E qara e foshnjeve në Kakavijë

March 10, 2019 10:19

E qara e foshnjeve në Kakavijë

Përshëndetje gazeta DITA

Më 16 shtator i kushtuat faqen e parë problemit që parashtroja. Asgjë nuk ka ndryshuar.

Nuk e kanë parë, as dëgjuar, as ndjerë në shpirt!

As kryeministri, as ministrja e shëndetësisë…

As zonjat e shoqatave që çdo ditë, faqeve të gazetave e portaleve, veshur firmato, flasin deri në pasthirmë për fëmijët e njerëzit në nevojë…

Nuk kanë si ta shohin barqeve të avionëve ku rehatshëm udhëtojnë  me paratë e taksapaguesve shqiptarë…

……………..

E kam parë tash njëzet e tre vjet.

Si qytetar dhe si gazetar.

Veçanërisht e kam ndjerë tash kur një rregull i ri i detyron autobusët bosh të skanohen…

E pasagjerët dhimbshëm të presin përpara bagazheve hedhur rrëmujshëm përtokë…

E fëmijët të qajnë sa ta këpusin shpirtin në krahë nënash…

………………

Më dhëmbi fort në shtator të vitit të kaluar e qara e fëmijëve, mundimi deri në këputje kurrizi i pleqve…

Bëra edhe një shkrim që zuri faqen e parë të gazetës DITA e disa gazetave të tjera…

Një shkrim me tituj: “Skanimi i autobusëve si dhunë ndaj udhëtarëve në dogana”, “Gazetari që udhëton prej 22 vitesh nga Greqia: Me autobus në Kakavijë? Të shtrydhin!”…

Shkrimi u botua më 16 shtator 2018…

Përveç komenteve dashamirëse shoqëruar me përvojë të drejtpërdrejtë jetësore udhëtimesh, asnjë reagim publik zyrtar…

As i shtetit me të gjithë strukturat e veta..,

As i shoqatave për mbrojtjen e fëmijëve…

Pa le i atyre që mpaken kur flasin për pleqtë e pleqërinë, për invalidët e paraplegjikët që mezi ecin mbajtur mbi shkop apo rrëshqanë karrocave me rrota…

Ia përcolla edhe Kryeministrit në portalin “Shqipëria që duam”…

Mora një përgjigje standarde me premtime ala “kalandrat greke”…

…………………

Udhëtova drejt Athinës të dielën me autobusin e orës 17.00 të “Top Lines”.

Mesnatë…

Ftohtë…

Erë brisk…në një pikë gjeografike ku e hedh vallen devollitshe.

Shyqyr që nuk binte shi.

Se po të binte shi apo borë (siç ka ra një javë me radhë) nuk e di se si do ta përjetonin ata  për të cilët mora penën të shkruaj.

Fëmijët, ata në pelena e ata në krah të mërdhirë nënash…

Veten, me të 78 vjetët mbi shpatulla, e lash në qosh…

E qara e fëmijëve ma shkurton jetën…

E qeshura e fëmijëve ma shton jetën…

Asgjë nuk ka ndryshuar nga shtatori ’18 …

Po ai mjedis…

I hapur nga të katër anët…

Pa një strehë llamarine për tu mbrojtur…

Pa një dhomë të ngrohtë për fëmijët…

Pa tualet…

Pa…

……………………

Nxjerrim nga sirtarët e autobusit bagazhet, valixhet, çantat…

Të gjitha, të gjitha…edhe shishet  e ujit…

I shkarkojmë rrëmujshëm përtokë…

I zvarrisim duke na u dridhur duarte trupi nga të ftohtit…

Fëmijët, strukur në gjirin e nënave qajnë…

Qajnë me lot, qajnë sa dhembja të shkon në palcë…

…………………

Autobusi bën një rreth rrotullim për diku, drejt një hangari ku thonë se skanohet?

Për çfarë?

Për drogën mes xhepave të fshehtë?

Mbase…

Po makinat tjera, të mëdha dhjetëra tonëshe etë voglat pesë vendshe, pse kalojnë pa skanim???!!!

……………….

Doganierët kontrollojnë valixhet, çantat…

Një doganier që më njihte nga shkrimi im më thotë:

“Asgjë nuk është bërë. Siç e le ashtu e gjete”.

I dhimbte doganierit pamja e fëmijëve që qanin, pamja e pleqve mbi “këmbën e tretë” të jetës, shkopin…

Njerëz janë edhe ata. Ani se na bezdis pyetja e tyre me kulturë “A ke gjë të ndaluar?” dhe duart nëpër valixhe e çanta…

………………………………

Kontrolli i bagazheve mbaroi…

Presim të vijë autobusi…

Në qiell të hapur, pa asnjë mbrojtje…

Fëmijët qajnë…

Pleqtë janë mbështjellë thes…

Nuk e di se si ta përshkruaj pamjen. Edhe Migjenit, poeti i mjerimit, nuk  di a do gjente fjalë…

Mbase do ngrinte grushtin për ti rënë “Malit që s’bëzan”

…………………………..

Autobusi vjen…

Me nxitim, të ndihmuar nga ndonjë i ri, përplas valixhet në xhepin e madh.

