tahirit kishte qenë edhe një punonjës i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Policisë. Ngjarja ndodhi në një nga Qendrat e Votimit të zonës së Kombinatit. Pretendimi i KQZ-së, se nuk lejohej përdorimi i mjeteve rregjistruese u hodh poshtë nga përfaqësuesi i PS, në një konferencë shtypi të mbajtur rreth orës 10:15, të së dielës. Në disa qendra, komisionerët e vonuar i dhanë shkas vonesave në fillimin e procesit të votimit, me ndryshimin e emrave të tyre në momentin e fundit. Në disa të tjera problemet u shkaktuan nga mungesa e tamponit të bojës së vulës. Megjithëse raportimet e paradites së hershme flisnin për një nisje, përgjithësisht të qetë të procesit zgjedhor në gjithë vendin, duke e komentuar rastin Tahiri si të provokuar, më pas erdhi koha e denoncimeve.

Nga Qarku i Durrësit u raportua ndarje ndihmash ushqimore për votuesit e varfër në lagjet ku banonin romë dhe egjiptianë, shpërndarje 500-lekëshash për votuesit e moshuar, lejimi i votimeve familjare. U raportua se përdorimi i mikrokamerave stilolapsa, i USB-ve dhe i llambave me ndriçim ultraviolet, për verifikimin e vlefshmërisë së kartave të identitetit, kishin sjellë përplasje midis komisionerëve socialistë e demokratë.

Në fshatin Xhafzotaj, PD-ja kishte ofruar shërbimin e transportit me makina për të gjithë ata që nuk e gjenin veten në listën e zgjedhësve, duke i shoqëruar në gjykatë dhe risjellë në fshat. Po ashtu të rinj me kompjuter të tipit “laptop”, të caktuar nga maxhoranca, i orientonin votuesit drejt qendrave të tyre. Por brenda kësaj xhentilese u raportua se, së bashku me orientimin për të gjetur qendrën e votimit, në pikat “laptop” të ngritura në hyrje të disa QV-ve bëhej dhe sugjerimi për ngjyrën e votës që duhej hedhur në kuti.

Pas ndryshimeve që i qenë bërë listave të votuesve numri i personave, të cilët kishin të drejtën e votës, në gjithë Qarkun e Durrësit rezultonte të ishte 290 387. Qendra votimi të hapura në të gjitha njësitë 352, duke futur edhe ato të burgut të Fushë-Krujës dhe Durrësit.

Në burgun e “Shën Kollit” njëqind të dënuar kishin mbetur pa votuar për shkak se ishin marrë fletëvotimi mangët. Megjithëse, kjo u konstatua herët nuk u bë i mundur riparimi as në orët në vazhdim. Sipas një denoncimi të bërë para kamerave të TV-ve dilte se përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Bushat, Bujar Shima, kishte rrahur një vëzhgues të PD-së.

Po ashtu në Fier ishte rrahur kryetari i Komunës dhe ishte plagosur një i ri, megjithëse raportohej se procesi vazhdonte i qetë.

Incidenti i parë kishte ndodhur në Komunën Topojë, kryetari i fyer dhe më pas i rrahur, nga një militant i PD-së quhej Sotir Zarka. Plagosja me thikë e një të riu 22-vjeçar kishte ndodhur në fshatin Kurjan të Roskovecit, pas një grindjeje për subjektet politike PD dhe PS. Po në Fier, në Qendrën e Votimit të fshatit Ruzhdie u raportua konflikt mes komisionerëve. Rreth orës 10:30, situata ishte agravuar dhe procesi i votimit u bllokua tërësisht. Sekretari i QV-së, përfaqësues i PS-së, u largua së bashku me vulën dhe pak minuta pas tij u largua edhe nënkryetari i QV, po përfaqësues i PS-së, Pëllumb Ferzaj. Në pritje të marrjes së një vendimi nga KQZ, Ferzaj konfirmoi:

