E RRALLË: Ç’panë ekspertët e FIAT-it në Shqipërinë e vitit 1939

June 1, 2016 09:33

E RRALLË: Ç’panë ekspertët e FIAT-it në Shqipërinë e vitit 1939

 

Nga Armando Boçe

Me vendosjen e autoriteteve italiane në Shqipëri pas pushtimit fashist, në datat 2,3,4,5 qershor 1939 vendi u vizitua nga një grup specialistësh të firmës së prodhimit të automjeteve FIAT, të cilët do të bënin një gjurmim të gjendjes së përgjithshme të infrastrukturës rrugore të vendit, çmimi i karburanteve, ofiçinat e riparimit, markat e makinave në përdorim, çmimi i tyre, pra çdo gjë që kishte të bënte me industrinë e makinave. Ky grup vizitoi qytetet e Tiranës, Durrësit, Beratit, Vlorës dhe rrethin e Devollit.

Ky grup specialistësh bëri dhe një përshkrim të shkurtër mbi aparaturat dhe nivelin e teknologjisë në vend. Në Shqipëri llogaritej që të kishte rreth 1000 përdorues privatë të telefonave. Numri i biçikletave të përdorura ishte gjithashtu 1000 në të gjithë vendin. Radiot e përdorura ishin të markave amerikane dhe llogaritej që të kishte nga 500 deri në 600 aparate. Ndërsa në të gjithë vendin kishte vetëm dy kasa fiskale.

Shqipëria kishte një sistem rrugor të krijuar me minimumin e ndërhyrjeve nga njeriu, kryesisht rrugë gjarpëruese të hapura me funksion ushtarak. Rrugët jashtë qyteteve ishin në gjendje jo të mirë dhe shumë herë me gropa; mund të thuhet se nuk ishin të përshtatshme për automjetet. Rrugët kryesore brenda në qendrat e banuara kishin një gjerësi nga 5 deri 7 metra. Gjendja e rënduar i bënte me pluhur në kohë të thatë dhe me baltë kur binte shi. Në këtë kohë ashtu siç dhe ky grup vuri re, sapo kishte nisur  një program për ndërtimin e pothuajse të gjithë rrjetit rrugor në vend. Masa e parë ishte hedhja në çdo rrugë e çakullit. Por edhe me këtë masë automjetet (sugjeronte ky grup) duhet të përforcoheshin për të përballuar vështirësitë.

Shqipëria në këtë kohë kishte një trafik automobilistik modest. Për të futur një makinë në Shqipëri taksa ishte e pandryshuar qoftë për përdorim personal, qoftë për biznes, po ashtu edhe për fuqinë motorike. Një makinë zhdoganohej me 50 franga shqiptare. Ndërsa taksa e qarkullimit ishte 5 franga në muaj dhe dyfish për makinat me 7 vende. Kamionët me benzinë ishin të përjashtuar nga taksa e qarkullimit, ndërsa ata me naftë taksoheshin 1 frangë për çdo kuaj fuqi. Kjo favorizonte shumë kamionët e prodhimit amerikan, duke lënë mënjanë kamionët që punonin me naftë dhe ishin shumë herë më efektivë në raport me fuqinë motorike.

Benzina kushtonte 2 lekë litri dhe nafta 0.25 franga, ndërsa vaji lubrifikant kushtonte një bidon 5 kg për 6.50 franga. Konsumi vjetor i karburantit ishte për benzinën 3.5 milionë franga dhe për naftën 2.2 milionë. Pikat e shitjes së karburanteve nuk ishin shumë të përhapur, në gjithë vendin ekzistonin 22 të qëndrueshëm dhe 120 të lëvizshëm. Në raport me vende si Italia çmimi i karburantit ishte më i lirë.

Në Shqipëri deri në vitin 1938 kishte 404 makina për përdorim personal, 124 autobuzë dhe 442 kamionë. Vetëm në vitin 1938 kishin hyrë në vend 205 automjete, nga të cilat 64 vetura dhe 141 makina pune. Asnjë prodhues automjetesh nuk kishte konçensionar të vetin në vend. Tregtia e automjeteve u ishte besuar sipërmarrësve privatë të cilët nuk garantonin asnjë riparim të sigurt dhe të besueshëm nga firma prodhuese. Ofiçinat mungonin totalisht dhe në të gjithë vendin ishte vetëm një vend me një “urë” ku mund të ngrije makinën. Pjesët e këmbimit ishin shumë të pakta për të mos thënë që nuk ekzistonin fare.

