“Edhe në media duhet dekriminalizim”

June 20, 2016 09:48

“Edhe në media duhet dekriminalizim”

Një bisedë me Roland Qafokun “për të gjitha”. Problemet e medias, korrektësia e politikanëve, historia dhe gazetaria. Pse Qafoku nuk ka “shtëpi në plazh”, zhurma për intervistimin e Nexhmije Hoxhës, dhe… Cili kryeministër nga të gjitha që ka patur vendi, do t’i bënte punë sot Shqipërisë… 

-Z.Qafoku, jeni në përfundim të një sezoni televiziv, si ka qenë për ju ky vit?

Së pari Erion të falenderoj ty dhe gazetës “Dita” për këtë intervistë. E enjtja ishte puntata e fundit e emisionit për këtë sezon televiziv. Ky është viti i katërt që unë drejtoj emisionin “Debati në Channel One” dhe viti i 7-të që drejtoj emisione në televizion. Ndjehem mirë që kur bëj një bilanc ndjej kënaqësi profesionale që kam arritur atë që kam synuar: Të sjell doemos një gjë të re në çdo puntatë që të përbëj lajm; të kem shikueshmëri të kënaqshme edhe pse konkurentët kanë sinjal më të fortë televiziv; të kem të ftuar që nuk bëjnë xhiro në ekranet televizive; të publikoj në insertet që përgatis fakte të reja dhe të kem impakt të shikuesit, lexuesit dhe ata që më ndjekin përherë. Një matës se çfarë kam bërë, është youtube. Fakti që aty kam emisione që kanë arritur shifrën 200 mijë shikime do të thotë jo pak. Me këtë rast dua të falenderoj presidentin e televizionit zotin Ylli Ndroqi, stafin e emisionit tim dhe të gjithë bashkëpunëtorët dhe të ftuarit.

-Në Debatin tuaj kemi parë dhe ndjekur shumë personazhe. Shumica prej tyre kanë prodhuar lajme. A është e vështirë në një terren mediatik  si i yni, të gjesh temat e duhura, personazhet, por në një farë mënyrë të mundohesh të jesh ndryshe nga kolegët…?

Qëllimi im është se në një puntatë nëse nuk del lajm, ajo puntatë nuk vlen. Një emision për emision dhe me të ftuar që thjesht i fton, nuk vlejnë për mua. A është e vështirë? Po, padyshim që është e vështirë kur janë me dhjetra televizione e emisione por kjo është puna ime dhe ne gazetarët nuk duhet të bëjmë bilancin se sa lodhemi ne për të realizuar punën tonë, por bilancin se çfarë kemi bërë.

-Je gjendur në ndonjë situatë të vështirë, ku për shembull dikush të ka anuluar pjesëmarrjen në minutë të fundit, apo…?

Edhe kjo është normale për çdo gazetar që bën një emision. Mes të ftuarve ka një larmi tipash e karakteresh që vetëm ne gazetarët e emisioneve e dimë. Ka korrektë dhe superkorrektë që unë i kam etalone në raportin tim për përgatitjen e emisioneve. Rekordmeni është Namik Dokle që para disa muajsh në orën 24.00 më mori në telefon dhe më njoftoi se sapo kishte mësuar se i kishte ndërruar jetë motra dhe nuk mund të vinte të nesërmen në emision. Por ka edhe tipa si dikush që kur 15 minuta para emisionit e kam marrë në telefon për ta pyetur se sa larg televizionit ndodhej, përgjigjja e tij ishte se nuk do vinte se i doli një punë. Cili kryeministër, ministër, kryetar kuvendi, president e kushdo do të donte të punonte me këtë politikan? Këto specie politike nuk i duhen askujt. Janë aq të rëndomtë dhe të prapambetur në korrektësi sa që unë habitem se si shefat e tyre u besojnë qoftë edhe një punë çfarëdo.

Doja të shtoja diçka, në 7 vjet që jam me emisionet e mia në ekran, kam nxjerrë këtë konkluzion: Më korrektët janë më të vjetrit në moshë dhe më pak korrektët janë të rinjtë. Më korrektët janë ata që janë diplomuar në Shqipëri dhe më pak korrektët janë ata që janë diplomuar jashtë. Nuk i di arsyet por këtë kam nxjerr nga përvoja ime.

