Edith Durhami në mbështetje të Ismail Qemalit (II)

March 10, 2020 13:58

Edith Durhami në mbështetje të Ismail Qemalit (II)

Prof. dr. Bardhosh  Gaçe

(Vijon nga numri i kaluar)

Herberti ishte disa herë në Shqipëri dhe takimet e tij me Ismail Qemalin dhe të gjithë faktorin politik dhe bashkëkohor të kohës kanë ndihmuar që ai të ketë një ide të qartë dhe informacion të plotë për shumë çështje për të cilat ishte i alarmuar Ismail Qemali, si në Veriun e vendit edhe në Jug, të cilin diplomati i shquar e kishte shkelur me këmbë dhe e kishte prekur me dorë. Në shtator të vitit 1913 Shqipëria ishte në një gjendje tmerrësisht të vështirë qoftë brenda saj, por edhe në luftë me fqinjët, të cilët këmbëngulnin për ta pushtuar vendin në pritje për të marrë territoret tokësore që u ishin premtuar. Diplomati anglez, përveçse do të pritet si mik i madh i Shqipërisë në Vlorë nga Ismail Qemali dhe paria e Vlorës, ai nuk do të kursehet që të shkelë gjithë Jugun e Shqipërisë, ku dhjetëra mijëra muhaxhirë të Jugut kishin braktisur shtëpitë e tyre nga sulmet barbare greke dhe gjendeshin në kushte të vështira nëpër Vlorë dhe kodrat e shumta të ullishtave, ku sëmundjet dhe epidemia po i shfaroste në masë. Herberti shkoi në qytetet e mëdha të Jugut, pastaj shkoi edhe në Shkodër, për të parë nga afër gjendjen në Veri, banorët e të cilit po përballeshin me ushtritë sllave-malazeze-serbe, të cilat kishin avancuar shumë në tokat shqiptare, me pretendimin se ato tashmë u përkisnin atyre me mbështetjen edhe të komunitetit ndërkombëtar.

Herbert dhe Komiteti Shqiptar Anglez do të bëjnë përpjekje të shumta për të mundësuar kontakte të delegacionit shqiptar në Londër, me rastin e Konferencës së Ambasadorëve atje, për të thënë edhe ata mendimin e tyre dhe për të qenë pjesë e fatit të vendit të tyre, edhe pse ata nuk u pranuan nga organizatorët e kësaj konference të njohur.

Herbert dhe familja tij, sjellin dëshmi interesante të eksponentëve shqiptarë të delegacionit, veçmas për Isa Boletinin, tek i cili spikat luftëtari tradicional dhe i njohur shqiptar, ku reflektohet një simpati e çuditshme, aftësia për t’i kuptuar drejt gjërat dhe një inteligjencë të lindur, për t’u orientuar mirë në atë mishmash diplomatik të kohës, ku ishte përfshirë fatalist dhe fati i trojeve shqiptare.

Opinioni politik-diplomatik i Herbertit në këtë kohë reflekton në një moment interesant, si ai i dhjetorit të 1912, kohë kur u propozua krijimi i Komitetit Shqiptar Anglez, ku ndër të tjera Herbert shkruan: “Çështja e autonomisë shqiptare ndryshon ndjeshëm nga çështjet e shteteve të tjera të Ballkanit, sepse është çështje kombësie, jo feje. Shqiptarët, një popull i lashtë  (maqedonasit e vjetër), sot janë rrethuar nga popuj të cilët kërcënojnë të asgjësojnë idealet e tyre kombëtare. Meqenëse në çdo moment Shqipëria mund të bëhet pre e pazareve të diplomacisë, lypset dhe bëhet thirrje për përpjekje të menjëhershme. Nisur nga urgjenca e çështjes shqiptare dhe rëndësia e situatës anglo- muhamedane, komiteti i cili nuk ka lidhje partiake, ju ftoj të bashkoheni me të”.

Në këtë sfond të vështirë të mbijetesës së shqiptarëve me fqinjët, por edhe me shurdhërinë e komunitetit ndërkombëtar, kur projekti i vjetër, që nga Shën Stefani apo Kongresi i Berlinit, për copëtimin e trojeve shqiptare po nxiste aktivisht edhe terrenin e tokave shqiptare, së vepruari në dobi edhe në mbështetje të Shqipërisë dhe të shqiptarëve nuk reshti Edith Durhami, e cila e përjetoi këtë situatë si një shqiptare e madhe, dhe kontribuoi brenda dhe jashtë vendit si një “përfaqësuese” diplomatike e rëndësishme në të gjithë hierarkinë diplomatike ndërkombëtare me të gjitha format e mundësitë që ajo pati. E njohur si një humaniste e pakursyer, Durhami shkeli dhe përjetoi gjendjen në të gjithë Shqipërinë e kohës. Në këtë valë të nxehtë të jetës me vdekjen, ajo pa me sytë e saj masakrat malazeze-serbe në veri edhe fatin tmerrësisht vrastar të muhaxhirëve në jugun e vendit.

