E majta ka humbur, e djathta nuk ekziston

April 15, 2019 11:15

E majta ka humbur, e djathta nuk ekziston

Nga Bedri Islami

Të shtunën në mbrëmje, si shumë të tjerë, ndiqja protestën e opozitës në Tiranë, atë shkulm mërie, dhune dhe verbërie politike, që ndërsa përplasej tek muri i policisë së shtetit, kthehej rishtas tek liderët politikë, që i kishin thirrur, dhe pak më pas, niseshin rishtas, edhe një herë, edhe një herë, të përplaseshin tek muri i njerëzve përballë, të cilët ndjenin mbi vete një zemërim budalla, që nuk i çonte askund dhe nuk mund të sillte asgjë. Kur nuk mund të shfrynin atë që i kishin mveshur mbi bashkatdhetarët e tyre policë, atëherë iu turrën një mjeti, një dyqani dhe në fund, si për të shkuar drejt pjesës “intelektuale” të opozitës, iu përveshën e dogjën edhe një kazan plehrash.

Më pas, si ndodh tashmë në një ritual të njohur, Basha i mblodhi tek selia e tij, në fakt ashtu shkojnë pas delet dhe më ndjeni për këtë krahasim, përsëriti me patos çka kishte thënë më herët, thirri “fitore”, shpalli për të dhjetën herë rënien e qeverisë dhe përsëriti se ky ishte vendimi i popullit, edhe një herë përsëriti se kjo ishte protesta më e madhe në histori, provoi të këndonte Himnin e Flamurit dhe, si i bëri të gjitha këto, u fut në zyrën e tij komode, ndërsa njerëzit shpërndaheshin në shtëpi, nëpër natën kërcënuese, pa e ditur as vetë se ku ishte fitorja, kur kishte rënë qeveria, dhe në fund, ku do të kishin darkën e tyre, me se do të ktheheshin nga kishin ardhur.

I shikoja gjithë këto njerëz në këtë parodi mizore dhe e dija se shumë nga këto njerëz, të cilët gjatë protestës nuk kishin qenë në radhët e atyre njerëzve me maska, të dhunshëm, që bënin çmendurira pa qenë të çmendur dhe ishin agresivë pa e ditur se cila ishte zgjidhja, ishin përgjithësisht njerëz të varfër, të zakonshëm, me hallet e dertet e tyre, të lodhur nga jeta dhe të trazuar për të ardhmen e tyre.

E dija dhe e di se Basha, Berisha dhe Kryemadhi, së bashku me atë tufë mjerane të opozitës politike që kërkon të jetë Shqipëria si gjithë Europa, nuk kishin asgjë të përbashkët me këto njerëz.

Të mësuar me privilegjet e pushtetit dhe në privacionet që të jep humbja e tij, kjo tufë çuditërisht e paskrupullt politike, Mediu, Ndoka, Paloka, Dule, uf Dule!, Shehu, Duka (dje i krimit, sot i demokracisë), një birbo në politikë që nuk ka as fillimin e mendve të të atit, Balliu i vockël, që e di politikën si një hu legjendar, e kanë shpallur protestën si mjetin e rikthimit në pushtet. Nuk ka asgjë të përbashkët mes tyre dhe shumë nga protestuesve të zakonshëm.

Atëherë, pse dalin, pse protestojnë, pse lënë familjet e tyre në Kamzë, në Lezhë, në Shkodër, në Fier, ta zëmë dhe vijnë në Tiranë për të dëgjuar pikërisht atë që kanë dëgjuar prej kohëve, fjalë të mëdha dhe delirin e dy a tre liderëve, të cilët njërën dhomë të njërës nga shtëpitë e tyre e kanë më të madhe sa gjithë banesa e protestuesve; të cilët, aq sa u dërgojnë fëmijëve të tyre në një ditë jashtë shtetit do e mjaftonte të tjerëve për të jetuar në një muaj!

Çfarë i lidh këto njerëz, që për dallim me dhunuesit e opozitës, qoftë politike apo huligane, qoftë nga ata që nxisin me fjalë apo ato që hedhin gurë, flakadanë, bomba molotov, pishtarë etj, kanë dinjitet dhe halle?

Normalisht, këto njerëz, të dinjitetshëm dhe të varfër, duhej të ishin në anën e pushtetit, të qeverisë, të kishin mbështetjen e së majtës dhe ta mbështetnin atë, pasi, askush më tepër se sa një forcë e së majtës nuk është e detyruar të mbështetë këto njerëz dhe të mbështet prej tyre.