“Parregullsia e zhvillimit të procesit të votimit na detyron të marrim këtë vendim. Nga 75 persona që erdhën për të votuar në kutinë e votimit u hodhën 100 fletë më tepër”. Shtetësja, Alma Gjonçe, votuese e QV-së nr. 3014, pranë Azilit të Pleqve, Fier, denoncoi hedhjen e votës së saj në kuti nga një person tjetër. Pa e mohuar faktin, kryetarja e Komisionit të kësaj qendre, Mimoza Krasniqi, komentoi se ishte bërë një gabim teknik, për të cilin u mbajt proces-verbal. I bllokuar paraqitej procesi zgjedhor edhe në fshatrat e komunës Portëz. Banorët e tyre vijuan protestën e nisur ditën e shtunë për tërë natën, duke penguar mbërritjen e materialeve zgjedhore. Sipas banorëve protestues, protesta ishtë arma e vetme kundër premtimeve boshe të pushtetarëve. Në fshatrat Kallm dhe Mbrostar ka pasur probleme për shkak të mungesës së bojës së sigurisë dhe votimit kolektiv.

Votimi në Kukës ishte ndërprerë nga një ngatërresë mbiemrash në qendrën nr. 0652 të qytetit. Debati mes komisionerëve detyroi ardhjen e policisë. Sipas deklarimit zyrtar u mësua se mbiemrat Elezi, Zeneli, Cena etj., në listat e zgjedhësve ishin pasqyruar me prapashtesën “aj”, duke i shndërruar “Elezaj”, “Zenelaj”, “Cenaj” etj. Nënkryetari i komisionit, Azem Elezi, përfaqësues i PS-së, këmbënguli që personat e pasqyruar në listë, me këtë prapashtesë mbiemërore, të mos votonin, gjë që u kundërshtua prej kryetarit të Komisionit, përfaqësues i PD-së, Alban Trota.

Një përplasje midis kandidatëve për deputete të Partisë Socialiste Shega Ligori dhe kandidatit të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, u raportua se ndodhi mëngjesin e porsanisjes së votimit, në shkollën “Kozma Naska” të lagjes “28 nëntori”, por përfundoi pa probleme, duke mos e rrezikuar procesin.

Ankesa më e veçantë e këtij procesi zgjedhor u regjistrua në kryeqytet, ku një votuese denoncoi se i ishte grabitur identiteti, nga dikush tjetër, madje duke përdorur kartën e saj të identitetit. Denoncuesja e këtij rasti specifik ishte shtetësja, Erjola Engjëllush Dervishi, votuese në QV e shkollës “Sami Frashëri”. Lidhur me rastin, pas investigimit që i bëri opozita, në një konferencë shtypi sqaroi: “Ka tri Erjola Dervishi, njëra është banore e Tiranës, njëra e Pogradecit dhe një tjetër e fshatit Kutalli të Beratit. Erjola nga Pogradeci kishte votuar në qendrën e saj të votimit, ndërsa Erjola nga Berati nuk kishte votuar, deri në orën 16:00. Kaq dimë deri tani. Do ta verifikojmë rastin deri në fund dhe do ta çojmë për ndjekje penale”.

Por, të vecantën e të vecantave do ta përbënte qëndrimi krejtësisht ndryshe i mbajtur nga kryeministri Sali Berisha, gjatë procesit të numërimit të votave. Për herë të parë ai doli para ekraneve të televizioneve në një konference shtypi, rreth orës 19:20 dhe nuk shpalli rezultatin paraprak, por urtësisht deklaroi se do të priste rezultatin përfundimtar të KQZ-së. Madje, çuditërisht, Berisha deklaroi se nuk i besonte eksitpollet, ndërkohë që u njoftua se “Gani Bobi”, një institut kosovar eksitpollesh për bërjen e sondazheve dhe “Zogby”, një tjetër kompani amerikane eksitpolli, pas pak orësh do të shpallnin përfundimin, para se ai të zyrtarizohej nga KQZ. Po ashtu, ndryshe nga më parë, Berisha nuk anatemoi opozitarët socialistë, por i dha nota realiste vlerësimi qëndrimit të saj korrekt gjatë dhe pas procesit të votimit. Para se ta mbyllte fjalën e tij Berisha iu përgjigj pyetjes së një gazetari, duke deklaruar se do të pranonte me kënaqësi t’i telefononte Edi Ramës. I njëjtë ishte edhe qëndrimi i drejtuesit të socialistëve, Edi Rama, në konferencën e shtypit të orës 19.40, të ditës së diel, 28 qershor 2009, ku vlerësoi: “Kjo ditë do mbahet mend si dita kur shqiptarët morën në dorë procesin”

