E fundit nga Gojët e Liga: Kryesia e PD errëson sallën dhe formon qeverinë hije

December 13, 2017 23:06

E fundit nga Gojët e Liga: Kryesia e PD errëson sallën dhe formon qeverinë hije

 

TIRANE – Partia Demokratike ka krijuar në fshehtësi të plotë qeverinë hije, duke u përgatitur që tani për të drejtuar vendin nesër. Kështu njofton faqja kokerdhoku.net, duke mos hedhur më shumë dritë mbi dritëhijet që shoqërojnë lajmin e krijimit të qeverisë hije të PD-së.

E interesuar pranë burimeve disi më të ndriçuara, Gojët e Liga kanë mësuar se gjithçka nisi një pasdite të ftohtë dhjetori, kur kreu i PD-së Lulrrafsha Mosuvrafsha thirri një mbledhje urgjente të kryesisë së partisë në një sallë gjysmë të errët. “Lëre Kajtaz, mos i ndiz dritat dhe largohu,” urdhëroi ai një nga punonjësit e selisë, “do formojmë qeverinë hije”.

Pasi anëtarët e kryesisë u ulën me vështirësi në karriget e veta duke kontrolluar vendin me duar në muzg, Mosuvrafsha hapi mbledhjen: “Qeveria jonë duhet të jetë gati, mund të vijmë në pushtet nga çasti në çast. Madje në këtë krizë që është Rama, mund të them se pushteti mund të na vijë në pjatë si byrek çasti”. Dhe shtoi duke hedhur vështrimin nga dritarja: “Ashtu si çdo parti perëndimore, meqë tani edhe dielli ka perënduar, duhet të formojmë qeverinë hije!”

Burime gjysmë të qorruara informojnë se në vijim, kupola e PD-së diskutoi kandidaturat vetëm me iniciale, për të mos e ekspozuar kabinetin hije në mënyrë të panevojshme.

Në raste të rralla, kryetari kërkoi sqarime për figurat e diskutuara duke përdorur përshkrimorë saktësues që të mos bëhej ndonjë gabim, si për shembull:

“Aha, e ke fjalën për atë djalin syzi e vetullzi, që i ka buzët si qershi…” “Për femër e ke llafin? Mos është ajo që i ka këmbët si shishe qumështi?”… “Ky topolaku për Financat thua ti, hëmmm, ta mendojmë”… “Veshllapushi për Kulturën, ok, u vendos”… “Për Mbrojtjen kemi dy emra dmth, ai që i ka flokët si copë terital të viteve 80-të, dhe ajo që vesh zhapone dhe minifund edhe në dimër…”.

Tek tuk, për të mos shqiptuar emër e mbiemër çka mund të krijonte terren për rrjedhje informacionesh në shtyp, kryesia e PD futi në punë edhe gjestet me duar si dhe mimikën dhe pantomimën, për të indikuar kandidatët. Vetë Lulrrafsha hapi krahët dhe imitoi aeroplanin, për të thënë se personazhi në fjalë ishte disi i lehtë e fluturak, ndaj nuk pranohej. “Është pak si… Belle Air, s’më pëlqen,” sqaroi ai.

Në fund, qeveria hije u plotësua. Kryetari urdhëroi sekret të plotë për rezultatet e mbledhjes dhe për këtë, u vendos që edhe kolazhi me portretet e anëtarëve të qeverisë hije të përmbante vetëm siluetat e portreteve. “Të shpërndahemi pa zhurmë, zonja dhe zotërinj. Qeverisje të mbarë!”, uroi në fund kryetari.

 

P.D. (dmth Post Descriptum) Kjo rubrikë satirike demokratike trajton kryesisht sjelljet politike akrobatike, dhe ky është rasti.     

December 13, 2017 23:06
Komento

3 Komente

  1. Lylrrafsha Mosuvrafsha December 14, 08:09

    lylrrafsha mosuvrafsha! O.K.Gjeniale!Kryeministri ne hije qe do ulet ne atwe karrige kur te hypi gomari ne fik.Me pare do kaloje nga burgo 313!

    Reply to this comment
  2. Nik December 14, 20:00

    kush te jete vall kokerdhoku.net? hahaha

    Reply to this comment
  3. Dashi December 15, 17:45

    Uau e kisha harruar, “eshte pak si belle air”…

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*