Edi Rama dhe njerëzit e racës prej tutkalli

September 9, 2019 10:28

Edi Rama dhe njerëzit e racës prej tutkalli

Xhevdet Shehu

Dikur një shkrues i pasionuar në rolin e gazetarit, Edi Rama në vitet 1990 ishte një kontestues i rreptë i regjimit të Sali Berishës, duke stigmatizuar bëmat e gjëmat e tij, anarkinë që mbolli, dhunimin e zgjedhjeve të lira, despotizmin e tij, vjedhjet dhe korrupsionin e paprecedent, pushtetin e pakufishëm që kërkonte me çdo kusht, nepotizmin në qeverisje, përpjekjen për të futur përçarjen Veri-Jug etj. Etj. Dhe në atë kohë Rama brohoritej nga lexuesit, ngjallte interes, madje dhe shpresë…

Erdhën si erdhën punët dhe Edi Rama filloi të ngjitej me shpejtësi në pushtet. Në fillim u bë ministër kulture, pastaj futi këmbët në Partinë Socialiste, në partinë që nuk e deshi asnjëherë për ideale po për interesa, deri në ditën që u pranua anëtar i saj. Pastaj u bë kryetar bashkie i Tiranës, u bë kryetar i partisë dhe tani ja tek e kemi Kryeministër të vendit prej gjashtë vjetësh.

***

Gazeta DITA dhe jo vetëm kjo, kanë qenë dhe mbeten kritike ndaj shumë mbrapshtive në qeverisje, si në atë të Berishës, dhe tani në këtë të Ramës.

Kritikat që kemi ndaj qeverisjes së Ramës shpesh edhe janë keqkuptuar sidomos nga elektorati i majtë, i cili ishte faktori vendimtar që e rrëzoi Sali Berishën nga pushteti në vitin 2013 dhe që solli Partinë Socialiste në pushtet. Por duhet thënë se ishin edhe premtimet e kryetarit të kësaj partie, pra të Edi Ramës që ishin sipërore që e favorizuan në rrugën e ngjitjes.

Kaluan vitet dhe Rama tashmë ndodhet përballë një zhgënjimi të madh popullor për premtimet e pambajtura. DITA ka kritikuar mënyrën infantile të qeverisjes, ngritjen e një administrate me diletantë dhe mënjanimin e personaliteteve me kulturë, me kontribute dhe me aftësi të spikatura në fusha të ndryshme. DITA ka kritikuar korrupsionin galopant, praktikën korruptive nëpërmjet partneritetit publik-privat (PPP-të), mbështetjen e qeverisë dhe të qeverisjes tek oligarkët, talljen e kryeministrit me shtresat e varfra, mungesën e punësimit që i detyron mijëra e mijëra të rinj e të reja të marrin rrugët e botës… Kemi kritikuar qëndrimin e qeverisë dhe të vetë kryeministrit ndaj Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe prirjen e tij për të rehabilituar kolaboracionistët…

Në këtë qëndrim të gazetës ndeshim dy opinione të kundërta.

Opinioni i parë: Nuk janë të paktë ata që na thonë pse ka ndryshuar qëndrim gazeta DITA. Ç’janë gjithë këto kritika të egra që i bëni qeverisjes socialiste dhe Edi Ramës? Mos doni që të vinë në pushtet ata kriminelët e krahut tjetër, ata hajdutët me çizme dhe vrasësit në mes të ditës? Të paktën Rama nuk vret si Saliu…

Kur ne argumentojmë kritikat ndaj Ramës dhe që ata na i miratojnë, na thonë: Mirë o mirë, por kujdes se gati janë ata andej matanë… Në fund të fundit, ku të gjejmë më të mirë se Partia Socialiste?

Opinioni i dytë është më i rafinuar. Ata na thonë: Mirë o mirë bëni që kritikoni, po kush ju dëgjon. I pari që nuk u dëgjon është vetë kryeministri. Dhe e dini pse? Ai nuk i lexon fare gazetat. Madje nuk pyet as këshilltarët e vet që i ka sa për formë…

Është ky një opinion i rafinuar sepse është disfatist dhe që synon të dekurajojë ata që shkruajnë hapur dhe me guxim ndaj mbrapshtive në qeverisje. Ky opinion mund ta ketë burimin brenda selisë së qeverisë, ose nga selia e Partisë Socialiste. Por pak rëndësi ka kjo. Ajo që synon të arrijë është e natyrës despotike dhe duhet denoncuar si e tillë.

