“E mo, një shishe është”, thonë 2.5 milionë shqiptarë

May 5, 2016 18:06

“E mo, një shishe është”, thonë 2.5 milionë shqiptarë

 

Gojët e liga pohojnë se të lodhur së mbajturi në dorë shishen e zbrazët plastike të ujit, dhe duke mos arritur të gjejnë një kosh mbeturinash aty pari, rreth 2.5 milionë shqiptarë pyetën veten ditët e fundit se ç’e keqe do të ndodhte nëse do të hidhnin tej një shishezë të vogël.

“Nuk ka gjë, po hë”, tha lushnjarja Varilinda Hejbja, duke përcjellë mendime të njëjta me ato të durrsakes Drita Qiriri dhe vlonjatit Muço Meço të cilët ndërkaq i kishin flakur shishet e tyre aty ku i kishte zënë rruga, “unë jam e kujdesshme me mjedisin, po kam gjysmë ore që e mbaj shishen në dorë”.

“E mo mirë, punë e madhe”, deklaroi gati treçereku i kombit, duke shtuar, “s’bën robi kështu”.

Sipas monologut të brendshëm të qindra mijë qytetarëve, megjithëse në fakt nuk është mirë, hedhja në rrugë e një shisheje plastike nuk është mëkati i madh i jetës dhe mund të falet si gjest. Tek e fundit, kushdo që bën sikur i digjet zemra për mjedisin, le ta marrë vesh se ata e kishin për minuta të tëra shishen në dorë, duke kërkuar më kot një kosh mbeturinash. Ka bashki këtu, ka shtet apo nuk ka? Le pastaj që disa prej 2.5 milionëve kanë marrë pjesë në aksionin vullnetar të mbledhjes së mbeturinave të plazhit vitin e kaluar.

Ndërkaq, me mijëra shkodranë e gjirokastritë e lehtësuan veten qetësisht se ata në shumicën e rasteve janë shumë të kujdesshëm me mbeturinat, por si t’ja bëjmë, askush nuk është perfekt. “Nuk është se unë jam pisanjose”, tha arkitektja Trëndafile Gjethja nga Fieri, statistikisht 1.452.348-ta që hodhi në mes të rrugës shishen e ujit, qeskën e vogël me lëkura portokalli apo kanoçen e aluminit të mërkurën e kaluar, “madje në shtëpi kam instaluar filtër tek çezma dhe nuk blej pothuajse kurrë shishe uji të ambalazhuar. Por ta hajë dreqi, një shishe është, mos bëni kështu!”

“E çfarë pastaj? Çfarë dëmi bëri kanoçja ime e birrës?”, tha po atë ditë Lym Caraci nga Tirana, një prej miliona shqiptarëve që kontribuan deri të martën në hedhjen e 125 tonëve mbeturina të pariciklueshme brenda 3 orëve.

“Ehu, s’kam kohë të pres sa të mbushet koshi i rrobave të palara”, i thanë vetes 143.789 gra shqiptare atë ditë, teksa vunë tre-katër rroba në lavatriçe dhe e ndezën, “nuk është fundi i botës”.

May 5, 2016 18:06
Komento

3 Komente

  1. AC /DC May 5, 21:16

    Në fundin e viteve 90 në Gjermani kur u shtuan shum të huajt po ashtu u shtuan edhe plehërat që krionin, atëher shteti krijoi një ligj që kanoçet dhe shishet të blihen mos të jepen më falas., 25 cent kanoçja

    Reply to this comment
  2. Lloji May 6, 12:22

    Prisja me shume komente per kete ‘humor’ te holle dhe tejet i domozdoshem per ndergjegjesimin e humaneve Shqipetare por….-ho me se vec nji shkrim osht-

    Reply to this comment
  3. Lol May 6, 17:47

    Hjedhni plehra o plehra dhe mytuni ne plehra

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*