-Vitin e kaluar ju keni publikuar një libër, i cili ju ka sjellë në një tjetër dimension. Sa e keni kërkuar apo dashur këtë qasjen tuaj jo vetëm tek teleshikuesit, por edhe tek lexuesit?

10

Emisioni “Debati në Channel One

Raporti im me lexuesin është aq i hershëm po aq sa unë jam pjesë e gazetarisë, kështu që nuk ishte surprizë. Natyrisht për afro 15 vjet unë kam përgatitur lajme dhe kam drejtuar disa gazeta dhe publikimi i një libri është diçka tjetër. Por kam përshtypjen se lexuesi i zellshëm mbetet lexues i zellshëm. Më rezulton që ata që lexojnë gazeta dhe janë ndjekës të lajmit, janë edhe lexuesit më të mirë të librave.

-Ju thoni se keni zbuluar disa nga sekretet e 33 kryeministrave, por në të vërtetë, sa sekrete ka aty? Gjatë këtyre viteve, shumë historianë kanë shkruar, jo kështu, bashkë siç i keni bërë ju, por veç e veç, po.

Së pari, vetëm fakti i të bërit bashkë është e re. Fjalia e parë në librin tim është: Pasi kërkova një libër se cilët ishin kryeministrat e Shqipërisë dhe nuk e gjeta, vendosa ta shkruaj vetë këtë libër. Pra, unë dhe besoj shumica e shqiptarëve nuk e dinim se cilët ishin kryeministrat tanë, sa qëndruan në detyrë, për çfarë mbahen mend, vendimet që morën, takimet, vizitat jashtë vendit, deklaratat më bujshme dhe deri se si përfunduan. Çdo kryeministër ka disa skeda speciale në libër e shoqëruar me detaje nga më të ndryshme për gjeneralitetet, vendlindjet, arsimimi, mosha kur morën dhe e lanë detyrën e deri vdekja dhe secili kryeministër i vdekur është shoqëruar me varrin ku e ndodhet duke mos harruar edhe foto ekskluzive si dhe firmat orgjinale të secilit gjatë ushtrimit të detyrës. Këto janë ekskluzivisht të reja. Gjithsesi po jap vetëm nga një fakt të ri për secilin kryeministër në tekstin e librit: Ditëlindja e Ismail Qemalit ishte në një ditë me Enver Hoxhën, por kjo është mbajtur e fshehtë për të mos i bërë hije diktatorit; Esad Pashë Toptani është i vetmi kryeministër që mbante ditar në detyrë dhe ky për herë të parë është botuar në librin tim; Turhan Pashë Përmeti vdiq në Paris i braktisur dhe në gjendje të vështirë financiare dhe një nga letrat e para të lexuara nga Francesco Jakomoni kur mbërriti në Shqipëria ishte nga bashkëshortja e tij turkja Kerime Përmeti e cila i kërkonte pensionin e burrit; Ahmet Zogu i ndaloi qendrimin në Shqipëri të ish-kryeministrit Sulejman Delvina por më pas e toleroi duke mos e lejuar të jetonte vetëm në Tiranë; Për herë të parë jepet e plotë historia tragjike e shkatërrimit të varrit dhe hedhjes në lumë të eshtrave të kryeministrit Iljaz Vrioni: Për herë të parë jepet lista e studentëve shqiptarë që kryeministri Pandeli Evangjeli u dha bursë jashtë Shqipërisë dhe asnjë prej tyre nuk arriti të bëhet dikush; Për herë të parë publikohet qendrimi zyrtar i Partisë Komuniste për vrasjen e kryeministrit Qazim Koculi; Arsyeja përse pas zhvarrosjes në Selanik të kryeministrit Hasan Prishtina u varros në Kukës; Testamenti i kryeministrit Idhomene Kosturi; Ceremonia e varrimit të Xhaferr Ypit të organizuar nga italianët; Për herë të parë publikohet aksioni i Sigurimit të Shtetit për të shkatërruar varrin e Ahmet Zogut në Paris; Për herë të parë publikohet situata kur i dërguari i Ahmet Zogut i jep lajmin Shefqet Vërlacit që ishte divorcuar të bijën, Behije; Vendimi i kryeministrit Fan Noli që Shëngjini të merrte emrin Udrou Uillson si dhe letra orgjinale kur i kërkonte nuse shoqatës “Bashkimi” në Bukuresht; për herë të parë jepen detaje se si populli priti reformat e kryeministrit Mehdi Frashëri;  vdekja tragjike në burgun që e ndërtoi vetë në Burrel të kryeministrit Kostaq Kota; Implikimi i Sigurimit të Shtetit në vdekjen e Mustafa Krujës në SHBA; Lutja e nënës çerkeze të Eqrem bej Libohovës që vetëm rusët mos ta pushtonin Shqipërinë; tokat e dhëna dhuratë nga kryeministrit Maliq Bushati për Jakomonin në Tiranë; Letërkëmbimet e kryeministrit Rexhep Mitrovica në detyrë;  lirimet e komunistëve nga burgu të kryeministrit Fiqiri Dine: Dosja e diplomimit të Vjenë të kryeministrit Ibrahim Biçaku ku si pjesëtarë në familje shkruante 7 gratë

