Eksepsionalizmi amerikan dhe lidershipi global i Shteteve të Bashkuara

August 1, 2018 12:20

Eksepsionalizmi amerikan dhe lidershipi global i Shteteve të Bashkuara

Amerika! Bota e Re! A është ky vend i bekuar nga Zoti dhe i destinuar nga Historia që të sjellë liri, paqe dhe begati në botë? A janë Amerika dhe populli i saj eksepsionalë? Gazeta Dita ka ftuar sociologun dhe diplomatin e mirënjohur Fatos Tarifa, ish-ambasador i Shqipërisë në Uashington dhe aktualisht Rektor i University of New York Tirana që ta shtjellojë këtë subjekt historikisht dhe teorikisht për lexuesit e saj. Kjo është pjesa e dytë e analizës së tij.

“Çdo njeri ka dy atdhe— atdheun e vet dhe Amerikën”

Prof. Fatos Tarifa

Nëse përpiqemi të gjejmë se kur pikërisht, dhe nga kush është përdorur për herë të parë koncepti “eksepsionalizëm”, do të hasim pikëpamje të ndryshme. Tekstet amerikane të historisë thonë, përgjithësisht, se i pari që e ka formuluar këtë ide ka qenë John Winthrop, në vitin 1630, kur, në bordin e anijes “Arbella”, ende pa zbarkuar në Masaçusets, ai e përshkroi “Botën e Re”, drejt së cilës po shpërnguleshin emigrantët europianë, si “qytetin mbi kodër” (the city on the hill).

Kjo frazë përdoret sot gjerësisht në Shtetet e Bashkuara falë shprehjes së njohur që presidentit Ronald Reagan, që duke e huazuar atë, e ka cilësuar Amerikën si “qyteti që ndrit mbi kodër” (the shining city on the hill). Duke e konsideruar Amerikën një vend krejt të veçantë nga çdo vend tjetër që kish njohur historia deri atëherë, Winthrop mendohet se ishte i pari që hodhi idenë mbi natyrën “eksepsionale” të saj, me fjalët e tij tashmë proverbiale: “Sytë e të gjithë popujve janë drejtuar nga ne”.

Sidoqoftë, deri më sot, jo vetëm që nuk është provuar që Winthrop ta ketë përdorur ndonjëherë fjalën“eksepsionalizëm”, por, siç vë në dukje Walter McDougall, dokumenti në të cilin Winthrop i shkroi fjalët “the city on the hill” ose mbeti krejtësisht i panjohur, ose u harrua për afro 180 vite, deri në vitin 1809, kur ai u gjet në arkivin e familjes së tij.

Madje, edhe atëherë, pasi iu dhurua Shoqatës Historike të Nju Yorkut (New York Historical Society), ai dokument mbeti thuajse i panjohur edhe për 30 vite të tjerë, derisa u botua në një koleksion dokumentesh të periudhës koloniale në Masaçusets, në vitin 1838. Për më tepër, edhe pas publikimit të atij dokumenti, shprehja “the city on the hill” tërhoqi fare pak vëmendjen e studiuesve, aq sa, George Bancroft, historiani më i shquar amerikan i shekullit të 19-të dhe autor i veprës klasike Historia e Shteteve të Bashkuara (1854-1878), e përmend atë vetëm në botimin e 16-të të kësaj vepre, në vitin 1858, madje edhe atëherë, nuk e lidh këtë shprehje me emrin e Winthrop-it.

Walter Dougall shkruan se, nëse shprehja “the city on the hill”, e përdorur për herë të parë në vitin 1630, nuk ka pasur vërtet atë peshë dhe atë rëndësi për të cilat është shkruar në tekstet shkollore të historisë së Shteteve të Bashkuara deri më sot, për të krijuar e legjitimuar mitin e një vendi dhe të një populli “të zgjedhur”, sa e mundur është atëherë që ideja e “eksepsionalizmit” amerikan të jetë bërë historikisht pjesë e vetëdijes popullore të amerikanëve? Ky autor argumenton se, më shumë se një tipar “specifik” i amerikanëve, “eksepsionalizmi” i tyre duhet parë si një vazhdimësi dhe shprehje e interesave të kompanive e të pronarëve të mëdhenj britanikë që u vendosën në të trembëdhjetë kolonitë e Amerikës Verilindore, të cilët, me zgjuarsi kultivuan idenë e një “Bote të Re”, të virgjër, si një mënyrë për të tërhequr kapital dhe krahë pune nga Europa Veriore e Perëndimore në tregjet përtej Atlantikut.

