E megjithatë, ai është president (Reflektim politik nga Prishtina)

Bedri Islami April 11, 2016 10:04

E megjithatë, ai është president (Reflektim politik nga Prishtina)

Nga Bedri Islami

Rasti i zgjedhjes së Hashim Thaçit si presidenti i ri i Kosovës, një ëndërr e realizuar e tij dhe një dëshmi se ai e ka ditur gjithnjë se çfarë kërkonte, është pa dyshim, njëri ndër ato që ndodhin shumë rrallë, ose nuk ndodhin fare. Pak kush e kishte menduar se, më në fund, pas një rrugëtimi tejet të gjatë, ai do të ulej në karriken presidenciale, në një post kundër të cilit nuk kishte qenë kurrë, por ku e kishte pasur për shumë vite rivalin e tij më të fuqishëm politik, Rugovën. Tani Thaçi është aty dhe, po aty, në Kosovë, po përgatitet një vazhdim i historisë, dikush tjetër që, si ai disa vite më parë, synon të kalojë nëpër suitën presidenciale.

Zgjedhja e Thaçit në postin e presidentit të Kosovës ka pasur një rrugë të cilën nuk e ka pasur askush tjetër, me konstestime të pazakonta, me një lojë nervash të fuqishme, brenda e jashtë sallës së parlamentit, e herë pas here, edhe brenda vetë pozitës së ndarë në dy krahë, e lëvizjes paqësore dhe e luftës çlirimtare. Askush më tepër se ky rast nuk e bëri lëmsh politikën në Kosovë dhe, kur të gjithë menduan se ishin para një nyjeje gordiane, të pazgjidhshme pra, e të pashpresë për një zgjidhje tjetër veç zgedhjeve të reja, ai vetë, duke luajtur me zjarrin e politikës, e zgjidhi atë.

Sado që të thonë të tjerët se në këtë lojë u futën shumë vetë dhe përmes rrëmujës u gjet AS-i i zgjidhjes, kjo nuk është asgjë tjetër veçse mjegulla e një loje politike që ishte shumë e qartë që në fillimin e jetësimit të kësaj qeverisjeje: Thaçi u duk se e dorëzoi lehtësisht postin e shefit të qeverisë, kur në të vërtetë ai kishte bërë lojën politike, e cila mund të përmblidhej shumë thjesht: Të jap një, të rëndësishëm, dhe marr dy, po ashtu të rëndësishëm. Njëshi i rëndësishëm që iu dha Isa Mustafës, e shpëtoi këtë të fundit nga vala e goditjes në partinë e tij, të cilën sot e drejton me dorë të hekurt, ndoshta me dorën më staliniste në Kosovën e pasluftës dhe me një gardë të rreshtuar rreth tij, që të kujton strukturën famëkeqe “Sigurimi i Atdheut”. Dy, të rëndësishme, të cilat i mori për vete, kishin qenë shumë më tepër se sa ishte pritur: Në fakt kishin qenë tre të tilla; i dha vetes rolin dhe postin e presidentit, i dha mikut të tij më të ngushtë dhe figurës më domethënëse në Partinë Demokratike, Kadri Veselit, postin e Kryetarit të Kuvendit, dhe, njëkohësisht postin e shefit të partisë, ku kishte qenë bashkëkrijues, e transferoi pa dhimbje dhe natyrshëm tek ai që pritej të ishte, Kadri Veseli.

Të gjithë këtë lojë, ndoshta më e ndjeshmja në politikën e ditës, ai e përceptoi si mbijetesë dhe ia doli ta ketë, duke u bërë presidenti i ri i Kosovës ndoshta në kohën më të vështirë të saj. Kohë e vështirë për nga zhvillimi i ekonomisë, ku gjërat kanë ngecur dhe, si duket, herë pas here po bien në theqafje; kohë e vështirë për nga besimi, ku njerëzit po e shohin zgjidhjen jashtë Kosovës dhe ka filluar pendimi përse janë kthyer; kohë e vështirë për nga ajo që pritet të ndodhë, Gjykata Speciale, në të cilën mund të thirren edhe njerëz të afërt me të. Asnjëherë, as në qershorin dhe korrikun e vitit 1999 nuk ka qenë kështu dhe, më mirë se gjithë të tjerët, këtë ai e di ai vetë.

Përballja e Thaçit me kundërshtarët e tij politikë ka qenë e përmasave më të mëdha që ka pasur ndonjëherë në jetën politike të Kosovës. Tri parti politike, secila me reputacionin e saj, megjithëse të ndryshme nga njëra-tjetra, aq sa ishin kundër Vijës së Demarkacionit me Malin e Zi, dhe e kanë këtë të drejtë; aq sa ishin kundër krijimit të Zajednicës, krijimit të Asosiacionit të komunave me shumicë serbe, dhe qeveria duhet matur mirë në këtë fushë të minuar, po aq ishin edhe kundër zgjedhjes së Thaçit në postin e Presidentit të Kosovës. Ishte mundësia e artë e tyre që, përmes refuzimit të Thaçit, të rrëzonin edhe qeverinë e Kosovës dhe në momentin më të mirë dhe më të bashkuar të tyre, të futeshin në zgjedhjet e reja politike, përmes së cilave, nëse bëheshin sëbashku, edhe mund të ishin forca e parë politike e Kosovës. Megjithëse një ose dy prej tyre mund të kishin humbur identitetin e forcës që përfaqësonin. Shansin e artë të tyre ata vetë, duke abuzuar me të drejtën, lejuan që kjo e drejtë, në shumë raste të kthehet kundër tyre, sidomos në raportet me diplomacinë ndërkombëtare. Teprimi nuk është kurrë i mirë, edhe kur bëhet për një çështje fisnike. Koha e tyre kishte ardhur, por, në mënyrë të çuditshme, vetë opozita nuk e kuptoi kohën e saj. E la të kalojë, dhe duke e lënë të kalojë, bënë atë që nuk menduan se mund të bënin: Krijuan fushën e lirë të veprimit të mëtejshëm të Thaçit.

