E rrallë nga LANÇ/ Në kërkim të një Heroi

May 15, 2019 14:43

E rrallë nga LANÇ/ Në kërkim të një Heroi

Zylyftar HOXHA

 Për Luftën Nacionalçlirimtare kemi lexuar dhe dëgjuar shumë ngjarje. Dhe është e kuptueshme, lufta është luftë, ka beteja e aksione, ka të vrarë e të plagosur, ka të pushkatuar e të falur, ka heronjtë dhe viktimat e saj, ka të humbur dhe të panjohur apo të padëgjuar.

Që kur isha fëmijë kam dëgjuar shumë nga këto ngjarje. Kanë kaluar vite e vite dhe disa prej tyre edhe janë harruar. Por para disa vitesh, kur po merresha me redaktimin e librit “Vithkuqi i 100 krojeve dhe 24 kishave” të autorit vithkuqar, njëkohësisht edhe fabulist nga më të njohurit, Gjikë Kurtiqit, ndesha në një ngjarje tepër interesante dhe mbresëlënëse; me një akt të rrallë heroik, që, kushdo që e lexon nuk ka për ta harruar kurrë.

***

Ja ngjarja sipas Gjikës:

“Ishte tetor i vitit 1943. Vithkuqi, vendlindja ime, kishte rreth dy muaj që ishte djegur e përvëluar nga fashistët italianë. Banorët e tij sa qenë kthyer nga pylli i Piqerrit dhe fshatrat e Vakëfit (Treskë, Trebickë, Katund-Stratobërdë e Grabockë) ku u strehuan ato ditë kur divizioni Areco i fashistëve italianë me avionë, topa e murtaja u vërsul mbi Vithkuq duke shfryrë gjithë inatin dhe urrejtjen e tij për krijimin e Brigadës së Parë Partizane. Beteja e Brigadës së Parë Partizane me divizionin fashit italian në luftën e Vithkuqit vazhdoi dy ditë rresht. Siç dihet, në shtator Italia fashiste kapitulloi. Po ato ditë forcat fashiste u zëvendësuan nga ato naziste.

Në Vithkuq Fronti Nacionalçlirimtar kishte krijuar Komandën e Vendit si edhe Radiostacionin e Ndërlidhjes së Shtabit të Përgjithshëm që ishte vendosur në Panarit.

Një mëngjes tetori banorët e Vithkuqit u zgjuan nga batare të pandërprera mitralozi e automatiku. Një njësit i përforcuar gjerman, me sa kuptohet, i shoqëruar nga hafije të paguara, kishte marrë detyrën që pa zbardhur dita të asgjësonin Radiostacionin e Ndërlidhjes së Shtabit, Komandën Partizane të Vendit dhe të bënin ndaj banorëve të kësaj baze të njohur partizane, siç ishte Vithkuqi, atë që s’e bënë dot italianët, t’i korrnin me mitralozat dhe automatikët e tyre.

Nga bataretë e para gjermane, siç u zgjuan banorët e Vithkuqit, u zgjua edhe një skraparlli, i cili kishte ardhur një ditë më parë për të shitur rrush dhe për të kaluar natën, kishte shtruar për të fjetur pranë një muri are, i cili ishte përballë Komandës dhe Radiostacionit. Ishte kohë lufte dhe fshatari nga Skrapari në Vithkuq lëvizte i armatosur. Sa u ngrit nga gjumi, ai pa gjermanët që po synonin të rrethonin Komandën partizane duke qëlluar pandërprerë.

Muri i arës ku kishte fjetur skraparlliu ishte një mburojë fare e mirë për të, që me një vrapim të përkulur, vetëm 100-200 metra arrinte tek pylli më i afërt, i cili e largonte nga çdo rrezik. Për çudi, ai nuk veproi kështu. Nuk mendoi të shpëtonte kokën e vet. Zuri menjëherë pozicion dhe filloi të qëllonte me armën e vet forcat naziste. Një zjarr i papritur nga prapa, që ishte zjarri i skraparlliut, i bëri nazistët të stoponin për një farë kohe dhe të merrnin masa për asgjësimin e këtij zjarri që i qëllonte nga pas. 

Ky akt, sa guximtar dhe heroik, që stepi gjermanët, nuk mund të mos kishte pasojat e veta. Së pari, u dha mundësi disa prej partizanëve të Komandës të mos kapeshin në befasi dhe të shpëtonin nga rrethimi asgjësues. Mundësi u dha edhe banorëve të Vithkuqit që të braktisnin kasollet, të futeshin në pyllin më të afërt dhe të shpëtonin nga plumbat gjermanë. Sigurisht ky akt nuk i dha mundësi shpëtimi vetëm  heroit të tij, fshatarit të panjohur nga Skrapari, që pas largimit të nazistëve u gjend i vrarë prej tyre, pasi kishte mbaruar krejt municionin.

Në këtë mësymje të befasishme nazistët vranë pesë partizanë dhe dy nga banorët e Vithkuqit. Ata do të kishin bërë kërdinë mbi banorët e pa armatosur sikur atë mëngjes të mos kishte mbërritur batalioni “Qamil Panariti” nga Qafa e Ujkut.

“Skraparlliu u gjend i vrarë në pozicion dhe pranë tij një grumbull gëzhojash”, tregonte nga hera babai ynë, kur binte fjala për atë ditë tetori.

Mua vazhdimisht më lindnin e më mundojnë edhe sot disa pyetje. Ai ishte një skraparlli i thjeshtë. Nuk ishte as partizan dhe as nacionalist. Kishte zbritur nga Skrapari të shiste rrush  për të fituar diçka që të blinte bukë për fëmijët e tij. Kishte mundësi të shpëtonte, por nuk e shfrytëzoi këtë mundësi. Ç’ishte ai zë që e detyroi të kryente atë akt heroik?!