 

Beteja e votave

 

Nga të dhënat e publikuara prej projektit “ECA & KRIIK”, që mbështetej nga USAID, në përqindjen e rezultateve të dala në rang vendi kryesonte Partia Socialiste, në diferencë të ngushtë me Partinë Demokratike. Përsa i takonte numrit të mandateve, sipas “ECA & KRIIK”, deri në orën 19.04, PD-ja dilte të kishte marrë 70 mandate dhe PS-ja, 64 mandate. Më pas vinte LSI me 3 mandate dhe PBDNJ, PR dhe PDI me nga 1 mandat secila.

Ndërkohë, kandidati për deputet, Leonard Solis, kërkoi rinumërim të votave në Tiranë, duke deklaruar se gjatë këtij procesi kishte pasur manipulime të shumta në dëm të PBDNJ-së.

Nisur nga detyrimi i Kodit zgjedhor, që përcaktonte se qendrat e votimit, selitë e KZAZ-ve dhe vendet e numërimit të votave, nuk mund të ngriheshin në ndërtesa që përdoreshin apo ishin në pronësi të një partie politike, kandidati ose të afërm të tij, Namik Dokle, deklaroi shkeljen e kësaj dispozite në 92 raste. Vetëm në Tiranë ishin 27 qendra votimi të ngritura në lokale të militantëve e drejtuesve lokalë të PD-së. 19 ishin në ZAZ-në nr. 56 të Kamzës & Bathores.

“Ne i kërkuam KQZ-së ndryshimin e vendndodhjes së këtyre Qendrave të Votimit në të 92 rastet, por kjo u hodh poshtë”, denoncoi Dokle. Sipas PS-së, kjo shkelje e hapur dhe flagrante e ligjit solli si pasojë rezultatin jo real e të shtrembëruar të votimeve në kryeqytet, ku koalicioni i djathtë “Aleanca për ndryshim”, arriti të marrë 177. 865 vota, të ekuivalentuara me 16 mandate, koalicioni i majtë “Bashkimi për ndryshim” 174.500 vota, dmth 15 mandate dhe koalicioni i udhëhequr nga LSI “Aleanca socialiste për ndryshim” 19.000 vota ose 1 mandat.

 

Ndërkombëtarët bombardojnë Tiranën

 

“Uroj që procesi të përfundojë në mënyrë të rregullt, pasi vendi është në fazën e fundit të zgjedhjeve”, -ishte kjo deklarata e lëshuar nga ambasadori amerikan Xhon Withers II, ndërkohë që dy ditë pas përfundimit të votimit, nga Vjena, zëdhënësi i OSBE-së, Jens Hagen Eschenbacher, bëri të ditur se ka disa parime që nuk duhen shkelur për të patur zgjedhje të standardeve.

Por, si kushdo tjetër para tij gjatë viteve të shkuara, kryetari i KQZ-së, Arben Ristani i cilësoi zgjedhjet 2009 më të lirat dhe ku morën pjesë mbi 50 përqind e votuesve.