Llojet e makinave në vend ishin Shevrolet veturë De Luxe Master që kushtonte 4.800 franga, Kraisler veturë Royal Six që kushtonte 5007 fr.; Ford veturë De Lux V.8 që kushtonte 4700 fr., NASH veturë që kushtonte 5200 fr., dhe Fiat 1100 me çmimin më të lirë 3200 fr. Ndërsa markat e kamionëve ishin katër, me Fordin V.8 që kushtonte 4750 franga, Shevrolet 1.5 ton që kushtonte 4700 franga, REO “14” që kushtonte 5900 fr. dhe Doxh Seria TH më e shtrenjta me 6200 franga. Këto çmime i kishte përcaktuar vetë tregu, makinat plotësonin krejtësisht kërkesat e tregut shqiptar. Shitja bëhej gjithmonë me këste nga 1 deri në 2 vjet.

(Për të dhënë një shembull të vlerës së parasë, çmimi i Shevroletit De Luxe Master, që kushtonte 4800 franga shqiptare ose 30 mijë lireta italiane të kohës, me vlerën e sotme do të ishte rreth 26 mijë euro; në vitin 1939, një mijë lireta kishin vlerën e sotme të 870 eurove).

002001Shërbimi publik ishte i padisiplinuar, nuk kishte orare të sakta, tarifa dhe vendqëndrime. Nuk kishte asnjë shoqëri transporti, çdo linjë drejtohej nga persona privatë. Autobuzët ishit në pjesën më të madhe të prodhimit amerikan dhe mund të arrinin nga 12 deri 30 vende. Udhëtimi ishte shumë i parehatshëm por të paktën nga kryeqyteti kishte udhëtime çdo ditë për çdo qendër të madhe të banuar. Shërbimi taksi nuk ekzistonte fare.

Masat që propozohen nga FIAT

Pasi u krye një kqyrje e detajuar e gjendjes, ky grup vëzhgimi italian zhvilloi një takim me Françesko Jakomonin, mëkëmbësin e Mbretit Viktor Emanuel në Shqipëri, dhe hierarkë të tjerë fashistë. Nga takimi u arrit në përfundimin se duheshin marrë masa në disiplinimin e tregtisë së automjeteve, çmimet etj. Duhej ngritur një ofiçinë qëndrore për rregullime dhe asistencë dhe masa tjetër të disiplinohej transporti urban dhe interurban.

Për disiplinimin dhe ndërhyrjen në tregtinë e automjeteve, kuptohet se u gjykua që të kundërshtohej opinioni se vetëm makinat të prodhimit amerikan janë të suksesshme. Për këtë kërkohej që firmat europiane dhe më saktë FIAT-i të rishikonin çmimet e shitjes për të paktën modelin 1100 (Millecento) për të konkurruar çmimet e markave amerikane, edhe pse firma italiane e kishte të vështirë pasi makinat e destinuara për përdorim në Shqipëri kërkonin përforcime ekstra për të përballuar qarkullimin në rrugët e dëmtuara.

U vendos krijimi i një Ofiçine Qëndrore në Tiranë e cila do të kryente punën për riparimin e automjeteve. Kjo ofiçinë do të shërbente edhe si pikënisje për të hapur degë në disa qytete të cilat do të kryenin riparimet më urgjente. Nëse hapet kjo ofiçinë (mendonin specialistët) do të kthehet padyshim në bërthamën e pranisë së FIAT në Shqipëri. Për këtë arsye ajo mund të dërgonte në vend një drejtues të lartë të sajin i cili mund të bënte një raport të hollësishëm për nevojat në vend. Ky raport do t’u paraqitej autoriteteve më të larta me qëllim realizimin e nevojave.

Çështja e parë për disiplinimin e transportit urban ishte krijimi i një shoqërie transporti. Kjo gjë nuk vonoi shumë dhe në Shqipëri u krijua e mirënjohura “Societa Automobilistica Transporti Albanesi”, shkurt S.A.T.A.

Veturë FIAT Modeli 1100Firma italiane e prodhimit të automjeteve FIAT mund të hynte në tregun e Shqipërisë me dy modele të veturave të saj, Berlina dhe Torpedo me fuqi motorike 1100 dhe 2800. Por të dyja këto modele të përforcuara në llamarina dhe balestra. Ndërsa mund të sillte tri modele kamionësh dhe një autobuzi. Çmimet për këto automjete do të ishin ndryshe nga lista e çmimeve në Itali, gjithashtu FIAT garantonte praninë e saj edhe me pjesët e këmbimit. Transporti i automjeteve do të merrej përsipër nga vetë firma deri në portin e Durrësit. Por kjo barrë kapitali për firmën italiane ishte e madhe prandaj kërkonte që në pjesën më të madhe të rimbursohej nga Shteti.