Miku im, Xhevahir Spahiu do t’i përgjigjej menjëherë kësaj pyetje: “Ishte zëri i Baba Tomorrit. Është ai zë që i ka bërë skraparllinjtë të jenë ata që janë, aq njerëzorë, aq trima e mikpritës.

Dhe enigma tjetër që nuk kam mundur t’i jap përgjigje:

Si ka mundësi të mbetet anonim ky akt dhe njeriut që e kreu atë. Sa urdhra e medalje janë shpërndarë për Luftën, sa lapidarë e pllaka përkujtimore janë vendosur mbarë vendit. Po si nuk u gjend një urdhër apo medalje, si nuk u ngrit një përmendore për këtë njeri të thjeshtë, por të veçantë, për këtë akt të rrallë heroik?! Në fund të fundit, si nuk iu gjet as emri dhe as fshati nga ishte ky njeri dhe ç’status gëzoi pas vdekjes? Me siguri të viktimës dhe jo të dëshmorit!...

 

***

 

Kjo ishte e gjithë ngjarja, e përshkruar bukur dhe realisht nga Gjika. Unë në atë kohë kam qenë kryeredaktor i gazetës “Dielli i Tomorrit”. Natyrisht nuk mund të rrija pa e gjetur atë njeri-legjendë që shpëtoi një fshat të tërë, por edhe një njësi të tërë partizane duke rënë në krye të asaj detyre që e ndjeu në çast së thelli.

Nxora një lajmërim në gazetë:

 

Lexues të respektuar!

 

Falënderojmë përzemërsisht mikun tonë, fabulistin e njohur, Gjikë Kurtiqi, për këtë bashkëpunim interesant dhe ndodhi të rrallë që na ka sjellë në faqet e gazetës sonë. I detyrohemi Gjikës për merakun që ka ai si njeri i ndjeshëm për t’i hequr pluhurin e harresës dhe zbardhjen e kësaj enigme, gjetjen e këtij njeriu trim e guximtar, që askush nuk e urdhëroi veç ndërgjegjes së tij, të kryejë atë akt të pashembullt për të shpëtuar një fshat të tërë nga plumbat gjermanë.

Ngjarja reale që Gjika i sjell lexuesit tonë jo vetëm që është  e denjë për t’u shënuar e theksuar në historikun rrethit tonë, por kërkon që kushdo që ka dijeni për këtë njeri të njoftojë për emrin dhe fshatin nga ishte.

Ka kaluar shumë kohë që atëherë, ka shumë mundësi që ai njeri ta ketë marrë me vete në varr atë që bëri dhe të jetë quajtur thjesht një viktimë e rastit, siç kishte shumë në atë kohë. Edhe shumë bashkëmoshatarë të tij kanë vdekur, por të afërm, pasardhës dhe fëmijët e tyre mund të kenë dëgjuar diçka. Do jetë një akt njerëzor të zbardhet enigma e këtij njeriu. Ndaj redaksia e gazetës tonë iu bën thirrje gjithë lexuesve të saj të pyesin dhe hetojnë për të gjetur emrin e këtij njeriu që bëri sipas mënyrës së vetë detyrën e tij, por edhe ne të bëjmë tonën, t’i japim atë që meriton, vendin që i takon në altarin e nderit.

Për çdo informacion lidhuni me gazetën tonë me adresat në fund të saj.

 Redaksia e gazetës “Dielli i Tomorrit”

 

***

 

Nuk kaloi shumë dhe një ditë më merr në telefon një ish-oficer nga Helmësi. “E pashë lajmërimin në gazetë, më thotë ai ndër të tjera, personi në fjalë ka qenë Daut Malko nga fshati Helmës i Skraparit, cilësuar Dëshmor i Atdheut. Por ju, në një farë mënyre, keni disi të drejtë në shqetësimin tuaj, pasi ai është titulluar dëshmor me vonesë, në vitet 1980”, përfundoi zëri përtej telefonit.

Natyrisht, e falënderova atë që më mori në telefon dhe këtë fakt e botova në gazetë.

 

May 15, 2019 14:43
Komento

3 Komente

  1. H.Osmanaj May 16, 09:42

    Ç’ deshen gjermanet ne Vithkuq? Atje nuk kishte rruge as bulevarde…Ata ishin thjeshte kalimtar, qe erdhen per turizem ne vendin e shqiponjave…ku nuk u mungoi as mikpritja ballisto-zogiste!!! Ky skraparlliu edhe nqs nuk eshte ne listat e Tufes si kriminel, duhet te futet pa tjeter! Ja pra, keshtu behet historia !

    Reply to this comment
  2. Mark U.K May 16, 13:00

    Me siguri gjermant kur e kan pare te armatosur,nuk kan kursyer nje fishek.Si ka mundesi qe ngeli deri ne vitin 1980 pa u interesue kush.Mendoj se perseri po perdoren si gjithmon nga komuniste genjeshtra qe vetem ata mund ti besojn.Si mund te besohen kur jan shtuar mbi kater here ata qe jane vrare ne lufte.Nga 28000 te shkruar vetem 6300 jan ne te vertet.Bile shume nga kta te vrar ne mes shqiptaresh.

    Reply to this comment
  3. Pajamehu May 16, 21:45

    Mark U. K (United Kingdom?),
    Nuk u lodhe duke bërë tersin e Pojanit? Apo je nga ata të portaleve që paguan Luli?

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*