Raportin e parë për cilësinë e procesit zgjedhor të 28 qershorit 2009 Misioni i Vëshguesve Ndërkombëtar shpejtoi ta jepte të nesërmen e mbajtjes së tyre, në orën 14:00, të ditës së hënë. Një veprim ky i pandërmarrë më parë. Duke përdorur skemën e “bombardimit” paraprak, ndërkombëtarët, nga sa dukej, kishin planifikuar të mos i linin kohë lidershipit politik të luante lojën e përplasjes. Dy javë më vonë, Misioni publikoi raportin ndërmjetës, paszgjedhor, nëpërmjet të cilit bëri të ditur se: “Procesi i numërimit të votave është zgjatur i ndikuar nga nivele të larta të partive politike dhe përfaqësuesve të tyre në administratën e lartë zgjedhore. Numërimi i votave ka qenë i keq apo shumë i keq në 22, nga gjithsej 66 grupe të numërimit të votave, gjë që ka provokuar tensione politike nga partitë, veçanërisht kur rezultatet ende nuk ishin mbyllur. Vëzhguesit theksonin se: ”…ka pasur probleme të rënda procedurale, mungesë trajnimi dhe eficencë”, -duke kritikuar KQZ-në për moskompetencë. Ky konstatim vinte pasi në raportimin e parë, të orës 14:00, datë 29 qershor 2009, vëzhguesit e OSBE/ODIHR, e vlerësuan procesin e votimit si progres të prekshëm, përsa i përket kuadrit ligjor të miratuar me konsensusin e dy partive politike kryesore dhe më pas:

“Dita e zgjedhjeve ishte e qetë dhe paqësore pa incidente madhore. Në përgjithësi, vëzhguesit e vlerësuan procesin pozitiv në shumicën e qendrave të votimit ku shkuan. Megjithatë konstatuan shkelje procedurale, si ai i bojës, votimin familjar dhe hapjen me vonesë të qendrave të votimit”, -raportoi përfaqësuesi i OSBE-së, Wolfang Grossruck, sipas të cilit, mbyllja e qendrave të votimit dhe marrja e materialeve nga QNV u vlerësuan pozitive.

“Shqipëria ka shënuar arritje, por ka ende shumë punë për të bërë. Shqipëria nuk i arriti standardet e kërkuara në 28 qershor, por gjithçka do të varet nga drejtuesit e saj për t’i arritur ato në zgjedhjet e ardhshme”, -vlerësoi kryetari i Asamblesë parlamentare të NATO-s, Bruce George, gjatë prezantimit të raportit të parë për zgjedhjet në vendin tonë…

 

BETEJA E KUTIVE

 

Partia Socialiste e kontestoi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të datës 07 korrik 2009, nëpërmjet të cilit vendosi të mos i hapte kutitë e votimit të gjashtë ZAZ-ve të Qarkut Fier, të numëruara më parë nga KZAZ-të përkatëse, e që nga kontestimi i rreptë i PS-së, kaluan në KQZ. Po ashtu, PS kërkoi edhe rinumërimin e rivlerësimin e kutive në katër KZAZ të Qarkut Berat, në KZAZ e Fushë Kuqes, të Lezhës, asaj të Bushatit, Shkodër etj.

 

Beteja e numërimit të votave dhe në veçanti, ajo e hapjes së kutive të votimit për një numër zonash, ku opozita pretendonte manipulimin e rezultatit, ishte simfonia më e gjatë e periudhës paszgjedhore 2009. Madje një betejë, ku, si rezultat i dyluftimit midis dy kampeve kundërshtare politike, uniparlamentarizmi dhe qeverisja do ta fusnin vendin në kolaps. Në një kolaps, që polli, pak a shumë, krizë të ngjashme me atë të pasvotimeve të 26 majit 1996. Një krizë të lodhshme.