Qeveria e sotme, e cila në pushtet ka marrë votat masive të varfërve, si në mandatin e parë, ashtu , edhe më masivisht në mandatin e dytë, duhej të ishte porta e tyre e shpresës; ata duhej të ishin përkrahësit e saj më të furishëm.

Ja, që nuk është!

E rëndë për t’u thënë dhe e vështirë për t’u besuar!

Në gjashtë vite të qeverisjes së majtë njerëzit kanë pritur shumë prej saj. Më shumë se gjithë të tjerat. Për shumë arsye.

Kanë pritur pasi në qeverisjen pararendëse ishte një skotë politike, e cila, veçse të vidhte masivisht dhe rëndë, edhe të vriste. Të vriste në mesin e ditës, në mesin e bulevardit dhe, pasi të kishte vrarë njerëzit tuaj, vinte netëve, me skafandra dhe të rrëmbente fuqishëm, të dërgonte në qeli burgu dhe të linte plagë në trup.

Ishte një qeverisje, e cila, në tetë vite, jo vetëm krijoi e fuqizoi oligarkinë politike e financiare, por shkoi shumë më tej se kaq: për hir të pushtetit ishte e gatshme të shiste pjesë të atdheut, në emër të të cilit thirret e çirret sot dhe, duke qenë e tillë, as që e kishte ndër mend jetesën e të tjerëve. Një birbo kryeministror shëtiste gjithë botën pa bërë asnjë punë, veç allishverisheve pronësore dhe këtë e dinte kushdo.

Ndaj, njerëzit besuan të majtën. Besuan se do të kishte një fund tragjizmi i mosndëshkimit dhe se Njeriu i quajtur I PANDËSHKUARI, një ditë do e gjente vendin e tij. Besuan në shumë gjëra, të cilat, ose janë bërë në gjysmë, ose sapo kanë filluar të bëhen, ose nuk kanë nisur ende.

Natyrisht , nuk është qeveria fajtore për çka ndodh përmes një tufe anarkistësh politikë dhe huliganë rrugaçërorë, si ajo që u shfaq ditën e shtunë. Humbësit e 13 prillit kanë bërë edhe më keq në të gjitha qeveritë e së majtës. Sa herë që e majta ka qenë në pushtet, humbësit demokratikas kanë bërë të njëjtën gjë, kanë shkuar edhe më tej se kaq. Kanë rrëmbyer institucione, kanë djegur, kanë grabitur, kanë vrarë, kanë thyer selinë e tyre në depo armësh, kanë nxitur luftën veri – jug; pra, kanë bërë shumë më tepër se në këto ditë të fillimit të këtij viti.

Njerëzit e kanë ditur këtë, por nuk e kanë ditur se, edhe pas greminës financiare, vrasjeve të 21 janarit, tragjedisë së Gërdecit, vjedhjes masive në Rrugën e Kombit, në autostradën e Elbasanit, në TEC-in e Vlorës, nuk do të kishte ndëshkim. Ata kanë pritur nga e majta ndëshkimin, jo si një ngazëllim njerëzor, por si dëshmi se drejtësia ekziston, se ajo mund të ndëshkojë secilin që ka rrënuar jetën e popullit të tij. Dhe kjo do të ishte garancia se edhe vetë e majta në pushtet nuk do të bënte një katrahurë të tillë, se edhe ajo vetë, duke ndëshkuar, do të të mësonte nga ndëshkimi.

Ndodhi çka nuk ishte pritur. Ndërsa askush nuk ndëshkohet, oligarkia bëhet pjesë vendosëse e politikave financiare; ndërsa pritej sekuestrimi i pronave dhe i pasurive të përfituara nga vjedhja dhe korrupsioni, hajdutët, politikë apo në bandat e saj, u bënë më të pasur, më të fuqishëm; ndërsa mendohej se do të shkëputej çdo lidhje mes oligarkisë dhe politikës dhe sytë do të ktheheshin nga të varfrit, oligarkia u bë më e fortë, por jo vetëm kaq – ai vazhdonte të financonte klanet politike të opozitës, sidomos të shefave të saj.

E majta në Shqipëri e ka humbur rrugën e saj. Ose ka mbetur në gjysmë të rrugës. Rilindja mund të jetë pjesë e së majtës, nëse e do këtë, por e majta nuk mund të jetë pjesë e Rilindjes.

