E PADËGJUAR / Prindërit në alarm, 13-vjeçares i bëhet celulari njësh me dorën

August 10, 2018 16:10

E PADËGJUAR / Prindërit në alarm, 13-vjeçares i bëhet celulari njësh me dorën

 

TIRANË – Ajo është 13 vjeçare dhe prindërit e saj nuk e kishin menduar kurrë se do të vinte kjo ditë e zezë. Adoleshentja Xhensilinduela Parvazi prej gjashtë muajsh nuk i përgjigjet më asnjë ngacmimi të jashtëm. Sistemi i saj neurovegjetativ vetëm dërgon sms në celular dhe ndërvepron në mënyrë automatike në Facebook.

Por siç raportojnë Gojët e Liga, gjëma e familjes Parvazi nuk mbaron këtu:

Vajzës i është ngjitur në mënyrë organike celulari në dorë, duke bërë që qelizat biologjike të dorës të unifikohen mistershëm me plastikën dhe copëzat metalike të telefonit.

“Kërkojmë ndihmë për vajzën tonë”, loton para gazetarëve Fjorinduela Parvazi, nëna e vajzës fatkeqe, “shteti, qeveria, mjekët, biznesmenët, dikush të bëjë diçka se po na ikën nga duart!”

Ajo shpjegon se simptomat e para nisën rreth gjashtë muaj më herët, kur ajo dhe i shoqi Çarçaf Parvazi vendosën t’i blejnë bijës së tyre një celular android të sekondës së fundit, si shpërblim për notat e mira.

Dita-ditës, Xhensi (emrin e gjatë nuk e shkruajmë më, harrojeni) u shndërrua totalisht: Nga një fëmijë i gjallë, aktiv, që luante me shoqet, këndonte, lëvizte, recitonte vjersha të gjata përmendësh, prindërit po shikonin një qenie të mekur, të palëvizshme, e cila e shtrirë në divan me sytë e ngulur tek ekrani i celularit, nuk kryente asnjë reagim me përjashtim të lëvizjes robotike të gishtave.

Herë pas here prindërit marrin shpresë, me iluzionin e një ndryshimit të gjendjes:

Ndodh që vajza çohet në mënyrë zomboidale nga divani, merr karikuesin dhe shtrihet sërish. Por edhe kjo ndodh gjithnjë e më rrallë. Celulari karikohet nga trupi njerëzor tashmë.

Historia e trishtuar e Xhensit ka mbërritur në pikën ku mjekët kërkojnë vendimin final të prindërve. “Ata duhet të vendosin për eutanazinë”, deklaron dr. Mustak Çelo, “vajza nuk ka shpresë, duhet ta kishin sjellë më parë. Tani as dyqani i riparimit të celularëve nuk ka ç’të bëjë”.

Pas vizitës së fundit Dr.Çelo sugjeroi që familja Parvazi të mendojë edhe për dhurimin e organeve:

“Psh, ekranin e celularit ta marrë ndonjë familje në nevojë. Do të ishte një mënyrë humane që shpirti i saj të gjejë paqe”, u tha mjeku prindërve.

Duke e dëgjuar këtë fjali nga ana tjetër e kuzhinës, Xhensi Parvazi reagoi mekanikisht, pa lëvizur sytë nga androidi: “Shpirti i satëme, hajvan!”, dhe ra sërish në transin e Facebookut.

Shënim: Gojët e Liga janë rubrikë satirike shumë kritike ndaj ekspozimit të tepruar androidal për çdo fëmijë e të rritur

August 10, 2018 16:10
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*