Në komunikimin e rezultateve paraprake, të publikuara mbrëmjen e datë 02 korrik, kur kishte ende pa numëruar disa kuti votimi në Fier, Lezhë, Shkodër e Berat, zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, shpalli: Koalicioni “Aleanca për ndryshim”, i kryesuar nga PD, ka fituar 71 mandate deputetësh, koalicioni “Bashkimi për ndryshim”, i kryesuar nga PS, ka fituar 65 mandate dhe koalicioni “Aleanca Socialiste për Integrim”, i kryesuar nga LSI, ka fituar 4 mandate. Ndërkohë ky komunikim i KQZ-së ngjalli reagimin nervoz të Partisë Socialiste, e cila, nëpërmjet zëdhënësit të saj, e quajti këtë: “…një akt të jashtëligjshëm, që vjen në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, i cili parashikon shpalljen e rezultateve, qoftë edhe paraprake, vetëm 48 orë pasi subjektet të kenë paraqitur ankimimet pranë KQZ”. Por edhe ky pretendim i PS-së u hodh poshtë, nga kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, i cili tha se në këtë mes nuk kishte asnjë shkelje ligjore.

Por, Komiteti Shqiptar i Helsinkit deklaroi se po e përjetonte me shqetësim situatën postzgjedhore, të krijuar për shkak të bllokimit të procesit të numërimit në disa zona, veçanërisht në Qarkun e Fierit. Kjo ishte e papajtueshme me të drejtën për të votuar dhe respektimin e vullnetit të popullit, përmbushja e të cilave përbën standartin themelor të zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Në këtë kuadër, ai sugjeroi që subjektet zgjedhore duhet të shprehnin qartë zellin e duhur për respektimin e këtyre standarteve, kurse organet zgjedhore e kishin detyrë të zbatonin ligjin dhe vetëm ligjin, me përgjegjësi të plotë. “Veçanërisht një rol i rëndësishëm i përket KQZ-së i cili duhet të realizojë të gjitha detyrat e tij për administrimin e këtij proçesi, deri në fund, me objektivitet dhe besueshmëri. KSHH bën thirrje për mbylljen e procesit me shpejtësi, korrektësi dhe dinjitetin që votuesi shqiptar meriton”, -theksohej në deklaratën e KSHH-së.

Ndërkohë që ziente debati, tre kutitë e Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ), nr. 20 të Qarkut të Fierit, tek të cilat dy partitë e mëdha kishin varur shpresat për të fituar të drejtën e formimit të qeverisë së ardhshme, mbërritën për t’u numëruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Nga të dhënat paraprake,  midis të majtës e të djathtës dilte raport i barabartë mandatesh, 70 me 70. Kutitë i përkisnin Komunës së Libofshës dhe diskutimi për to u bë shkak tensionimi të situatës gjatë orëve të mbrëmjes të së mërkurës. Kjo pasi komisionerët e PD-së pretendonin se tre kutitë paraqisnin të tilla probleme teknike, që i bënin të papranueshme për t’i konsideruar pjesë e një procesi normal. Ky pretendim u kundërshtua nga kandidatët dhe vëzhguesit e PS-së të cilët e kontestuan vendimin dhe kërkuan rinumërimin e kutive. Për t’i mbrojtur ato, simpatizantë dhe militantë të PS-së u mblodhën pranë KZAZ-së nr. 20 dhe nuk lejonin transportimin e tre kutive nga Fieri drejt KQZ-së, Tiranë, prej frikës se mos qeveria do t’i manipulonte votat. Për të zhbllokuar situatën KQZ u detyrua të mblidhej me urgjencë, rreth orës 01:00 të mëngjesit të datës 02 Korrik dhe me shumicë votash të anëtarëve të saj, vendosi që kutitë e Libofshës të transportoheshin për t’u numëruar drejt KQZ nën shoqërimin e forcave të Policisë së Shtetit.

Por, kutitë me vota të Libofshës nuk ishin të vetmet që patën këtë fat. Edhe dy kuti të KZAZ-së nr. 42, Bushat, Qarku Shkodër, iu besuan për numërim KQZ-së për shkak të tensionimit të situatës që zotëroi këtë KZAZ dhe që stimuloi bllokimin e procesit. Nga 40 kuti votimi që kishte kjo KZAZ, 4 ishin vlerësuar të dëmtuara dhe qenë nxjerrë të pavlefshme. Pas një vendimi të dytë të KZAZ-së, numri i të dëmtuarave të pavlefshme u reduktua në dy.

