E RËNDË / Dennaro përplaset i plagosur në shkallët e KZQ-së, thotë se e sulmoi një grup partish…

July 5, 2019 20:19

E RËNDË / Dennaro përplaset i plagosur në shkallët e KZQ-së, thotë se e sulmoi një grup partish…

TIRANË – Dyert kryesore u përplasën me forcë dhe roja më i afërt u bë gati të nxirrte armën, kur pikasi një portet të njohur dhe ndaloi. Por ajo që pa, e alarmoi edhe më shumë.

Nënkryetari i KZQ-së, Dennaro del Bimbo, i zverdhur dhe me supin e gjakosur që e shtrëngonte fort me njërën dorë, hyri në selinë e institucionit, u pengua në ca shkallë, mori frymë me zor, u mbajt pas murit dhe bërtiti:

“Ndiiihmë, sapo më bëri atentat një parti qesharake, ajo që bojkotoi zgjedhjet lokale të 30 qershorit se është kundër demokracisë dhe rendit publik… S’po më vjen në mendje emri, DP ndoshta!”

Duke parë rrotull me bisht të syrit për t’u siguruar se kishte vëmendjen e duhur, Del Bimbo vazhdoi:

“Isha duke parë punën time me ca fletë votimi dhe një tufë procesverbalesh zgjedhore në dorë, kur më zunë pusi! Lajmëroni autoritetet! Nuk punohet në këto kushteeee!”

Teksa edhe policë të tjerë nisën të mbërrijnë, disa punonjës të KZQ-së zunë të dyshojnë se supi, xhaketa e markës “Ermenji” dhe dora e gjakosur, më shumë vinin era salcë sesa gjak gjenuin.

Ndërkohë policët filluan të bënin pyetjet e para dhe Dennaro shfaqi shenja pasaktësie:

“Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe shumë detaje nuk i kam fiksuar. Mbase ishte dhe partia tjetër, SLI. Ajo që mbaj mend ishte se ulërisnin si çakej të tërbuar dhe thoshin:

T’i biem maskarait, t’i biem këtij zyrtari të paepur të shtetit, këtij njeriu korrekt dhe të pakorruptueshëm që nuk i lëviz asnjë gjysmë qindarke në çdo tender që ka bërë, kur drejtonte Komisionin e Prokurimeve nga e hoqën me të padrejtë, e deri tani në KZQ ku boja, letrat, fletët e votimit, vulat, kutitë e votave, etj, janë të një cilësie të shkëlqyer! Kështu çirreshin, për kë të zë be!”  

Në vijim, viktima e shkretë përmendi edhe ente të tjera politike si atentatorë të mundshëm.

Por duke parë skepticizmin e shtuar të të pranishmëve, Del Bimbo devijoi edhe më shumë:

“Tani…. Mbase jam gabuar, mund të më ketë sulmuar edhe rivali im i urryer Klezgur Mentja, që siç e keni parë të gjithë, më ka inat për kapacitetet e mia juridiko-interpretative të ligjeve të shtetit,  koeficientin tim legalo – fantazist që… Këtë s’e them unë, ma ka thënë vetë zoti Edir Ama… Çfarë, s’më besoni? Ptuu, shpirtkazma!!!”

Pasi i kaloi të gjitha fazat e gjendjeve emocionale të mundshme, Dennaro Del Bimbo filloi t’u lutej të pranishmëve që po largoheshin:

“Dale pak, mos ikni! Mund të ketë qenë ajo plaka e ODIHR-it! Jo jo, Ledjon Bjankeria! Një sekondë se e gjeta: Më sulmoi Ennio Bozgdo!… Bujua i KSHL-së? Po Vandel Gjule si ju duket??? Heeej kthehuni…”        

***** 

SHËNIM: Gojët e Liga është një rubrikë satirike pro ekspertëve të shkëlqyer që promovohen pasi kanë shkëlqyer shkëlqyeshëm në detyrat e mëparshme

July 5, 2019 20:19