Në këtë opinion të dytë ka dhe s’ka të vërteta. Dhe ja sepse. Ky opinion buron më së shumti nga njerëzit që Edi Rama mban rreth e rrotull, nga turma e këshilltarëve dhe servilëve që në të vërtetë nuk bëjnë asnjë punë përveç lajkave dhe himneve ndaj kryetarit edhe kur ai gabon e mashtron hapur. Ata e quajnë Edi Ramën “Skënderbe” dhe ai ngazëllehet, duke iu dukur vetja edhe më i madh se Skënderbeu. Ata e quajnë atë fati i Shqipërisë, Mesia që na ka munguar prej shekujsh dhe atij i shkon buza vesh më vesh nga kënaqësia… Që nuk i pyet e nuk pranon këshilla prej tyre kjo tashmë dihet.

Po ç’janë këta të pafytyrë që nuk na u shqitën ndonjëherë në të gjitha qeverisjet?

Meqë Edi Rama e ka shumë për zemër Faik Konicën, po i referohem për një moment atij eruditi dhe kontroversi njëherësh.

E pra, ata që e rrethojnë Edi Ramën aktualisht në qeveri dhe në parti, janë po ata tipa që Faik Konica në fund të viteve ’20 të shekullit të kaluar i quante “ekspertë”, dhe njerëz të racës prej tutkalli. “Ekspertët” janë në vend të tyre, më të patundur se Dajti, më të fortë se Tomori! – thotë Faiku.

Ata janë krejt të pashpirt. Ata nuk e kundërshtojnë kurrë shefin, ata vetëm e shtyjnë të bëjë më përpara. Edhe kur ai bën karagjozllëqe. Edhe kur fyen një elektorat të tërë. Për të mos u ngatërruar në “kopenë” e madhe të këtyre “ekspertëve” që janë kudo dhe gjithandej në administratën aktuale, e shoh të pamundur t’i numëroj këtu dhe t’i përshkruaj një për një. Ata janë të paemërt. Ata nuk dalin nëpër tribuna, nuk mbajnë fjalime para turmave të ekzaltuara, ata përgjithësisht vegjetojnë në hije dhe prej andej, nga errësira, luajnë rolin e tyre të pazëvendësueshëm në fatet e shtetit. Ata janë shpesh autorët kryesorë të intrigave në dramat që thuren në pallat apo që luhen përditë në teatrin politik. E, megjithatë, firma e tyre thuajse nuk figuron asgjëkund. Portreti i tyre është i zymtë dhe krejtësisht amorf.

Si të paemërt, nuk do të thotë se janë pa përgjegjësi në situatat e krijuara problematike dhe në batakun që na krijohet në të gjitha anët.

Dikur qarkullonte fjala se Mao Ce Duni nuk lexonte as gazetën e partisë së vet. Kjo thuhej për të treguar se ai ishte aq i plotfuqishëm dhe bënte ç’të donte në shtetin e tij qindra milionësh, sa nuk përfillte kurrkënd.

Ndërsa për Enver Hoxhën është thënë se e fillonte ditën e punës me leximin e shtypit. Vitet e fundit, kur iu rëndua shikimi, atij i bënin një përmbledhje të të gjithë shtypit, sado të censuruar të kohës, që ai të njihej me problemet politike, ekonomike e sociale të vendit. Jetojnë edhe sot disa nga ata persona të ish-Komitetit Qendror që e bënin këtë punë.

Atëherë, kujt kërkon t’i shëmbëllejë Edi Rama? Le të zgjedhë kë të dojë për model. Meqë Enverin nuk do as ta përmend, as t’ia përmendin, për më tepër që ai i lexonte gazetat, le të zgjedhë udhëheqësin kinez. Përderisa dhe Erdoganin e Turqisë e ka zgjedhur si ndër miqtë më të mirë dhe i bëri një qokë muajin e kaluar në Tiranë…

Por le të vazhdojmë më tej arsyetimin.