Ka një dallim të ndjeshëm mes tyre, por jo fatal. E majta solli Rilindjen në pushtet, edhe përmes votës së të varfërve, të një shtrese të madhe të popullsisë që jeton ndershmërisht, por jo që Rilindja të bëhet e plotfuqishme dhe të dalë nga e majta si një njësi politike qeverisëse, jashtë tagrit dhe mendimit politik të së majtës.

Dualiteti i krijuar, qoftë edhe në heshtje, mes të majtës në aspiratën e saj dhe Rilindjes në krijimin e një shtrese të privilegjuar brenda saj, një ditë do të ketë pasojat e saj, të cilat, edhe pse nuk do të rëndojnë mbi fatin e asaj pjese që cilësohet Rilindje, do të ketë pasoja në jetën e vendit.

E majta e ka humbur rrugën e saj. Do të ketë gjithnjë njerëz që protestojnë kundër një qeverie, qoftë kjo edhe e majtë. Shumë nuk do të protestojnë se e duan Bashën, Kryemadhin e mos më keq, Berishën, por sepse nuk e kanë gjetur veten në jetën e përditshme dhe drejt tyre duhet kthyer vëmendja e qeverisë së sotme, duke thirrur pranë vetes aspiratat dhe vizionin e së majtës progresive, duke dëshmuar se qëllimi i pushtetit nuk është krijimi i një kaste politike e as ndërrimi i saj me një tjetër, por sjellja e vlerave për një fillim të ri në një vend të barabartë për të gjithë.

Qeveria e tashme nuk ka pse të ketë frikë nga fjalimet halucinante të Bashës dhe as nga mburrjet e çuditshme të Kryemadhit, as nga frikësimet e Berishës që çdo javë e hedh Ramën në Lanë apo i tregon vrimën e miut; ajo nuk pse të trembet as nga një grusht huliganësh dhe rrugaçë të zakonshëm që mendjen e kanë tek guri, flaka dhe dinamiti. Të parët janë të zvetënuar dhe të provuar, qoftë në qeveri, qoftë në opozitë. Nuk bëjnë për opozitë, hajdutë në qeveri. Huliganët janë në çdo shtet dhe asnjëherë e djathta nuk e merr dot pushtetin përmes gurëve të tyre. Përkundrazi, humb prej tyre, por një karabush politik si Basha nuk e di këtë.

Qeveria mund të bjerë nga ata, të heshturit, që rrinë në radhën e dytë të protestës, që nuk hedhin as gurë e as zjarre mbi Policinë e Shtetit, që heshtin dhe mendojnë dhe të cilët, në fakt, duhet të ishin në krahun e qeverisë, nëse kjo e fundit do të ishte në krahun e tyre.

Po e djathta?

Ajo nuk ekziston më! Mendohej të ishte, por nuk u bë kurrë. Dhe nuk kishte se si të bëhej. Një forcë politike e krijuar nga skalioni i dytë i komunistëve të kohës së Enverit, bindshëm shërbëtorë të regjimit, nuk mund të bënte një forcë politike të së djathtës progresive, sepse nga hithrat e prashitjes së dytë mund të bësh, në fund të fundit, një lakror interesant, por kurrë një forcë politike nacionale.

Ata, pas vitit 1997, u bënë një forcë politike, e cila, edhe pse kishte në vete disa idealistë të mëdhenj, të frymëzuar prej idesë së tregtisë, shitën çfarë mundën, deri nderin, të vërtetën, ndërgjegjen. Me të tillë, që ende janë në kreun e politikës, nuk mund të bëhet as shteti e as e djathta që duhet të jetë.

Ky vazhdon të jetë fati i Rilindjes, por jo i atyre që sot protestojnë. Ata nuk do të jetë kurrë në rritje në ditët e protestës, por një ditë tjetër, duke menduar, do të mund të bëjnë rrëzimin e qeverisë, duke sjellë një tjetër, e cila nuk është e tyrja, por nga halli i braktisjes nga ata që vetë e sollën në pushtet.

Përtallja me protestat do të ishte dita e keqe e Rilindjes dhe fillesa e humbjes së të majtës. Si çdo lëvizje njerëzore ajo duhet parë shumëplanësh, duke lënë mënjanë tmerrin qytetar të asaj nate, kur një hordhi sulmonte institucionet dhe të mendojë se si, lehtësisht, të mbrojë ata përmes një kursi të ri, më të njohur, më konkret dhe me domethënës për mbështetësit e saj dhe të varfrit pavarësisht bindjeve të tashme.

