Edhe PR-ja kundër ligjit për pronat

July 20, 2015 18:26

Edhe PR-ja kundër ligjit për pronat

Partia Republikane Shqiptare kundërshton projektligjin e paraqitur së fundmi për kthimin dhe kompensimin e pronave, pasi sipas saj ai është hartuar duke injoruar parimet e Kushtetutës.

Nëpërmjet një komunikate për mediat, PR-ja shprehet se ky projektligj shkel dhe cenon hapur të drejtën themelore, atë të pronës!

“Partia Republikane Shqiptare kundërshton me forcë projektligjin e paraqitur së fundmi për kthimin dhe kompensimin e pronave. Ky projektligj është hartuar tërësisht në injorim të plotë të dispozitave dhe parimeve kushtetuese, vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, pasi haptazi shkel dhe cenon të drejtën themelore, atë të pronës”, thuhet në komunikatë.

Nëpërmjet pesë pikave, Partia Republikane argumenton shkeljet e këtij projektligji.

Në këtë projektligj qëllimshëm nuk parashikohet kompensimi fizik i pronës, si një nga kërkesat prioritare të pronarëve të ligjshëm.

Rrjedhojë e këtij mosparashikimi është dhe ‘zhdukja’ e të drejtës së parablerjes së pronës nga ata që, në bazë të këtij ligji do të quhen “përfundimisht ish-pronarë” dhe ndërkohë do të kemi ‘pronarët e rinj’, klientelën e qeverisë, që falë ankandeve do marrin vendin e pronarëve të vërtetë.

Formula që qeveria do të përdorë për kompensimin financiar të pronave , jo vetëm nuk arrin të kompensojë vlerën reale, por duke ju referuar regjistrimit sipas zonës kadastrale të vitit 1976, e zhvlerëson shumë herë kompensimin financiar.

Kompensimi financiar i pronareve nga qeveria do të bëhet me anë të një procesi që zgjat 10 vjet, me një fond që kap vlerën 50 miliardë lekë ose 400 milionë dollarë, ndërkohë që, Departamenti Amerikan i Shteti në bashkëpunim me Bankën Botërore paraqitën si të nevojshëm një fond prej 38.6 miliardë dollarë. Pra ky shtet me në krye njeriun që nuk njeh pronën dhe ndihet se mund të bëjë ç’të dojë me të, e ul me 80 herë vlerën e fondit të nevojshëm për kompensimin financiar.

Dhe ne fund, si të mos mjaftonin një sërë padrejtësish, jashtë logjikës së shtetit të së drejtës, procesit të rregullt ligjor dhe gjyqësor, ky projektligj privon të drejtën kushtetuese të pronarit për t’iu drejtuar gjykatës kundër vendimeve të AKKP-së”.

July 20, 2015 18:26
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*