E para, reforma zgjedhore!

Artan Xh. Duka April 3, 2016 21:39

E para, reforma zgjedhore!

Mazhoranca bën mirë t’i japë fund retorikës së reformës në drejtësi. Ta hedhë për votë në parlament. Publiku të shohë kush patakset nga drejtësia në këtë vend. Ta kemi me letra, se me vepra tjetër hesap. Në mos kaloftë, ashtu qoftë. Zgjedhje të reja me mend në kokë.

Boll e pritën PD. Nuk ka vullnet. Normal, preket prej saj. Xhanëm, gjithë politika preket prej saj. 25 vjet zullumet nuk i ka bërë qytetari i thjeshtë. Ndaj edhe nëse kalon, kjo reformë është si t’ua besosh të dënuarve rishikimin e kodit penal!

Ndaj që reforma në drejtësi të jetë reale, premisë jetike janë reforma e pronës dhe votës. Të dyja në amulli të plotë! Ndërsa reforma mbi pronën fut ekonominë dhe sipërmarrjen në “marsh automatik” duke mos qënë më peng i politikës klienteliste, ajo e votës çliron votuesin nga presioni politik dhe garanton deputet me integritet që votojnë reformat e nevojshme pa ngurrim.

Vota është tabani i gjithë ngrehinës demokratike por sot me “listat” qytetari imponohet të riciklojë pambarimisht oligopolin PS-DP (me kontorno LSI). Ky sistem është spekulativ dhe abuzues sepse cënon sovranitetin e votuesit duke e kanalizuar votën në interesin e oligarkive partiake, pjell arrogancë dhe deformon vlerat demokratike, drejtësinë përfshirë.

Ligj të ri zgjedhor!

Ligji zgjedhor duhet rishikuar në thelb dhe jo me amendime të atij aktual. Votuesi ka të drejtën e lirisë reale të zgjedhjes dhe ushtrimit real të përgjegjësisë me votën që jep. Kjo mundësohet përmes një sistemi zgjedhor (a) mazhoritar, (b) të kombinuar mazhoritar me proporcional, apo (c) STV irlandez.

Me mazhoritarin, votuesi zgjedh dhe ka eskluzivitetin të rizgjedhë apo refuzojë katër vite më pas. Alibia për abuzim nga individët e “fortë” është hiç gjë para atij të sotëm që krijon lista të “forta”. Mazhoritari promovon meritën dhe jo kulisat partiake si deri më sot. Nëse viktimë e votës taktike bien figura me integritet të një partie, ai mund të korrektohet me proporcional kombëtar me lista të hapura (jo të mbyllura si sot).

Për të inkurajuar meritën dhe minimizuar dëmin e votës taktike, sistemi STV irlandez mbetet një tjetër alternativë. Votuesi voton për çdo kandidat të pëlqyer sipas një prioriteti (heq merakun) dhe më pas, përmes një serie transferimesh, del lista përfundimtare e fituesve.

Vota e lirë nënkupton parlament të lirë. Reformën në drejtësi për të hetuar korrupsionin në politikë nuk mund ta bëjë një “elitë” e kapur që futet në parlament nga dera e “pasme” përmes listave klienteliste partiake. Deputetët e kulisave janë numërorë dhe votuesi është jashtë loje për të vlerësuar me votë punën e tyre në parlament.

Ne na duhet një sistem zgjedhor që nxit përgjegjshmëri politike tek ai që voton dhe votohet. Me deputetë që “falen” tek elektorati dhe jo zyra e liderit. Ku një i pavarur ka gjasa të triumfojë ndaj makinerisë partiake nëse ka argumentin në dorë. Një parlament ku nuk ka rëndësi kuota gjinore por merita dhe integriteti dhe refuzimi për t’u futur si dele në rrjesht.

Kuotat për gra, përtej butaforisë së servileve me “buzëkuq”, diskriminon realisht zonjat duke i shpallur ato inferiore dhe shmangur nga gara e meritës në elektorat sikurse hap debat për të tjera “kuota” absurde nga gay, të moshuar, të rinj, fermerë, punëtorë , intelektualë etj!

Deputeti që votohet nga votuesi nuk ka galje nga interesi i ditës e klientelist i liderit dhe voton me zemër dhe mëndje të hapur edhe një reformë reale në drejtësi. Një parlament real lançon pushtete reale – ekzekutiv, gjyqësor, presidencial etj. Sa kohë deputeti operohet me “telekomandë” nga selia e partisë, reforma në drejtësi mbetet iluzion.

Por ndërsa në perëndim, presioni për reforma vjen edhe nga poshtë, tek ne ato mbeten në mëshirën e elitës së përfolur që afërmëndsh nuk bën “hara-kiri”. Pa votën dhe pronën në “brazdë”, rrezikojmë “legjendën e Rozafës” pambarim. Karta e vetme mbetet SHBA!

Artan Xh. Duka April 3, 2016 21:39
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*