Edgar Morin, a ka vdekur poezia?

June 14, 2018 13:13

Edgar Morin, a ka vdekur poezia?

Moikom Zeqo

                                          ***

Në shekullin 21 ka teori të ndryshme, skajshmërisht të kundërta, për Poezinë.

Ka që mendojnë se Vdekja e Bardhë e Poezisë është një dukuri e Post-modernizmit, si edhe e Kitsch-kulturës botërore.

Po, a është kështu?

***

Kemi të bëjmë me diçka të evolucionit natyror dhe të vetasgjësimit historik të institucionit mendor të Poezisë? Skeptikët rrudhin buzët, vrenjtin vetullat dhe gati duken triumfues.

Por ka edhe heretikë të Poezisë që mendojnë tek Mbijetesa e Poezisë si një etapë më e epërme e të menduarit dhe të perceptuarit sinergjik të njeriut!

Poezia konsiderohet si një Ekologji e Gjallë e Shpirtit.

Si një terapi e brendshme dhe amshim ripërtëritës.

***

Lexoj dhe rilexoj mendimtarin francez Edgar Morin (shqiptohet Moren).

Ai është Mbrojtësi Heraldik i Poezisë.

Ky sociolog shumë i njohur francez parashikon: “Shekulli i 21 do të jetë shekulli i poezisë”.

***

Sipas tij do të ndodhi kështu sepse njeriu i 2000-ës do të ngrihet për herë të tretë, ashtu sikurse vepruan romantikët në shekullin e 19-të dhe surrealistët në shekullin e 20-të, kundër shoqërisë e cila sundohet nga teknokratët, kundër banalitetit të botës bashkëkohore.

Do të ndodhi kështu për ta zbuluar poezinë.

Madje edhe politika ka nevojë për shtysën krijuese që mund t’i japë asaj poezia.

Morin-i pikërisht e shpjegon arsyen e këtij lloj parashikimi. Ai thotë: “kemi bërë shumë gabime. I pari jam unë që kam gabuar, sepse jam marrë dhe kam lexuar gjithçka, por vetëm nuk kam shkruar dhe nuk kam lexuar poezi.”

Shoqëria e tëra po bën të njëjtin gabim.

Poezinë e mbyllëm me çelës.

 U lamë në dorë të rinjve të rritur, e internuam poezinë në botën e argëtimit intelektual.

 E privuam atë nga roli i saj shoqëror që e kishte gjithmonë, kryesisht në disa vende.

 Parafytyroni Rusinë.

Te ai vend poetët ia lexonin popullit vargjet e tyre.

Dhe ishte pikërisht poezia e cila rezistoi gjatë 70 vjetëve të totalitarizmit, ndofta sepse i shpëtonte censurës, falë metaforave të saj shprehëse, që përfshijnë simbole dhe atribute domethënëse.

Kështu ndodhi në Francë, gjatë pushtimit nazist dhe regjimit të gjeneralit Petan në Vishi, në Francë.

Por tanimë të gjitha këto shkaqe nuk ekzistojnë.

Pse?

Sepse qytetërimi perëndimor sundohet nga një ndarje midis botës së banalitetit dhe botës së teknikës, të praktikës, të racionalizmit, jeton në botën e përjetimeve, të admirimit dhe të ekzaltimit.

Tanimë edhe gratë; ithtare tradicionale të botës poetike, i ka bërë për vete bota banale.

Të rinjtë përjetojnë ëndërrat e tyre.

Dhe dyndësit qëndrojnë të mbërthyer në qerthullin e poezisë, në të cilën qëndrojnë edhe njerëzit e banalitetit për arsye argëtimi.

Por nuk do të jetë gjithnjë kështu.

Pikërisht sepse po sendërtohet një kryengritje e tretë e “poezisë”, pas kryengritjes së romantikëve kundër shoqërisë borgjeze, industriale, utilitariste sikurse dhe kryengritja e surrealistëve kundër frikës së luftës dhe kundër padrejtësisë shoqërore.

