E PABESUESHME / Përgjimet e Trumpit zbulojnë se gjithçka ka ndodhur deri tani ishte skemë gjeniale

July 26, 2018 20:45

E PABESUESHME / Përgjimet e Trumpit zbulojnë se gjithçka ka ndodhur deri tani ishte skemë gjeniale

Të gjithë prisnin të ndodhte hataja pas ekspozimit të përgjimeve të fshehta që avokati i tij Michael Cohen i kishte bërë dikur kandidatit dhe tashmë presidentit amerikan Donald Trump.

Por siç është bërë publike, pjesa më e sikletshme e bisedave të Trumpit ishte oferta që u bënte ai të dashurave për të mbyllur gojët në këmbim të parave.

Ky segment disi jo në përputhje me moralin e shëndoshë që ekspozon natyrën e lirshme dhe boheme të presidentit, është anashkaluar menjëherë nga mediat amerikane, pasi përgjimet dëshmuan planet e Donald Trumpit për të pajtuar të gjitha racat njerëzore, për t’u dhënë fund luftrave, për të ndihmuar të varfrit duke harxhuar dhe centin e fundit të pasurisë personale, apo për të ngushtuar në maksimum hendekun gjinor në SHBA dhe në botë.

Në përgjime dëgjohet Trump duke thënë: “Pjesën e parë të mandatit do sillem si hajvan, do prishem me gjithë aleatët, do bëj lesheli NATO-n dhe do afrohem me Putinin. Do t’i shastis të gjithë. Pastaj baam, do shpalos planet e mia bamirëse”.

Trump dëgjohet tek thotë se frymëzimin për projektin e tij sekret e ka marrë nga spektaklet e misseve që organizonte.

“Të gjitha bukuroshet që kanë kaluar nga duart e mia, kërkonin paqe në botë, pa përjashtim. Kjo më ka bërë shumë përshtypje,” thotë Trump në një pjesë.

“Në fillim fjalët e mia do komentohen dhe do nxirren jashtë kontekstit, sidomos kur të vendos tarifat e egra tregtare,” thotë Presidenti amerikan, “po kur të deklaroj planin tim për demokraci kudo në botë, ndihmë shtresave në nevojë dhe shkurtim të shpenzimeve ushtarake, gjithë globi do zgjohet dhe do kuptojë kush jam unë”.

“E bukura do jetë sikur të fus Malin e Zi dhe Shqipërinë në ndonjë skemë luftrash, sa për t’i shkundur pak ato vende”, thotë ai diku tjetër.

Gjithsesi, duhet thënë se deri tani mediat dhe faktorët politikë në vend kanë dyshime të forta se këto pjesë surprizuese të përgjimeve të publikuara janë sajesa dhe u shtuan më pas nga ekipi i Trumpit.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike që përgjon përgjimet e përgjuara dhe komenton komentet mbi to

July 26, 2018 20:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*