Problemet në KZAZ-në nr. 42, Bushat nisën kur pas kërkesave të vazhdueshme të subjekteve zgjedhore KQZ vendosi të shkarkonte nga funksioni kreun e KZAZ-së Ylber Tahiri dhe të emëronte, në mesditë, një tjetër, Dod Dodën. Ky zëvendësim ishte i dyti pas dorëheqjes së Kryetarit dhe Sekretarit të saj. Nga ky veprim, procesi i numërimit qëndroi i bllokuar për rreth 14 orë dhe rifilloi në orët e vona të së martës, pas zëvendësimit të komisionerëve. Por, pas disa orë funksionimi, procesi u ndërpre përsëri, këtë herë nga ndërhyrja e kandidatit për deputet të PS-së, Tom Doshi, i cili, për të shmangur një përplasje midis komisionerëve të palëve, tërhoqi komisionerët e majtë për pushim. Procesi rifilloi për të përfunduar numërimin e 38 kutive të fundit, që kishin mbetur. Dy prej kutive iu lanë për numërim e vlerësim KQZ-së, e cila, pas kryerjes së këtij procesi, paraditen e të premtes, datë 03 korrik, nuk konstatoi ndryshim mandatesh për shkak të supremacisë së ndjeshme të më shumë se gjysmës së votave pro koalicionit “Aleanca për Ndryshim” të udhëhequr nga PD.

Po në KQZ përfunduan edhe 6 kutitë e KZAZ, nr. 39, të Komunës Fushë Kuqe, Qarku Lezhë. Me vendimin unanim të 7 anëtarëve të tij, KQZ pranoi të merrte rolin e KZAZ-së për numërimin e këtyre kutive rezultatin e të cilave do t’ia bashkangjisë atij të dalë nga 53 kutitë e tjera, sakaq të numëruara nga KZAZ-ja nr. 39. Edhe këtu procesi i numërimit  nxorri të avantazhuar PD-në, me rezultatin 536 me 278 vota. Edhe dy kutitë e KZAZ-së nr. 19 Patoz mbritën në KQZ pasi u shpallën të bllokuara për shkak të pretendimit të palëve, PS-PD. Me këtë vendim të marrë në unanimitet KQZ zhbllokoi edhe një tjetër precedent të rrjedhur prej pretendimeve të subjekteve elektorale.

Sikurse denoncoi opozita e majtë socialiste, hapja e kutive të votimit nxorri në pah fakte që linin shteg për ta menduar si të papranueshëm rezultatin e procesit të votimit. Sipas PS-së: nga dokumentat zyrtare të KQZ dilte se, në KZAZ-në nr. 42, QV nr. 186 rezultati ishte PD = 93 vota – PS = 0 vota; Në KZAZ-në nr. 44, QV 38: PD = 153 vota – PS = 0 vota; në QV nr. 75: PD = 111 vota – PS = 0 vota. Sipas opozitës PS, këto kuti qenë mbushur nga pd-istët dhe komisionerët socialistë u detyruan të firmosin proces verbalet. Përveç kutive “me zero”, sipas PS-së, kishte edhe të tjera “ku rezultati është i dyshimtë dhe skema e manipulimit e njëjtë: Në KZAZ-në nr. 42, QV 191: PD = 116 vota – PS = 2 vota; Në KZAZ-në nr. 44: PD = 139 vota – PS = 19 vota, si dhe PD = 148 vota – PS = 7 vota. Në këto qendra është votuar pa karta identiteti dhe pa pasaporta gjë që duket nga mosshënimi i numrit të dokumenteve të identifikimit në proces-verbale. Kjo është në kundërshtim me ligjin”, -denoncuan përfaqësuesit e PS-së të Qarkut Shkodër, sipas të cilëve, përveçse sa më sipër: “Procesi është shoqëruar nga votimi familjar dhe në grup, ku një person vendoste për gjithë të tjerët”.

