EKONOMI / Ndikimi i krizës së burgjeve greke, dyfishohet çmimi i paketës në burgjet tona

April 8, 2018 21:31

EKONOMI / Ndikimi i krizës së burgjeve greke, dyfishohet çmimi i paketës në burgjet tona

Globalizimi i ekonomisë së burgjeve ka sjellë pasojat e veta edhe në vendin tonë. Kriza disa vjeçare në burgjet fqinje të Greqisë ka shtrirë ndikimin e vet edhe në institucionet shqiptare të vuajtjes së dënimit: Rritje çmimesh, inflacion dhe rënie të ndjeshme të shkëmbimeve tregtare.

Treguesi më i qartë për këtë është dyfishimi i çmimit të paketës së cigareve, malli që në njëfarë mënyre shërben edhe si monedhë.

“Të më thoshte dikush tre vite më parë se do dyfishohej paketa, do qeshja me të madhe”, pohon për Gojët e Liga Zaçe Biçaku, i dënuar pikërisht për kontrabandë cigaresh dhe ekspert i sektorit, “por ja që katastrofën e kemi mbi kokë”.

Biçaku është dakord se një impakt të fortë në krizën tonë ka patur kriza në burgjet fqinje, sidomos kolapsi i burgjeve greke, por dhe rënia dramatike e xhiros vjetore në burgjet italiane e angleze.

“Në epokën e ekonomisë globale të burgjeve, virusi i krizës transportohet gjithandej”, thotë Biçaku teksa mpreh një biçak të improvizuar në hekurat e krevatit, “edhe pse ndonjë cinik mund të thotë se burgu ynë nuk ka si ta ndjejë krizën, sepse kemi qenë gjithnjë në krizë”. 

Por nëse paketa e cigares është një element deri diku simbolik, ka edhe tregues më dramatikë që dëshmojnë se paraliza financiare është ulur këmbëkryq.

Nëse dikur mund të fusje heroinë në burg, duke e fshehur atë me kujdes brenda një pakoje me hashash të presuar, sot edhe çmimi i futjes së një cigareje hashash të fshehur brenda një franxholle bukë është shtatëfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Zaçe Biçaku analizon disa grafikë të komplikuar dhe psherëtin: “Pa marrë ndonjë ndihmë në logjistikë, burime njerëzore dhe know-how nga burgjet e vendeve ku synojmë të anëtarësohemi, keq e kemi punën!”

****

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike që nuk e krahason asnjëherë veten me një njëjtin tremujor të vitit të kaluar.

 

April 8, 2018 21:31
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*