Rrugë tjetër nuk ka.

April 15, 2019 11:15
Komento

15 Komente

  1. Vatra April 15, 12:00

    Ku ka more sot e majta e djathta të gjitha qeveritë i nënshtrohen interesit dhe diktatit të kapitalit pytja është qeverisje të korruptuar e pa disciplinë dhe rendë dhe si pasoj të lidhura me grupe kriminale dhe sjellë vendin para bankroti apo në luftë qytetare si ishte rasti konkret me Salih Berishen apo qeveri serioze dhe me disciplinë dhe rend e ke more jaran konkret qeverinë gjermane mix e ashtuquajur e djathtë dhe e majtë

    Reply to this comment
  2. Lloji April 15, 12:04

    Duhet nje force e trete PS e pati shancin te tregonte veten, me mos ndershkimin e kriminelit behesh pjese e krimit….!

    Reply to this comment
  3. met bathorja April 15, 12:58

    E keqja qendron tek deputetet dhedrejtuesit kryesor te PS qe as nuk i pyet njeri por edhe ata vete nuk kerkojne ta prishin rehatine dhe privilegjet e tyre per te tjere.Ps nuk ekziston me pasi deputete jane te gjithe njerezit e Rames ,kukulla qe iperdor si te doje,po ashtu edhe drejtues kryesore te PS jane ata qe Rama u ka premtuar ti fuse ne listat e ardhshme. Keshtu te dyja keta kategori,drejtues e deputete,ne do te Fitoje PS ne do jo,e kane te siguruar vendin e tyre si ne pozite ashtu dhe ne opozite. Ne keto kushte c’u duhet te luftojne dhe pse tu rrahe per popullin

    Reply to this comment
  4. Bureto April 15, 13:17

    Dhe më e çuditshmja është se e majta zyrtare, prej afro 28 vjetësh vazhdon ta quaj skalionin e dytë që doli nga PPSh në vitin 1991 si parti e ‘djathtë’. Disa elementë që mund të përfaqësonin të djathtën shqiptare dhe që me kohë do konsolidohej si e tillë, u përdorën nga udhëheqja komuniste e PD vetëm si fasadë, në 4-5 vitet e para, pastaj ca prej tyre, u larguan vetë, por më shumë u dëbuan nga komunisti eksentrik, sekretari i PPSh për 22 vjet, produkti i R.Alisë dhe Xh. Gjonit, Sali Berisha. Ky e mbushi më tej PD me pinjollë të ishnomenklaturës komuniste, me ishsigurimsa, me ish të dënuar ordinerë dhe me një kontigjent të vogël ishpronarësh apo të përndjekurish politikë që besuan dhe vazhdojnë të besojnë e pranojnë verbazi lidershipin komunist të PD, që i mashtroi dhe po i mashtron deri në ditët e sotme se është edhe parti e tyre!
    Ç’është e vërteta këto 28 vjet lufta politike është bërë brenda të majtës, sepse historikisht, për vet kushtet historike dhe strukturës sociale me dominim 90% të shtresave të varfëra, dhe në mungesë të borgjezisë, në Shqipëri as që mund të bëhej fjalë për ideologji apo doktrina të djathta. Dhe hipokrizia dhe loja brenda tyre, pra të majtës, shitet si ‘betejë’ ideologjike midis të majtës dhe së djathtës! Shikoni luftën që është bërë qysh prej 2004 midis PS së vjetër dhe shizmës së saj LSI, më e pafytyra e këtij tranzicioni. Një luftë e egër dhe e paprinciptë, në rradhë të parë midis vetes. Nëse lufta e hapur PS-PD, mund të justifikohet sepse duhet për lojën elektorale, po ajo midis PS-LSI si mund të quhet?
    Koha për të djathtën e vërtetë dhe moderne, në Shqipëri, ende nuk ka ardhur. Ajo do të vijë natyrshëm dhe jo me detyrim-përcaktim, si loja popullore ‘stric’, apo nëntsh, por si një proces historik i domosdoshëm për të patur një sistem pluralist efektiv dhe që në saje të konkurencës së ndershme të promovojnë alternativa qeverisëse në dobi të zhvillimit të vendit, respektivisht mirëqenies së popullit. Por kjo do të kërkojë vite, të paktën deri sa të mbarojë tranzicioni me komponentët e tij të çalë: trashëgiminë komuniste, ekonominë e brishtë dhe riformatimin dhe vënien në zbatim e reformës në drejtësi, si premisa e vetme në luftën ndaj kancerit të tmerrshëm të kësaj periudhe që është korrupsioni endemik, në politikë, ekonomi, drejtësi e kudo.