Kryengritja e tretë do të jetë një kundërsulm kundër depërtimit të botës së banalitetit, së cilës duhet t’ia kundërvënë poezinë.

Madje edhe politikanët duhet të kenë nevojë për këtë kryengritje poetike.

 Nëse me politikë do të thotë mbrojtje e cilësisë së jetës, pikërisht atëherë nevojitet një shtysë krijuese, ide të reja.

Jam i bindur se njeriu përjeton dy jetë.

Atë të cilën ne e quajmë jetë e rëndomtë dhe që është jeta praktike e ditëve të përditshme.

 Po jeta poetike?

 Gjendja poetike mund të përftohet si pasojë e një vallëzimi, nga kënga, nga ceremonitë, nga kënaqësia ndijore që shkaktohet nga ushqim i parapëlqyer nga një pije e tillë dhe kryesisht nga vargjet poetike.

Nuk shprehet dot kjo me gjuhën racionale, por nëpërmjet të metaforës, të analogjisë dhe të aluzioneve.

Në botën e rëndomtë ekziston shikimi, kurse në botën poetike depërtimi i thellë.

Njësoj sikurse Homeri poeti i verbër, i cili shikon sende të cilat ne nuk i shikojmë.

Sikurse Pithia, që sipas Heraklitit, arrijmë t’i perceptojmë, pa mundur t’i shikojmë.

Të shkruarit e vargjeve, nuk do të thotë se kemi poezi. E rëndësishme është që të përçojmë te lexuesit domethënien e vargjeve, një gjendje emocionuese, në krijimtari dhe botën e magjishme.

Sipas mendimit tim edhe përparimi teknologjik mund të na shpjerë te poezia, në një gjendje poetike.

Në çfarëdolloj mënyre.

Duke gjallëruar ndjenjën e admirimit dhe të mrekullisë. Përparimi i shpejtë i shkencës është i tillë që po e ndryshon tërësisht konceptin tonë mbi botën.

Pra, universi, tanimë nuk paraqitet si një makinë deterministe që nuk përmban asgjë poetike, por si mbretëria e çrregullsisë dhe e kaosit, si një mrekulli e cila përbëhet nga miliarda yje, që ndryshojnë pa pushim.

Tanimë universi është shndërruar në një mjedis poetik, në një vend krijimtarie.

Dhe, pra, asgjë përveç poezisë nuk e përcakton më mirë krijimtarinë.

Shkenca e ka mrekulluar botën.

***

Sipas mendimit tonë po zbulojmë një teori poetike të universit, e cila nuk e përjashton argumentimin teorik racional dhe teknologjik.

***

Nga ana tjetër duhet pranuar se shkencëtarët e mëdhenj janë krijues të mëdhenj por dhe zbulues, sepse përpunojnë teori nga më të ndryshmet.

Pra ekziston një afri midis krijimtarisë poetike dhe punës, veprimtarisë së tyre.

Natyrisht që diçka e tillë presupozon konceptin sipas të cilit poezia nuk është vetëm një mjeshtëri fiziologjike, por dhe diçka si një dimension mistik, emocionues dhe racional i ekzistencës.

Konsiderata, në vetvete kalkulimi, nuk janë poezi.

***

Por, megjithatë disa matematikanë të mëdhenj të caktuar, janë poetë; ata që zbulojnë sisteme të reja matematike janë poetë ose që zbulojnë kufijtë e deduksioneve; ata janë krijues të sendeve të reja.

Roboti i cili ecën mbi sipërfaqen e planetit nuk është vetëm pjellë e teknikës së përsosur.

Ai përfaqëson dhe një moment poetik, një poetikë njerëzore.

Pra, fakti që njeriu, nëpërmjet krijimtarisë së vet gjeniale, shkel në sipërfaqen e virgjër të hënës nuk është vetëm një peripeci.

Në këtë rast kemi një dimension poetik.