Godfrey Hodgson, nga ana e tij, dëshmon se, edhe puritanët që u vendosën në “New England” nuk e kishin këtë impuls “unik ekspesionalist”; ata ishin produkt i kulturës, i edukatës dhe i virtyteve europiane që i kishin marrë në kontinentin e vjetër.

Madje, edhe 140 vite më pas, kur përfaqësuesit e Kolonive të Bashkuara u mblodhën në Filadelfia për të deklaruar Pavarësinë e Shteteve të Bashkuara nga Kurora Britanike, parimet mbi të cilat ata u mbështetën e kishin bazën në idetë e Revolucionit Anglez, në Iluminizmin anglez, skocez e francez dhe në principet e së Drejtës Zakonore Angleze, pra, në parimet kryesore të qytetërimit europian.

Po kështu, argumenton një tjetër autor, David Hacket Fischer, nuk ishin vetëm puritanët e Winthrop-it ata që i krijuan Shtetet e Bashkuara. Puritanët përfaqësonin vetëm një prej të katër kulturave të para që ndikuan në dizenjimin dhe në krijimin e institucioneve të Shteteve të Bashkuara, krahas kavalierëve të Vixhinias (Virginia Cavaliers), kuejkërve të Pensilvanisë (Pennsylvania Quakers) dhe skocezëve e irlandezëve, që u vendosën në kufijtë e maleve Apalaçe dhe, të gjitha këto kultura, ishin “importe britanike”.

Walter McDouglas u shton këtyre katër kulturave formuese edhe dy të tjera, që ishin të rëndësishme, edhe pse politikisht jo aq të rëndësishme në krahasim me të parat—emigrantët gjermanë dhe skllevërit e importuar me forcë nga Afrika.

†††

I pari autor që e zhvilloi idenë e “eksepsionalizmit” amerikan në shkencën sociale, duke nënkuptuar me të “veçanësinë e Amerikës në raport me vendet e tjera”, ishte Alexis de Tocqueville, në mesin e viteve 1830.

Duke përshkruar tiparet e demokracisë amerikane, Tocqueville vërejti se Amerika ishte krejt ndryshe, për shkak të një rrethane të veçantë historike të saj, si një vend që nuk kishte njohur një të kaluar feudale. Sidoqoftë, në të gjithë veprën e tij voluminoze, Democracia në Amerikë, vëllimi i parë i së cilës u botua në vitin 1835, gjen vetëm një referencë që mund të kishte—edhe kjo vetëm tërthorazi—kuptimin në të cilin përdoret sot koncepti “eksepsionalizëm”.

Alexis de Tocqueville mbetet ndoshta autori që i ka vëzhguar e shpjeguar Amerikën, institucionet, vlerat dhe shpirtin novator të amerikanëve më mirë se kushdo tjetër deri më sot, Ai argumentoi se institucionet e atij vendi dhe vlerat e popullit amerikan ishin krejt e kundërta e institucioneve dhe e vlerave universale, të njohura deri atëherë. Idetë e tij, të shprehura rreth 180 vite më parë dhe të shoqëruara me një admirim të madh për atë vend, vazhdojnë edhe sot të mbartin të vërtetën e optimizmit që karakterizon Amerikën dhe popullin e saj.

Në fakt, vetë ideja se Shtetet e Bashkuara zënë një vend të veçantë në planetin tonë dhe në historinë e qytetërimit modern është artikuluar për të parën herë nga Tocqueville, në veprën e sipërpërmendur, në të cilën ai shkruan se: “Pozita e amerikanëve është tërësisht eksepsionale dhe duhet besuar se asnjë komb tjetër demokratik nuk do të mund të vihet ndonjëherë në një situatë të tillë”.