    Reply to this comment
  5. Niku April 15, 14:56

    Jo z. Islami, ne Shqiperi po lind e djathta ekstreme, ose fashizmi. Nuk te ben pershtypje qe ata qe bene luften po quhen kriminele?! E paraqet sikur e kane fajin mosqenja e te djathtes reale, ne nje kohe kur po behen veprime per ringjalljen e fashizmit, pra te djathtes ekstreme! Beni analiza te sakta qe njerezit te kuptojne se cfare po ndodh ne keto 30 vjet.

    Reply to this comment
  6. Protesta April 15, 15:55

    Per 29 vjet ne Shqiperi kurre nuk ka patur parti politike as te majte e as te djathte,por banda politike per te marre e mbajtur pushtetiun!
    PS-ja e shpallur si e MAJTE e ka treguar veten se jo vetem nuk ka patur kurre ne programin e saj mbeshtetjen me reforma sociale te shtresave te varfra,por i ka tallur keto shtresa duke i quajtur shtresa ne “NEVOJE”!
    Cfare kuptimi ka fjala “NEVOJE?”
    Rama eshte armiku me i madh i fukarenjve dhe tradhetari i idealeve te Luftes Antifashiste!
    Atij i mbeti ne goje TURIZMI,PEDONALET,100 fshatrat turistike,PPP,koncesionet,tenderat etj,por kurre LUFTA KUNDER VARFERISE!
    Rama kurre nuik ka vuajtur per buken e gojes,kurre nuk i ka munguar mishi,peshku,bulmeti,qejfet,shetitjet etj se ka qene mes te gjitha te mirave ne Tirane,ne mes te Bllokut,me nje baba shume te nderuar,por qe vete doli ciban i keq,aq sa nuk e permend fare te atin,por vetem gjyshin shofer te Zogollit!
    Si mund te luftoje varferin nje sharlatan si Rama qe thote pa pike turpi se “Shqiptaret kurre nuk kane vuajtur per buken e gojes,as ne mesjete”?
    Atehere pse ikin me mijra per dite shqiptaret nga vendi per te mos u kthyer me kurre?
    Kane kaluar 28 vjet nga rrezimi i socializmit dhe jo vetem nuk ka asnje fije shprese se mund te behet gje e mire,por cdo gje shkon ne gremine!
    Se nje aventurier si Rama kurre nuk mund te jete nje Burre shteti,por nje ARMIK I VEGJELISE!
    Harram votat tona,o basllisti Rama!

    Reply to this comment
  7. Niko Shpiragu April 15, 17:16

    Po ndodh ajo qe ndodhi me ardhjen e nazisteve ne Gjermanine e viteve 20 e 30 te shekullit te kaluar. Qeverite gjermane te asaj kohe po i benin leshime te medhaja bandave naziste dhe ato u fuqizuan sa nje dite erdhen ne pushtet e me pas dihet nga te gjithe cfare pesoi vet Gjermania dhe bota nga regjimi nazist. Politika e frikes nga akuza e te qenit diktator dhe mos miratimit te forces kunder protestuesve te dhunshem naziste dhe krereve te tyre te tipit Hitler, po i sjell ne fuqi hitlerianet. Pergjegjes direkt per kete jane kreret e qeverise dhe drejtuesit kryesor te PS. Kemi kaluar ne ekstremin e Berishes ne trajtimin e protestave nga frika e opinioniot nderkombetar. Nuk jam qe ndaj protestuesve te perdoren metodat hitleriane te Berishes, por per nazistet huligane qe bejne dhune kunder institucioneve shteterore dhe policise duhet te zbatohen ato rregulla qe perdor vet perendimi ne raste te tilla me qellimin e vetem qe te mesojne te gjithe qe ke te drejte te protestosh por jo te dhunosh. Shteti duhet te tregoje autoritetin e tij ndaj dhunuesve dhe jo t’i leje ate te bejne c’te duan dhe ta kthejne policine e shtetit ne nje lecke sic e ka kthyer Edi Rama dhe Sander LLeshi. Keshtu sic po shohim, ne Shqiperi pak nga pak po vjen nazizmi dhe pergjegjesia nuk eshte e huliganeve te tij, por e atyre qe jane ne pushtet qe po i sjellin vet.

