E PAPRITUR / Meteorologu pesimist: Vala e të ftohtit s’ka ç’na bën, ky vend ka mërdhitur

February 26, 2018 11:31

E PAPRITUR / Meteorologu pesimist: Vala e të ftohtit s’ka ç’na bën, ky vend ka mërdhitur

 

Duke njoftuar mbërritjen në Ballkan të frontit siberian të quajtur “Burian”, meteorologu i njohur Mene Frego çuditërisht nuk u sugjeroi dje teleshikuesve shqiptar asnjë kundërmasë.

Eksperti, që edhe herë të tjera ka shfaqur nuanca menefregizmi, pesimizmi dhe nihilizmi në njoftimet e tij meteorologjike, pohoi se vala e të ftohtit do të sjellë ulje të menjëhershme temperaturash deri në -4 gradë në vendet e ulëta dhe -9 në ato malore.

“Do thoni ju, ç’duhet bërë?”, tha z.Frego dhe u përgjigj po vetë, “i ftohti atë punë ka, vete, vjen, ikën prapë”.

Në vijim ai saktësoi se një shall më shumë a më pak, nuk bën asnjë diferencë.

“Ja i vutë dhe dorashkat, e çfarë fituat?”, arsyetoi Mene Frego me indiferencë.

Eksperti pohoi se shumica e vendeve të Europës po preket nga fronti i acartë, po në Shqipëri efektet e tij do jenë më të vogla.

“Disa kolegë të mi thonë se vendi ynë do ndikohet më pak nga Buriani, sepse fuqia e tij do shfryhet rrugës nëpër Ukrainë, Rumani, Serbi etj. Unë këtë nuk e besoj,” tha Frego duke shtuar gjithë përtesë:

“E vërteta është se ky vend ka mërdhitur me kohë, si me të ftohtë, si pa të ftohtë. Vend koti, popull koti”.

Mene Frego ka bërë edhe herë të tjera komente moskokëçarëse meteorologjike.

Korrikun e kaluar, kur njoftoi mbërritjen e një vale afrikane të nxehti, ai deklaroi:

“Këtë javë parashikohen temperatura deri 40 gradë, por do kalojë. Pleqtë dhe nënat me fëmijë të vegjël të marrin të njëjtat masa që morën vjet në këtë kohë. Hë de, se s’u bë qameti. E di çfarë? Bëni ça të doni”.  

  Shënim: Gojët e Liga është një rubrikë satirike që ju këshillon të visheni trashë. Ose lehtë. Ose gollomesh. Si të doni.

 

February 26, 2018 11:31
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*