Fëmijët ende qajnë…

Pleqtë, me ta edhe unë, kapur pas hekurash, ngjisim me mundim shkallët…

………………

Kalojmë kufirin, hyjmë në shtetin drejt të cilit udhëtojmë, Greqi…

Nuk ka ndonjë komoditet  evropian në pritje e përcjellje por, krahasuar me atë që lamë, është lule.

Një mjedis tërësisht i mbuluar në të gjithë hapësirën (diçka e thjeshtë që me pak shpenzime duhet të ishte bërë në anën shqiptare).

Korridore të ngrohtë me ndonjë stol në pritje të rutinës së zakonshme të kalimit policor e doganor.

Një klub ku në pritje merr një kafe apo çaj.

Dhe disa tualete…

Ujë të pijshëm, të rrjedhshëm…

Shqiptarët edhe me kaq janë të kënaqur…

……..

Udhëtoj të tatëpjetës drejt Janinës me mendimin prapa.

Nuk mund ta tërheq…

Është i rëndë…

Është lidhë e nuk zgjidhet nga pamja e ngrirë që e shohim: unë, ti, ai, ajo, ne, ju ata, ato…pasagjerë të përditshëm drejt Athinës…

Nuk e di pse asaj firmës që na hedh si leckë mes baltës, shiut, borës, erës, të ftohtit, të nxehtit, pikës së diellit nuk i kërkohet që nga qindra milionët që merr nga skanimi disa dhjetëra mijë ti shpenzojë për tu krijuar pasagjerëve kushte njerëzore, një dhomë me kondicioner ku fëmijëve tu ndërrohen pelenat, një banjë për burra e gra, një klub ku të pinë një çaj, kafe, një çati ku mos i zërë as era, as shiu, e as piku i diellit…

Nuk e di…

A mund të më jepni një përgjigje z. Kryeministër, ministër, titullar zyrtar që paguhesh nga taksa që merr rrugë tek fëmija që qan e mbaron tek pensionisti?

Po ju drejtues të OJQ-ve e kampionëve që flisni e bërtisni deri në kupë të qiellit për të drejtat e fëmijëve e të njeriut a mund të më jepni një përgjigje?

Po ju drejtues të televizioneve satelitore e tokësore a e keni vështirë që të dërgoni ekipe, ta denonconi me zë e figurë këtë të qarë me lot të fëmijëve në Kakavijë? Dhe jo vetëm atje, edhe në Kapshticë, edhe në…?

 

Me respekt

Abdurahim Ashiku

Athinë mars 2019

 

March 10, 2019 10:19
Komento

8 Komente

  1. Shqiperi me halle March 11, 07:57

    Ta shikojm do i vej ne vesh atij qe e ka per detyre te kujdeset per njerezit…dhe ne qoftese po, a do bej dicka per popullin e thjeshte… Rendesi ka qe te flasim per problemet ku jan dhe ti bejm publike e pastaj te presim rezultatet.. Hesapet behen ne fund.. Respekte per artikullin tuaj qe flisni per hallet e popullit se tani flitet vetem per mandatet,popullit vari lesht

    Reply to this comment
  2. Vasili March 11, 09:57

    abdurahim,se pari duhet te fajesosh vehten,ku mbas nje ankese qe ke bere,mbas kesaj ke qene i fjetur per rreth 6 muaj,per tu rizgjuar,kur e ke perjetuar perseri trajtimin jo njerzor.
    Do ish e udhes,qe dikur mbas komunikimit me aparatciket me mjetet elektronike,duhet te ishit munduar ti takonit drejtperdrejt.
    Por mendoj,qe problemi do te zgjidhej dhe do te zgjidhet,po tja percillni Fiksit te Filipit.
    E po kjo do pak me teper perkushtim dhe mundim,se sa mesazhi juaj i dikurshem drejtuar aparatcikeve te Rames.
    Forca abdurahim,qe te prekim vepren njesoj si fjalet!

    Reply to this comment
    • Abdurahim Ashiku March 15, 08:43

      Drejtë e ke Vasil. Kësaj radhe ia kam dërguar sa sipër jo vetëm portalit “Shqipëriaqëduam” por edhe gjithë televizioneve me thirrjen që të çojnë ekipet e tyre televizive ta fiksojnë gjendjen. Ua kam dërguar edhe Fiksit të Filipit dhe Stopit të Saimirit. Nuk kam marrë asnjë përgjigje dhe po nuk u ngrite ti dhe gjithë të tjerët ashtu do të mbetet gjendja. Përkushtimi nuk është dhe nuk mund të jetë i një njeriu por i të gjithë shoqërisë. Gjithësesi faleminderit për vrejtjen. Mbase pas 6 muajsh kur planifikoj të udhëtoj përsëri me autobus gjendja do të ketë ndryshuar dhe do të shkruaj edhe për kontributin tuaj dhe të gjithë atyre që kanë shkruajtur në mbështetje të udhëtarëve.

