EKSKLUZIVE / Del videoja e rrallë e seancave të vetingut të dy gjyqtarëve

July 30, 2018 21:02

EKSKLUZIVE / Del videoja e rrallë e seancave të vetingut të dy gjyqtarëve

Ditën e djeshme në darën e trojkës së vetingut, të përbërë nga anëtarët Kruela Karabullaku, Hajdin Avazi, Sarmonela Fruthi si dhe gjyqtari ndërkombëtar Bond, Xhejms Bond, kaluan gjykatësit Selmane Katrani dhe Harallamb Shejtani, pohojnë burime të mirëinformuara. Para se të shikoni videon zyrtare të seancave, lexoni raportimin si më poshtë.

1.

Edhe pse videoja nuk e tregon, sipas burimeve që nuk rrodhën, por sërish pikuan, subjekti Shejtani hyri në komision në duar në xhepa, i hodhi një sy sallës dhe pikasi anëtarin Avazi:

-Hajdin e ke lënë lokalin? Ke filluar këtu mo gjigand? Po si ore nepërkë nuk më ke thënë gjys llafi? Ja dhe Kruela. Hajde Kruela hajde, sa ke ecur!

Anëtari Avazi sqaroi ndërkombëtarin Bond, Xhejms Bond:

-Është profesionist i paparë, zoti Bond. He gives you water on the handle of the spoon!

Zoti Bond tundi kokën i mahnitur, duke imagjinuar vështirësinë e mbajtjes së ujit në bisht të lugës.

Në vijim, komisioni skanoi pa mëshirë pasurinë e Harallamb Shejtanit.

-Zoti Shejtani. Shohim këtu se keni deklaruar pesë dyqane në Korçë, një Pus të Mezinit në Vlorë, Katër Rrugë në Shijak, tre pallate të Arabit në Tiranë dhe një gjysmë kalaje në Krujë. Deri këtu Ok. Po neve na del se jeni pronar edhe i një Sokaku të Marrësh në Gjirokastër. Pse nuk figuron? – pyeti anëtari Avazi.

Subjekti Shejtani i ra ballit me pëllëmbë.

-O sa i marrë që jam, Avazo! Kom harru për zotin. Bjerë ktu letrën ta shënoj.

Dhe nxorri një stilolaps me tre ngjyra, e shënoi shpejt e shpejt dhe ja dha letrën trojkës. Zoti Bond, Xhejms Bond, e këqyri shkrimin me vëmendje dhe u tha komisionerëve:

-Bukur, përputhet. Është i njëjti shkrim me atë të formularit. You may go, Mr Satan, you’re okay.

Kruela ja përktheu: Shejtono, ja hudhe. Ik tashi. Pasdite siç e lamë, mirë?

2.

Gjykatësja Selmane Katrani që në fillim u zu ngushtë nga treshja e trojkës, dmth nga trojka e treshes, për shkak të abuzimit ashiqare me deklarimin e sipërfaqes së shtëpisë së banimit.

-Zonja Katrane, si e shpjegoni që keni deklaruar 65 m2 banesë, ndërkohë që e keni 69 m2 sipas matjeve që bënë topografët ndërkombëtarë Xhuzepe Malavita dhe Miguel Stronco? – pyeti anëtarja Fruthi duke u kruar paksa.

-Po si të them, – sqaroi Katrani, – 65 në fakt është sipërfaqja e banueshme, ndërsa 69 m2 është llogaritur edhe shkalla. E vërteta është se këto shifra duheshin unifikuar, por unë jua kam shpjeguar këto në deponimin tim, zonja hetuese… më falni, zonja komisionere.

-Po moj Katrane po, -ja preu anëtarja e trojkës Kruela Karabullaku, 24 vjeçe, – po çatia me tjegulla, shteti me rregulla. T’i kishe marrë masat me kohë.

Dhe Karabullaku iu kthye kolegëve:

-Kolegë të dashur, dhe ju zoti Bond, Xhejms Bond! Për mua metrat katrorë që teprojnë janë korrupsion i pastër. Kjo tipja ja ka me hile vetingut. Hik o Katrane, hik! Je e përjashtume! 

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike e pavaksinuar. Dmth e pavetinguar

July 30, 2018 21:02
Komento

1 Koment

  1. Xhezo Zagarmbeti July 31, 12:30

    Te dashur miq, kam bere nje zbulim shkencor te jashtezakonshem, ju lutem ma publikoni, por ama te drejtat e autorit i kam une. Shkurtimisht studimi eshte ky:
    Nese do te behesh i pasur, shume i pasur, mbushi mendjen vellait apo motres e nese je femije i vetem ndonje kushuriri te pare te studioje per drejtesi. Ne fund te fundit financoje vete kete studim, qofte edhe duke marre borxh. Sepse, sipas statistikave te fundit ne Shqiperi, te gjithe vellezerit, motrat e biles edhe kusherinj te pare te gjykatesve dhe prokuroreve jane te pasur, shume te pasur. Nuk e kuptoj sesi shqiptaret vazhdojne luajne ne lojra fati, ku probabiliteti per te fituar eshe shume i vogel. Te gjithe ata qe do te perfitojne nga zbulimi im, ju lutem per nje dhurate te vogel ne llogarine e gazetes Dita me shenimin: “Lum si ne per kete batak”

    Reply to this comment
Shiko komentet

Komento

Your e-mail address will not be published.
Required fields are marked*