Tocqueville besonte se amerikanët janë ndryshe nga të gjithë popujt e tjerë dhe se suksesi i tyre në krijimin dhe konsolidimin e një republike përfaqësuese demokratike buronte nga pesë vlera kryesore që, sipas tij, ishin: liria, barazia, individualizmi, populizmi dhe laissez-faire.

Është me interes të vemë në dukje këtu ngjashmërinë mes pikëpamjeve të Tacqueville-it dhe pikëpamjeve të dy mendimtarëve të shquar gjermanë, më shumë se gjysmë shekulli pas tij, Max Weber dhe Werner Sombart, lidhur me natyrën e veçantë të demokracisë amerikane dhe karakteristikat kryesore të amerikanëve.

Nga krahasimi i vëzhgimeve të Weber-it me ato të Tocqueville-it bien në sy veçanërisht dy gjëra: nga njëra anë, ngjashmëritë mes interpretimit që Weber i bën “eksepsionalizmit” amerikan (kryesisht një nivel më i lartë i angazhimit civik sesa në Gjermani) dhe linjave kryesore të vëzhgimeve të Tocqueville-it në veprën e tij të sipërpërmendur dhe, nga ana tjetër, besimi që të dy këta mendimtarë të shquar kishin te liria dhe pavarësia e individit dhe, po kështu, te racionaliteti.

Si Tocqueville, ashtu dhe Weber, ishin liberalë, jo vetëm sepse kërkonin mbrojtjen e lirive të individit nga çdo formë dominimi jolegjitim, por edhe sepse besonin në përpjekjet për të krijuar një të ardhme më të mirë.

Edhe pse Tocqueville vinte në qendër të teorisë së tij politike interesat, ndërsa Weber theksonte rolin e vlerave, si një faktor esencial për motivimin e veprimit politik dhe për legjitimimin e shtetit, si njëri, dhe tjetri i kushtuan rëndësi të veçantë rolit të strukturës sociale, të bindur se ajo mund ta pengonte, ose ta ndihmonte zhvillimin e demokracisë (Faught 2007).

Për sa i përket përvojës dhe vëzhgimeve të tyre të drejtpërdrejta në Amerikë, Tocqueville jo vetëm vuri re me admirim mënyrën se si funksiononte demokracia amerikane, por edhe shprehu shqetësimin e tij për fatin e lirisë në “epokën demokratike”.

Weber, nga ana tjetër, duke u fokusuar në rolin e burokracisë në demokraci, shkroi me entuziazëm për energjinë rinore që ai vuri re në Shtetet e Bashkuara, edhe pse, në fillimin e shekullit të 20-të, ky vend, gjithashtu, po u nënshtrohej tendencave dominuese të burokratizimit europian.

Si Tocqueville, ashtu dhe Weber, e vlerësonin jetën e asociuar të amerikanëve si një tipar të admirueshëm të shoqërisë së tyre. Tocqueville shkruante se “Americans…constantly unite”, ndërsa Weber vinte në dukje se Amerika është “the association-land par excellence”.

Në përgjithësi, Weber trajtoi dy prej temave qendrore që vemë re në analizat e Tocqueville-it mbi kulturën politike të amerikanëve: mundësinë e një “tiranie të shumicës” (tyranny of the majority) në Shtetet e Bashkuara, dhe rolin e rëndësishëm të shoqatave të qytetarëve (civil associations).

†††

Nga një perspektivë teorike, mund të thuhet se Tocqueville plotëson vizionin e përgjithshëm weberian mbi shpirtin e kapitalizmit.Njëlloj si Weber, ai theksoi qëndrimin pozitiv të amerikanëve ndaj punës (për ta çdo lloj pune konsiderohet “e nderuar”), si dhe shpirtin sipërmarrës të tyre (“guximi” dhe “besimi” në biznes).Por, ndërsa Tocqueville vuri në dukje padurimin (restiveness) e aktorëve ekonomikë dhe dëshirën e tyre për gjithnjë e më shumë të mira materiale (tastefor material well-being), Weber theksoi dimensionet metodike dhe asketike të shpirtit të kapitalizmit.