Pretendimi i socialistëve për manipulim procesi përfshinte edhe Qarkun e Beratit. Sikurse denonconte deputeti i këtij Qarku, Erion Braçe, grupet e numërimit kishin marrë vendime që në të vërtetë duhet t’i merrnin KQZ-të. Bëhej fjalë për rreth 3200 fletëvotimi të deklaruara të pavlefshme në këtë qark e që mund ta ndryshonin rezultatin e zgjedhjeve në favor të PS-së. Sipas Braçes: “Ndryshe nga sa thotë ligji zgjedhor që, ‘në rastet e shpalljes së fletëve të pavlefshme vendimi merret nga KZAZ’, në Berat ky vendim është marrë nga grupet e numërimit. Më konkretisht bëhet fjalë për 1750 vota të nxjerra të pavlefshme në KZAZ-në nr. 2 dhe 1450 vota të pavlefshme të KZAZ-së nr. 2”.  Për gjithë këto raste, Partia Socialiste tha se po përgatiste dosjen ankimore që do ta depozitonte pranë KQZ. Por një tjetër e dhënë mediatike solli shpërthimin e një skandali të vërtetë. Bëhej fjalë për fakte tronditëse të manipulimit nëpërmjet proces verbaleve, sikurse njoftoi drejtuesi i emisionit “Faktori Plus”, duke denoncuar:

“Hetimi paraprak, përmes regjistrimeve problematike, i siguruar prej kamerave vëzhguese në qendrat e votimit, përmbys rezultatin për shumicën e shpallur në parlamentin shqiptar. ”Faktor Plus” bashkëpunoi me një grup ekspertësh, që po hetojnë regjistrimin prej kamerave të KZAZ-ve të Shkodrës dhe përfundimet e para janë tronditëse. Nëse merret mesatarja e manipulimit në favor të PD në KZAZ nr. 40, që i përket qytetit të Shkodrës dhe që është KZAZ-ja më pak e manipuluar, rezulton që PD të ketë shtuar në të gjithë Qarkun e Shkodrës rreth 9 mijë vota në favor të saj, pra një deputet. Nëse marrim KZAZ të tjera, si ajo 42, që i përket periferisë apo zonës së Pukës dhe e konsiderojmë si mesatare, atëherë shifra mund të jetë mbi 12 mijë vota. Por, le t’i shikojmë konkretisht disa rezultate…

Në Qendrën e Votimit nr. 0255, në Shkodër, sipas procesverbalit të dorëzuar në KQZ, PD ka marrë 327 vota, kurse sipas numërimit, që ne i bëmë nga kamera, ajo ka marrë 273 vota, pra ka një shtesë prej 54 votash në favor të PD. Po në këtë Qendër Votimi, Partia Republikane, sipas procesverbalit, ka 26 vota, por sipas numërimit tonë ka 14 vota. Pra i bie që PR i janë shtuar 12 vota. Interesante është se i janë shtuar dhe Partisë Socialiste 6 vota, pasi në procesverbal ka 162, kurse realisht ka 156 vota. Pra socialistëve u kanë dhënë sa gjysma e Fatmir Mediut. Por më i dëmtuari në këtë qendër votimi del Nikollë Lesi, partisë së të cilit i kanë hequr 16 vota. Në procesverbal ai figuron me 3 vota, ndërkohë që nga numërimi ynë ai ka marrë 19 vota.

Nëse këto shifra i marrim si maksimumin e manipulimit, atëherë i bie që Partia Demokratike në Shkodër, nëse ka shtuar nga 54 fletë në çdo qendër, mund të ketë shtuar teorikisht rreth 20 mijë vota. Por, nga llogaritë për gjithë KZAZ-të, del se mesatarisht PD ka shtuar rreth 25 vota për qendër votimi, çka e çon në gati 9 mijë vota të vjedhura prej saj në një qark, shifër kjo e mjaftueshme për t’i hequr PD-së një deputet. Ky deputet mund të kalojë në favor të PS ose LZHK.