Roland Qafoku dhe Aleksandër Meksi

Roland Qafoku dhe Aleksandër Meksi

shërbëtore; vrasjet që u bënë gjatë qendrimit në detyrë të kryeministrit Enver Hoxha; Përplasja e mjekëve ligjorë dhe kriminalistë në vendngjarje që vërtetojnë se Mehmet Shehu u vra dhe kjo u vetëvra; leksionet dhe diplomimi në zyrë i kryeministrit Adil Çarçani; dosja e dënimit të kryeministrit Fatos Nano deri në dëmshpërblim; Vrasja e të atit të kryeministrit Ylli Bufi nga kryeministri Mehmet Shehu; Vendimet e kryeministrit Vilson Ahmeti deri te rroga që e kishte më të vogël se badigardi; Fjalimi në rusisht i mbajtur në Moskë nga Aleksandër Meksi dhe biseda me homologun Çernomërdin; si ia ktheu dorëheqjen sekretarja Allbright kryeministrit Fino; fletërrufeja e kryeministrit Majko që i kishte bërë kryeministrit Çarçani kur ishte student; situata në ambasadën e Jugosllavisë kur u prishën marrëdhëniet diplomatike gjatë kohës që Ilir Meta ishte kryeministër; 4 atentatet që i kanë bërë kryeministrit Berisha dhe deri te kryeministri Rama që sekretet i ka ende në detyrë.

Na thuaj kryeministrin e Shqipërisë, në mes atyre 33, që do i duhej Shqipërisë në këtë situatë që gjendet sot?

Në mënyrë absolute, pa u menduar shumë them se kryeministri më i mirë mes 33-ve është Ismail Qemal Vlora. La pasuri, karrierë dhe gjithçka në Turqi dhe vuri në dispozicion gjithçka vetëm për Shqipërinë. Shqipëria nuk ekzistonte dhe ky njeri e bëri shtet. Shqipëria nuk ishte në axhendën e fuqive të mëdha dhe fqinjët kishin mprehur thikat ta ndanin si një lopë, por ky njeri natyrisht bashkarishht në mes humë e shumë të tjerë bëri atë që ne i themi historia i erdhi pas. Mes një shteti të sapoformuar që kontrollonte shumë pak kilometra katrorë, mes konfliktesh alla shqiptarësh deri brenda familjes Vlora, mes synimeve të Esad pashë Toptanit që krijoi një qeveri paralele pasi iku nga kabineti i tij, mes sherresh deri me ministrat si ai me Libohovës që i kërkonte borxhin dhe me një fund duke u bërë kryeministri i parë që dha dorëheqjen, Ismail Qemali la pas një shtet dhe që në këtë situatë që po kalojmë do t’i kishte dhënë zgjidhje. Është antikombëtare ajo që një takëm pseudostudiuesish, historianësh e çfarëdo lloj, kërkojnë gjilpërën në kashtën e Ismail Qemalit për ta denigruar figurën e tij. Mjafton t’u kujtoj bisedën e Sulltanit me të përpara se të vinte në Shqipëri për të shpallur pavarësinë. Ai i ofroi postin e ministrit të Jashtëm dhe të Brendshëm por përgjigja e Ismail Qemalit ishte: Jo. Më thërret gjaku i të parëve. A e imagjinoni sot një politikan të bëjë një xhest të tillë? Mes 33 kryeministrave vetëm Ismail Qemal Vlora është burrë shteti. Mes të tjerëve ka kryeministra që kanë elementë të burrave të shtetit, ka burokratë të thekur, ka teknokratë për çështje të veçanta, madje edhe politikanë dhelprakë. Ka edhe diktatorë, kriminelë e deri tradhtarë të Shqipërisë. Por  me përmasat e Ismail Qemal Vlorës nuk ka asnjë. Dhe ishte i pari dëshmor i shtetit shqiptar, shtet që e themeloi vetë. Ai është helmuar në hotel “Brufani” në Perugia të Italisë teksa ishte duke u përgatitur të shkonte në konferencën e Paqes në Paris.