FIAT, shpresonte që makina që do të kishte sukses në vend do të ishte modeli 1100. Ky model kishte të gjitha karakteristikat për një vend si Shqipëria, ishte i fortë, me kosto të lirë dhe lehtësisht i manovrueshëm. Ky model nuk kishte nevojë për shumë ndërhyrje për t’u përshtatur me mjedisin shqiptar, gjithashtu ky model para 1939 ishte shitur në vend me të njëjtin çmim si në Itali, dhe me ndërhyrjen në çmim vetëm për tregun shqiptar ky model do të bëhej më tërheqës. Sigurisht që kërkesat për këtë model kishin ardhur më parë nga shtetasit italianë të vendosur në Shqipëri.

Veturat në fuqi motorike dhe shasi më të mëdha si modeli 2800 po gjente përdorim tek funksionarët e lartë të huaj dhe shqiptarë. Ky model i përforcuar po konkurronte makinat e prodhimit amerikan. Ishte shumë i përshtatshëm për qarkullimin në distanca të largëta. Çmimi i këtij modeli ishte i shtrenjtë, por firma gjykonte që nëse do të kishte rimbursim nga Shteti Shqiptar nuk do ishte problem.

Sigurisht që nëse FIAT do të investonte dhe do të sillte modelet e saj në Shqipëri, duhej parandaluar që automjetet që shiteshin me një çmim të ulët këtu të mos qarkullonin në hapësirën e  Perandorisë, kjo sepse do të ishte një humbje për firmën. Siç del nga dokumenti, ishte llogaritur që vetura Fiat Millecento të shitej 20 mijë lireta (me vlerën e sotme, diku tek 17 mijë euro)

Vetë firma FIAT njoftoi pas takimit se ka ngarkuar specialistë nga një prej konçesionarëve të saj, që do drejtohet nga një inxhinier. Ky grup do kontaktojë me autoritetet shqiptare për të diskutuar mbi nevojat urgjente që mund të ketë në vend. Firma kërkonte gjithashtu që të krijoheshin edhe kushtet normale të punës, marrëdhënie të mira me autoritetet lokale dhe siguri për njerëzit dhe kapitalet.

Ashtu siç është e njohur për të gjithë, kompanitë gjigante si FIAT do shfrytëzonin pushtimet e Italisë fashiste për të zgjeruar tregun e tyre. Për këtë dokument interesant që po botojmë, vlera e tij qëndron në skanimin që i bëhet situatës së rrugëve, infrastrukturës dhe çmimet e makinave e karburanteve në Shqipërinë e 1939-s. Aq primitiv ishte ky sektor, saqë vetëm me ardhjen e fashistëve dhe, kuptohet, për interesat e tyre, në Shqipëri u formuan mekanikët e parë, shoferët e parë të specializuar. Nuk është aspak e çuditshme, përse për shumë kohë në vend, edhe pas luftës, linjës së autobuzëve shqiptarët i thoshin “SATA”. Nga ana tjetër, pikërisht këtu e ka shpjegimin edhe fakti që sot e kësaj dite, terminologjia në manualet e drejtimit të automjeteve si dhe në të folmen e përditshme, fjalët italisht janë shumë të pranishme, si kamio (kambio), volanti, indietro, sotokarti, kofano, pulexho, kushineta etj etj.

 

Burimi: AQSH i RSh, F. 197, V. 1939, D. 17

 

June 1, 2016 09:33
Komento

3 Komente

  1. demo June 1, 10:45

    Fashizmi paska qene si hallva Qazim Mulletit,Kina popullore si qumesht Panda kutie.Pushtuesi me i zi paskan qene shqiptaret.Zi e ma zi ua bafshin shqiptaret shqiptareve.Tulloni enverit,hajnia,korrupsioni,krimi dhe kukudhi vucidolit ju perpifte!

    Reply to this comment
  2. Sparbiero June 1, 11:15

    O zoteri Fiati ne aye kohe nuk thote qe fashozmi eshte hallve ata thjeshte bene thjeshte nje komstatim per tu futur ne Shqiperi si cdo firme ne cdo vemd te botes dhe oshon po ketaperfaqesues te Fiatit qe paraqiten Jakamonot krijimin e shoqerise Sata. qe per kohen ishte shume Inovative dhe krijimin e te pares Oficine me sprcialoste fillmisht me xhenerike italiane pastaj me djem te rinj te specoaliziuar tek Fiati dhe dolen shume te sukseshem ja cna qenka.

    Reply to this comment
  3. Fadil June 2, 01:09

    Hëh, “sa mëkat” të madh ka bërë Enveri, që i organizoi ata komunistët “sherramanë” dhe ato komunistet “sherramane”; që nuk e paskan lënë”të uruarin” fashizëm që ta bënte Shipërinë parajsë e hajt! Hahahaha!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*