Edukimi në vazhdim në shëndetësi, QKEV: Duhen kontrata të reja

August 12, 2017 17:04

Edukimi në vazhdim në shëndetësi, QKEV: Duhen kontrata të reja

Të rishikohen kontratat e spitaleve me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, duke përcaktuar përdorimin e një fondi të dedikuar për edukimin në vazhdim.

Kërkesa vjen nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim, sipas së cilës angazhimi i pamjaftueshëm i institucioneve publike të kujdesit shëndetësor në ofrimin e aktiviteteve të edukimit në vazhdim, është një shqetësim i rëndësishëm për mbarëvajtjen e këtij sistemi.

Sipas këtij institucioni, aktualisht spitalet nuk kanë një fond të dedikuar për këtë program, çka duhet të ndryshohet.

Ndërkohë që, edhe pse qendrat shëndetësore kanë një detyrim kontraktual me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, për përdorimin e 1% të buxhetit për edukimin në vazhdim, ende shumica prej tyre nuk e zbatojnë këtë detyrim.

Sipas QKEV-së, drejtuesit e spitaleve dhe qendrave shëndetësore ende nuk e perceptojnë nevojën e investimit në edukimin e personelit si një investim në cilësinë e kujdesit shëndetësor.

Ndërkohë që, edhe në vitin 2016 ofrues kryesorë të aktiviteteve për mjekët, infermierët, farmacistët dhe stomatologët ishin shoqatat e profesionistëve dhe organizatat e tjera jopublike, institucione akademike, etj.

Sipas ligjit “Për Kujdesin Shëndetësor” institucionet shëndetësore kanë detyrimin për të ofruar aktivitete të edukimit në vazhdim për punonjësit e vet në mënyrë që ata të përmbushin minimalisht 30% të numrit të krediteve  të kërkuara, raporton Scan.

Ndërkaq, për vitin 2016-të, 15.853 profesionistë të shëndetësisë, nga të cilët 1,548 janë mjekë, 757 stomatologë, 510 farmacistë dhe 10037 infermierë rezultojnë pa asnjë kredit në ciklin e dytë të ricertifikimit.

Mbledhja e krediteve përgjatë ciklit 4-vjeçar është një detyrim për profesionistët e shëndetësisë, ndërkohë që ata që nuk plotësojnë kriteret, do t’i nënshtrohen provimit të certifikimit, duke rrezikuar edhe licencën e ushtrimit të profesionit.

August 12, 2017 17:04
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*