Ai e konsideronte “asketizmin protestant si bazën e qytetërimit profesional modern—një lloj ‘konstruktimi shpirtëror’ të ekonomisë moderne” (cituar në Gerth & Mills 1958: 19).Sidoqoftë, teza e tij se ekziston një korrelacion pozitiv mes protestantizmit (veçanërisht variantit kalvinist të tij) dhe kapitalizmit modern, gjen mbështetje edhe në veprën e Tocqueville-it.

Ky i fundit, gjithashtu, shihte një lidhje të drejtpërdrejtë mes jetës ekonomike (apo shpirtit të kapitalizmit) dhe fesë, veçse, në dallim nga Weber, ai theksonte lidhjen edhe më të ngushtë midis shpirtit të kapitalizmit dhe dimensionit politik (kushteve politike dhe sjelljes politike të qytetarëve). Madje, edhe termi “shpirt” (Geist) që përdor Weber, gjendet shpesh në veprën e Tocqueville-it, kur ai flet për shpirtin sipërmarrës të amerikanëve (l’esprit de l’entreprise).

Pothuajse në të njëjtën kohë me Weber-in, në vitin 1906, Werner Sombart u interesua të dinte se, përse Amerika, për shkak se klasa punëtore e atij vendi ishte e painteresuar për ideologjinë socialiste dhe socializmin, përbënte një rast krejt të veçantë mes vendeve të tjerë të industrializuar e të urbanizuar.

Ai evidentoi një varg arsyesh, për shkak të të cilave punëtorët amerikanë dukej se ishin të kënaqur me sistemin e tyre kapitalist, por vetë Sombart-i nuk përmendi askund një term të ngjashëm, ose të përafërt me atë që do të mund të përkthehej si “eksepsionalizëm” amerikan.

Përkundrazi, ai përmend si arsye ato që mund të quhen “karakteristika specifike të kulturës shpirtërore” (Eigenart der geistigen Kultur), ose “shpirtin popullor amerikan” (die Eigenarten der amerikanische Volksseele).

Sidoqoftë, këto karakteristika, sipas Sombart-it, nuk ishin specifike vetëm për amerikanët. Ato mund t’i gjeje edhe në Londër e në Berlin, veçse, për shkak të faktorëve të tillë, si etika protestante, konsensusi demokratik, sistemi dy-partiak, standardi më i lartë i jetesës, mobiliteti social dhe një kufi territorial i hapur në Amerikë, karakteristikat e mësipërme ishin më të qarta dhe më dominuese. Për Sombart-in, Amerika zinte një pozicion ekstrem në spektrin sociologjik, por nuk ishte një vend “eksepsional”.

†††

Edhe pse hulumtimet mbi përmbajtjen e konceptit “eksepsionalizëm” kanë nisur shumë kohë më parë, vetë përdorimi i këtij termi është relativisht i vonët.Walter McDougall mund të ketë të drejtë kur shkruan se origjina e vërtetë e konceptit “eksepsionalizëm” amerikan duhet kërkuar e gjetur në konfliktin e heshtur mes dy lëvizjeve transnacionale më të mëdha në fillimin e shekullit të 20-të: Kishës Katolike dhe Internacionales Komuniste.

Të dyja këto lëvizje kishin arsye të shqetësoheshin se amerikanët mund të ishin të imunizuar nga joshja thuajse universale e tyre.Qysh në vitin 1784, kur në Shtetet e Bashkuara u krijua e para dioqezë katolike, Vatikani kishte shprehur shqetësimin e vet se si mund të rritej ndikimi doktrinar dhe hierarkik i Kishës Katolike në një vend që ishte kryesisht protestant, i lirë nga pikëpamja e zgjedhjes së besimit dhe i pasur.