Pak vetë, edhe më kurajozët brenda PDK-së, ishin të bindur se Thaçi do të zgjidhet presidenti i ri i Kosovës. Disa nga fanatikët partiakë, edhe pse deputetë, mburreshin me forcën e tyre, duke e ditur se nëse në lojë nuk do të futeshin Thaçi dhe Veseli, e gjitha do të ishte një dështim. Këta dy të fundit, sa herë që kanë qenë së bashku, ia kanë dalë të zgjidhin problemet, edhe kur është dukur e pamundur, edhe kur shumë vetë nuk kanë qenë të një mendjeje me ta. Koha që do të vijë, nëse do të jetë aq e vështirë sa mendohet, mund të vërë në provë dyfishimin e njëri-tjetrit, por për kohën e shkuar, ajo ka dëshmuar se e gjitha është rrjedhë e gjërave të përbashkta.

Thaçi ia doli të jetë Presidenti i ri i Kosovës. Më ka takuar në ditët e para të paszgjedhjes së tij, të qëndroj disa herë me të, në biseda të gjata rreth asaj që do të ishte në të mirë të të gjithëve. Edhe të forcimit të mendimit opozitar, të prirjes drejt krijimit të një mjedisi të ri politik, pasi, pavarësisht nëse jemi apo në një mendje me të, ai u bë ai që deshi, presidenti i Kosovës.

Shumë gjëra kanë rënduar deri tani mbi të. Akuzat kanë qenë të pazakonta për secilin lider, aq më tepër për një lider të ri politik, në moshën e tij, dhe me një rrugë të papritur. Disa nga akuzat kanë qenë aq lehtësisht të rrëzueshme, sa që edhe ata vetë që i ngritën apo që i pasuan, janë të bindur se e gjitha ishte loja e atij që po bie për t’u ringritur. Akuza të reja janë ngritur dhe do të ngrihen dhe koha do të saktësojë se cila ishte e vërteta. Nuk marr përsipër të rëndoj askënd, por e di fare mirë se e gjithë ajo që u ngrit për të dhe për UÇK-në, si forcë politike e financuar nga droga, tregtia ilegale, para të pista, tregtimi i organeve, nuk janë asgjë tjetër, veçse sajesa që i serviri për herë të parë shërbimi i fshehtë serb, njerëzit e këtij shërbimi në Prishtinë, sidomos në strukturat e jashtëligjshme të LDK-së, dhe që u përforcuan nga kanale që kërkonin sensacionin politik.

Tani, prej disa ditësh, si është në zyrën e re. Përurimi i tij, ashtu si e kishte parathënë prej kohësh, është edhe fillimi i një periudhe të re në jetën e tij politike.

Përballë vetes, veç sfidave ka edhe opozitën, e cila duke qenë vlerë kombëtare, dhe kur them vlerë kombëtare, kam parasysh gjithë vizionin kombëtar shqiptar; e cila, nuk e ka pranuar humbjen e luftës, megjithëse humbi një betejë. Është një opozitë që duhet të merret sinqerisht si forca gjeneruese e jetës politike në Kosovë, por, i ndodh në këto raste, pranë vetes nuk do të ketë më, si më parë, edhe forcën politike ku ishte bashkëthemelues, PDK-në, e cila tani pas ikjes së tij nga lideri partiak, do të synojë të krijojë të gjithë aksesorët politikë, e përmes tyre, të mos e ndjejë mungesën e tij.

Megjithatë, problemet qëndrojnë para tij, ato nuk janë rrudhur vetëm nga fakti se ai u bë president. Ato janë shtuar nga ky fakt dhe do të shtohen edhe më tej në të ardhmen. Do të jetë një presidencë e vështirë, ndoshta më e vështira në historinë e re të Kosovës, të cilën ai mund ta mbartë vetëm me një përkushtim ndryshe nga ai i shefit të qeverisë, duke e konceptuar veten si një president të zgjedhur përmes gazit lotsjellës, dhe që në fund të mandatit të tij, që nuk e di se sa do të jetë, të jetë i përcjellë nga dhimbja që po shkon.

A do ia dalë?

Koha është gjëja më e vështirë në jetën e një njeriu të politikës, por edhe më e gjëra për të verifikuar mandatin që ia kanë dhënë, që e ka marrë, apo që ia kanë dhuruar. Hashim Thaçi e di krejt mirë se është në një kohë të vështirë, më të vështirën e rrugës së tij politike.

Bedri Islami April 11, 2016 10:04
Komento

1 Koment

  1. TJ April 11, 10:31

    Mafia do te fitoje! Korrupsioni do te mbijetoje si ne Shqiperi ashtu dhe ne Kosove!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim