E mërkura e 20 shkurtit

February 20, 2020 13:51

   E mërkura e 20 shkurtit

 Nga Naun Kule

 Dritëroi profet, e paska ditur të zezën e së mërkurës. Kot i trembeshim të martës e të premtes. Se ja, e mërkura e zezë e Dritëroit, erdhi edhe këtë vit (1991-shin). Erdhi  dhe mori me vete një  tjetër burrë, më burrë nga Zequa i Dritëroit… Kjo ishte e mërkura e 20 shkurtit, të këtij viti kaq të trazuar sa zhburrëroi burrat dhe trimëroi anonimët…!

 

Pikërisht këtë të mërkurë, ia kisha taksur familjes. Nëna dhe motra erdhën të takonin nipin ushtar diku mbi Kinostudio.

Gjeta një makinë sa i çova pasi shoferët e autobusëve ishin në grevë. I lashë atje dhe u ktheva me ngut në zyrë. Do flisja në mbledhjen e orës trembëdhjetë dhe duhej të hidhja ca rreshta në letër.

Kur iu afrova selisë së komitetit të partisë të Tiranës, (selia e PS, sot),

mbajta këmbët. Para hyrjes dhe përanash zyrave tona, gardh me policë, gardistë e sambistë të armatosur me mburoja e helmeta, me skafandra dhe qen policie…Mbajta frymën. Mos kanë sulmuar zyrat? Apo Bankën e shtetit? Të gjitha priteshin. Në Shkodër edhe i kishin djegur. Njerëzit hynin e dilnin me ngut, të heshtur dhe enigmatikë. Edhe kur i pyesje, ngrinin supet dhe iknin tutje. Iknin kot e kot, kuturu, pa e ditur për ku dhe përse…

Mbledhja ishte anulluar. Përse? Askush s’e thoshte. Alarmi shihej në çdo fytyrë. Nga dera e pasme e selisë doli ministri i brëndshëm. Përshëndeti gardistët duke iu rënë shpatullave (i merrte me të mirë apo u kërkonte ndjesë?), dhe rendi me ngut, i ndjekur nga një dyzinë djemësh-roje. Tek hynte në makinë, paksa i krrusur, dukej sikur nuk ecte por rrokullisej nën kokën e madhe, varur e fshehur me shapkën alla Lenin e cila, ia mbulonte qafën e shkurtër dhe zverkun e dhjamur.    Po kapërxente mesdita. Nga rruga e Elbasanit dëgjoheshin të shtëna. Thuhej se turma të mëdha, mbledhur gjatë natës në qytetin “Studenti” po zbresin drejt qëndrës. Mos do sulmojnë Radiotelevizionin…?

Ç’nuk po dëgjonim!

Shikoj që policët dhe sambistët prapa Bankës, ngritën skafandrat si të gatitur për sulm. Njerëzit shohin me frikë dhe pyesin nën zë;

-Çfarë po ndodh? Kë do sulmojnë? Kush do sulmoj…?!

Mes zyrave tona dhe Bankës hesht si në një pritë gjakndjellëse, një makinë luftarake-autobot, mbushur me ujë dhe një mitroloz i ngrehur mbi të. Ne vërtitemi mes mëdyshjes; të futemi ndër zyra apo të rrimë në oborr…Apo t’ia mbathim…? Ç’të bëjmë, de? Se ne jemi nëpunës,…pyesnim shefat edhe kur shkojmë për kafe. Po sot?

As shef, as titullarë, as…-Lërini zyrat sot…Dilni në shesh e qetësojini njerëzi! foli nën hundë njeri nga shefat.

….Turmat vërshuan dhe mbushën sheshin. Që sipër xhamisë gjer tek Muzeu kombëtar, nga pesëmbëdhjetëkatëshi gjer tek blloku i Ministrive, nxinte nga njerëzia që shpërthente në brohori dhe ulërima. Buçasin thirrjet, “Liri- demokraci, Poshtë diktatura, Poshtë Enver Hoxha, Ushtria është me ne, Policia është me ne…!”