    Reply to this comment
  8. Detari April 15, 21:24

    Llafollogji pa “buke “,per tu gjend “Kola ne pune”….Protesta ka te drejte kur thote se nuk ka patur asnjehere ne Shqiperi te majte dhe te djathte.Pushteti ne Shqiperi ka qene dhe vazhdon te jete prone e bandave,ashtu sic ato vete i perkufizojne partite politike ne pushtet… Populli ,per te shpetuare nga nje e keqe shume e madhe ,vrapon pas nje te keqeje akoma me te madhe,duke rene ne kthetrat e bandes tjeter…Kjo eshte nje gjeme e madhe .Nuk duhet te jete ne proteste ajo qe e quan veten opozite.Ne proteste duhet te jete populli,te gjithe te mashtruaret dhe te sunduaret nga sulltane qe ne I quajme politikane.Z.Bedri ,edhe ne shkrime te tjera me tema te tilla,I vjen anes problemit ,duke e ruajtur mezin (atje ku eshte strofkulla e djallit) te pa prekur…Kjo do te thote t’ju zgjatesh jeten sulltanateve…Te kapesh demin per briresh ,do te thote , te thuash shakaqet e verteta te gjendjes politike dhe ekonomiko -shoqerore ne Shqiperi.A nuk eshte ,z.Bedri ,Kushtetuta qe ligjeron dhe mbron bandat ne Shqiperi?A nuk eshte Kushtetuta qe ja ka hequr popullit fuqine “herkuljane “ te votes,pra te drejten e vendimmarrjes,te drejten e kontrollit te qeverisjes,te drejten e nderhyrjes se menjehereshme kur qeverisja bastardon..te drejten e RFERENDUMIT ?A nuk eshte Kushtetuta qe ju ka dhene partive politike te drejten per te sunduare popullin(ato zgjedhin dhe i emerojne pusht- etaret,”mbrojne “dhe “numurojne votat”,ngrejne nje “administrate shteterore “me “tundes kokash”(qe aq bukur ju I kini perkufizuare),me ministri dhe ministra e zvendesa me shume se Gjermania e tj (me minister per mardhenie me parlamentini ,per diasporen dhe …..s’ po vazhdoj me)?A nuk eshte Kushtetuta qe ka ligjeruare pa ndeshkueshmerine,qe e ka futur sistemi ne drejtesise ne qeverisje(kur ajo duhet te jete e pa varur ….)?A Nuk eshte Kushtetuta qe i jep fuqi individit (presidentit )te kontestoje parlamentin ,apo kryeministrit te heqe dhe te vere ne qeverisje sa dhe si te doje “tundes kokash”?A nuk eshte Kushtetuta qe (kur “parlamenti”,me menyra korruptive ben numrat e duhur dhe mbron qevrisjen edhe kur ajo harzhon miljarda leke ne menyre korruptive…)qe ligjeron korrupsionin ne aeverisje?A nuk eshte Kushtetuta qe ju ka dhene te drejte partive politike(duke I varur ujkut zorret ne qafe)te bejne ligjin zgjedhor si dhe kur te duane?A nuk eshte Kushtetuta qe ju jep mundesi partive politike te bejne pazare ,ndermjet tyre, ne dem te popullit?A duhet populli (qe po fle i mbuluare nga halle te medha ekonomike ,mjekesore ,te sigurise ,te pronave,me shpresa te vrara per te rinjte dhe me renkime te dhimbeshme te te modhuareve )te beje peticion per nje referendum ku te vandose per menyren e qeverisjes ;per te marre ne dore qeverisjen pa ndermjetesine e askujt;per te zgjedhur direkt vete drejtuesit e qeverisjes vendore dhe qendrore,pra per te qeverisur vendin me keshilla dhe Asamble Kombetare;per te bere nje Kushtetute ku e drejta e qeverisjes ti jepet vetem popullit?Po,z.Bedri Kushtetuta eshte thembra e Akilit .