Shkenca në vetvete, nuk i mohon më shkrimtarët, por ajo e ripërtërin jetën, na ndërgjegjëson qenien tonë në botë.

Pikërisht për këtë arsye shkenca dhe poezia mund të përzgjidhen.

Është e natyrshme që në shekullin e poezisë të ketë vend edhe për klasikët.

Kështu, për shembull, shumë adoleshentë i ndjejnë akoma arsyet e kryengritjes romantike.

Dhe mbeten gjithmonë në fuqi arsyet e refuzimit surrealist të konceptit tradicional të poezisë, e cila kufizohet në paraqitjen e shkruar, ndërsa duhet të gjallojnë në vlugun e ekstazës, të dashurisë dhe të mrekullisë.

Për Breton-in, sikurse më parë dhe për Helderlin-in “Njeriu banon mbi tokë në mënyrë poetike”.

Edhe Aragoni dinte të mbushte me magji poetike sendet e rëndomta, të përditshme, sikurse Remboi barangat e tregut dhe mesha e shenjtë me latinishten.

Mëkat që Aragoni dhe shumë surrealistë të tjerë u gabuan duke e vënë veprën e tyre në dispozicion të një partie.

Ata nuk ishin poetë të çfarëdoshëm.

Frymëzoheshin nga dëshira e papërmbajtur që të mund ta ndryshonin botën nëpërmjet partisë komuniste dhe politikës.

Politika!

Ja kjo përbën akoma një rrezik për poezinë.

Sidomos nëse do të ekzistojnë akoma diktatorë, fyrerë dhe duçe ose thjesht shtete autarkike.

Për fat të mirë poetët e oborreve nuk janë njësoj të gjithë. Këta, koha i zhduk pa lënë gjurmë.

Çfarë ka mbetur nga ditirambet që thureshin për nder të Stalinit?

Por ka raste që poeti i oborrit ta himnizojë pushtetin e zotnisë së tij, me qëllim që të jetë më i lirë në veprat e tij. Sikurse Virgjili te “Eneida” Molieri te “Tartufi”, sikurse dhe shumë poetë të Rilindjes.

Pastaj kush e thotë se politika nuk mund të shërbejë si burim frymëzimi?

Aragoni shkroi vargje të rëndësishme për rënien e Francës më 1940.

Pra, e rëndësishme është që artisti të mos u nënshtrohet urdhrave të politikës.

***

Shekulli poetik që po vjen, do të nevojitej përdorimin e një gjuhe tjetër.

Vijmë nga një epokë, te e cila u bënë orvatjet për ta asgjësuar kompleksin: në poezi, në romanet, në muzikë, në pikturë.

Unë kam besim në rolin krijues të poezisë.

Artisti duhet të merret me traditën, me gjithçka që është spikatur në këtë shekull.

E ardhmja u përket njerëzve si muzikanti Kristof Paderevski, që dinë ta shkrijnë trashëgiminë e artistëve klasikë me përparimet teknike të kohëve të fundit.

Kështu prozatorët do të mund të përvetësojnë mësimet e koncepteve të Dostojevskit dhe të Prust-it, me gjithçka që është e pararojës.

Ata duhet të kthehen në burimin e krijimtarisë, por njëkohësisht të zhvillohen, të emancipohen.

***

Edgar Morin flet me premisë dhe zë orakullor, profetik. Poezia e infektuar nga politikat, ideologjitë dhe banaliteti i frikshëm është nekrofilizuar kaq shpesh.

***

Nëse Poezia do të Ringjallet kjo është edhe veti e vetë substancës linguistike, ose e kompleksitetit total të mendimit, i cili nuk mund të standardizohet.

 Dhe Poezia nuk mund të zhbëhet nga asnjë lloj ikonoklastie qoftë post-moderniste, qoftë edhe e varfërimit shpirtëror.

***

Edgar Morin ka të drejtë!

 

 

 

June 14, 2018 13:13
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*