-Ju si një i pasionuar pas historisë, arrini ta ndërthurni shumë mirë atë dhe me gazetarinë, por kë doni më fortë nga këto të dyja?

Roland Qafoku

Roland Qafoku

Babai i historisë, Herodoti, thoshte se historia është investigim. Parimi im kur shkruaj apo merrem me historinë është se po shkoj në vendngjarje me vonesë, por ama ndjek të gjitha parimet e gazetarisë. Gazetaria është pjesë e formimit të një gazetari. Nëse një gazetar nuk njeh historinë, padyshim që ai ka një hon të madh mangësie në formimin e tij. Si mund të mendosh se një gazetar shkruan, fjala vjen për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe nuk di historinë e shpalljes së pavarësisë. Ishte për të qarë dhe për të qeshur kur shikoja një kronikë speciale të një gazetareje me shumë vite në gazetari për armët e Skënderbeut e ardhura në muzeun  tonë kombëtar dhe ato që thoshte me këmbëngulje, ishin… skandaloze.

-Në fakt Landi (po kaloj në emër), keni përfunduar Akademinë Ushtarake Skënderbej, keni studiuar Gjuhë dhe Letërsi, keni punuar për shumë vite në shtypin e shkruar, sot jeni autor dhe drejtues i një programi televiziv. Sa mirë ndiheni në këto kalime. A jeni i kënaqur me veten? A jeni i lumtur?

I lumtur është fjala e madhe. Por unë ndjehem i kënaqur që bëj atë punë dhe atë gjë që kam dëshirë të bëj. Sa për kalimet këto janë normale. Gazetaria është një profesion që ta kultivosh nuk ka rëndësi që të jesh diplomuar për gazetari. Pastaj, shumica  e gazetarëve të fillimeve të gazetarisë profesioniste në Shqipëri nuk janë diplomuar për gazetari. E habitshme se si një ish-ushtarak bëhet gazetar? Gazetari më i mirë i të gjitha kohrave dhe modeli im Joseph Pulizter ishte një ushtarak dhe më pas u bë gazetari më i spikatur në SHBA dhe sot për nder të të cilit edhe sot jepen çmime. Një novator dhe gazetar i shumë risive në median e shkruar dhe ndër të parët kultivues i gazetarisë investigative. Natyrisht jo domosdoshmërisht çdo ushtarak mund të bëhet gazetar i mirë dhe anasjelltas po ashtu.

-Keni marrë shumë personazhe në studion tuaj, të cilët janë rrëfyer. Rrëfimi që të ka pëlqyer më shumë, edhe në aspektin gazetaresk?

Janë të shumtë. Në 20 vjet të karrierës sime mes tyre 7 vjet në televizion kam patur këmbënguljen dhe fatin të intervistoj figura nga më të ndryshme politike, shoqërore e historike dhe falë natyrës sime të gjitha i kam të regjistuar të botuara apo dhe me fotografi. Por natyrisht në mendje më mbeten figura me peshë në opinionin publik. Kur bëj sot galerinë e personazheve ndjehem mirë që kam intervistuar të 9-të kryeministrat e Shqipërisë pas vitit 1990, të 6-të presidentët pas vitit 1990, të 7-të kryetarët e Kuvendit pas viti 1990, kam intervistuar disa herë shkrimtarin më të madh shqiptar dhe atë botëror Ismail Kadare, Dritëro Agollin, kam intervistuar personazhet historikë si Ramiz Alia, Geraldina Aponyi, Nexhmije Hoxha, Leka Zogu, Sejfi Protopapa, Hëna Këlcyra, Eugjen Merlika, Sabri Godo e shumë e shumë të tjerë. Por edhe personazhe të huaja si kryeprokurorin e antimafias italiane Pier Luigi Vigna, njeriu që arrestoi 500 mafiozë pas vrasjes së Giovani Falcones dhe Paulos Borselinos, kam intervistuar sekretarin e NATO-s Anders Fogh Rasmusen etj. Por duke qenë e freskët impresionin më të veçantë ma ka krijuar vajza e Eqrem bej Vlorës. Babai i saj, një nga shqiptarët më të arsimuar, më të pasur, më me ndikim, kishte bërë një jetë në skamje, e paarsimuar dhe një jetë deri në mbijetesë ishte një mollë e rënë poshtë pemës. Babai e la në Shqipëri kur ishte vetëm 9 muajshe dhe e pa atë në arkivol pas 50 vjetësh nga vdekja, kur eshtrat e tij erdhën ngas Vjena në Rinas. Kur unë e pyeta nëse pas këtyre vuajtjeve, nëse do kishte përballë Enver Hoxhën çfarë do t’i thoshe, përgjigja e saj tregoi shumë: gjaku i Eqrem bej Vlorës nuk kërkon hakmarrje. Asgjë nuk do ti thosha.

