E majta polake shpreson tek një politikan homoseksual

September 11, 2018 18:37

E majta polake shpreson tek një politikan homoseksual

 

Gjatë një takimi me ithtarët e tij ai shfaqet i gëzuar, dinamik dhe i sigurt tek fitorja. Ka muaj që Robert Biedroń, kryetari i parë i një bashkie në Poloni, që tregon hapur se është homoseksual, bën reklamë për partinë që do të krijojë në shkurt të vitit 2019. Takimet që quhen këmbim idesh me Biedroń, “brainstormings mit Biedroń” ndiqen nga qindra e nganjëherë mijëra vetë.

Parullat e tij tingëllojnë si një program tipik i majtë. Ai kërkon të ulë pabarazinë sociale, të liberalizojë ligjin e abortit, të krijojë më shumë vende për fëmijët në kopshte dhe të përmirësojë sistemin shtetëror të shërbimit shëndetësor.

Por më e rëndësishme se kjo është rrezatimi që Biedroń ka si person. Ai është i zhdërvjellët dhe jo shumë i ftohtë, si pjesa më e madhe e politikanëve. Por përveç kësaj, ai ka një biografi që e ka bërë autentik dhe që nxit besimin e njerëzve.

Biedroń vjen nga Polonia jugore, një vend shumë konservator. Për shkak të homoseksualitetit, atij i është dashur që të jetojë i izoluar kur ka qenë i ri, ka vuajtur shumë dhe ka pasur madje dhe mendime suicidale. Si politikan ai është angazhuar më vonë për të drejtat e homoseksualëve. Në vitin 2001 ai organizoi “fushatën kundër homofobisë”, e cila shkaktoi shumë kontroverse në Poloninë konservatore. Për herë të parë më 2011 ai u zgjodh deputet, duke u bërë kështu deputeti i parë homoseksual në Poloni.

Ai dëshiron që të martohet me partnerin e tij, por dëshiron që martesën ta bëjë vetëm në Poloni.

“Unë jam polak, i paguaj këtu taksat dhe i shërbej vendit tim prej vitesh, prandaj pres që në shtetin tim të trajtohem njësoj si të tjerët”, thotë 42 vjeçari Biedroń, duke shpresuar që martesa e homoseksualëve të jetë një ditë e lejuar edhe në Poloni. Martesën ata të dy duan ta bëjnë në Słupsk, aty ku Biedroń është Kryetar Bashkie, që prej vitit 2014.

Periudha e qëndrimit të tij në post në qytetin polakoverior me 93 mijë banorë përfundon në nëntor 2018. Biedroń, nuk do të kandidojë sërish, meqenëse dëshiron të kthehet në politikën kombëtare. Por nëse do e bënte, sondazhet tregojnë se ai do të merrte 60 për qind të votave për t’u bërë sërish kryetar bashkie në Słupsk. Jo vetëm sepse mbasi të iki Biedroń, qyteti do futet sërish në borxhe, siç ka qenë para periudhës së Biedrońit.

l.h/ dita

September 11, 2018 18:37
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*