E rrallë: Vendimi i çuditshëm i Gjykatës Kushtetuese pështjellon vendin

August 24, 2016 19:45

E rrallë: Vendimi i çuditshëm i Gjykatës Kushtetuese pështjellon vendin

 

Gjykata Kushtetuese ka qenë edhe një herë në lartësinë e detyrës së shenjtë paraditen e sotme, mësojnë Gojët e Liga, kur shpalli vendimin e saj të prerë lidhur me disa nene të shumëdiskutueshme të ligjit të ri për shpërblimet, ligjit për gjuetinë e fullanxës, luftës ndaj tartabiqes dhe mushkonjave anofele dhe të një pakete ligjore bashkëshoqëruese e reformës në drejtësi.

 

Me një votim unanim, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese deklaruan për të gjitha tematikat në fjalë, se “Kjo varet”. Me fjalë të tjera, siç deklaroi relatori i këtyre çështjeve, Relator Paragrafi: “Kjo do të thotë se ligjshmëria e këtyre drafteve ligjore është relative, por mund të jetë edhe absolute. Në kuptimin relativ të fjalës”.

 

Më tej, sipas tekstit të zbardhur të vendimit të Kushtetueses, “varet sesi marrin këto punë. Nganjëherë marrin për kot. Pastaj, është edhe çështje këndvështrimi. Cënimi i cilësisë së rendit demokratik mund të ndodhë, por mbase edhe nuk ndodh”.

 

Gjithsesi, z.Paragrafi bëri me dije se vendimi është i paekuivok, dhe këtë e dëfton votimi unanim i anëtarëve të Gjykatës: “Jemi të patundur në qëndrimin tonë, që herë pas here dhe tek tuk, të deklarojmë se jemi të patundur në qëndrimin tonë”, theksoi ai.

Në përfundim, ai tha: Të drejtë kanë ata që janë ankuar për çështjet e mësipërme, por të drejtë kanë edhe palët e tjera. Eh sa të thella janë këto punë!

 

***

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike. Sistemi i drejtësisë konkurron fort në këtë drejtim.

August 24, 2016 19:45
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*