E pra, mes shqiptarëve që vrasin për një fjalë goje, kjo grua e vjetër ka dhënë publikisht leksionin më të mirë të jetës.

-Pak muaj më parë ju, por dhe Rudina Xhunga u gjendët në një sulm mediatik pse intervistuat Nexhmije Hoxha. Pati etiketime për ju se jeni edhe “enveristë”. Keni ndonjë reagim për këta persona, si dhe një përgjigje pyetjes, a duhet vënë mikrofoni për personazhe të tillë?

Kësaj situate i shkonte më mirë ajo që thoshte Faik Konica; humor i pavetëdijshëm. Pas publikimit të intervistës sime me Nexhmije Hoxhën më mori në telefon kolegia Rudina Xhunga dhe me humor më tha: Jam shumë xheloze për ty që të kanë sulmuar më pak se unë. Domethënë të gjithë atë që ju përshkruat si sulm e morëm me shumë humor. E rëndësishme në të gjithë këto sulme ishte se komuniteti i gazetarëve  me përjashtime të vogla nuk ishte pjesë e këtij diskutimi negativ. Për mua kjo do të thotë se gazetarët tashmë i kanë kaluar partizanllëqet e vjetra të tipit “kur unë intervistoj Nexhmije Hoxhën mendoj si Nexhmije Hoxha”. Me këtë logjikë i bie që kur Christian Amanpour mori në intervistë në çadër Muammar Geddafin, ajo mendonte si Muammar Geddafi? Jo. Të gjithë gazetarët amerikanë e vlerësuan faktin që ajo e intervistoi. Mes gazetarëve në fakt pati edhe ndonjë zë të mekur që bënte kritika sepse Nexhmija nuk duhet të merrej në intervistë. Këta gazetarë dembelë që intervistën më të rëndësishme në karrierën e tyre e kanë me ndonjë kryetar partie me 100 anëtarë u kthej këtë përgjigje: Kur të marrësh në intervistë një politikan që ka të paktën 1 mijë anëtarë hajde diskutojmë bashkë.

Përsa i përket atyre që nuk janë gazetarë por komentojnë siç u vjen në mendje dua t’u përgjigjem me një fakt që për mua është domethenës; Po, unë e kam marrë Nexhmije Hoxhën. Por kam marrë në intervistë edhe Geraldina Aponyin. Kam marrë edhe Hëna Këlcyrën edhe Eugjen Merlikën edhe Ramiz Alinë edhe Hekuran Isain e shumë e shumë të tjerë. Kjo është detyra ime që të marr sa më shumë personazhe në intervistë dhe të kemi versionin se secilit prej tyre për ngjarje të ndryshme. Por që të këshillosh se këtë duhet ta marrësh në intervistë e këtë jo, pikërisht ky është mentalitet i vjetër komunist. Më vjen po aq keq edhe për komente nga ndonjë shqiptar që jeton në SHBA. Shqiptarë të dashur, më vjen keq tu them se u ka mbetur koha ditën që keni ikur nga Shqipëria. Shqipëria ka ndryshuar aq shumë sa ju nuk e kuptoni. Ju komentoi nga bregu i përtejmë i Atlantikut me idenë se shqiptarët janë akoma në 1990 dhe se ëndrra jonë është t’u qepemi anijeve dhe maleve për të ikur. Jo. Meqë jemi këtu, kemi bërë më të vështirën, e kemi lidhur këtu jetën tonë dhe me të mira e të këqia, jetojmë jetën tonë këtu. Koha u ka lënë aq prapa saqë thjesht ne këtu na shkakton humor me ato që shkruani e komentoni. E përsëris, humor i pavetëdijshëm, shkruante Konica i cili edhe ai jetonte në SHBA, por informohej për Shqipërinë aq mirë sa “Shqipëria si mu duk”,  është një nga kryeveprat e tij. Pse, sepse vinte gishtin në plagë.