Së pari, duket si një gënjeshtër e madhe ajo që thuhet ose kërkon të imponohet, se ai si Kryeministër nuk i lexon gazetat. Duket gënjeshtër sepse ky shtyp opozitar ndaj tij ka bërë që të anulohen disa tendera dhe shkelje të tjera që ka bërë në punët e saj qeveria. Prandaj, nëse pranojmë se Edi Rama nuk lexon gazetat, duhet ta përfytyrojmë atë si struci që e fut kokën në rërë për t’u fshehur, ndërsa trupin ezhdërha e mban përjashta dhe e shikojnë të gjithë…

Që Edi Rama nuk pyet asnjë këshilltar kjo shihet qartazi. Brenda kampit të tij partiak rilindës dhe  të qeverisjes që ka ndërtuar ai është i gjithëpushtetshmi që iu imponohet dhe i ka nënshtruar të gjithë. Në këtë aspekt ai ka imituar Sali Berishën, për të cilin flitej që kur ai ishte në pushtet se Saliu i mban këshilltarët për t’i këshilluar, dhe jo për të marrë këshilla prej tyre…

Fakti që brenda partisë së tij të rilindjes nuk dëgjohen zëra që t’i thonë “NDAL!” mbrapshtive të tij, është mjaft domethënës…  Është dëshpërues. Po aq dëshpërues sa dhe fakti tjetër që i ndodhur përballë kritikave të argumentuara, Edi Rama jo vetëm nuk zmbrapset, por vazhdon edhe më me kokëfortësi në atë rrugë me shumë gropa dhe njolla të zeza, me gafa dhe arrogancë…

***

Makiaveli thotë te “Princi” se për të njohur mirë natyrën e popujve është e domosdoshme të jesh princ, ndërsa për të njohur mirë princërit, duhet te jesh popull.

Gazetari ka privilegjin të ndodhet midis princit dhe popullit. Ose, më saktë, ai duhet thënë se ndodhet sa midis princërve, aq dhe midis popullit. I barazlarguar nga të dy palët dhe midis të dy palëve njëherësh, gazetarit, si askujt i jepet mundësia të njohë mirë princërit (domethënë pushtetarët, politikanët) dhe nga ana tjetër popullin, mes të cilit ai jeton përditë si pjesë e pandashme e tij.

Ndërsa, i distancuar disi në kohë, gazetari është në gjendje të gjykojë se çfarë është bërë mirë dhe çfarë është bërë keq në një periudhë të caktuar. Tashmë ai është i çliruar nga emocionet dhe pasionet e koniunkturave të çastit dhe vëren qetësisht ecurinë e mëpastajme të ngjarjeve, duke verifikuar veten dhe të tjerët…

Edi Rama nuk është princ, por mbase ëndërron. Edhe Sali Berisha dikur ëndërroi të bëhej mbret në vitin e largët 1994 dhe dihet se ç’përgjigje mori nga sovrani.

Me gjoja shpërfilljen e tij, Edi Rama e ka fyer shtypin e lirë. Ai tregon urrejtjen e tij për këtë shtyp vetëm e vetëm pse ia thotë të vërtetën në sy dhe publikisht.

Por ai edhe mund të mos e lexojë vërtetë shtypin, duke i futur të gjithë në atë termin që vetë e ka shpikur “në kazanin mediatik”. Dhe këtë e bën me qëllim. Që edhe ato të vërteta që i thuhen me argumente të mos duken dhe përfshihet te mali i gënjeshtrave dhe shpifjeve që gëlojnë me shumicë çdo ditë.

Por, për një gjë duhet të jetë i sigurt kryeministri: Nëse ai vërtet nuk lexon shtypin, këtë nuk mund t’ia imponojë masës së popullit. Njerëzit lexojnë dhe ata janë votuesit. Duke lexuar, duke u ballafaquar me faktet dhe dokumentet, ata binden, krijojnë opinionin e tyre dhe pastaj vendosin se cilin duhet të votojnë.

***

Dikur Sali Berisha, në kulmin e pushtetit, iu rrit aq shumë mendja dhe e ndjente veten aq të sigurt sa arriti të sulmonte edhe një nga gazetat më prestigjioze e më të fuqishme të botës, Nju Jork Tajmsin, duke e quajtur “letër higjienike”. Ishte koha kur ndodhi tragjedia e Gërdecit, dhe gazeta amerikane investigoi  dhe drejtoi gishtin te disa nga emrat kryesorë si shkaktarë të tragjedisë.

Është një nga shembujt më flagrantë të arrogancës së një pushtetari, të agresivitetit të tij kundër shtypit të lirë. Sali Berisha i quante paçavure të gjitha gazetat që e kritikonin. Lexonte vetëm RD-në dhe 55-n, ku më së shumti rilexonte shkrimet e tij në to.

Por dihet se si kanë kushtuar Sali Berishës qëndrime të tilla. Që të kulmonte me sulmet kundër Nju Jork Tajmsit, Sali Berisha kishte bërë një rrugë të gjatë dhe me shumë krusma ogurzeza kundër popullit të tij. “Regjimi i Tiranës është një regjim gangsterësh”, shkruante në pranverë të 1997-ës Endrju Gambëll (Andrew Gumbel) në gazetën londineze The Independent.