    Reply to this comment
  9. Lili April 15, 21:31

    Nuk kemi parti politike ne Shqiperi, ajo qe po vdes eshte politika e Ramizit qe u zbatuar aq mire keto 30 vite : ajo politike po vdes e bashke me te shume gjera te shemtuara si kjo klase politike grabitcare
    Nuk ka opozite te djathte se basha e berisha nuk jane te djathte e kur nuk behen te djathte : jane komuniste ne sherbim te mbijeteses te kadtes komuniste sipas urdherave te Ramizit. Asgje tjeter.
    Po populli shqiptar eshte ma i madhe se komunistet e pandreqshme te Tiranes, edhe populli di ne ditet tragjike me gjet rrugen per me mbijetuar .
    Sot populli hesht po kjo nuk do me thane se kjo fo te zgjate

    Reply to this comment
  10. prill April 15, 21:46

    A cna hani mune te tere , Kryeministri jone do te fitoje dhe do te triumfoje, po ne si popull duhet te firmosim nje referendum ti drejtohemi parlamentit Shqiptare te shkarkojme hajdutin Ilir floriri si presigent.

    Reply to this comment
    • Bureto April 16, 11:05

      S’ka nevojë për referendum. Presidenti shkarkohet me 93 vota nga parlamenti dhe aty sot janë 102. Pra mjaftojnë dhe tepërojnë. Deputetët e rinj le ta vërtetojnë që janë ndryshe, por së pari duhet vullneti i maxhorancës, gjë që mendoj se nuk e ka. Gjërat do të rrjedhin në atë mënyrë sa Ilir Meta do japë vetë dorëheqjen. Por më parë të presim se çdo bëjnë SPAK dhe BKH, kur të krijohen.

      Reply to this comment
  11. bart72 April 15, 21:58

    Mase vdesin gjithe komunistat majtas djadhtas hahahahhahaha

    Reply to this comment
  12. qeveria Rama e deshtuar ne ekonomi April 16, 09:04

    Bedri, pertej “Te majtes e Te djathtes”, ka deshtuar qeveria Rama! Plotesisht e sidomos ne sferen me te rendesishme te nje qeverisje, ne ekonomi! Kete deshtim e sheh kushdo, e tregojne parametrat ekonomike bloze kudo por sidomos e shpreh qarte deshira mbar rinore per t’ju larguar ne emigracion ketij deshtimi total qeverises deshtuar Rama.