Screenshot-Shumë politikanë kanë ardhur tek ju, vetëm një nuk e kemi parë, ai është Edi Rama? Pse? Ç’raport keni me të dhe pse nuk vjen ai tek ju?

Në emisionin “Debati në Channel One” Edi Rama është i vetmi që nuk ka ardhur. Por nuk ka asgjë që nuk shkon. Përgjigja e tij  është pozitive dhe nuk jemi rakorduar me kohën dhe llogaritjet e bëra. Madje muajin që kaloi unë edhe e anonçova intervistën me të por për shkak të ndryshimeve në axhendë, kryeministri e shtyu. Marrëdhëniet e mia me kryeministrin janë normale pune mes një gazetari dhe një politikani. Me humor dhe batutat që Ramës i pëlqejnë shumë dhe që edhe mua më pëlqen t’ia kthej. Në albumin e tij me piktura gjatë kohës që bën bisedë në zyrë ishte edhe një pikturë  bërë gjatë bisedës me mua. Unë nuk e konceptoja se si dikush me të cilin pija kafe të pikturonte ndërkohë që flisnim. Por, edhe unë bëra si shumë të tjerë, pas sqarimit të tij se kjo ishte mënyra e tij e mirë e komunikimit.

-Dëgjojmë shpesh që shumë gazetarë përdoren nga politika, për një arsye apo një tjetër, ju vetë jeni shitur apo blerë ndonjëherë gjatë këtyre viteve karrierë (Me siguri do të thoni Jo, por na e shpjegoni, pse)?

Unë mbaj marrëdhënie të baraslarguara me poiltikanët. Indro Montaneli e ka thëmë më mirë se kushdo: në momentin që do darkoj me një politikan, ka marrë fund pavarësia ime. Jam përpjekur që leksionin e kësaj peshe të rëndë të gazetarisë botërore ta kem parasysh. Pastaj është çështje karakteri dhe morali ajo që blihesh apo jo nga politika. Më bën çudi që për disa gazetarë, vesi është kthyer në virtut. Kur lexoj shkrime të ndonjërit që vetëm me moralin dhe karakterin nuk ka lidhje dhe në shkrime bën moral, më kap trishtimi dhe me vete them se se sa vështirë do ta ketë brezi i ri për të ndarë të moralshmin nga të pamoralshmin.

-Pse nuk keni edhe ju një vilë në Lagunën Blu? Një shtëpi në Gjirin e Lalzit? Një në Palasë? Kolegët tuaj i kanë…

Pyetjes sime po i përgjigjem me një pyetje: A janë gazetarë ata që kanë kaq shumë pasuri? Padyshim që të jesh edhe gazetar dhe i pasur mund të qendrojnë tek një person, por kurrë nuk qëndrojnë bashkë në një profesion si gazetaria. Të gjithë e dimë që pasuria e madhe te një gazetar nuk është arritur ndershmërisht. Ishte një gjë shumë e mirë dekriminalizimi në politikën shqiptare. Por unë mendoj se ky proces duhet të përfshijë gjithë shoqërinë tonë dhe natyrisht dekriminalizimin duhet ta kalojë edhe media jonë. Vetëm kështu media do të bëhet roja e sigurtë e abuzimeve të politikës.

-Këtë vit, gazeta Koha Jonë, kishte 25 vjetorin. Ju keni qenë pjesë e saj. Si kanë qenë fillimet tuaja dhe çfarë dhe si ka ndryshuar gazetaria e atyre viteve me atë sot?