      Reply to this comment
      • Vasili March 15, 11:44

        Ju faleminderit per komunikimin!
        Se pari dua te them,qe ju keni lene Atdheun,qe tingellon kaq i ndjere dhe i pranishem ne vargjet e Naimit dhe Cajupit,thjesht per anen praktike,se atje sigurohet me mire egzistenca e familjes suaj,por zemra dhe shpirti eshte ketej..
        Prandaj nga ana praktike,,ketej nuk del koha dhe mundesia per te rendur mbas halleve te panumerta,qe i dalin miletit,qe origjinen e kane pasur nga cobenj te eger dhe injorant qe kane pasur mbi koke,ku dhe ku cobani i ri ndonse nuk krahasohet me ta,ka moton qe se pari vepra ti sherbeje lavdise se tij personale.
        Pra kjo gje logjikisht dhe praktikisht mund te zgjidhet,kur vet i zoti (emigranti) ta ngreje nga balta.
        Por emigranti,ku shumica jane fshatare,pra kane nje formim prej skllavi,nuk ja ka ngene nga te gjitha anet,ketij mundimi te castit,ku ai ka perjetuar bashke me qytetarin shume me keq trajtime si kjo duke qendruar me koke ulur.
        Kam udhetuar dhe une me autobuzat e linjes,per Greqi
        Udhetim i gjate dhe autobuzat linin per te desheruar per kete lloj udhetimi.Aty dhe kondicioni,nuk funksiononte ne mes te vapes.
        Askush nuk ankohesh!
        Dhe me tej cuditerisht,komunikimi me shoferin grek ish me njerzor se me ate te races tende,mbase ky i fundit,cfrytezonte ate,qe me ate qe kishim hequr te bunkerizuar,ishte luks te ankoheshim per kete tani.
        E pra duket se ajo eshte pjesa e jetes se tyre normale.
        Presim dhe shpresojme nga femijt e tyre,te kerkojne deri ne fund nje trajtim me njerzor nga institucionet dhe sherbimet.

        Reply to this comment
  3. pavlin March 12, 09:14

    nuk i heq asnje pike e presje sjrimit tend o gazetar, qytetar, por me vjen keq te them se nuk ka veshe kush te degjoje dhe as sy telexoje, e shikoje. Vendi yn eshte marre penga nga nga dy parti me origjine te njejte, ndaj dhe lut zotin qe te pakten ti je jashte dhe nuk jeton ketu. mjere ne qe ngelem ketu . Kalo taksidhi filarako

    Reply to this comment
  4. Floriri March 12, 16:52

    Per këtë punë lashë Greqinë edhe se isha rregulluar shumë mirë me punë familiarisht. Gjithmon radhë kontrolle ofendime sharie vjedhje jo vetëm në kufi por gjithë rrugës deri në Janinë dhe vazhdon akoma kështu shteti jonë I falementuar dhe pa dinjitet.

    Reply to this comment
  5. Zeri aresyes March 13, 13:54

    Respektin duhet ta vendosim vete ,por fatkeqesisht bashke me familjet e ndershme kane shkuar dhe mollet e kalbura qe na kane njollosur ne qe jemi te ndershem. Qeveria ska cte bej qe te na respektoje greqia. Pak vepra kane bere mollet e kalbura ne greqi. Greku ska kohe te ndaje mesa duket te ndershmit nga te pandershmit. Kete mos ja kerkoni qevereise. Sa per stabilizimin e nje pike me kondita normale te lumte pena o shkrimtar nuk i heq asnje presje.Kudo qe hyet apo dilet nga Shqiperia ato pikat e kalimit jane ne kushte te vajtueshme.Ky eshte nje problem qe qeveria dhe kujt i takon ta marre seriozisht. Se titullaret per vete nuk kalojne menxyrat qe populli i thjeshte kalon. Shpresoj qe ai qe eshte pergjegjes ne qeveri per te rregulluar kete problem madhor te popullit te hapi syte e veshet dhe te marre masa sa me shpejte te jete e mundur. Eshte e turpshme dhe e mjerushme gjendja ne cdo pike hyrje apo dajle. Si nuk e kuptoni eshte imazhi i vendit qe krijoni ne bote ore qeveritare te pa pergjegjshem.Mire qe nuk i ushqeni keta njerez qe ikin me trasta si ne kohene Migjenit qe eshte detyra juaj por ne pikat ku hyjne e dalin trajtojini si njerez me kushte normale.Eshte me e pakta qe mund te beni.Juve qeveritare nuk eshte se nuk hyni e dilni ne bote . A nuk i shifni ju pikat e hyrjes e te daljes si i ka bota . Ju na ulni dinjitetin si komb me cfare egzisiton tani.Si me qene ne kohen Migjeniane jane. Shkunduni aparatcike degjoni popullin. Edi timonin ta dhame na degjo tani dhe na ndihmo .Levizi ata qe duhet te mbarojne kete hall qe ka populli se ska me kuptim.

    Reply to this comment
  6. kris 1 March 14, 09:27

    Ne kemi hallin si te mbyllim me sukses drekerat dhe darkat e punes ashiku kerkon te na terheq vemendjen me histori pleqsh dhe kalamjsh.
    Shiko or dreq ERbythTV dhe do te gjesh ate qe enderron.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*