    Reply to this comment
  13. Bernd April 16, 11:20

    Në demokraci, iluzioni është institucion. Njerzit bazohen në besimin e gabuar se njerëzit janë sovranë dhe sundojnë veten. Por edhe „demokracia“ e deleguar është forme sundimi. Ndryshimet e herëpashershme të personelit nuk e ndryshojnë strukturën e sundimit të elitës partiake dhe oligarkike. Njerzit duan të besojnë në atë, që cdo gje behet per ta. Ata duan të mashtrohen nga shpresat e krijuara ndermjet vetmashtrimit te vetvetes, qe dikush do ju zgjidhe problemet e jetes pasi ata duan të jenë të liruar dhe të lirë nga mijëra shqetësime te jetes. Elita e pushtetit nga ana tjetër ushqen shpresat e njerzve ndermjet premtimeve tyre mashtruese.
    Shpresa forcon misionin në të cilin i detyrohet ekzistenca e saj. Asnjë pushtet ne demokraci nuk fiton legjitimitet, nëse nuk beson në vetvete. Dhe votuesit pëlqejnë ato parti te votojne, që konfirmojnë mendimin e tyre të dëshiruar dhe premtojne tu japin atyre një zgjidhje për problemet e tyre , pasi ata në fund të fundit nuk duan të pranojnë faktin, qe kurre nuk mund ti japesh pushtetin nje partie e cila e ka vertetuar me vepra mashtrimin dhe delizionimin e nje populli me dekada te tera.
    Nga ana tjeter ashtu si të gjitha organizatat e tjera, partitë janë para së gjithash të interesuara për të ruajtur veten. Ata shtyjne anëtarët e saj, për të promovuar karrierën vetem ndermjet ndertimit te rrjeteve sociale, nga ku vjen zgjerimin e sferave të pushtetit. Palët sigurojnë poste dhe shperblime për përfaqësuesit e tyre. Ndjekësit dhe pasuesit ofrojnë popullaritet. Programet janë thjesht mashtrim i ndertuar ne iluzionet e njerzve. Për elitën e partisë sidomos kryetarin e partise sh.p.k. aparati është thjesht një mjet për qëllimin e marrjes se pushtetit. Kryetari partise është më pak i shqetësuar per partinë, e lëre më shoqërinë, sesa me mbijetesën e saj si mjet per te kapur pushtetin.
    Ndarja e pushtetit shtetëror, i cili duhet të mbrojë individin nga arbitrariteti dhe represioni, është prishur nga regjimi i partive. Një republikë e lirë bazohet në neutralizimin reciprok të qendrave të pushtetit.
    Partitë, ne shqiperi meqe jane banda, bashkojnë dhe konsolidojnë pushtetin e tyre. Ndarja ndërmjet ekzekutivit dhe degës legjislative është zhdukur dhe opozita eshte aty per te kanalizuar pakenaqesine, qe krijohet nga pushteti i vjedhjes dhe plackitjes i radhes. Skema mashtrimit popullor qe vidh ti dhe te pakenaqurit vijne tek mua duke me rritur mua numrin e mases per te ardhur ne pushtet pasi te jesh ngopur ti per 8 vjet eshte nje loje 30 vjecare ne Albanistan.
    Ekzistenca e opozites te vertete ne kete lloj sistemi te kapur eshte kategorikisht e ndaluar. Partitë qeverisëse dominojnë parlamentin, degën ekzekutive, si dhe pjesë të gjyqësorit dhe pjesen me te madhe te mediave. Deputeti është në vartësi të partisë. Parlamenti bëhet një organ ndihmës i ekzekutivit. Parimi themelor i lirisë republikane, ndarja e pushtetit, eleminohet plotesisht.
    Injoranca, mohimi.
    I gjithe ky system funksionon perfekt ne nje ambjent si Albanistani, nese ketij abuzimi do ti shtojme injorancen e popullore jashtezakonisht te larte ne Albanistan. Iluzioni mbrohet dhe ushqehet si nje kancer,nga vete populli ndermjet injorancës se tij. Kemi te bejme me njerëz të dobet qe skane asnje lloj interesi për të zgjeruar gjithnjë e me shume njohuritë e tyre, per te marr ne dore fatet e jetes se tyre. Ata rregullisht relativojne dhe mohojne faktet,shtremberojne realitetin, fallcifikojne të dhënat e jetes se tyre. Vullneti për injorancën ndjek dëshirën për vetë-mashtrim. Në fushën e errët të dështimit, ky popull vazhdon me kokëfortësi dhe çmenduri vetshfarosjen e tij me doren e vet. ´
    Njerzit patriote përfundojnë në kutinë e mbeturinave, mesazhet e tyre injorohen, sepse demtojne iluzionin e kesaj injorance te llahtarshme.
    Mohimi gjithashtu ndikon në veprim. Secili e konsideron veten të gjithfuqishëm dhe beson, se mund të “krijojë” gjithçka. Dikush e deklaron veten të pafuqishëm, sepse dikush dëshiron të përmbahet nga masat e pakëndshme. Alternativat e imponuara mohohen, sepse ato kundërshtojnë imazhin ideal të vetë njerzve. Nuk ka asgjë që mund të bëhet, justifikimi është se edhe ne vendet e tjera keshtu kane te njejtin problem, duke harruar qe ne vendet e tjera kualiteti problematikes eshte komplet tjeter se ne Albanistan. Kesaj i shtohet shpeshhere ngushëllimi frikacak, fiksimi ose mosbesimi ne vetevete dhe tek te tjeret, duke i penguar të përballen me realitetin e rend, ku njeriu eshte peng i vepres se tij. Pra per mos ta zgjatur shume situata ne Albanistan eshte sot jashtezakonisht e rende dhe persakohe kjo injorance do vazhdoje veshtire se ky popull do dale nga kjo gremine, ku ka rene.Prandaj legjenda e majte dhe e djathe eshte perseri nje mashtrim se ketu kemi te bejme me parti ideollogjike qe mbart ne vetvete nje vizion per qeverisje.

    Reply to this comment
    • Baci April 16, 15:28

      Jam shume dakort me analizen. Ne Shqiperi ka ekektorat te mjaftueshem per nje force te 3 politike, reale jo si LSI. Nje parti e drejtuar nga patriote dhe intelektuale, keshtu mund te keputen lidhjet e pushtetit nga vendet e tjera dhe Sorosi.

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Click here to cancel reply.

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*