E TMERRSHME / Policia konfirmon se makina e aksidentuar kishte shumë alkool në sistemin e frenimit

April 8, 2019 13:16

E TMERRSHME / Policia konfirmon se makina e aksidentuar kishte shumë alkool në sistemin e frenimit

TIRANË – Një video sensibilizuese e Policisë së Shtetit po bën xhiron e rrjetit, duke marrë shumë lajke dhe zemra. Fabula e videos rrëfen për një aksident automobilistik që mund të ishte shmangur, nëse makina do ishte treguar më e kujdesshme dhe e përgjegjshme, para se të dilte në asfalt.

“Kjo makinë është aksidentuar dje paradite,” flet për kamerën polici rrugor Muço Gusto.

“Nga kontrolli i specializuar rezulton se sistemi i frenimit të mjetit është plot me alkool. Kjo është e pafalshme. Prania e kësaj sasie alkooli është garanci për aksidente dhe madje humbje jete. Thuajini Jo alkoolit! Shpëtoni jetën tuaj dhe të të tjerëve,” vijon mesazhi sensibilizues.

Pastaj protagonist bëhet oficerja veterane e policisë rrugore, Karramba Kesorpreza, e cila shpjegon:

“Makinat e alkoolizuara për fat të keq nuk janë të rralla në Shqipëri. Aparatet matëse kanë treguar se në plot raste, nëse ajo sasi alkooli do ishte në organizmin e njeriut, do të shkaktonte probleme serioze shëndetësore. Të dashur qytetarë: Alkooli dhe makina, alkooli dhe rruga janë një kombinim vrastar. Nëse makina juaj ka alkool në sistemin e frenimit, më mirë merrni një taksi, ose ecni me këmbë!”  

Përtej videos profesionale dhe shumë edukative, Gojët e Liga mësojnë se vërtet mjeti që u përplas me një pemë kishte përqindje të papranueshme alkooli. Sasia ishte aq e madhe saqë nuk ishte nevoja të matej, pasi lëngu vrastar derdhej përtokë.

Drejtuesja e mjetit Klotilduelinda Fyçka pohoi se pikërisht pak para përplasjes së makinës së saj të papërgjegjshme, ishte duke i shkruar në whatssup shoqes së ngushtë Lemerie Biba se diçka nuk shkonte me mjetin idiot.

“Sapo i shkruaja Lemes se volumi i këngës së Taylor Swiftit në radio ishte shumë i ulët, kur baam, makina idiote ja veshi pemës. Po shyqyr thuaj, që policia e përgjegjshme e zbuloi shkakun e vërtetë, se do ta kisha ngrënë kot,” pohoi Znj Fyçka.

Gojët e Liga mësojnë se që pas videos sensibilizuese, gjithnjë e më shumë shoferë të përgjegjshëm i kanë thënë Jo alkoolit të frenave në makinat e tyre. Megjithatë, çuditërisht situata ende mbetet alarmante.

SHËNIM: Gojët e Liga është rubrikë satirike që beson se ka raste kur alkooli nuk është aq i dëmshëm sa thonë 

April 8, 2019 13:16
Komento

1 Koment

  1. jo moreee April 8, 17:44

    Ca thua moreee. Makina paska ken tape! Dhe me alkool frenash, qe eshte me i keqi

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*