E pra le të kthehemi edhe njëherë te pyetja që shtruam në fillim të këtij shkrimi. A i lexon gazetat Edi Rama? Le ta marrë përgjigjen nga dy vargje të Kiço Thoma Spirit që besoj se ai i ka dëgjuar:

Nëqoftëse Po,

Ohohoho!

Nëqoftëse Jo,

Obobobo!

 

September 9, 2019 10:28
Komento

3 Komente

  1. mirel September 9, 19:16

    Xhevdet, jeni ku infantile qe mendoni se Qeveria e Ranitit eshte infantile. Ramuti instaloi regjimin me te ndyre antishqiptar duke rekrutuar jo infantile, por delikuente e kriminele, qe nga Likja, Basha, Ahmetaj, Gjiknuri, Balluku, Denaj, Bushati, qe vetem i sherbyen qellimit te vetem te Ramutit- Vjedhjes se pasurise shteterore dhe shitjes se trojeve shqiptare.
    Infantilet jeni ju te gjithe, qe i krehet bishtin derisa jua hodhi shurren ne koke.
    Tani qe po qelb era e kuptuat qe qenka shurre ajo qe Ramuti paska rezervuar per shqiptaret..

    Reply to this comment
  2. Ylli September 9, 19:46

    Zotni apo shoku Xhevdet ….megjithe perpjekjet qe ben nuk je gazetar o shoku – zotni ,as analist dhe as opinionist .
    Ju jeni ashtu si shumica e formuar ne kohen e diktatures shabllonist ,monoton ,njëvrimëfyellsh ,i pakultivuar dhe skllav i formimit tend te dhunshmem nga Partia.
    Enveri e fillonte diten me leximin e shtypit…hahahaha ,te kujt shtypi o shoku ‘ zotni te lutem ?? Te Hostenit te Hyske Borobojkes apo Zeri i Popullit i lakres foragjere ??
    Nje keshille po mu lejua….eshte tragjikomike o shoku – zotni Xhevdet kur gazetari boton nje shkrim qe lexuesi e di shume mire cdo te thote .Nuk bajat i parashikueshem…me falni ,por gazetari kur shkruan per honorare eshte gazetaruc .
    Edhe diçka per gazeten Dita .Lexoj qe bejne te habiturin ,te cuditurin ,te suprizuarin te gazeta Dita ne lidhje me Ramen !?!?
    Ju lutem ,mashtroni dhe genjeni veten .
    Edi Rama nuk eshte fshehur asnjehere qe nga fillimet e tij arrogant ,egocentrik ,cinik ,ironik ,imponues dhe perjashtues .
    Ju e dinit kush ishte ,Edi sdo tja dije kush jeni ju .Ju do ishit dakort dhe me Hitlerin po te ishte kundra Berishes….kaq urrejtes amator e te ceket jeni te gazeta Dita !!!

    Reply to this comment
  3. Ylli September 9, 19:48

    Zotni apo shoku Xhevdet ….megjithe perpjekjet qe ben nuk je gazetar o shoku – zotni ,as analist dhe as opinionist .
    Ju jeni ashtu si shumica e formuar ne kohen e diktatures shabllonist ,monoton ,njëvrimëfyellsh ,i pakultivuar dhe skllav i formimit tend te dhunshmem nga Partia.
    Enveri e fillonte diten me leximin e shtypit…hahahaha ,te kujt shtypi o shoku ‘ zotni te lutem ?? Te Hostenit te Hyske Borobojkes apo Zeri i Popullit i lakres foragjere ??
    Nje keshille po mu lejua….eshte tragjikomike o shoku – zotni Xhevdet kur gazetari boton nje shkrim qe lexuesi e di shume mire cdo te thote .Jeni bere bajat i parashikueshem…me falni ,por gazetari kur shkruan per honorare eshte gazetaruc .
    Edhe diçka per gazeten Dita .Lexoj qe bejne te habiturin ,te cuditurin ,te suprizuarin te gazeta Dita ne lidhje me Ramen !?!?
    Ju lutem ,mashtroni dhe genjeni veten .
    Edi Rama nuk eshte fshehur asnjehere qe nga fillimet e tij arrogant ,egocentrik ,cinik ,ironik ,imponues dhe perjashtues .
    Ju e dinit kush ishte ,Edi sdo tja dije kush jeni ju .Ju do ishit dakort dhe me Hitlerin po te ishte kundra Berishes….kaq urrejtes amator e te ceket jeni te gazeta Dita !!!

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*