Kronika e shtypit të kohës, por edhe kronika e huaja të vitit 1914 shënojnë se muhaxhirët kishin vërshuar në brigjet e Vlorës dhe të Vjosës, kronikë që publicisti i njohur Sali Nivica në faqet e gazetës “Populli”  e parashkruante kështu:”Kanë lënë plengun e tyre shkretë, foshnjat e tyre nën maja të mprehta të bajonetave greke, kanë vrapuar me shpirt ndër dhëmbë e janë futur ndër gji të kësaj krahine të shpëtuar gjer më sot nga rrebeshi i gjakut e i vdekjes…”,2. njerëz fatkeqë që kërkuan t’iu gjendeshin në krah si shoqëria e zonjave  “Shpresa Kombëtare”, tregëtarët dhe atdhetarët e njohur Pandeli Bezhani, Aristidh Ruci, Sheref Dano, Tonç Kilica, Muço Sharra, Shahin Haruni, Ymer Radhima, Ibrahim Shyti Epaminonda Koleka, Muhamet Myftiu, Qamil Risilia, Xhemil bej Vlora, Haziz Xhyheri, të cilët ndihmuan me ushqime, veshmbathje dhe mbulesa.

Në këtë rast është shfaqur pranë kësaj drame të madhe dhe ka parë me sytë e saj edhe Edith Durhami. Beqir Velo Kanina shkruan për këtë rast: “Në motin e muhaxhirëve erdh në Vlorë dhe zonja Durhami, e cila ndihmoi katundarinë dhe muhaxhirët për gjendjen e keqe të tyre. Ajo iu bëri thirrje Fuqive të Mëdha për të ndihmuar shqiptarët. Pas takimit në Katundari me I. Abdullahun, Elmaz Xhaferrin, Sali Nivicën, Jani Mingën, Abaz Mezinin e zonjën e grave Marigo, bashkë me Kryekatundarin shkuan në ndërtesën e KNK, ku biseduan me Fuqitë për ndihma…”.3.

Gjatë kësaj kohe në Vlorë dhe në ullishtat e Vlorës, të larguar nga barbaria serbe, krahas muhaxhirëve të Jugut, ishin edhe rreth 2500 refugjatë nga Kosova, Peja, Gjakova, Mitrovica e Gostivari. Shqipëria ishte nën pushtetin e barbarisë që kishte sjellë copëtimi i trojeve shqiptare edhe në Konferencën e Londrës. Edith Durhami flet gjerësisht për çështje të tilla në librin e njohur të ngatërresave ballkanike.

Gjatë udhëtimit të saj në Vlorë, Mis Durham na jep në përshkrimet e veta  edhe fatin dramatik të shqiptarëve për shkak të Luftës së Parë Botërore dhe shkretimit të vendit nga monarkitë e Ballkanit. Në veprën e vet “Brengat e Ballkanit” ajo shkruan: “Në Vlorë, ku ishte edhe fundi i udhëtimit tonë, takuam një numër refugjatësh nga Çamëria, malësorë të mbrekullueshëm, të cilët deri tani kishin pasur autonomi lokale në bazë të ligjeve të vjetra shqiptare. Tani ata rrezikoheshin të aneksoheshin nga Greqia dhe na u lutën me brengë në zemër t’i shpëtonim. Në Vlorë, i bëmë një vizitë Qeverisë së Përkohshme Shqiptare. Ishte një kuvend i vogël në një shtëpi të varfër. Por ai përfaqësonte shpresat e një kombi të varfër. Anëtarët e qeverisë ishin mëse të vendosur dhe prisnin me padurim rezultatet. Kishte plasur lufta midis serbo-grekëve dhe bullgarëve. Ata kishin frikë se Bullgaria nuk do të mund t’u bënte ballë këtyre forcave të bashkuara dhe një fitore e grekëve dhe e serbëve do të thoshte shkatërrim për Shqipërinë…”.4.

Edith Durhami ishte një grua aktive, e cila ishte përfshirë gjatë gjithë kohës në situata dhe kriza të kësaj natyre, qofshin humanitare, por edhe të ndihmës. Si e tillë, ajo ishte përfaqësuese e Anglisë në Komitetin Ndërkombëtar të Ndihmave në Vlorë që ishte krijuar në fund të korrikut, ku bënin pjesë edhe konsulli i Italisë, Austrisë, nënkonsulli i Rusisë dhe njerëz nga paria e vendit si Ibrahim Abdullahu, Fejzi bej Alizoti, Gjergji Çako, Behxhet Shapati, Sadullah Tepelena, Abaz Mezini, Marigo Posio, Baki Gjebrea, Hysen Gostivari etj. Mis Durham ishte një grua e aftë për të përballur me një situatë të tillë. Ndërsa ishte humane, një grua vitale dhe me një dhembshuri të madhe, ajo ishte e aftë edhe t’i përballonte këto situata dramatike dhe tragjike.

Bashkë me Ibrahim Abdullahun ajo shkon në terrenin e tmerrshëm të dramës kolektive, ku fëmijë, të moshuar vdisnin pa masë. Krahas thirrjeve që iu ishte bërë komunitetit ndërkombëtar, afrimit të mjekëve të pakët që kishte vendi, Durhami bashkë me eksponentë të njohur të Vlorës kishin sensibilizuar gazetat e njohur të Evropës, kishin kërkuar nga faktori vendës të bëheshin bashkë për kapërcimin e situatës, ndërsa ajo vazhdonte vetë ta prekte me dorë realitetin, deri në krahinën e Kudhës- Grehotit, në Vllahinë dhe Shkozë, në një terren të vështirë, të hipur mbi kuaj. Bashkë me një gazetar gjerman i “Deutsches Tager Zeitung” ajo pa me sy njerëz të rrënuar, të varfër, të sëmurë dhe të uritur nga viset jugore të vendit, të cilët mezi mbanin shpirtin ndër dhëmbë, ndërsa numri i të vdekurve ishte i frikshëm.

Durhami ishte një grua e njohur në Shqipëri, ajo ishte një lloj shprese në sytë e këtyre njerëzve të katandisur tmerrësisht keq në shëndet dhe në shpirt. Pavarësisht kësaj gjendjeje, ajo kishte arritur deri në kufirin ekstrem të terrorit të pushtuar nga grekët, në Kudhës Grehotit, ku qëndronin rreth 7 mijë muhaxhirë, ku rreth 200 vetëdashës të drejtuar nga Toto Hosi dhe Kanan Maza, si edhe djemtë e Ismail Qemalit kishin arritur të ndalonin vrullin e ushtrisë greke  në malin e Dhemblanit, të cilët ndiqnin dhe masakronin kolonat e rraskapitura të muhaxhirëve shqiptarë.

Durhami, siç ishte e njohur dhe dëgjuar për të, dhe në këtë rast kishte hyrë mes vuajtjes dhe dhimbjes njerëzore. Ajo ishte bërë njësh me të, duke dhënë ndihma, ilaçe dhe duke kërkuar me të gjithë mundësitë mbështetje për jetët njerëzore. Bashkë me Herbertin, Durhami dhe ai ishin një dëshmi autentike e asaj që ngjante në një vend të lashtë si Shqipëria, e cila kishte mbetur viktimë e ngatërresave ballkanike, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, por që zëri i saj kishte rënë në veshët shurdh të Fuqive të Mëdha. Herberti dhe Edith Durhami janë takuar bashkë më 25 gusht 1913, një takim që përkonte me një opinion të njëjtë për çështjen shqiptare, qoftë për shpalljen e Pavarësisë, po ashtu edhe nevojës, që Shqipëria të gëzonte mbështetjen dhe ndihmën e Evropës, thirrje të cilën të dy anglezët e njohur do ta kishin në buzë gjatë gjithë jetës së tyre.

Durhami, si edhe Herberti e njohën mjaft mirë Jugun e Shqipërisë, edhe shqiptarët ishin mirënjohës të mëdhenj për atë që ajo bëri për to. Kjo mirënjohje shprehet në mënyrën më të mirë të mundshme në xhestin brilant të shqiptarëve të Jugut. Në janarin  evitit 1914, Mitat Frashëri bashkë me disa atdhetarë të qytetit të Elbasanit, u ka propozuar vlonjatëve për të blerë dhe për t’i dhuruar një pendë floriri Durhamit. Gazeta “Përlindje e Shqipërisë” e vërteton këtë nismë. Komisioni prej Mitat Frashërit, Grigor Cilkës, Taq Budës, Doktor Ruzhdiut, të vlonjatëve Jani Minga, Ibrahim Abdullahu, Dom Mark Vasa, Seit Qemali, Osman Haxhiu, Dhimittër Berati, Kristo Floqi dhe Sali Hallko, bënë të mundur këtë nimë të rëndësishme për të nderuar njërën nga miket e mëdha të Shqipërisë dhe të Jugut të Shqipërisë.

Në njoftimin e shpallur në gazetën “Përlindja e Shqipniës”, në shkurt 1914, midis të tjerash thuhej: “Këtu në Elbasan filluan që të mblidhen ndihma nga një metalik (10 para) për njeri, duam të blejmë një kalem të florinjtë që t’ia dhurojmë zonjës Edith Durham, si kujtim për shërbimet fisnike që i ka bërë kombit tënë me shkrimet dhe botimet e saj. Për të rrëfyer këtë mirënjohje kombi ynë, kemi dashur që edhe ndihma të jetë e popullit dhe nga ky shkak s’marrim më tepër se 10 pare për njeri…”5).

Një tablo konkrete të takimit dhe nderimit në Vlorë të Mis Durhamit, na jep edhe publicisti Ibrahim Shyti në artikullin e tij “Një pjekje me Mis Durhamin në Vlorë”, ku shkruan: “Nga ana e vlonjatëve, pasi u plotësua Komisioni i Elbasanit, për të blerë pendën e artë të Mis Durhamit ndihmuan: Jani Minga – 10 pare, Xhemil Vlora – 10 pare, Kristo Karbunara 10 pare, Ibrahim Abdullai – 10 pare, Hamza Isai – 10 pare, Sali Hallko – 5 pare, Ali Asllani – 5 pare, Tol S. Arapi – 5 pare, Dom Mark Vasa – 10 pare, Seit Qemali – 5 pare, Dhimitër Berati – 10 pare, Hasan Sharra – 10 pare, Spiro J. Koleka – 5 pare, Qazim Kokoshi – 10 pare, Sali Nivica – 5 pare, Osman Efendiu – 10 pare, Ibrahim Shyti – 5 pare, Leonidha Bezhani – 10 pare”.6).

Më 3 gusht 1914 në Vlorë (hotel “Ballkani”) Edith Durhami bëhet “qytetare  Nderi e Vlorës”, dhe po atë mbrëmje, përmes gojës së Mitat Frashërit, i cili citohet të ketë thënë për Durhamin :”… një evropiane të shkëlqyer, që njeh zemrën dhe mejtimin e shqiptarëve në përpjekjet e tyre liridashëse e qyetëruese”, i jepet asaj pena e florinjtë dhe një kostum popullorë grash të Shpatit, nderim që ajo e përkthen në zotimin se “së bashku me zotnin Herbert do të luftojmë për të drejtat dhe kombësinë e qytetërimin e shqiptarëve”. Këtij kujtimi të shenjtë dhe të rëndësishëm, do t’i shtohet edhe një album fotografik të saj dhuruar Ibrahim Abdullahut, me fotografi nga udhëtimet e saj në viset veriore të Shqipërisë, me shënimin “Të nxehtit shqiptar që përpiqet për kombin e tij”, si dhe një libër të një shkrimtari anglez të titulluar “Ballkani”, dhuruar Fejzi bej Alizotit.

Edit Durhami bëri po kaq shumë edhe në krizën e muhaxhirëve dhe emigrantëve në krizën e viteve 1913-1914 në Veri dhe në Jug. Thirrja e saj për Kryqin e Kuq Ndërkombëtar kishte mundësuar ardhjen e ndihmave për varfanjakët  muhaxhirë, me ç’rast u shpëtuan shumë jetë njerëzore.

Edit Durhami mbeti një grua dhe personalitet i rëndësishëm gjatë gjithë jetës, për atë që shqiptarët e pritën, e respektuan, e deshën dhe e nderuan, sa e konsideruan dhe “Mbretëresha e Malcis”.

 

  1. 2. Gazeta “Populli”, Vlorë, 24 korrik 1914.
  2. 3. Beqir Velo “Kujtime”, në “”Rilindasi” i Vlorës, Ibrahim Abdullau”, Tiranë 2000, fq. 122.
  3. 4. Edith Durham: Brenga e Ballkanit” dhe shkrime të tjera për Shqipërinë dhe shqiptarët”, Tiranë 1990, fq. 401.
  4. 5. Gazeta “Përlindja e Shqipniës”, 18/21 kallënduer 1914.
  5. 6. Ibrahim Shyti: “Një pjekje me mis Durhamin në Vlorë”, Vlorë 1963, fq. 2.

 

March 10, 2020 13:58
Komento

1 Koment

  1. "BOHOTINA" March 11, 20:01

    Te lumt Bardhosh Gace qe evokon nje angleze kaq te madhe. Ajo ndenji mbi 15 vjet ne Shqiperi duke u kthyer ne zedhense te popullit tone te vuajtur, por edhe ndihmoi me ushqime e ilace.

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*

Tirana Bank