E rrallë: Polici dixhital gjobit vozitësin, endej i dehur nëpër internet

September 25, 2016 19:13

E rrallë: Polici dixhital gjobit vozitësin, endej i dehur nëpër internet

 

Një nga aktet e para konkrete të policisë dixhitale, pjesë integrale e strukturave të reja të Reformës në Drejtësi, ngjau të shtunën vonë.

Gojët e Liga mësojnë se ishte ora 1 pas mesnatës së të shtunës duke u gdhirë e diel, kur 29 vjeçari Mariel Përsheshi u pikas të lëvizte nëpër faqe të ndryshme të internetit në gjendje gati të alkoolizuar.

Burime lundruese bëjnë me dije se Përsheshi shtypte pa logjikë dhe koherencë tabsa brauseri pa lidhje me njëri-tjetrin, duke shqetësuar internautët e rregullt.

“Dukej që ishte jashtë kontrollit, teksa kalavitej nga një faqe në tjetrën, pa idenë më të vogël se ku donte të shkonte”, pohoi për Gojët e Liga polici dixhital Beli Sarisha, i cili i njoftuar nga një qytetar gjithashtu dixhital, pikasi kalimin e çuditshëm të Përsheshit nga rezultatet e futbollit të kampionatit shqiptar, tek lajmet politike të CNN-it, para se të hidhej befas tek videoklipi i Gjysma Vulajt në youtube.

Polici dixhital Sarisha konstatoi se me frymën që i qelbej era liker menteje, Mariel Përsheshi u duk se erdhi në vete disa çaste, kur tentoi të hynte në faqen ekonomike të gazetës “Natyra e qetë”. Por ai nuk u gënjye kjo ky normalizim i përkohshëm.

“Aty për aty, me duart që nuk e mbanin dot drejt mausin, djaloshi hyri në kurs përplasjeje të plotë me faqen e fejsbukut të ish të dashurës së tij”, pohoi polici Beli Sarisha, duke shtuar: “Nuk mund të rrija duarkryq. I dërgova me email një ndalim kalimi dhe kërkesë për hapje krahu. Pastaj direkt i preva fletën e gjobës për 400 franga ari. Do bëjmë shtet dixhital apo jo?”

 

***

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike

September 25, 2016 19:13
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*