Në vitin 1899, madje, Papa Leo XIII, nxorri një qarkore, me anë të së cilës dënonte “amerikanizmin” si një herezi.Ky dokument ia atribuonte këtë “herezi” amerikane faktorëve të tillë, si origjina revolucionare e formimit të kombit amerikan, individualizmi, kultura anglo-saksone, liberalizmi, egalitarizmi dhe ndarja e kishës nga shteti.

Një kërkim i vëmendshëm në bazat e të dhënave mbi përdorimin e këtij termi evidenton se ai është përdorur për herë të parë nga Jay Lovestone, udhëheqësi i Partisë Komuniste Amerikane në vitet 1920. Nisur, mesa duket, edhe nga pikëpamjet e shprehura më parënga Werner Sombart dhe Vatikani, Lovestone e përdori këtë term për të shpjeguar se përse propaganda dhe agjitacioni komunist nuk kishin arritur t’i organizonin punëtorët në qytetet më të mëdhenj të industrializuar të Amerikës, si Pitsburgu ose Detroiti.

Ai u përpoq të përshkruante rrugën e veçantë që do të ndiqte Amerika drejt revolucionit socialist, duke argumentuar se, produktiviteti eksepsional dhe stabiliteti që kishte arritur kapitalizmi në Shtetet e Bashkuara e kishin bërë të vështirë formimin e ndërgjegjes klasore revolucionare të proletariatit amerikan dhe se, për këtë arsye, revolucioni në këtë vend do të vonohej në krahasim me vendet e tjerë të zhvilluar.

Kjo tezë krijoi në atë kohë irritim të madh në Moskë dhe u bë shkak për botimin e një numri arikujsh, kryesisht në shtypin rus të asaj kohe, mbi “eksepsionalizmin”. Me ndërhyrjen e Stalinit, Lovestone u përjashtua nga radhët e Partisë Komuniste Amerikane si “deviacionist”.

Sidoqoftë, koncepti mbi “eksepsionalizmin” amerikan tashmë kishte bërë vend, madje ai u bë një “fetish” në radhët e intektualëve të majtë në vitet 1930, edhe pse kriza e rëndë ekonomike dhe Depresioni i Madh nuk mundën që ta radikalizonin lëvizjen punëtore në Shtetet e Bashkuara.

Kjo mund të thuhet edhe më shumë për gjysmën e dytë të viteve 1940, kur, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara u bënë fuqia dominuese e globit. Me fillimin e Luftës së Ftohtë, nuk u desh shumë kohë që termi “eksepsionalizëm” amerikan, i përdorur deri atëherë gjerësisht nga bolshevikët rusë dhe nga intelektualët e majtë europianë, të shndërrohej në një koncept patriotik dhe në një motiv nderi, që filloi të përdorej për të përshkruar krejt historinë e Shteteve të Bashkuara dhe për të motivuar politikën e jashtme të saj.

Në literaturën e shkruar në fushën e shkencave shoqëroe, termi “eksepsionalizëm” për herë të pare është përdorur në fundin e viteve 1950, nga Max Lerner, në atë kohë kryeredaktori i revistës së majtë The Nation, në librin e tij të njohur Amerika si qytetërim (America as a Civilization: Life and Thought in the United States Today, 1957). Ky libër u bë veçanërisht i famshëm me shprehjen e tij tashmë proverbiale: “Çdo njeri ka dy atdhe—atdheun e tij dhe Amerikën”.

Edhe pse, në këtë libër, Lerner u tregua i kujdesshëm që të mos binte në pozitat ekstreme që e shihnin Amerikën si një vend tërësisht i imunizuar nga “forcat e historisë dhe ligjet e jetës”, ai argumentoi se: “Keqinterpretimet nuk duhet të na bëjnë që të mos shohim elementët e vlefshëm të teorisë së eksepsionalizmit….Amerika përfaqëson mishërimin e gjallë të elementëve më dinamikë të historisë perëndimore modern”.

Vijon nesër…

August 1, 2018 12:20
Komento

Ende pa komente

Ende pa komente!

Je i mirëpritur. Bëhu i pari që komenton këtë artikull. Kujdes etikën.

Komento
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*