Një det i tërë njerëzish të egërsuar, të nxitur nga bashkimi mes tyre në këto akte trimërore, çdo çast e më shumë bëheshin të papërmbajtëshëm, të pakontrolluar, deri edhe të rrezikshëm…

Shihej qartë se turmat dhjetramijëshe (thuhej mbi 70 mijë), po synojnë bustin e Enver Hoxhës në qëndër të sheshit. Atë bust madhështor (për një burrë shteti gjysmëshekulli madhështor…!), para të cilit s’ecte dot kush pa mbajtur këmbët. Pa medituar me sytë në atë fytyrë të bronxtë, ndoshta duke mbajtur edhe frymën…

Doemos, jo të gjithë nga dashuria për të. Shumë syresh edhe nga frika, edhe nga ankthi, zëmrimi dhe urrejtja. Shumë nga ata, sot janë këtu, në shesh, madje, në krye të turmave. Janë ata që shfryhen më shumë, brohorasin më fortë, ulërijnë më egër…!Shfryjnë dufin e të djeshmes, marazin, vrerin e mbledhur gulçë në dhjetra vite, në qindra a mijëra netë të pagjuma; në terr dhe në tmerr të pafund. Të tjerë në biruca, qeli e galeri burgjesh, kampe internimesh…Këta njerëz, gjer dje të tredhur dhe trembur gjer në bindje qënore, sot trimërojnë ballaz, ulërijnë fortë dhe kërcënojnë egër…! Zot na ruajt!

S’matet dot gjer ku ngjitet trimëria e kësaj dalldisjeje popullore, e kësaj llave vullkanike që digjte dhe zhbënte me gjithësej.

Tani, thirrjet zotëruese ishin “Poshtë Enver Hoxha dhe Enver-Hitler” Ajo që po dukej sheshit ishte fakti se këta njerëz, kishin vrarë…frikën! Po, ishte vrarë frika, i vetmi mjet që i paska mbajtur zap, aq urtë, të sjellshëm dhe paqësor këta njerëz..

Tek ua shoh ndërkryerjen e sotme, më duken krejt të panjohur, madje si të largët, të tjetërsuar në gjithë këto çka po bëjnë, thonë dhe kërkojnë…Policia ndërhyn përsëri. E ndërpret disi ecjen e turmave por pa rezultat. Njerëzit s’duan t’ia dinë më; janë si në ethe, lëvizin e flasin, këndojnë e ulërijnë si në ekstazë. Të thirrurat ndërpriten për një hop.

I ndërpret krisma. Po gjuajnë, gjuajnë me armë…! Kush? Ku? Cili u vra…? Orteku i njerëzve vargoset për andej, si dallga e një lumi drejt vaut të porsahapur..Por jo!Askush s’është vrarë.Askush s’ka rënë. Atëhere?!

Një pardesybardhë, hipur mbi krahët e shokëve flet në megafon:

-Mos u trembni! Janë fishekë manovre…Është manovër, manovër e diktaturës…! Pas meje…Pas meje! Policia është me ne! Ushtria….!

Ja, pra, askush s’qenka vrarë. Por jo…! Diçka është vrarë, po vritej e vritej përfunfimisht. Ishte frika…! Në çdo hap që bënin përpara, në çdo parrullë që hidhnin, këta njerëz vrisnin brenda vetes frikën. Trimëria rritej e rritej…Bashkimi, turmat, ulërimat dhe thirrjet e liderëve pardesybardhë, ua ushqenin trimërinë, i ndiznin. Krismat e armëve i tulatën për një çast, por vetëm kaq. Lajmi dhe bindja për fishekë manovre ua shtoi trimërinë. Ja pra, ç’qe fitorja më e madhe e këtyre njerëzve, tepër e madhe, e paparë në kaq e kaq vjet, e paprovuar…

Pikërisht këtë festonin; fitoren mbi frikën. E kishin vrarë përfundimisht. Shihini si qëllojnë me gurë mbi makinën e policisë…!

…Një makinë e zezë u fut mes turmave. U sul në shesh dhe shpërndau njerëzit. Të gjithë e qëllojnë me gurë, me drurë, me…

Qenka e blinduar…! Ah, edhe e blinduar!? Po pse, pse në shesh…?! Thonë se brenda saj ishte Hekri, Ministri i brendshëm. E ka dërguar Ramiz Alia, thonë. Breshka e blinduar u vërtit dy a tri herë dhe çau turmën e këputi qafën. Para kësaj tentoi të futet një tjetër makinë në shesh, por u godit aq shumë me gurë sa mezi doli bythas me xhamat copë-copë. Ja, tani po futet edhe një autobot me ujë. Edhe uji qenka me ngjyrë, si të kuqe; i zheu e i lagu gjer në palcë. Vërsulej majtaz e djathtas sa stepte njerëzit po sërish ata ktheheshin aty, paçka se të lagur e llangosur në fytyrë dhe rroba. Shyqyr që dita është me diell. Së fundi, çau turmën dhe iku.

Iu mbarua uji apo iku për tu zëvendësuar nga qentë. Këta ndërseheshin nga ushtarët për të trembur njerëzit. Mbaheshin fortë prej zinxhirëve dhe s’ua hoqën hundëzën e hekurt…

Dukej sikur dikush kishte vendosur të demonstronte të gjitha armët; llojet, mjetet, mënyrat…Ndoshta dikush mbrohej a fshihej pas gjithë këtyre…?! Ja,..! Të gjitha i përdorëm, por s’e ndaluam dot popullin. Populli…!? Kësisoj  po kapërxente mezi i ditës. Policia vazhdon ende ta mbajë turmën, por jo ku do ajo. Unaza e njerëzve, gjithënjë e më të egërsuar, po ngushtohet drejt bustit të Enverit. Qindra duar hedhin gurë e drurë mbi monument. Thirrjet “Enver-Hitler dhe “Poshtë Enver Hoxha…!” tani pushtojnë Tiranën. E gjithë kjo duket si një ëndërr. Njerëzit shajnë, ulërijnë e brohorasin si të dehur kundër Enverit, sa të duket jashtë mendjes kjo që po ngjan, jashtë kohës…Apo jashtë Shqipërisë!? Përndryshe, si munden kaq egër, trimërisht, kaq sheshit dhe ballaz…?   Madje kush janë gjithë këta njerëz? Ku ishin gjer dje? Më kaq inate, mllefe, urrejtje e ligësi të shpërthyera kaq papritur? Shoh përqark.

Jam ngjitur e ngjeshur shkallëve pas murit të Bankës së shtetit, mes këtyre ulëritësve tashmë të ngjirur si të dalë mëndsh…Përqark, burra dhe gra të të gjitha moshave dhe niveleve. Të gjithë brohorasin, por  jo njëlloj. -Bjeri qenit, bjeri more, bjeri! Ah, të lumtë dora! Ah…Enver-Hitler, En..

Tjetri këtej:-Mosni, more njerëz, mosni more shok…!Pu, pu! Ç’po ndodh more njeri, ç’po na shohin sytë more! Ç’janë këta xhahil, mor amani… Ç’janë xhanëm, ç’janë…!?

Mundohem ta pyes me sy një grua që shan e çirret para meje me sytë mbi monument. Ajo, ai, burra, gra, nuse, çupa qerpiklyer, veshur me gusto dhe ushqyer mirë. Turma vazhdon ta ngushtojë unazën. Policia, si e lodhur (apo e dështuar…?), pakëson ndërhyrjet. Çudi e madhe!  Duhej të ndodhte e kundërta. Ç’urdhër kanë marrë? Nga kush? Cili urdhëron sot? Qentë hungurojnë nën rrjetat e hundëzës së hekurt dhe ushtarët mezi i mbajnë nën zinxhirët që zgjaten dhe mblidhen sa herë dikush kalon afër qenit. Diku pranë monumentit të Skëndërbeut, policë e ushtarë, me skafandra ndër duar, qëndrojnë në heshtje, gjoja në gadishmëri për…

Rreth orës trembëdhjetë, nga rruga e “21 dhjetorit” u fut një kamion ushtarak (Imfa), i mbuluar.

Turma i hap udhë se e pandehin me ushtarë. Por jo. Makina i afrohet monumentit nga pas, në shpinë të bustit. Zbresin dy-tre bluxhinësa me kapele të rrasur gjer në vesh dhe…

-Mos, mos…! O zot ç’po ndodh kështu!? Bobo ç’po na shohin sytë…!

Komshinjtë e mi, ngjeshur pas murit të Bankës, nuk mbahen më. Nuk i mban më as vendi, as zëri i ngjirur, ndoshta, as mendja. Ndryshe, si mund të ulërish kështu, kaq…!? Unë vazhdoj të hesht. Po në të vërtetë, përbrenda ziej e ulërij më shumë se këta. Ja, ja, ç’po më shohin sytë…! I pari i bluxhinsave i sapozbritur nga makina, me duart prapa dhe fshehur nën një pallto triçerekëshe, tërheq një kavo teli dhe sakaq, i mbuluar nga dy shokët e vet, vetëtimthi ngjitin mezhdën pas bustit…Mos, o zot! Jo,jo…Gjer këtu s’e kisha menduar!Kurrën e kurrës!

Me një ecje si të ketrit, bluxhinsi iu rras bustit në shpinë. I pari e përfshiu me krah. I dyti u krrus nën të. Sakaq tjetri kërceu mbi shpinën e shokut dhe, i mbajtur nga i treti, ia hodhi kavon bërë lak, kokës së Enverit…!?Bah, ç’po them? Pas kësaj, merret vesh. Brohoritë, sharjet, goditjet me gurë e drurë, ulërimat tej e tej sheshit u bënë të papërshkrueshme, të pabesueshme për sytë dhe mendjen e gjithkujt aty. Këta përpara meje:-Lidhe qenin, lidhe fortë, fortë, de! Hidhe poshtë, hidhe qelbësirën…!

Të tjerët;-Mos, mos o zot! O zot ku je, ku…?! Oh, sa e tmerrshme, e tmerrshme…Ç’po ndodh kështu o shokë? Bobo, ç’ditë e zezë, ohh!

Turma buçet dhe sheshi rindizet në ulërima dhe sharje. Bluxhinsat shpejtojnë si të dehur, të përfshirë ethshëm nga deliri i heroit., përpara një bëme madhore (apo makabre…?) Sidoqoftë, heronjtë e kësaj dite të madhe, janë ata. Ata brohoriten, përgëzohen…

-Lidhe qenin, fortë, fortë! Tërhiqe, tërhiqe osh, osh..! Ashtu de, bravo çuna! Zvarrë, zvarrë…!

Ky është një mustaqelli që ulërin tek veshi im. Kthej kokën. Goxha burrë duket. Më tej një nuse qëllon me gurë, mallkon e godet me forcë, me mllef, me inat…gruaje!? Apo me berihajin dhe poteren e turmës së egërsuar…?! Ç’gjë t’i ketë tërbuar kaq papritmas këta njerëz? A mund të mbledh e mbajë njeriu kaq shumë mllef brënda vetes? Kaq e madhe forca shtypëse që mposhti ndër vite shpërthimin, fjalën, zërin dhe zemrën…? Apo është një turmë frikacakësh që e çuan jetën në brohori e duartrokitje siç e donin presidiumet e kohës dhe sot kuptuan zbrazëtinë e jetës së varfër, mjerane?

Sot, duket e kuptuan edhe atë, jetën tjetër… Atë që bëhet matanë murit të padukshëm (dhe të pakalueshëm), larg “oazit” të shkretëtirës tonë, të komunizmit fitimtar..Asaj që iu premtua, u tha e u tha dhe nuk u bë kurrë, kurrë…! Mirëpo e thëna e pabërë u mbajka mend më shumë se e bëra pa u thënë…

E thëna është premtim, është besë, është shpresë  Dhe, kur s’bëhet e s’bëhet gjer në zhbërje, zarari qënka tepër i madh, i rrezikshëm…!

Ja pse gjithçka shoh dhe dëgjoj sot këtu është zhgënjimi i një populli shpresëvrarë… Shtysa dhe hakmarrja e zhgënjimit qenkan tepër të forta, rrënuese me gjithsej…

…Sheshi tejet i mbushur, nxit dhe nxin (apo zbardh…?), shan, urren dhe gëzon. Brohoret, ulërin dhe kërcen e këndon…

Kënga “Ejani mblidhuni këtu, bashkë me ne” dëgjohet gjer larg…

Makina ushtarake tanimë s’tërheq vetëm shtatoren. Qindra vetë mbi “Enverin” e shtrirë dhe zvarritur osh pas makine, përshkojnë sheshin “Skënderbej” dhe ngjiten për në qytetin “Studenti”. Turma-det e furtunë, e shoqëron me buçimë dhe ulërima në ekstazë…!

 

 

February 20, 2020 13:51
Komento

5 Komente

  1. Shen Kozmai February 20, 16:32

    Ti o Kule Nauni je nje qen bir qeni qe nuk e ke shokun. Ne vend te Enverit duhet te ishe hequr ti zvarre, ti aservili qe ishte strehuar prej vitesh aty ne aparatin e Komitetit te Partise te Tiranes e qe te kish sjelle Lenka apo Pali. Turp te kesh o njewri i llig, o palaco qe nuk te skuqet faqja sepse me dukesh si soj arixhiu.

    Reply to this comment
  2. fteri February 20, 17:51

    Sikur shoh zorrët përjashta ,
    më përshkojn drithërimat
    kur shohë burrin më të madhë ,
    e këti kombi ,të tërhiqet zvarrë !…

    Shohë mbi fashisto-gjermanët Enverin ,
    që godet si rrufe ,Pushtuesin !…
    Partizanët ,të gjithë së bashku,
    grusht bashkuar godasin
    i pari si i fundit barotin me dhëmbë e hanë.
    të çlirojnë atdheun këto dëshmor.

    Plagët janë therse,si atë ditë të zezë,
    tradhëtia kafshon me dhëmbë,
    dhimbja e madhe për komandantin ton.
    e shof si Smailin përmbi Vlorë.

    Po Luanët dinë pse vdesin ,
    kriminelët ballistë ,zogistë ,
    me lule nuk të presin ,
    Si heroin Gjokë Doçin mbi gjerman.

    Në se prap -Atdheu ,do të jap kushtrime,
    patëriotët trima ,sërishë në luftime !
    Historia jonë spërkatur me gjak lavdie,
    Nderon Enver Hoxhën legjendar i gjallë,
    do të ngremë flamurin për luftën që s’mbaruam.

    Ky është një betim që populli
    do të mbajë .gjallë për Enverin ,
    pa krahë kurr nuk do jesi ,
    vepra e tij kryelartë ka me value,
    brez pas brezi ka me u kujtue..

    Reply to this comment
  3. marta_neshi February 20, 19:23

    Pab esi, tradheti, mosmirenjohje! Ju tre fjale e keni emrin Naun kuli! te kesh turp per çfare shkruan! Te moren nga baltrat e myzeqese, edhe pse ishte pa karakter te ben drejtor shkolle, instruktr partie ne Fier e ne Tirane… Po ti ke qene e mbetesh provokator dhe je shume i shellirte! Ata qe jane mosmirenjohes ndajmiqeve te te tyre, ndaj, pri nderve te tyre dhe ndaj kauzes per te cilen qene betuar, jane me te keqinje se dhembi i neperkes! Shpefilleni kete vagabond fjalet e te cilit dalin ngalevizjet e e pakontrolluara te perroit te semure psiqik! Sharlatan dhe exibicionist i pandreqa-shem!

    Reply to this comment
  4. Dhimbia e madhe Popull February 21, 15:07

    DIELLI nuk mbulohet me SHOSHË. Historia dhe për atë udheheqës;Enver Hoxha-vëndin do ia tregojë! …..

    Lexoj dhe them si jetoj.Si jetoj se atë ditë,në zyrën e shefit arsimit rrethit, tërë paraditen e nuk mora vesh gjë. si jo përditë,shkova në shtëpi,atje mbi fushen *Ali Demi*.( ime shoqe në punë edukatore,mes Pazarit Ri). Reth shtëpive pallate parafabrikate lëvizie jo të zakoshme. U drekosa po kafshatat nuk kapërdiheshin ,parandjenjë e keqe.Hap Tv.e cuditem sa dëgjoj e shikoj..S,më besohej,dret qëndrës nisem. Nje shok i përditshëm me mua,më pa e nuk më shoqëroj,s,me tha gjë. Ai kishte parë gjithcka ndodhur.si mësova më von….Dal te Monumenti Partizani e s,u besoja syve ,Sheshi qëndror i shkretë.Nuk shoh atë monumentin gjigant të Udheheqësit të Madh,që na mbushte me frymëzim cdo ditë..E pa besushme.Njerëzit e sheshit me atë MONUMENT, si të ishte i gjallë udheheqësi. Gjurmë lënë,tekterhiqej zvarrë nga njjë makinë, qoftëlargu për mua. Pas saj nuk mbaj mënd asgjë. Humba vetedijen, Tek im vëlla,shtëpinë pranë Rajonit Policisë e ATSH-së atëherëshme, MeTë,ish Partizanin e orëve të para,një jetë drejzues i kantjereve të ndertimit,(ani se i përjashtuar nga Partia, që më 1952), rinte kokë ulur,si pra një arkivoli. Nuk komunikuam fare,vec Ai me tha;
    -Ç,na bëtë o Komuniste!..Unë ani se vallai,përjashtuar nga Partia,(me tre AP.(2 vëllezër e motra),njerëz të punës.Dola nga shtëpia,e si përditë në zyrën e Shefit arsimit,unë si mësues në dispozicion.Asgjë spipëtinte, jo vetm rreth saj. Kthehem në shtëpi,si pas një ceremonie varrimi. Von,mes asaj qetësi si kurrë Tirana, më erdhi komshiu,një babaxhan burrë,familie Dëshmori*, si për qokë….
    Mbeti kjo,dita më e rëndë e jetës sime,une që atë natën e prag vitit Ri 1952,kisha marrë,peshqeshet e para të prodhimeve të Kombinateve Tona:3 m.stof Kombinati,e 1 kg sheqer te Fabrikës Maliqit..Me puthien e Komandantit në ballë,si nxenes i dalluar i shkollës *10 Korriku *Tiranë me në krah shoqen Haxhire Eshia, dhe dy shokë, kuadro një jetë dale,si Haxhiria një jëtë Doktoreshë,(jetegjatë si unë),mes Tiranës sot .Unë tej oqeanit,pesionist,një jëtë mes nxënësve e kolegëve.me Emigrantë atdhetarë të vërtetë,mes tyre,si unë mbi 80 *Pasues Veteranë.*mes tyre,komentojmë këtë shkrim e jemi me komentuesi*fteri*. ..
    Enver Hoxha, i TRETI i VËRTETI*Udheheqes i shqipërisë MËME, pas të Madhit Gjerg Kastriot Skënderbe dhe- Plaku i rallë atdhetar Ismail Qemali. Përjetësi ATYRE! Nderim Enver Hoxhës si i takon.
    Dhimbia e madhe Popull.

    Reply to this comment
    • KOZi... February 22, 14:05

      Vertete e ka apo po ben tallje me neve ,dhimbja……..Ca Enveri ore ? Po enverin e kishin braktisur bashkeluftetaret e tij qe i kishte pushkatuar,burgosur e internuar familjarisht ! E ti ti ,dhimja….qe ne total te denimeve nga 1945 gjer 1990 shumica numerike i takon ish komunisteve te denuar nga shoket e tyre te idealit ? Kush i vrau ? Epo Enver Hoxha meriton dekorate se vrau komuniste me shume se cdo antikomunist !!! Pataj pleniumet e Partise se tij ne 1990 e hudhen poshte cdo vije politike e ideollogjike te Enverit. Me 20 shkurt u terhoq zvarre monumenti ! Cfare ndodhi ne Kongres te 10 te PPSH. U diskutua gje !?Jo ! vetem u hodh poshte edhe vija organizative e tij dhe u ndryshua emri ne PS dhe filloj kongresi i pare ! Cili e mbrojti ne Kongres e doli jashte ne menyre demostrative ? Asnje ! Dhe sot nuk ka me as gazete Zeri i Popullit , cfare kerkoni atehere ! Qetesoniu ! Lexoni librin ” Refleksione ” te EDi Rames e Ardian Klosit dhe aty kini vleresimet per periudhen 1941- 1990 ,,,tung

      Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Njoftim

Njoftim

Njoftim