Edhe ateistët po diskriminohen

Gazeta Dita December 12, 2012 15:34

Edhe ateistët po diskriminohen

Në studimin e fundit rezulton se në shtetet islamike ateistët po përballen me një trajtim të ashpër nga ana e shtetit dhe ithtarëve të fesë zyrtare. Në disa shtete të Evropës, por edhe SHBA-së ka politika që diskriminojnë ‘jo besimtarët’

 

Ateistët dhe personat e tjerë me qëndrim skeptik ndaj fesë po persekutohen në shumë vende të botës, veçanërisht në ato islamike. Studimi i bërë nga “International Humanist and Ethical Union” (IHEU), tregoi se jobesimtarët në shtetet islamike përballen me një trajtim të ashpër, nganjëherë edhe brutal nga ana e shtetit dhe ithtarëve të fesë zyrtare. Në raport thuhet se janë së paku shtatë shtetet ku ateistët mund të dënohen me vdekje për shkak të qëndrimeve antifetare.

Raporti “Liria e Mendimit 2012” theksoi se ekzistojnë ligje, të cilat u mohojnë ateistëve të drejtën për të ekzistuar, frenojnë liritë e shprehjes dhe nuk u njohin të drejtën për të pasur shtetësi.

Ligje të tjera pengojnë personat që nuk besojnë në qasjen në institucionet e edukimit, në ushtrimin e funksioneve publike, gjithashtu kriminalizojnë kritikat që drejtohen ndaj besimeve fetare, duke arritur deri aty sa mund të ekzekutojnë ateistët, sepse i janë shmangur fesë së prindërve të tyre.

Raporti është mirëpritur nga zëdhënësi special i OKB-së për lirinë e besimit fetar, i cili theksoi se ka shumë pak njohuri për faktin nëse edhe ateistët janë të mbrojtur nga marrëveshjet globale për të drejtat e njeriut.

IHEU, e cila ndërlidh rreth 120 organizata humaniste dhe ateiste në rreth 40 shtete, theksoi se e ka publikuar raportin me rastin e Ditës Ndërkombëtare të OKB-së për të drejtat të njeriut.

Në bazë të anketës së zhvilluar në rreth 60 shtete, në shtatë prej tyre njerëzit mund të dënohen me vdekje për shkak të pikëpamjeve ateiste dhe devijimit nga feja zyrtare. Këto shtete janë: Afganistani, Irani, Maldivet, Mauritania, Pakistani, Arabia Saudite dhe Sudani.

Në raportin prej 70 faqesh nuk përmendet ndonjë rast i ekzekutimit për shkak të ateizmit, por hulumtuesit theksojnë se kjo “shkelje” shpesh mbulohet me akuza të tjera.

Në disa shtete të tjera, si: Bangladeshi, Egjipti, Indonezia dhe Kuvajti, publikimi i qëndrimeve ateiste apo humaniste në lidhje me besimin fetar kufizohet me anë të ligjeve, të cilat i përkufizojnë këto qëndrime si blasfemi.

Në shumë prej këtyre shteteve si p.sh. Malajzia, qytetarët duhet të regjistrohen si ithtarë të feve të njohura zyrtarisht e që normalisht nuk përfshijnë më shumë se tri fe, pra: krishtërimin, hebraizmin dhe islamin.

Për këtë arsye, ateistët dhe humanistët janë të detyruar të gënjejnë, sepse ndryshe nuk mund të sigurojnë dokumentet zyrtare, pa të cilat nuk kanë mundësi që të regjistrohen në universitet, të marrin trajtim mjekësor apo të udhëtojnë jashtë vendit.

Në Evropë, disa zona të Afrikës dhe në Amerikën Latine dhe Veriore favorizojnë kishat e krishtera në shërbime të ndryshme publike, theksoi IHEU.

Në Greqi dhe Rusi kisha ortodokse është e mbrojtur ligjërisht nga kritikat publike dhe zë një vend të rëndësishëm në kremtimet shtetërore, ndërsa në Britani peshkopët e Kishës së Anglisë kanë të siguruar disa nga vendet në dhomën e epërme të parlamentit.

Liria e besimit fetar është e mbrojtur në SHBA, por në raport thuhet se ende mbijeton fryma politike dhe sociale, në kuadër të së cilës ateistët dhe personat e tjerë jobesimtarë vihen në pozita të tilla që të ndihen më pak amerikanë se të tjerët.

Në së paku shtatë shtete të SHBA-së, ekzistojnë masa kushtetuese, të cilat ndalojnë punën e ateistëve në zyrat publike, ndërsa në Arkansas ekziston ligji i cili ndalon dëshmitë e ateistëve në procese gjyqësore.

Gazeta Dita December 12, 2012 15:34
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*