Edi Rama do jetë deputet i Vlorës

Erion HABILAJ April 30, 2013 09:51

Edi Rama do jetë deputet i Vlorës

Edi Rama zgjedh të kandidojë për deputet në Vlorën e historisë, ku 100 vite më parë u themelua shteti i pavarur shqiptar. Burime nga selia rozë bëjnë me dije se lideri i opozitës ka zgjedhur të kryesojë listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Vlorës. Kjo është hera e parë që kryesocialisti kandidon për deputet, pasi në zgjedhjet e vitit 2009, ai preferoi të mbante postin e kryebashkiakut të Tiranës dhe të mos ishte në listën e kandidatëve. Kandidimin e tij Rama e theksoi dhe gjatë ditës së djeshme, kur zhvilloi një bashkëbisedim me gazetarët. “Në sistemin e sotëm pjesa më e madhe e atyre që janë në parlament, janë deputetë automatikisht. Sepse gara zhvillohet mes palëve, dhe numri i deputetëve që janë mes hapësirës politike, është një numër i kufizuar. Unë patjetër do jem deputet si shumë të tjerë në skuadrën tonë kombëtare”, tha Rama. Po ashtu, Rama ka theksuar edhe faktin që ministrat e qeverisë socialiste nuk mund të mbajnë dy poste, duke u detyruar të japin dorëheqje nga mandati i deputetit. Pikëpyetjet lidhen me vetë zotin Rama, nëse do të lërë mandatin pasi të zgjidhet kryeministër, apo do t’i mbajë të dyja?! Po t’i referohesh historisë familjare të zotit Rama, ai rezulton se është gjysmë vlonjat, duke qenë se e ëma e tij, Aneta, është nga fshati Vuno. Në zgjedhjet e 23 qershorit, edhe kreu i mazhorancës nuk do të kandidojë në Tiranë. Në korridoret e selisë blu ka filluar të flitet se zoti Berisha do të jetë kandidat në qarkun e Durrësit, duke tentuar që të luftojë fort në atë qark, që në vitin 2009 ishte në favor të së djathtës. Në fakt, përveç kësaj, largimi i Berishës nga qarku i Tiranës lidhet dhe me humbjen spektakolare që bëri në zonën e tij në Kavajë, kur dy vjet më parë bashkia e këtij qyteti u fitua nga socialistët. Berisha është deputet i atij qyteti dhe humbja e ka detyruar të zhvendoset drejt Durrësit, për të mos përsëritur një humbje tjetër më 23 qershor.

Erion HABILAJ April 30, 2013 09:51
Komento

1 Koment

  1. guri shabani April 30, 10:13

    Sala edhe ne hene te kandidoj e ka te humbur fitoren .Ai vete do dali deputet por te harroj numrin 60 se do behen me pak.0 ja mer topi dhe Ak

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*