“Edhe aty do dal”, thotë gazetari i pavarur

April 28, 2016 19:53

“Edhe aty do dal”, thotë gazetari i pavarur

 

I shquar për intermexo-t që arrin me shkathësi t’ua bëjë ligjërimeve të të tjerëve po aq sa edhe të vetave, opinionisti i njohur dhe gazetari i pavarur Liberator Çeka ja doli dje në opinionin politik “Emision”, të ndërpriste ndërprerjen e drejtuesit të emisionit, duke përdorur batutën kyçe: “Edhe aty do dal”.

Reagimi i rrufeshëm, pas të cilit opinionisti vijoi linjën e vet të mendimit pa u shqetësuar fare për orientimin e drejtuesit të programit Glendi Syziu, e la pa flokë… pa fjalë këtë të fundit dhe fitoi admirimin e heshtur të audiencës.

Konkretisht, në puntatën e djeshme që kishte për kryetemë abortet dhe armatosjen e popullatës, teksa Çeka ishte duke vënë në pah defektet e rënda të qeverisë në sektorin energjetik dhe atë fiskal, drejtuesi Syziu i sugjeroi  folësit që të fokusohej në atë për çka ishin mbledhur.

“Më lejoni t’ju kujtoj se ishim duke folur për Rrugën e Kombit”, ndërhyri me takt konduktori, duke marrë si përgjigje shprehjen lapidare: “Edhe aty do dal”.

Liberator Çeka vijoi: “E pra, kjo kastë, ky grusht vampirash të panginjur që po i thithin gjakun këtij populli…”.

Elokuenca e hatashme e folësit, shkaktoi mahnitjen e pjesëmarrësve të tjerë në forumin televiziv, të cilët me njërin sy shihnin njëri-tjetrin të shastisur, ndërsa syrin tjetër nuk ja ndanin Çekës.

Ky i fundit kishte disa minuta që nuk i drejtohej më gazetarit Syziu, por direkt kamerës, duke tundur kërcënueshëm gishtin tregues: “Gjithçka ngriti me mund Berisha, këta po e rrënojnë!”

Në fakt, Çeka bën pjesë në atë elitë shumë të vogël tribunësh, që kanë fituar famën e merituar pikërisht duke bërë të tyret disa fraza legjendare, me të cilat thyejnë çdo rrethim e krahëmarrje të drejtuesve të emisioneve apo konkurrentëve debatues.

Shprehje të urta si: Unë nuk të ndërpreva më duket; Okej, më jep dhe mua pesë minuta si ja dhe atij; Do dal edhe aty; Për ta vazhduar ku e la parafolësi; Ti mund të kesh fakte, por unë kam mendimin tim; epo mirë, më do trapi hë etj, etj, kanë hyrë tashmë në arsenalin e artë të shqipes elitare.

 

******

SHËN.RED. / Gojët e Liga është një rubrikë satirike në DITA. Çdo përputhje me ngjarje apo rrethana reale është krejt rastësi

April 28, 2016 19:53
Komento

2 Komente

  1. Romeo Guraziu May 1, 06:45

    Me pelqen shume kjo rubrike per kete Liberatorin, me koken me qoshe. I derdhen mendimet nga cdo qoshe e asaj kokes boshe.

    Reply to this comment
  2. intelektuali May 1, 11:22

    EDI RAMA PO NDJEK RRUGEN QE SHTROI SALI BERISHA ME KRIMET E TIJ

    Gazeta DITA nuk ka pse te beje humor te Zi me Cimin apo Blendin qe e kane shtatin sa e kishte Enver Hoxha HALLATIN, sepse Edi Rama i ka mbyllur me dryn me 7 Celesa gojen Shoqerise Civile me keq se Enveri me Saliun baske

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*