Është mediumi që ka patur pushtetin më të madh si askush tjetër në Shqipëri. Për mua ka qenë nder që kam qenë pjesë e asaj gazete. Atje mësova profesionin e gazetarit. Plot mirënjohje për Nikoll Lesin dhe stafin e “Koha Jonë”. Por për mua edhe drejtimi i gazetës “Panorama” dhe veçanërisht i gazetës “Tirana Observer” kanë qenë të rëndësishme në karrierën time. Prej asaj kohe dhe sot gazetaria ka ndryshuar aq shumë sa mjafton të përmend se unë dhe brezi im kemi kaluar të gjitha etapat e zhvillimit teknologjik, që nga shtypja me plumb, kompjuteri dhe printimi dixhital, emaili, celulari, website deri te facebooku. Atë kohë kishte më shumë idealizëm dhe shumë djersë. Sot ka më shumë teknologji që ndihmon shumë por që ka sjellë shumë dembelizëm dhe të rinjtë nuk synojnë për të bërë një emër në gazetari por së pari të marrin një rrogë dhe më pas të investojnë.

-Do ju shohim sërish në “Channel One” sezonin tjetër?

Po. Në shtator nis sezonin e ri dhe në projekt kam tema interesante dhe personazhe që vijnë për herë të parë.

 

Intervistoi Erion Habilaj – Botuar sot në DITA

June 20, 2016 09:48
Komento

6 Komente

  1. buçet e shqupit June 20, 11:51

    dekriminalizimi duhet te kishte filluar nga media e aleksander -frangajt nga ai shkullaku kamikazi i saliut edhe lulit qe marrin 50000 mije euro per nje shjkrim kunder kunershtareve politike

    Reply to this comment
  2. Pellumb Kulla June 20, 15:43

    Do t’i thoja dy fjalë z.Qafoku, në rast se e ka fjalën për pakënaqësinë që kam shprehur unë ndaj intervistës që ai i bëri para ca vjetësh të vesë së diktatorit Hoxha. (Nuk di t’i kenë vajtur vërejtje të tjera që përkëtej oqeanit!). E pranoj që më ka mbetur ora qëkur kam ikur nga Shqipëria, veçse do të isha i lumtur të më caktonit vitin dhe muajin, se kam bërë shumë ikje dhe ardhje. Unë zakonisht vij atje dy herë në vit dhe gjysmën e vitit e kaloj atje. Për kënaqësinë tuaj, unë e përcaktoj që në krahasim me atë që përfytyroni ju, mua ora më ka mbetur edhe shumë vite para se të lindja. Në këtë terren me ju nuk haem dot.
    Lexova me endje çka thoshit për staturën e gazetarit dhe gazetarisë investigative, shndrrimin e njerëzve në gazetarë, pa kaluar nga fakulteti i llojit, dhe fenomenin e oficerëve të ushtrisë që bëhen gazetarë… Ju përgëzoj për librin që keni shkruar edhe për qasjen ndaj figurave historike që unë nuk i kam lexuar. Unë pata lexuar vetëm atë intervistën që i morët zonjës Hoxha, e cila, dua apo nuk dua unë, është personazh historik, dhe ashtu si Xhungës ju pat dhën përgjigje historike e unë për përgjigjet nuk kam vërejtje. Unë vërejtjet i kisha ngaqë pyetjet tuaja nuk ishin historike! Unë vazhdoj të kem mendimin, – e prapambetur nga koha, – që personazhit, i cili ka patur peshë në jetët e të tjerëve, i duhen bërë pyetje që i vlojnë përbrenda pjesës më të madhe të popullit dhe jo ato që i vlojnë përbrenda personazhit historik. Çmoj për këtë Sokol Ballën apo Ilva Taren, për të mos shkuar te ndonjë gazetar i huaj familjar tek ne, si Vespa. Se po të jetë se nuk ndodh kjo që thashë, atëherë intervista nuk ka asgjë historike e ca më pak investigative. Uroj që në intervistat me të tjerë që përmendët të keni qenë vërtet në staturën e gazetarit, sepse në atë me Nexhmijen, ende kishit mbetur oficer!

    Reply to this comment
  3. logjika June 20, 20:04

    Pellumb, kthehu ne Shqiperi dhe vazhdo gazetarine dhe analistin si Artur Zheji. Po rri o Pellumb se jeni kthyer ne sorra te gjithe e ne laraska. Rriji siper te te mos çfryje aty ne Amerike. Te kishit e ndjenit pergjegjesine per ate vend, nuk transformoheshe nga ambasador ne qytetar amerikan!

    Reply to this comment
  4. malcori June 21, 17:47

    te hiqesh ndrysh nga te tjeret ,ka kompleksitetin e vete ,dhe nuk mund te vete etiketohesh

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*