E PAPRITUR / Lojrat Dimërore të Koresë anullohen për shkak të të ftohtit

February 9, 2018 15:22

E PAPRITUR / Lojrat Dimërore të Koresë anullohen për shkak të të ftohtit

Në një deklaratë të papritur për shtyp, përfaqësuesit e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar njoftuan dje për mediat se Olimpiada Dimërore 2018 që sapo nisi në Pjongçang të Koresë së Jugut do të anullohet.

“Po bën një i ftohtë i tmerrshëm,” deklaroi duke u dridhur presidenti i KON, Thomas Bach, “temperaturat kanë shkuar nën zero dhe shumë sipërfaqe ku ishte parashikuar të zhvilloheshin gara të ndryshme dimërore, janë mbuluar nga bora dhe akulli”. shtoi ai.

Zoti Bach sqaroi se do të ishte mungesë përgjegjësie nga ana e Komitetit, që të ekspozonte atletët më të mirë të botës ndaj rreziqeve të rrëshqitjes dhe rënies në terrene të ftohta, e madje të ngrira, duke thyer ndonjë gjymtyrë apo edhe zverkun.

Pamje nga i ftohti i padurueshem i Pjongcangut

Pamje nga i ftohti i padurueshem i Pjongcangut

“Sidomos në gara të tilla ekstreme si slalomi gjigand apo patinazhi artistik, shanset e dëmtimit janë shumë të mëdha,” tha zyrtari i lartë. “Meri, më bëj një çaj, shpejt,” iu drejtua ai sekretares.

Sipas tij, edhe pse fillimisht u konsiderua marrja e masave mbrojtëse, si veshja e atletëve me dorashka, syze, uniforma të posaçme, kokore, rezultoi se uniformat e rënda dhe të sikletshme do ndikonin në rezultatet sportive.

“Nuk mund të lejonim që për hir të spektaklit, të vihej në rrezik shëndeti dhe mirëqenia e sportistëve,” theksoi Bach.

“Me këtë kallkan që bën përjashta, është e kotë të zhvillosh Lojra Dimërore”, përfundoi Bach.

Në fund, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar njoftoi opinionin publik se Lojrat e Ardhshme Dimërore do të mbahen në Qershor 2022.

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike, dmth me gjasme. Qartë? Që të mos thoni pastaj, ç’janë këto budallallëqe, Lojrat Dimërore vazhdojnë, pse merreni me fake news… Qartë?

February 9, 2018 15:22
Komento

1 Koment

  1. MH February 9, 19:39

    Ne te ardhme lojrat Dimerore te quhen:Lojrat Prandeverore me bore dhe akull te pa shkrire.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*