Një tjetër procesverbal është ai qendrës nr. 0294. Në këtë qendër, sipas procesverbalit të dorëzuar në KQZ, PD ka marrë 246 vota, ndërsa nga numërimi ynë ka marrë 196 vota, duke shtuar pra 50 vota. Po ashtu, Partia Republikane ka shtuar nga 9 në 15 vota.

Një tjetër qendër rekord, ku PD ka shtuar 64 vota, është qendra 259, në Shkodër. Nga numërimi ynë PD ka marrë 341 vota dhe ka shënuar 405 vota, kurse LZHK-së i janë hequr 5 vota. Në këtë qendër ka dhe 27 vota të shtuara për Partinë Socialiste. Sipas numërimit tonë, PS ka marrë 153 vota, ndërsa në procesverbal ka 180 vota. Ky shkatërrim i procesit në këtë mënyrë shton dyshimet se shifrat reale të dy partive të mëdha dhe partive që kanë mbetur jashtë parlamentit, janë krejt të ndryshme. Partia Demokratike ka minimalisht një deputet më shumë në Shkodër, por, nëse marrim këto shifra, ajo mund të ketë shtuar edhe dy deputetë artificialisht në Shkodër. Po ashtu ndryshon historia dhe për Partinë Socialiste dhe LZHK.

Por, siç e theksuam dhe në fillim, ky është një hetim në kushte shumë skandaloze, pasi regjistrimi me kamera mbart një sërë problemesh, që të shtojnë dyshimin se kemi të bëjmë me një veprim të paramenduar.

Eksperti Julian Mema, që ka hetuar CD-në e KZAZ numër 40 në Shkodër, shpjegon problemet që ka hasur. Sipas tij, problemi i parë është gjendja pa inventar e filmimit. Në regjistrim mungon numri i Qendrës së Votimit, kur hapet kutia dhe ekspertëve u është dashur ta hetojnë atë nga vula e komisionerit pas fletës së votimit.

Një tjetër problem, sipas ekspertëve, është dhe thyerja e Kodit për filmimin e fletës. Siç mund ta shihni në kamera, fletët nuk mbahen 4 sekonda para objektivit të saj, siç parashikon Kodi, por kalojnë formalisht pa u kuptuar asgjë në fund.

Sipas ekspertëve, që kanë hetuar, ka edhe probleme të tjera të rënda, siç është censurimi i pamjeve filmike, duke ndërprerë filmimin në mënyrë të pakuptimtë. Një gjë e tillë ilustrohet për shembull në qendrën 263, sipas ekspertit Julian Mema.

Hetimi i CD-ve nxjerr dhe një sërë problemesh, që kanë të bëjnë me mungesën e filmimit të procesverbaleve, kur mbyllen kutitë dhe kur hapen ato, si dhe cilësinë shpesh shumë të keqe të filmimit. Pra, gjithë parregullsitë, që ne kemi hetuar, janë gjetur, duke marrë parasysh dhe këto vështirësi që me probabilitet mund të rrisin numrin e falsifikimeve në kutitë e votimit. Si përfundim, një hetim për CD-të hedh në erë procesin zgjedhor, por nuk na çon tek e vërteta e hidhur që mund të jetë brenda kutive. Për këtë arsye, një hetim fizik i kutive përmes ekspertëve të paanshëm do ta bënte më të qartë historinë e këtij procesi, që po mban peng besimin politik në vend. Faktet konkrete janë brenda kutive dhe çdo përpjekje për ta shmangur këtë hetim, do të shtojë më shumë dyshimet për një dirigjim të procesit të manipulimit, prej pushtetit…”

 

 

Nesër: ZGJEDHJET 2009 / REZULTATI ZYRTAR I KQZ, FITON PS.

POR PD BËN QEVERI ME LSI

 

 

Nga Xhovani Shyti March 29, 2013 11:40
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Sondazh

A ËSHTË EDI RAMA I MAJTË?

Shiko rezultatin